Parlamenti i parë i zgjedhur në Shqipëri

ASPEKTE TË VEPRIMTARISË SË PARLAMENTIT TË PARË TË ZGJEDHUR NË SHQIPËRI

1921-1923

Dr. Albana Mema 

QENDRA E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE

Instituti i Historisë

Zgjedhjet e para, të pranverës së vitit 1921, sado që u mbajtën në një kohë tepër të papërshtatshme për Shqipërinë, do të krijonin parlamentin e parë të vërtetë shqiptar, të dalë nga zgjedhje të lira politike. Themelimi i një parlamenti pluralist dhe demokratik, ishte i një rëndësie të veçantë për fillimin e një jete politike e demokratike dhe ndërtimin e institucioneve shtetërore. Por, klasa politike shqiptare ende nuk e kishte bërë të sajën këtë ligj themelor të qeverisjes demokratike. Ajo ishte larg shpirtit dhe frymës së mbajtjes së debatit dhe luftës politike brenda suazave të Parlamentit dhe normave kushtetuese.

Këto zgjedhje përfunduan me fitoren e “Krahut Kombëtar”. Në kontekstin shqiptar, fitorja e kësaj linje politike nacionaliste, ishte dëshmi e fuqizimit të elitës politike me tipare kombëtare. Shtresa nacionaliste shqiptare, kishte filluar një veprimtari të ngjeshur politike në Shqipëri pas vitit 1908, si shkak i frymës nacionaliste xhonturke të shpallur në Stamboll, pasi pozitat e tyre u lëkundën. Si pasojë e kësaj premise, ato u angazhuan në Lëvizjen Kombëtare dhe atë shtet-formuese. Kjo shtresë, për shkak të kontakteve, të zhvillimeve politike në Perandorinë në shpërbërje e sipër, u angazhua në lëvizjen që solli shpalljen e pavarësisë. Më tej konservatorët ishin rryma mbizotëruese në zhvillimet politike si në qeverinë e Wilhelm Wied, ashtu edhe përgjatë Luftës së Parë Botërore.

Për ligjin e zgjedhjeve, të aprovuar nga qeveria më 5 dhjetor 1920, ka pasur qëndrime kritike në historiografi, si për censusin e zgjedhjes deputet, vetëm të atyre që dinin me shkrim gjuhën shqipe, pasi kështu përjashtoheshin të varfrit; për përcaktimin që votuesi të shkruante vetë ose me ndihmën e dikujt emrin e deputetit, për sistemin dy shkallësh etj.[1]Por, në këtë rast, duhet pasur parasysh se, ligji i përshtatej kushteve dhe mundësive në të cilat gjendej shoqëria shqiptare, në atë kohë. Madje, siç do ta provonte koha, edhe vetë opozita që e kritikoi shumë këtë ligj, kur erdhi në pushtet, nuk ishte në gjendje të bënte një ligj tjetër zgjedhor, por, adoptoi ligjin e mëparshëm. Sejfi Vllamasi thekson se, “në atë kohë zgjedhjet direkte qenë të pamundura”.[2]

Në procesin e ndërtimit të parlamentit të ri shqiptar, i cili, do të dilte nga zgjedhjet e vitit 1921, kemi një rast interesant dhe tipik përfaqësimi. Në të u përfaqësua edhe diaspora shqiptare e Amerikës, me një përfaqësues të organizatës më të madhe të saj, Federatës Panshqiptare “Vatra”. Kryeministri Iljaz Vrioni, njoftonte Ministrinë e Brendshme se “me vendim të Këshillës Ministrore, nr. 1169 me 20. XII. 920 e pëlqimit të Këshillës së Naltë, nr. 332/1 me 2. I. 921, i jepet e drejta Shoqënis Federata “Vatra” e Amerikës e formueme prej nji shumice të madhe shqiptarësh, e njohtune si nji person moral, për me pasë nji deputet në Parlamentin Kombëtar të Shtetit t’onë, me kondicion se si qi do të zgjedhet si deputet, të ndodhet tani n’Amerikë e të ketë ma të paktën tri vjet qi gjendet atje me qellim qi të jetë i dalun me të vërtetë prej gjinit t’asaj shoqënije”.[3] Menjëherë pas kërkesës së qeverisë shqiptare, mbi caktimin e përfaqësuesit të “Vatrës” në Parlamentin shqiptar dhe propozimit për Fan Nolin, këshilli Ministror miratoi vendimin përkatës mbi pranimin e tij, si deputet në Parlamentin shqiptar. Në telegramin e Kryetarit të Shoqërisë Shqiptare Federata “Vatra” e Amerikës thuhet se, “si depytet i asaj shoqënije për në Parlamentin kombëtar asht zgjedhe Imzot Fan Noli, i cili massi asht ndodhun n’Amerikë shumë kohë e ma në funt si përfaqësuesi i Shtetit Shqiptar pranë Lidhjes së Kombevet në Genevë, Këshilla nuk sheh nonji ndalim mbi mos pranimin e tij”.[4]

Zgjedhjet u mbajtën më 5 prill 1921. Këshilli Kombëtar me një dhomë, i filloi punimet më 21 prill 1921 dhe i vazhdoi deri më 10 shtator 1923. Pandeli Evangjeli ishte Kryetar i Këshillit Kombëtar gjatë vitit 1921, me përjashtim të një periudhe të shkurtër, pasi u bë Kryeministër. Eshref Frashëri ishte Kryetar i Këshillit Kombëtar, në vitet 1922-1923.[5]

Për organizimin dhe funksionimin e vetë Këshillit Kombëtar, pati rëndësi të veçantë Rregullorja e tij. Parlamenti vendosi ta linte përkohësisht në fuqi Rregulloren e miratuar nga Këshilli Kombëtar i dalë nga Kongresi i Lushnjes. Gjatë diskutimit spikatën tre momente: përcaktimi se betimi i deputetëve duhej të bëhej përpara vetë parlamentit, si organ që personifikonte sovranitetin e popullit dhe jo përpara Këshillit të Lartë, sikurse pati disa mendime; e drejta e parlamentit për të kërkuar shpjegime nga qeveria, çka plotësonte një mangësi të Statutit të Lushnjes, ku një gjë e tillë nuk përmendej shprehimisht por, deduktohej; botimi i procesverbaleve të diskutimeve në Këshillin Kombëtar, çka do të siguronte transparencën, për të përdorur një term të ditëve të sotme. Kjo çështje e fundit mori një karakter të mprehtë, pasi Ministria e Punëve të Brendshme, e drejtuar nga Ahmet Zogu, e kundërshtoi botimin e këtyre procesverbaleve, por Parlamenti, nën presionin e opozitës, e anuloi këtë masë, kështu që vazhdoi rregullisht botimi i tyre.[6]

Studiuesi kanadez, Robert Austin, pohon se, “Parlamenti i vitit 1921, nuk ishte një institucion me atributet e plota të një parlamenti të një vendi demokratik. Rëndësia e tij kufizohej nga fakti, se lufta kryesore bëhej në nivelin e kabinetit, me konkurencë interesash, duke luftuar për të fituar kontrollin mbi pozitat kyçe dhe luksin që krijonte pushteti politik”.[7]

Të dy partitë kryesore të jetës politike në vend, do të bëheshin “Partia Popullore” dhe “Partia Përparimtare”. Të dyja këto forca, u krijuan pas zgjedhjeve dhe brenda Këshillit Kombëtar. “Partia Popullore” u krijua më 24 prill 1921, në pjesën më të madhe nga ish-organizata “Krahu Kombëtar”, që ndryshe njihej me emrin “Klika”. Ajo deklarohej, një parti politike në mbrojtje të një “programi reformash thjesht moderne nga shpirti por të urta, e të shkallëzuara”, që të mos tronditej “asnji ndjenjë ose zakon i vendit; për një politikë paqësore e kombëtare të jashtme; kundër ndërhyrjeve në punët e brendshme të Shqipërisë, për një administratë moderne e për të drejtat e nëpunësve; kundër koncesioneve robëruese; sistem të përshtatshëm taksash, etj. Pas Qazim Kokoshit, kryetar i kësaj partie ishte Fan Noli, pastaj Sejfi Vllamasi, Bedri Pejani dhe më pas Ahmet Zogu. Kjo parti përfaqësonte mendimin konservator dhe atë liberal. Në shtator 1923, me largimin e mjaft figurave, dikur kryesore të saj, “Partia Popullore” mbeti tërësisht në drejtim të Ahmet Zogut. “Partia Përparimtare”, e krijuar pak ditë më vonë, përfshinte në gjirin e saj klasën e lartë të pronarëve të mëdhenj si: Shefqet Vërlacin e Iljaz Vrionin, Mehdi Frashërin etj., si dhe elementë kosovarë, që vinin nga “Komiteti Mbrotja e Kosovës” si Hoxha Kadri, (që ishte dhe kryetar i partisë), Hasan Prishtina, Bajram Curri, etj.[8]

Ashtu sikurse më parë, edhe pas zgjedhjeve, forcat përparimtare iu përmbajtën vijës politike për mbrojtjen e platformës së Kongresit të Lushnjës. Duke i bërë jehonë dhe duke çmuar lart, veprën historike të këtij Kongresi, forcat përparimtare u përpoqën të ngrinin dhe të impononin si kriter bazë, si për vlerësimin e çdo ngjarjeje ashtu edhe të veprimtarisë shtetërore, faktin e vetëm, nëse ajo i përgjigjej ose jo frymës së vendimeve të Lushnjës. Ato ngulnin këmbë në vlerën e vendimeve të Kongresit të Lushnjës, si parime juridiko-kushtetuese të shtetit të rimëkëmbur shqiptar, prej nga shtronin edhe kërkesën e drejtpërdrejtë, që e gjithë veprimtaria shtetërore, duhet të ishte në përputhje të plotë me këto vendime.

Pozita juridiko-kushtetuese e Këshillit Kombëtar, si organi kryesor në sistemin e organeve shtetërore, bënte që të shtrihej veprimtaria e tij edhe mbi atë të organeve të tjera të larta shtetërore. Në këtë pozitë çonin vetë raportet e varësisë juridike të tyre sipas Statutit të Lushnjës, ndaj Këshillit Kombëtar, si të shprehura (në rastin e qeverisë), ashtu edhe të nënkuptuara (në rastin e Këshillit të Lartë). Nga kjo pikëpamje, tribuna e Këshillit Kombëtar tërhoqi vëmendjen e forcave konkurruese dhe secila prej tyre vari shpresa të mëdha.[9]

Në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar, u formuan dy grupe deputetësh apo “parti” parlamentare: “popullore” dhe “përparimtare”. Pati edhe një numër deputetësh që nuk bënin pjesë në asnjë prej këtyre partive, por merrnin, sipas rastit, anën e njërës apo të tjetrës prej tyre. Deputetët me prirje progresive, fillimisht dhe në përgjithësi, u përfshinë në “Partinë Popullore”, kryetar i së cilës, u zgjodh F. S. Noli. Por, deputetë të tillë përparimtarë, pati edhe në partinë tjetër, në atë “Përparimtare”, siç ishte kryetari i saj H. Kadri, etj. Gradualisht, brenda radhëve të Këshillit Kombëtar, u vu re një proces diferencimi i ndjeshëm. U shpërbënë partitë parlamentare të mëparshme dhe deputetët e Këshillit Kombëtar u ndanë përfundimisht në dy krahë kundërshtarë. Sipas historiografisë së mëparshme këto ishin, pasqyrim i dy rrymave politike në vetë gjirin e shoqërisë së atëhershme, rrymës përparimtare, demokratiko-borgjeze, nga njëra anë dhe rrymës konservatore, nga ana tjetër. Sipas Gramoz Hysit, përfshirja e deputetëve përparimtarë në një grupim të qëndrueshëm, ndodhi nga fundi i vitit 1921 dhe fillimi i vitit 1922, me shkëputjen e tyre të plotë nga “Partia Popullore”, që kishte rënë nën zotërimin e krahut “reaksionar”, si edhe me shpërndarjen e “Partisë Përparimtare”. Ky ishte grupi i Opozitës, në kuadrin e së cilit, deputetët përparimtarë filluan të ndërmarrin veprime të organizuara, në luftën e tyre kundër “krahut reaksionar”, në vend të veprimeve të veçuara dhe individuale të deriatëhershme.[10]

Në këtë rast, Gramoz Hysi, na ka dhënë me saktësi, fillimin e një procesi të ri diferencimi politik por, koncepti i tij për ndarje të grupimeve në përparimtarë dhe reaksionarë, është i gabuar dhe në bazë të vlerësimeve klasore dhe ideologjike. Kuptohet qartë se, në këtë analizë, dominojnë motivet ideologjike të periudhës së mëparshme, ku njëri grup përcaktohet si përparimtar dhe tjetri si reaksionar. Ky konceptim, ka prodhuar një paraqitje tërësisht të deformuar të përbërjes dhe të veprimtarisë së Parlamentit të parë shqiptar dhe është përpjekur të argumentojë grushtet e shtetit dhe veprimtarinë antikushtetuese e të dhunshme të segmenteve të veçanta të opozitës së kësaj kohe.

Lufta politike që bënë në Këshillin Kombëtar, përfaqësuesit e forcave përparimtare për organizimin demokratiko-borgjez të shtetit mori rëndësi, sidomos, në tre drejtime: Së pari, në veprimtarinë legjislative ose “ligjbërëse”, siç përdorej shpesh në atë kohë dhe si organ i së cilës ishte pikërisht Këshilli Kombëtar, (nën shtytjen e deputetëve përparimtarë, çështja e zëvendësimit të legjislacionit të huaj me atë shqiptar u shtrua pak a shumë në krejt gjerësinë e vet) dhe për më tepër, në ballafaqimin e saj të drejtpërdrejtë me parimet e Statutit të Lushnjës, si ligji themelor i shtetit, si baza e burimi i vetëm i legjislacionit të ri; së dyti, në kontrollin juridiko-kushtetues të veprimtarisë së dy organeve të tjera shtetërore, të Këshillit të Lartë e të Qeverisë, nga ana e Këshillit Kombëtar; së treti, në jehonën që u bëhej në Këshillin Kombëtar ngjarjeve jashtë mureve të tij dhe gjendjes së vendit, përgjithësisht, të cilat lidheshin ngushtë ose ishin pasojë e drejtpërdrejtë e veprimtarisë shtetërore.[11]

Që në këtë kohë, në shtyp, pati mjaft kritika ndaj efektivitetit të Parlamentit të ri. Kështu, gazeta “Fjal’ e Lirë”, tërhiqte vëmendjen se, para se të formohej partia e shumicës që do të krijonte qeverinë definitive, të bazuar mbi pikat e programit të saj, çdo tentativë që do kishte për qëllim rrëzimin e kabinetit të Ilias Vrionit ishte e dëmshme, pasi mungesa e shumicës do t’i hapte rrugën ambicies dhe do të krijonte një gjendje anormale apo një krizë të përhershme. “Legjislatura e Shqipërisë pasi të rregullojë problemin e qenësisë konstitucionale të saj dhe pasi të nxjerri qeverinë definitive, ka për të menduar ngrehjen e Statutit.” [12] Po kaq interesante, ishin edhe komentet e kësaj gazete, mbi demokracinë në vend dhe faktin se si qëndronin partitë e krijuara, në raport me të. Ajo shkruante se: “Partia Popullore”, përgjithësisht është formuar nga njerëz demokratë dhe patriotë, por prapë s’dyshojmë që patriotizmën dhe demokracinë nuk e përfaqësojnë vetëm këta të 30-të. Prapë nuk mund të themi se demokracia mbretëron vetëm në mendimin dhe shpirtin e Toskës. Por demokratët tonë kanë nxituar sa më shpejt të marrin qeverinë në dorë dhe për t’ia arritur këtij qëllimi, kanë formuar partinë popullore, pa çmuar nevojën e një maxhoriteti të fortë të bazuar mbi një mendim të kulluar. Kjo parti duhej të ishte formuar, pasi deputetët e saj t’i shfaqnin mendimet e tyre edhe deputetëve të veriut.[13] Pra, këtu ka një kritikë me vend, për karakterin disi krahinor të dy partive, ndonëse kritika drejtohet konkretisht ndaj “Partisë Popullore”.

Edhe gazeta “Jet’ e Re”, bënte komente pozitive, rreth programit të “Partisë Popullore” dhe nënvizonte këtë pjesë të tij: “… Partia do të përpiqet t’a rritë, t’a edukojë (mësonjë) e t’a pasuronjë popullin e t’a vërë në radhën e popujve Evropianë të Perëndimit. Partia do të mbrojë njësinë (egalitetin) e gjithë qytetarëve Shqiptare, pa ndryshim feje si dhe lirinë personale, të fesë, fjalës, shtypit, mbledhjes e shoqërimit.” Ky program ishte votuar dhe nënshkruar prej tërë deputetëve të Korçës, deputetëve të Gjirokastrës, veç Kolekës, i cili kishte vajtur në Shkodër, deputetëve të Matit, një i Durrësit zotit Zia Toptanit. Kryetar i saj u zgjodh Imzot Fan Noli, sekretar Qazim Kokoshi”.[14]

Përveç stabilitetit politik, të një maxhorance të qëndrueshme, një problem tjetër edhe më delikat, ishte çështja e përfaqësimit politik në Parlament. Shumica e deputetëve ishin të vendosur që të bëhej gjithçka që të ruante unitetin kombëtar në këtë fazë të parë të vështirë të konsolidimit të shtetit shqiptar.[15] Nga shumica e deputetëve, u përkrah propozimi i Ali Këlcyrës, i cili, ndonëse e pranonte se populli shqiptar kishte një ndërgjegje kombëtare, shprehte shqetësimin se mund të ndodhnin ngatërresa e përçarje. Ai sugjeroi që me vendim të Parlamentit, të respektohej përbërja fetare. Pra, në ato rajone ku ortodoksët ishin në shumicë, të zgjidhej detyrimisht një deputet ortodoks. Ndërsa në zonat ku myslimanët ishin shumicë mund të caktohej edhe një deputet nga pakica ortodokse.[16] Edhe më pas, në bisedimet e mbajtura gjatë Kuvendit Kushtetues, Ali Këlcyra, e arsyetoi këtë fakt, duke theksuar se, “shteti shqiptar ishte afetar, por, për oportunitet politik, ne propozuam që të merret si bazë në hartimin e ligjeve proporcioni midis elementeve fetare. Arsyeja ishte se ende ngjarjet historike të së kaluarës mund të ndikonin në jetën politike, ku shumica mund të shtypte të drejtat e pakicës. Pasi shteti shqiptar nuk kishte arritur atëherë ende në shkallën e duhur të qytetërimit politik, propozuam që zgjedhjet të bëheshin në bazë të proporcionit të elementëve fetarë, për të vetmen arsye që shumica të mos mund të shkelte të drejtat e pakicës”. Kritikat më të ashpra iu bënë Mehdi Frashërit që atëherë ishte Ministër i Punëve të Brendshme.[17]

Problemi i përfaqësimit në parlament, do të diskutohej gjatë dhe diskutimet rreth tij, do të zhvilloheshin edhe në vitin 1923. Deputetë si: Ali Koprencka, I. Xhindi, V. Xhuvani, N. Ivanaj kërkuan që, me qenë se shteti shqiptar nuk kishte fe zyrtare, të mos vendoseshin proporcione në zgjedhjen e deputetëve sipas përkatësisë fetare.[18] Lidhur me këtë çështje, Ministri i Drejtësisë, M. Tutulani, kundërshtoi, duke theksuar se, “qeveria e kishte bërë propozimin për të ruajtur përpjestimet midis feve në Parlament, për arsye se ajo kishte pranuar një nen në Lidhjen e Kombeve, i cili theksonte se në Parlament do të ruheshin proporcionet fetare”. Qazim Koculi, e kritikoi ashpër këtë pretendim, duke theksuar se e kishte kundërshtuar me kohë këtë sepse shqiptarët myslimanë e të krishterë nuk ia kishin kërkuar këtë gjë Lidhjes së Kombeve. Sipas tij, parashikimet e Lidhjes së Kombeve, ishin vetëm për pakicat nacionale.[19] Ai e quajti Deklaratën në Lidhjen e Kombeve një gabim trashanik, i cili ose duhej të ndreqej ose do të mbetej një letër e vdekur dhe të mos zbatohej. Por, Ali Këlcyra, vijoi të këmbëngulte që proporcionaliteti të pranohej, jo për hir të deklaratës në Lidhjen e Kombeve, por për interesat e vendit. Kështu u pranua propozimi se në caktimin e numrit të anëtarëve të Kuvendit Kushtetues të ruhej përpjesëtimi ndërmjet feve të ndryshme.[20]

Çështja e përfaqësimit fetar në institucionet kombëtare, ishte një problem i mprehtë për shtetin shqiptar, i cili, ishte diktuar nga niveli ende i ulët politik, i edukatës dhe ndërgjegjes kombëtare, si rezultat i kushteve specifike të zhvillimit historik të kombit shqiptar. Por, këto probleme do të shtoheshin edhe më shumë, si rezultat i presionit të fuqishëm që bënin shtetet fqinje dhe disa fuqi të mëdha dhe organizma ndërkombëtare, që dominoheshin prej tyre, ndaj shtetit shqiptar, që ky i fundit, t’i konsideronte komunitetet fetare si komunitete minoritare dhe për pasojë, ato duhej të gjenin përfaqësim proporcional në këto organe.

Ndërtimi i institucioneve mbi bazën e përqindjes fetare dhe krijimi i përfaqësimeve të tilla, do të shkatërronte unitetin e brendshëm të shtetit shqiptar, që në embrion dhe do të pengonte çdo lloj përpjekjeje për konsolidimin, rritjen e efektivitetit, modernizimin dhe demokratizimin e institucioneve kombëtare. Ky lloj segregacioni, do të dekurajonte të gjitha përpjekjet për progres dhe prosperitet, do të krijonte konflikte dhe mosmarrëveshje të brendshme, të vazhdueshme dhe çka ishte edhe më problematike, do të krijonte një terren ideal për ndërhyrjen e fqinjëve më të fuqishëm, e me shtete të konsoliduara, me tipare të theksuara nacionaliste dhe shovene, në punët e brendshme të shtetit shqiptar, duke e bërë kështu ekzistencën e këtij shteti, pothuajse të pamundur, ose në rastin më të mirë, do ta bënin jetën e tij politike një kalvar të vërtetë.

Për këtë arsye, kjo fazë e parë e viteve 1920-1924, do të shërbente si një periudhë transitore, drejt formimit të institucioneve unike kombëtare, gjë që do të arrihej pas rikthimit të A. Zogut në pushtet në vitin 1925. Por, gjithashtu, kjo periudhë do të shërbente edhe si një eksperiencë, e cila, do të diktonte më vonë kapërcimin e vendosjes së barrierave dhe kornizave fetare e krahinore brenda institucioneve përfaqësuese kombëtare. Më tej, respektimi i përkatësive fetare, në përbërjen e institucioneve fetare, do të mbetej një kriter për shtetarët shqiptarë, të cilët, do ta respektonin atë si një kod të pashkruar moral dhe politik. Parimi themelor, i këtij kodi të pashkruar, ishte pjesëmarrja e shqiptarëve të krishterë gjerësisht në institucionet kombëtare edhe në një shkallë më të lartë, se sa pesha specifike që ata kishin në popullsinë shqiptare. Kjo i ka shërbyer procesit të konsolidimit të institucioneve kombëtare dhe fuqizimit të unitetit kombëtar. Por, nga ana tjetër, nga të gjithë shqiptarët, u refuzua me vendosmëri, vendosja e përqindjeve dhe numrave fikse të përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së popullsisë së besimeve të ndryshme në institucionet kombëtare dhe lokale, si dhe u refuzua dhe u kundërshtua me forcë çdo lloj ndërhyrje e huaj në këtë drejtim. Kjo ka qenë rruga më e drejtë, në ato situata specifike, në të cilat ndodhej kombi shqiptar, në procesin e vështirë të formimit të shtetit të tij kombëtar.

Në kuadër të zhvillimeve parlamentare, ishte me interes bashkëpunimi mbi çështje që cenonin sovranitetin e Shqipërisë, siç ishte kryengritja antiqeveritare e Mirditës. Faktori politik i kohës, u angazhua në arritjen e një marrëveshjeje politike për të shtypur këtë kryengritje. Ahmet Zogu, një lider i njohur tashmë, arriti të siguronte aleancë politike qeverisëse me koalicionin “Bashkimi i Shenjtë”. Studiuesi B. Fischer thekson se, në këtë organizatë fluide merrnin pjesë të gjithë elementet e politikës shqiptare, që nuk bënin pjesë në “Partinë e beut””.[21] Përveç arsyes së lartpërmendur, ky bashkëpunim parlamentar, arriti të shpërbëjë një qeveri, ku palët e përfshira në bisedime për krijimin e tij, nuk ishin pjesë e saj. Fillimisht, u formua grupi iniciator për formimin e qeverisë, i përbërë nga Bajram Curri, Qazim Koculi dhe Avni Rustemi.[22] Ndërmarrja e tyre, më pas, u përkrah nga shumë personalitete si: Bahri Omari, Luigj Gurakuqi, Kristo Floqi, Petro Harito, Ahmet Zogu, Hoxhë Kadriu, Riza Dani, Kristo Dako, Ali Këlcyra, Qemal Mullai, Dom Ndre Mjeda, Koco Tasi, P. Gjergj Fishta, Eshref Frashëri, Mustafa Kruja e Rexhep Mitrovica.[23] Ky protokoll, mban datën 11 tetor 1921 dhe në historinë e politikës shqiptare, arritja e këtij kompromisi politik, ka një domethënie të veçantë, pasi formohet një qeveri koalicioni.

Mbi arritjen e këtij kompromisi politik u njoftua edhe Kryeministri në detyrë më datë 11 tetor 1921, ku theksohej se, “Bashkimi i Shenjtë” u formua për mbrojtjen e integritetit të Shqipërisë. Qeverisë i kërkohej ta publikonte këtë marrëveshje të arritur në Parlament. Dokumenti mbante nënshkrimet e Anastas Pandeliut, Hoxha Kadriut, Ferit Vokopolës, P. Gj. Fishtës dhe Bahri Omarit.[24] Shtypi i kohës, bëri interpretime të ndryshme për krijimin e këtij koalicioni. Ai u cilësua si një krijesë politike e detyruar nga kërcënimi i integritetit të vendit si dhe nga krizat e vazhdueshme të qeverisë. Kështu, gazeta “Posta e Korçës”, shumë aktive në këtë kohë, në pasqyrimin e detajuar të situatës politike, e veçanërisht, asaj në parlament, në një kryeartikull të saj, arrinte në konkluzionin se: “Për të bërë Bashkimin më të fortë midis Popullit u formua “Bashkim i Shenjtë”.[25] Nëpërmjet protokollit të themelimit të koalicionit, e më pas, njoftimit të bërë Këshillit të Ministrave, dëshmohej serioziteti i lidershipit të përfshirë në këtë proces. Prej këtij koalicioni, doli qeveria Evangjeli, e cila shpalli angazhim për të ruajtur integritetin dhe independencën e shtetit shqiptar, përpjekjen për të siguruar njohje nga shtetet e huaja, e lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me to. Kjo qeveri, më 19 tetor 1921, shpallte se do përpiqej për krijimin e raporteve miqësore me shtete të tjera, sidomos me fqinjët, për të dhënë prova se, Shqipëria ishte element paqeje dhe progresi në Ballkan.

Misioni britanik në Shqipëri, e shpjegonte krejt ndryshe, krijimin e “Bashkimit të Shenjtë”, duke i atribuuar A. Zogut një rol të veçantë në këtë drejtim. Në një raport të detajuar të Harry Smith, drejtuar Lordit Curzon me titull: “pamja sipërfaqësore e partive” thuhej: “Grupet parlamentare në Tiranë, të zgjedhura në qershor 1921, u etiketuan si Progresive, Popullore dhe grupi Katolik. Përveç këtyre, ishte Fan Noli si i pavarur dhe Hasan Prishtina me disa deputetë të Drinit, si irredentistë. Dy grupet më të mëdha parlamentare, kanë në të vërtetë programe identike. Secili flet për reforma, edukim dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Partia në pushtet, ajo Progresive, në radhët e së cilës fillimisht ishin 20 anëtarë ortodoksë, gradualisht mori emrin e partisë së bejlerëve. Të krishterët, duke e parë pafuqinë e tyre kundrejt myslimanëve, e shtuan fushatën kundër bejlerëve. Ahmet Beu, si person i mprehtë që është, përfitoi nga kjo lëvizje për t’u bashkuar me “Bashkimin e Shenjtë”, i cili u krijua për t’i dhënë fund pushtetit të bejlerëve, edhe pse ai përfaqësonte tipin më ekstrem të bejlerëve që duheshin shtypur. Fan Noli për qëllime praktike u integrua në “Partinë Popullore” dhe pastaj në përbërjen e “Bashkimit të Shenjtë”, ndërsa katolikët, që mendonin të bashkoheshin me lëvizjen kundër bejlerëve, ishin kryesisht nga Shkodra. Tipari më kryesor i grupit të Hasan Beut, është karakteri i tij i hapur pro-italian.”[26] Ky raport interesant i britanikëve, të cilët po i vëzhgonin me kujdes dhe thellësi zhvillimet politike, na jep një pjesë të tablosë se çfarë metamorfoze politike po ndodhte në parlamentin shqiptar në këtë kohë. Kështu, ndonëse “Partia Progresive” deri në këtë kohë, kishte pasur një dominim fare të lehtë e të paqëndrueshëm në parlament, kryeministër i qeverisë së “Bashkimit të Shenjtë” u zgjodh P. Evangjeli, anëtar i “Partisë Popullore”. I paqartë është roli i Zogut në këtë kombinacion politik. Sipas britanikëve, ai ishte frymëzuesi i tij por, sipas italianëve ai nuk bën pjesë në grupin e deputetëve të “Bashkimit të Shenjtë”. Gjithashtu S. Vllamasi, siç do ta shohim më tej, pohon se Zogu ishte kundër këtij kombinacioni politik, por më në fund u bind pasi shumica e “Partisë Popullore” ishte pro kësaj lëvizjeje.

Gjithsesi, zhvillimet e mëvonshme, dëshmuan se, jo të gjithë palët e respektuan vendimin për ta ruajtur këtë koalicion, duke u angazhuar shumë shpejt, në denoncimet ndaj tij. Gazeta autoritare “Dielli”, ishte zëdhënësja kryesore e denoncimit ndaj këtij kombinacioni parlamentar dhe në një kryetitull të saj e cilësonte si “epidemia që ka rënë në Parlament”. Kriza sipas saj, u shkaktua prej intrigave që u luajtën nën maskën e “Bashkimit të Shenjtë”. “Dielli”, e karakterizonte koalicionin si manovër e një shumice deputetësh për të marrë ministri dhe përfundimi ishte shkatërrimi i të tre partive, me përjashtim të “Partisë Popullore”, e cila pa dyshim, do të kishte sërish shumicën, kur të rihapej Parlamenti.[27] Por, më e keqja, do të vinte disa ditë më vonë, me grushtin e shtetit, që do të realizohej, pikërisht, nga organizatorët e “Bashkimit të Shenjtë”. Këto ngjarje të dhimbshme dëshmonin se, sistemit parlamentar i kanoseshin edhe rreziqe të tjera.

Rrjedha e ngjarjeve që pasuan, tregonin se vendi nuk do të shpëtonte nga krizat politike. Trupat qeveritare, nuk përfunduan dot shtypjen e kryengritjes së Mirditës dhe Ali Fehmi Kosturi, u ndërrua, duke u zëvendësuar nga Ibrahim Prishtina, e më pas nga Rexhep Shala. Për të përballuar gjendjen e përgjithshme në veri të vendit, më 4 nëntor 1921, qeveria emëroi komandant të operacioneve ushtarake, për krahun lindor Ahmet Zogun dhe për krahun perëndimor, Bajram Currin, duke sjellë në të njëjtën kohë edhe kundërveprime nga kundërshtarët politikë të Ahmet Zogut.

Në të njëjtën datë, Këshilli i Lartë, i kërkoi Këshillit Kombëtar, të mbyllte sesionin parlamentar, për shkak të gjendjes në veri dhe për t’i lënë dorë të lirë qeverisë të punonte.[28] Ky dekret, i zuri një pjesë të parlamentarëve në befasi dhe rreth tij, pati debate të ashpra. Ai u etiketua edhe si një grusht shteti, madje sipas Vllamasit, situata shkoi deri në kufijtë e një përleshje të armatosur.[29] Për të sjellë panoramën e këtij debati të ashpër, ia vlen të japim disa nga debatet që u zhvilluan për këtë çështje.

Kështu, deputeti Bahri Omari gjatë seancës së Këshillit Kombëtar deklaroi: “Dekreti i Këshillit të Naltë për përndarjen e Parlamentit, asht kundra konstitysionit qi kemi pranue në Kongresin e Lushnjës e kundra Statutit t’onë simbas të cilit Këshilli i Naltë s’ka as nji të drejtë t’përndajë parlamentin”. Sipas Statutit të Lushnjës, vazhdon ai, kur Parlamenti ndodhet tre herë rresht në konflikt për formimin e Qeverisë, Këshilli i Lartë thërret Asamblenë Kushtetuese e cila vjen dhe zgjidh konfliktin. Prandaj sipas tij, “Këshilli i Naltë, me këtë veprim qi ka ba, ka shkel Statutin e Shenjt të Lushnjës, e ka marrë nji të drejtë qi ky nuk ja jep. Lypset pra qi këtë dekret t’a refuzojmë”.[30] Një qëndrim krejt të kundërt, mbajti Ali Këlcyra, i cili theksoi: “Po t’a marrim këtë çështje nga pikpamja juridike, e po të marrim Statutin e Lushnjës, do të shofim se natyralisht Këshilli i Naltë nuk e ka këtë të drejtë”. Por, Këshilli i Lartë i gjendur përballë mosmarrëveshjeve për ambicie personale dhe gjendjes kritike të brendshme dhe të jashtme të vendit e dha këtë vendim si detyrë morale të tij, shprehet Këlcyra. Ai vazhdon më tej në analizën e tij duke arsyetuar se ky vendim i Këshillit të Lartë është i drejtë dhe i arsyeshëm, për faktin se pushimi i përkohshëm i Parlamentit do të shërbente për uljen e tensioneve mes palëve.[31] Më tej edhe deputeti M. Tutulani, jep mendimin e tij, për aktin e kryer nga kreu i shtetit shqiptar. Sipas tij: “Nji dekret ksisoj duhet të jetë i mbështetun mbi nji të drejtë juridike, e cila simbas Statutit të Lushnjës i mungon, dhe ksisoj abuzon të drejtat e Tij”. Këshilli i Lartë, vazhdon ai në fjalën e tij, me këtë pushim abuzon me të drejtat e tij dhe bën një “coup d’etat”. Përveç kësaj, ky Këshill në dekretin e tij, thekson se kemi të bëjmë me sesion të jashtëzakonshëm, por kjo nuk asht fare e drejtë, deklaron Tutulani, ne jemi në “stinë ordinare”. Sipas tij, për shkak të këtyre dy pikave, dekreti i Këshillit të Lartë është një coup d’etat dhe Këshilli Kombëtar duhet ta refuzojë kategorikisht e mos ta marrë para sysh.[32] Ndërsa Mustafa Kruja shprehej se: “Mbreti ose Kryetari i Republikës ose Regjenca, në çdo Shtet konstitutional ka përpara parlamentit dy të drejta: Pushimi i Parlamentit d.m.th. ndërprerja e sesionit parlamentar dhe shkatërrimin e Parlamentit” dhe kjo sipas tij, është një nga të drejtat më të mëdha që ka fuqia ekzekutive, në të gjitha shtetet monarkike dhe republikane të botës që kanë një kushtetutë.[33]

Me interes është që të shihet edhe qëndrimi i shtypit ndaj parlamentit, në momentet më të vështira që kalonte vendi, të cilat, do t’i prinin grushtit të shtetit. Për këtë tërheq vëmendjen një artikull i gazetës “Shqipëria e Re”, i titulluar “Mbyllja e Parlamentit shqiptar.” Në këtë artikull, parlamenti vlerësohet negativisht. “Parlamenti, ai gjyq i naltë, ku kish kthyer sytë gjithë kombi dhe priste sende me rëndësi, priste sigurimin e jetës kombëtare, u-bë, më në funt një vënt, për të hipur dhe zbritur ministra, për të mbushur ambicjet personale, për t’i bërë qefin njërit ose tjetërit. Të pakë ishin ata deputetë qi kishin hedhur prapa krahëvet të gjitha dhe mendonin, punonin si Shqipëtarë!” Gazeta, vlerësonte në mënyrë kritike, edhe “Bashkimin e Shenjtë”, i cili, siç shkruante ajo, fillimisht bëri aq bujë dhe u prit me aq simpati por shpejt e humbi rëndësinë e tij “se gjithë ata qi s’e kishin me zemër u hoqnë, me gjithë q’i kishin vënë nënëshkrimet e tyre. Partia Kombëtare, ose më mirë feudale, fitoj përsëri shumicën dhe kabineti i ri i z. P. Evangjeli ish në rrezik”.     Gazeta, me të drejtë, bënte një vërejtje mjaft serioze. Ajo shkruante se, “në një kohë kur Sërbia po bombardonte katundet tona, po shkonte në thikë shqipëtarët e Matit dhe me një fuqi të madhe po i drejtoheshe kryeqytetit, në këtë kohë aqë të rrezikshme për tërësinë e vendit tonë, deputetët, q’i na u lavdëruanë se do bënin çudira, ishin të përçarë, përpiqeshin të rëzonin kabinetin të bënin këtë ose atë ministër, të fitonin inatin ose qefin.”[34]

Duke e parë situatën në këtë prizëm, gazeta, mbronte vendimin e kabinetit të P. Evangjelit, për të shpërndarë parlamentin. Ajo shkruante: “Kabineti i ri, ky kabinet demokrat dhe atdhetar gjer në palcë, duke parë rezikun, kërkoj nga Këshilla e Naltë shpërndarjen e Parlamentit. Këshilla e Naltë me një dekret luste depytetët të shpërndahen për dy muaj po, kongresi i Lushnjës s’i ipte këtë fuqi Këshillit të Naltë; atëherë shpërndarja u vu në votim dhe si për çudi fituan anëtarët e “Bashkimit të Shenjtë”. Me shumicë votash u vendos shpërndarja e Parlamentit për dy muaj d.m.th. gjer në Janar 1922”. Këtë përfundim, gazeta e quante pozitiv dhe nënvizonte se “ me sa gëzim që u prit çelja e këti Parlamenti me aqë gëzim u prit dhe mbyllja e tij.” Sipas gazetës, i çliruar nga Parlamenti, kabineti ishte i suksesshëm në përballimin e ndërhyrjes jugosllave. “Kabineti, duke mos patur mbi krye Parlamentin posi shpatën e Dhamokleut, mori të gjithë masat e nevojshme për t’i bërë ballë armikut”.[35]

Iniciatorët e “Bashkimit të Shenjtë”, të cilët do të bëheshin edhe organizatorët e grushtit të shtetit gënjyen edhe Pandeli Vangjelin, duke provokuar mbledhjen e parlamentit, me pretendimin se qeveria do të bënte një ekspoze mbi situatën e jashtme të Shqipërisë. Por, në vend të ekspozesë, u lexua dekreti i Këshillit të Lartë mbi shpërndarjen e parlamentit, me motivacionin se qeveria ka nevojë të ketë liri veprimi, për t’i bërë ballë situatës së rrezikshme të krijuar gjatë kufirit jugosllav. Parlamenti e kundërshtoi me forcë kërkesën për shpërndarjen e tij, por, ndonëse e refuzoi dekretin si në kundërshtim me statutin, vendosi ta pushojë aktivitetin e tij, deri më 1 janar 1922.

Kërkesa e Këshillit të Lartë, për mbylljen e organit legjislativ, deri në datën e caktuar, u votua nga Këshilli Kombëtar. Me 41 vota pro, 10 kundra dhe 4 abstenime, organi legjislativ, vendosi që punimet e tij të hapeshin më 10 janar 1922, datë e cila, për shkak të zhvillimeve të papritura, nuk do të zbatohej. Zhvillimi i këtyre ngjarjeve, përkonte me dobësimin e “Bashkimit të Shenjtë”. Deputetët e Korçës, u shkëputën nga ky formacion politik dhe iu bashkuan grupit të Iljaz Vrionit, që filloi të quhej “Indipendent”. Në këtë mënyrë, rënia e Qeverisë së Pandeli Evangjelit, dukej e shpejtë.[36]Ironia e fatit ishte se, kur po gatuhej ky komplot, pozita ndërkombëtare e Shqipërisë ishte përmirësuar në mënyrë të dukshme. Ishte dhënë vendimi final i Konferencës së Ambasadorëve dhe një numër vendesh, midis të cilave, edhe Fuqitë e Mëdha, kishin njohur qeverinë shqiptare.

Interesante janë edhe shpjegimet që na jep Sejfi Vllamasi. Sipas tij, “sado që “Partija Përparimtare” kishte një farë epërsie mekanike, kjo shumicë nuk vinte nga një parti homogjene që të kishte edhe solidaritetin moral për të formuar një qeveri të qëndrueshme e që të impononte një besim për të kryer veprat me rëndësi që impononte situata. “Partia Popullore” ishte me një ndryshim të vogël në raport me partinë tjetër. Ndonëse në pakicë, ajo ka qenë nga çdo pikëpamje më superiore se e para. Pas zgjedhjeve, pamundësia e formimit të një qeverie homogjene krijonte një situatë shqetësuese, e nga ana tjetër, vlonte propaganda e partikularizmës krahinore e fetare në formë të organizuar, për të shkaktuar anarshi mendimesh, sidomos midis elementit të padjallëzuar dhe të elementit që nuk kish njohuri të vërtetë mbi qëllimin e kësaj propagande”.[37]

Vllamasi, ndryshe nga britanikët, iniciativën për formimin e “Bashkimit të Shenjtë” nuk ia dedikon partisë së tij dhe as Zogut por, partisë kundërshtare. Ai thotë se, “pasi anëtarët që përbënin “Partinë Përparimtare” nuk mundën të formonin një qeveri të fortë me anë të zgjedhjeve parlamentare dhe pasi me anë të bisedimeve nuk mund të bëhej një marrëveshje për shkak mosbesimi, “Partija Përparimtare” pranoi formimin e një “Bashkimi të Shenjtë.” Prej këtij bashkimi do të zgjidhej një komision prej tre vetësh: Bajram Currit, Qazim Koculit e Avni Rustemit. Parlamenti do t’ia jepte kompetencën e tij këtij komisioni për formimin e një qeverie, e cila do t’ish e pranueshme prej të dy partive”. Vllamasi pohon se, “anëtarët e “Partisë Popullore”, që nuk bënin pjesë në Organizatën “Krahu Kombëtar”, nuk i njihnin mirë kundërshtarët dhe qëllimet e vërteta të tyre, prandaj në këto plane nuk shihnin ndonjë rrezik të dukshëm, ndërsa anëtarët që bënin pjesë në “Krahun Kombëtar”, ngurruan për herë të parë të pranonin propozimin në fjalë, i cili u bë objekti i diskutimeve të gjata midis tyre”. Me rëndësi është pohimi i Vllamasit se: “Zogu qysh në fillim u tërhoqi vërejtjen shokëve, duke thënë se kundërshtarët kanë prapamendim dhe qëllim të keq dhe mbasi nga ky komision do të dalë një qeveri jo e fortë, puna e parë e tyre në një moment të përshtatshëm do të ishte të bëjnë një grusht shteti, të marrin qeverinë në dorë e t’i bënin zgjedhjet duke përdorur forcën qeveritare”.[38]

Nga ana e tij, diplomati britanik Harry Smith, i jepte Zogut, një rol parësor në formimin e asaj që edhe ai e quante “Partia sekrete” (“Klika”). Ai informonte Sekretarin e Shtetit Curzon se: “Menjëherë pas mbledhjes së Parlamentit, ndërsa në hapje ishte një anëtar i fuqishëm i Partisë Popullore, Zogu formoi atë që këtu njihet si “Klikë”. Ajo është një shoqëri sekrete dhe krahasohet me Komitetin turk të Bashkimit dhe Përparimit. Anëtarët më të njohur janë: Ahmet Bej Zogolli i Matit, për momentin Ministër i Punëve të Brendshme; Eshref Bej Frashëri, për momentin President i Dhomës së Parlamentit; Kolonel Maliq Bej Frashëri, në këto momente drejtues i stafit; Kolonel Xhavit; Kolonel Ismail Tatzati, tani Ministër i Luftës; Xhafer Bej Ypi, tani Kryeministër; Bajram Fevzi, më parë Ministër i Punëve të Brendshme; Sotir Peci, i krishterë nga Korça, për momentin Regjent; Kol Thaçi, i krishterë nga Korça, tani Ministër i Financave; Mustafa Maksuti, më parë zëvendës Ministër i Luftës; Rexhep Bej Mitrovica, tani Ministër i Edukimit.”[39]

Smith, shprehte, në atë kohë, një mendim të kundërt me atë që ka pohuar Vllamasi. Gjithashtu, ai rendiste edhe disa tipare negative të “Klikës”, si përpjekjet për të ndërhyrë në administratën e vendit, duke bërë rekrutime politike, tendencën për të bërë arrestime të motivuara politikisht dhe ndërhyrjen për të shtrirë influencën e saj politike në ushtri. Ai shtonte se, “ çdo veprim i anëtarëve të “Klikës” synonte marrjen e pushtetit dhe pasurisë për anëtarët e saj, dhe prej saj nuk konsiderohej i paligjshëm asnjë mjet për të realizuar këtë qëllim”. Smith parashikonte që konflikti i “Klikës” me grupe të tjera jashtë saj do të vijonte. “Ngjarjet e fundit, nënvizonte ai, kanë provuar se, çfarëdo organizatash sekrete nën pushtetin e Hasan Beut ose të një lideri tjetër, nëse ndodh diçka e tillë, janë për momentin në kundërshtim me “Klikën””.[40]

Rrezikun e shpërndarjes së Parlamentit e kuptoi më vonë edhe Pandeli Vangjeli por, tashmë ai e kishte dhënë dorëheqjen. “Këshilli i Nalt dhe grupi inisjator i “coup d’etat”-ve kish filluar kanosjet, kërcënimet kundra kryeministrit për të cilin kishin mbledhur ku ishin e ku s’ishin fuqit civile të Dan Canit e të shokve dhe e friksonin të jepte dorëheqjen.”[41] Pra, edhe një herë, Parlamentit iu sugjerua një zgjidhje e vetme për të tejkaluar krizën dhe shmangur gjakderdhjen por, organizatorët e grushtit të shtetit kundërshtuan pasi projekti i tyre nuk kishte mbështetjen e shumicës parlamentare.

Ngjarjet e vitit 1921 dhe reagimi ligjor ndaj autorëve të grushtit të shtetit, dëshmojnë se sa në çfarë niveli ishte sistemi parlamentar i asaj kohe, si dhe shteti ligjor. Ndaj grushtit të shtetit reaguan shumë deputetë, por, edhe Kryetari i Parlamentit, Eshref Frashëri, i cili, i dërgoi këtë telegram Këshillit të Regjencës, më 9 dhjetor 1921: “Kabineti i Pandeli Evangjelit, u detyrua kundrejt armëve, të jepte dorëheqjen, që bie në kundërshtim me statutin tonë. I nënshkruar, në cilësinë e Presidentit të Parlamentit, dhe të gjithë deputetët që gjenden këtu, protestojmë kundër kësaj goditjeje arbitrare kundër shtetit, e cila ve në rrezik ekzistencën e atdheut tonë”. Sipas Statutit të Lushnjes, vazhdon më tej në fjalën e tij E. Frashëri, një qeveri nuk mund të qëndrojë në fuqi pa votëbesimin e parlamentit. Kabineti i ri nuk është njohur nga përfaqësuesit e popullit, duke kundërshtuar në këtë mënyrë edhe mbledhjen e Dhomës së Deputetëve, gjë e cila provon faktin se kërkon të drejtojë me forcë.[42]

Por, roli stabilizues i Parlamentit, do të evidentohej pas shtypjes së grushtit të shtetit të dhjetorit të vitit 1921. Aty ish-Kryeministri Pandeli Evangjeli dha në mënyrë të hollësishme shpjegimet e tij mbi ngjarjet e fundit. Në fjalën e tij përpara deputetëve, ish-Kryeministri vuri në dukje se pamundësia e ndërtimit të kabineteve homogjene, me njerëz nga një parti e vetme, kishte sjellë nevojën e pranimit të koalicioneve dhe “Bashkimeve të Shenjta”. Në këto kushte ishte krijuar edhe qeveria e kryesuar prej tij, një kabinet koalicioni, një qeveri me pjesëmarrjen e patriotëve të ndershëm, të ngarkuar nga shumica e anëtarëve të partive parlamentare. Duke vazhduar më tej shpjegimet e tij para Parlamentit, P. Evangjeli deklaronte: “Forca ekstra-guvernante, fuqija e popullit asht përdorur kurdoherë e kudo, po vetëm kur ka qenë fjalë me heth poshtë një diktatori të tmerrshme, një Qeveri arbitrare e cila ka përdoruar keq forcën publike për dëm të shtetit për të shkelur nënë këmbë të drejtat e popullit. Ky ka qenë qëllimi i revolucioneve; kështu kanë vepruar bota që të shpëtojnë nga një e keqe, nga një rrezik të drejtat e tyre”. Ndërsa te ne, theksonte ish-kryeministri, ngjarja e fundit shfaqi një mentalitet krejt të ndryshëm. “Këshilla e Naltë përdori mënyra të pa rregullta.”[43] Më tej Evangjeli lexoi korespondencën që kishte pasur me anëtarët e Këshillit të Lartë. Pas kësaj Parlamenti diskutoi grushtin e shtetit duke e dënuar atë.

Në lidhje me ngjarjet e fundit, M. Frashëri deklaroi: “Kësaj i thonë Coup d’Etat (grusht shteti) d.m.th me rrëzue me forcë nji Kabinet qi kishte besimin e Parlamentit dhe që kishte dhanë fjalën e nderit dhe besën për mbledhjen e Parlamentit me 4 Jenar dhe që nuk kish as ndonji shkak të mbrendshëm ose të jashtëm për nji krizë të këtillë”.[44] Sipas M. Frashërit, vendimi i Parlamentit duhet të bazohet mbi këtë grusht shteti. “Disa prej nesh, vazhdon ai fjalën e tij, thonë se Statuti i Lushnjës nuk na ep të drejtë për rrëzimin e Këshillit të Naltë. As ndonji Statut në botë nuk përfshinë dispozicionet e posaçëm përmbi grushtin e shtetit”. [45] Edhe deputeti L. Koja dha mendimin e tij për këtë çështje: “Sot po bisedohet nji çashtje me randsi dhe gadi nji trathëti. Për me mujt me gjykue nji ligje e me i dhan interpretimin e duhur duhet pik së parit që neve të rrimë në ligjë e jo me i dhan nji interpretim si pas interesave personale dhe të partisë sikurdoherë që kemi punue deri tash tue shkel Nomin. Po flitet se Këshilli i Naltë ka ba nji (coup d’Etat) dhe vertet që u ba, por para këtij coup d’Etatje ishte ba dhe nji coup d’Etat tjetër”. Sipas tij, edhe krijimi i “Bashkimit të Shenjtë” ishte një grusht shteti, një kabinet ilegal, që pati shumë kundërshtime. Pas kësaj Këshilli i Lartë dekretoi mbylljen e Parlamentit, duke shkelur në këtë mënyrë Statutin dhe duke mos u kundërshtuar në veprën e parë, mori guxim dhe bëri të dytën, deklaronte deputeti Koja.[46]

  1. Vinjau i komentonte në këtë mënyrë ngjarjet e fundit: “Dy nga misët e K. Naltë, Z. Aqif Elbasani dhe Emzot Bumçi, me nji dekret pushojnë Z. Pandeli Evangjeli prej Kryeministrisë dhe ngarkojnë Q. Koculin të formojnë nji qeveri të re. Z. Pandeli Evangjeli refyzon dekretin e pushimit të K. të Naltë si kundra Statutit dhe thërrret Parlamentin për në 15 të Muajit për vazhdim; K. Naltë i bindur se me mbledhjen e Parlamentit këtu, kapricet e tij nuk do të mbusheshin, urdheron dhe ndalon heqjen e telegramit të Z. P. Evangjelit për thirrjen e Parlamentit. Z. Koculi tue mos dashur të përballje responsabilitetin e mbajtjes të nji karike me të tilla kondita, i jep dorëheqjen dhe kemben e tij e ze Z. H. Prishtina i cili me anën e ministravet të tij urdhëron vrasjen e depytetëve të cilët tue mos shikuarë cilësinë e tyne të ndodhun në siguri në kryeqytet, u larguane andej”.[47]

Nëse këto ngjarje do t’i gjykojmë nga pikëpamja juridike do të shohim se dekreti i Këshillit të Lartë mbi “pushimin nga puna”           të P. Evangjelit është në kundërshtim të plotë me Statutin e Lushnjes dhe për pasojë, tërësisht i paligjshëm. Nga shqyrtimi dhe analiza e dispozitave të Statutit të Lushnjes shihet se Këshilli i Lartë nuk ka të drejtë të rrëzojë një kabinet që ka marrë votëbesimin e Parlamentit. Sipas Statutit, Këshilli i Lartë emëron Kryeministrin, por ky i fundit nuk mund të fillojë nga puna pa marrë votëbesimin e Parlamentit. Gjithashtu Statuti përcakton se deri në marrjen e votëbesimit nga qeveria e re në Parlament, në fuqi qëndron kabineti i mëparshëm. Pra, Statuti i jep të drejtë Këshillit të Lartë të emërojë Kryeministrin dhe jo ta shkarkojë atë. Sipas tij, dy janë mënyrat e ndryshimit të qeverisë: rrëzimi i saj nga Parlamenti dhe dorëheqja e vetë kryeministrit.

Nga analiza e mësipërme shihet se roli i Parlamentit, e sidomos i rrymave politike, që vepronin brenda tij, ishte veçanërisht i rëndësishëm gjatë negociatave për formimin e “Bashkimit të Shenjtë”, mbi formimet e kabineteve qeveritare dhe mbi krijimin e grupeve parlamentare. Pikërisht, nga dinamika e zhvillimeve të brendshme parlamentare, u konfiguruan dhe u rikonfiguruan disa herë, grupimet politike të viteve 1920-1924. Ndërkohë, debati politik pas vitit 1923, u përqendrua në formën e regjimit politik që do të kishte Shqipëria. Mazhoranca për sa i përket formës së regjimit, u përpoq për krijimin e kushteve të përshtatshme, të cilat mundësonin një procedurë të rregullt parlamentare.

Në sfondin e zymtë të vështirësive të jashtme dhe trazirave të brendshme, duhen vënë në dukje edhe disa prirje pozitive në zhvillimin e jetës shoqërore dhe politike. Para së gjithash, vihet re një gjallërim i rrymave të ndryshme dhe debatet në Parlament filluan të ndiqeshin me interes në të gjithë vendin. Në qytetet kryesore, dolën një numër i konsiderueshëm gazetash, me orientime politike të ndryshme. Për pasojë, filloi të formohej një opinion publik, në kuptimin e mirëfilltë. Është llogaritur se në periudhën prej vitit 1921 deri më 1924, numri i gazetave dhe revistave shkoi në rritje duke arritur në 12.[48] Po ashtu, gjatë kësaj periudhe, u krijuan edhe shumë shoqata që përfaqësonin interesat e shtresave të ndryshme.

Një analizë e hollësishme dhe kritike, i bëhej sistemit parlamentar, në gazetën “Fjal’ e Lirë”. Sipas saj, sistemi parlamentar në Shqipëri ishte i padobishëm dhe mbase dhe i dëmshëm, “pasi kemi shumë pak fytyra sot për sot politike dhe përkundrazi shumica mendon dhe vepron sipas njerëzve nga të cilët ajo varet.” Gazeta shkruante se: “Sistemi parlamentar te ne është një kundër histori, pasi kanë kaluar afro pesë muaj që bëhen mbledhje dhe nuk shohim asnjë rezultat. Parlamenti i mbledhur që me 21 prill e deri sot, s’ka marrë asnjë masë për t’i dhënë popullit ligje që ndalojnë varfërinë, e cila është duke u shtuar dita ditës”. Artikulli nënvizonte se, “në bisedimet parlamentare, sidomos në seancën që shkaktoi votën e mos besimit të kabinetit të Vrionit, ishin shfaqur dy mentalitete të ndryshme, të cilat, nuk do të zinin vend në historinë e vendit dhe populli nuk do të përparojë dot në këtë mënyrë”. Propozimi ishte se, sistemi parlamentar, mund të ishte i dobishëm, vetëm kur të kishte në krye një “Rregullues të Naltë, një Mbret me dorë çeliku, i cili të dërgojë deputetët në shtëpi kur të shohë që varka e shtetit pa timon është në fortunë, ashtu siç e shohim neve sot, siç e kanë lënë kabinetet e shkuara”.[49]

Mbi veprimet e Parlamentit, në këtë periudhë, dhanë mendime dhe bënë analiza të ndryshme, shumë eksponentë të politikës së asaj kohe, një ndër të cilët, ishte edhe deputeti Ali Këlcyra. Mendimet e tij dhe të politikanëve të tjerë u bënë të njohura jo vetëm në parlament por edhe në faqet e shtypit të kohës. Sipas tij, Këshilli Kombëtar, ishte formuar nga elementë të ndryshëm nga pikëpamja morale dhe kulturore. Ky ndryshim, që shihej në të gjitha parlamentet e botës, ishte edhe më i theksuar ndërmjet deputetëve të kombit shqiptar, ku qytetërimi dhe zhvillimi shoqëror ndryshonte nga një njeri te tjetri dhe nga një krahinë te tjetra. Përveç kësaj, vërente ai, shumë deputetë nuk kishin akoma lirinë e ndërgjegjes së tyre. Nuk mund të mohohej fakti se ata ndodheshin nën influencën e aristokracisë, prandaj dhe në Parlament nuk mund të formohej një parti e lidhur në principe e formuar prej një elementi idealist dhe përparues, e zhveshur nga intrigat dhe ambiciet.[50] Kjo ishte një vërejtje shumë interesante, e cila, flet shumë për mundësitë e kufizuara që kishte Shqipëria e asaj kohe, për të ndërtuar një sistem parlamentar.

Më tej, Këlcyra, analizonte edhe veprimtarinë e Parlamentit, në dy muajt e parë të jetës së tij dhe arrinte në përfundimin se, “ajo nuk është shumë në favorin e tij dhe se nuk jep shpresa për të ardhmen e tij.” Ai nënvizonte se, “ishin bërë vetëm dy apo tre propozime të vlefshme, si ai i formimit të një këshilli të posaçëm për elaborimin e ligjeve e ca vendimeve të tjera, dhe nuk ishte bërë asnjë bisedë me rëndësi, në interesin e atdheut”. Këlcyra, evidentonte edhe shkeljen e rregullave për konstituimin e një parlamenti normal. Ai shkruante: “Çështjet e Dibrës dhe të Shkodrës ngatërruan dhe ndaluan vazhdimin e veprës parlamentare këto dy muaj. Këtu përgjegjësia është krejt e qeverisë, e cila më shumë në çështjen e Dibrës, e la Parlamentin e parë të Shqipërisë përpara një dileme të keqe: të shkelte normën, atë normë që populli e kishte zgjedhur që ta mbronte dhe kështu të niste jetën e saj me një padrejtësi, ose të mbronte të vërtetën, me gjithë se kjo mund të shkaktonte rrëmujë dhe ngatërresa të përgjithshme.” Sipas tij, “Partia Popullore”, “nuk mund të mbyllte sytë e të aprovonte këto zgjedhje”, të cilat ishin një shuplakë jo vetëm ndaj ligjit dhe të drejtave të një populli, por edhe një komplot kundër mendimit e programit të të rinjve.[51]

Këlcyra akuzonte qeverinë, së cilës, populli i kishte lënë në dorë pa kontroll fatin dhe drejtësinë e zgjedhjeve. Kjo sipas tij, e shtyrë jo vetëm nga ambicia, por, edhe nga “klika e aristokracis së çifligarëve”, me të cilët, “ajo kishte bashk’interesa, zgjodhi vetëm veten, si përfaqësuese e provincës së Dibrës, duke përfituar nga gjendja anormale e atjeshme dhe duke shkelur të drejtat e një populli”. Këlcyra pohonte se, “të gjitha këto padrejtësi, ishin bërë që të frenohej grupi i të rinjve që po fitonin në Dibër e të mos bëhej një shumicë e fortë në Parlament”, nga “Partia Popullore”. Ai shtonte se, “protestat dhe kundërshtimet energjike të “Partisë Popullore”, për këtë çështje, i humbën parlamentit një muaj kohë. Veç kësaj, intrigat e qeverisë, bashkuar me ato të të huajve, kishin penguar zgjedhjet e Shkodrës deri në atë kohë”. Nga ana tjetër, Këlcyra, e quante të drejtë qëndrimin e parlamentit, i cili, duke marrë parasysh rëndësinë e mungesës së 14 anëtarëve, “pëlqeu, jo pa arsye, ta lërë bisedën e vendimin e ndonjë çështjeje me rëndësi, ashtu edhe formimin e qeverisë së re, pasi të vinin përfaqësuesit e popullit të Shkodrës.” Kjo vlerësohej prej tij, si një pengesë në punën e Parlamentit. Por këto arsye, theksonte Këlcyra, nuk e justifikonin mungesën e aktivitetit të parlamentit, këto dy muaj. Tashmë që do të niste vërtetë jeta parlamentare, ai parashikonte dhe sugjeronte që çështjet me rëndësi, që do të diskutoheshin në këtë sesion, ishin të shumta dhe mund të ndaheshin në dy kategori: ato që i përkisnin drejt për drejt organizimit e rregullimit të shtetit dhe ato që lidheshin me zhvillimin e përmirësimin e jetës shoqërore të tij. Sa për formën e shtetit, as që mund të bëhej fjalë në këto momente. Duke marrë para sysh rëndësinë e saj, ajo do të shqyrtohej nga një mbledhjeje e posaçme e përfaqësuesve të kombit e formuar nga qeveria dhe e zgjedhur nga populli për këtë qëllim. “Sa të japë Evropa sanksionin juridik ne jemi të detyruar të mbajmë statu quo-në”, shkruante Këlcyra.[52]

Ndër detyrat praktike dhe emergjente të parlamentit, Këlcyra rendiste, shqyrtimin e buxhetit, pasi qeveria akoma nuk e kishte prezantuar atë. Ai mendonte se, sistemi financiar që vazhdonte nga koha e Turqisë, me gjithë të metat e tij, nuk mund të ndërrohej krejtësisht. Të dhjetat dhe shumë taksa të tjera, ishte e nevojshme të mbeteshin edhe ca kohë, deri sa të bëhej një kadastër. Ai pohonte se, për reformat e tjera, si ato të administratës, të gjykatave e të ushtrisë, “qeveria kishte pregatitur ca nome dhe të tjera do të përgatiteshin nga Këshilli që do të formohej për t’i përgatitur lëndë parlamentit, duke elaboruar ligjet e duhura”. Për sa i përket përmirësimit të jetës shoqërore, ai vinte në dukje se “reformat që duhej të bëheshin ishin të panumërta”. Por, përfundimi i tyre, varej nga koha e nga mjetet e tjera kapitale dhe nga specialistët, për të cilët, ai theksonte, se atëherë mungonin krejtësisht.[53]

Në pikëpamje institucionale, është me interes edhe vërejtja që bënte gazeta, e cila shkruante se, “deputetët duhej t’i jepnin shpjegime popullit në gazetat e vendit të tyre, se çfarë pune kishin bërë dhe cila ishte pikëpamja e tyre mbi atë dhe këtë çështje. Tashmë nuk kishte Prefekturë që të mos kishte dy ose më shumë gazeta, të cilat mund të shërbenin për të ndërmjetësuar deputetët me popullin”. Kjo gjë ishte veçanërisht e nevojshme në një vend si Shqipëria, ku nuk kishte parti të organizuara mirë dhe të njohura anë e mbanë. Nëse do të ishte kështu, çdo vepër e deputetit do të gjykohej nga anëtarët e partisë dhe në bazë të programit. Kurse në Shqipëri, çdo deputet vepronte individualisht, sipas pikëpamjes së tij të veçantë.[54]

Por, kriza politike dhe njëherësh kriza e parlamentarizmit në Shqipëri, nuk u shmang dhe rezultat i saj, ishte grushti i shtetit, i dhjetorit të vitit 1921. Interesant është se kësaj ngjarje të dhimbshme i bëri koment edhe shtypi i huaj. Kështu, gazeta britanike “London Times” shkruante: “Parlamenti shqiptar u mblodh sërish më 22 dhjetor e vendosi ta quajë të paligjshme zgjedhjen e tetë deputetëve të qarqeve që qenë zaptuar hëpërhë prej serbëve, duke pasur parasysh prezencën e ushtarëve të huaj në krahinat e tyre. Me këtë vendim H. Prishtina dhe ca nga përkrahësit e tij i humbën vendet e tyre në Parlament. Parlamenti pastaj adoptoj një rezolutë që deklaron se Regjentët Aqif Pasha dhe Imzot Bumçi nuk janë më anëtarë të Regjencës, nga që vepruan kundër kushtetutës kur kërkuan dorëheqjen e z. Pandeli Evangjelit, i cili kishte besimin e Parlamenti dhe kundërshtonte influencën e huaj që inspironte politikën e atyre Regjentëve”.[55] Nga ana e saj, gazeta “Dielli”, bënte këtë koment negativ për situatën e re që u krijua në Parlament pas dështimit të grushtit të shtetit: “Parlamenti e nxorri jashtë Hasan Prishtinën dhe shtatë deputetë të tjerë. E quajti zgjedhjen e tyre të pakanunëshme, duke marrë para sysh ndodhjen e ushtarëve të huaj në vent të tyre. Sido që të jetë, Gegëria sot përfaqësohet në Parlamentin tonë me 43 deputetë dhe Toskëria me 34. Çdo distrikt elektoral, i Gegërisë gëzon privilegjin të nxjerrë të paktën një deputet më tepër se sa ka të drejtë pas popullatës. Drini dhe Kosova janë më të favorizuarat, se cilado prej këtyre nxier nga tre deputetë më tepër, dhe këta jo të zgjedhur prej popullit, po të emëruar prej Guvernës së ditës. Me hyrjen e deputetëve të Drinit e të Kosovës, Parlamenti ynë u bë një vegël e verbër e Ahmed Beg Zogut dhe “klikës” së tij. Nga të 78 deputetët tanë kanë mbetur në opozitë nga 23 veta, dhe këta të ndarë e pa lidhje parimesh: Vatranët 4, Shkodranët e Gurakuqit 8, Beratasit e Qemal be Vrionit 6, Sulejman be Delvina, Koço Tasi e Ibrahim Xhindi”.[56] Pra, dobësimi i opozitës parlamentare konstatohej me saktësi nga “Dielli”.

Shkarkimi i dy anëtarëve të Këshillit të Lartë, i cili, ishte një veprim i detyrueshëm, do ta thellonte krizën politike, e cila, do të shfaqej edhe si një krizë e këtij organizmi. Më tej, dorëheqjen e dhanë edhe dy anëtarët e tjerë të regjencës. Duke njoftuar dorëheqjen e tyre, Këshilli Kombëtar me shkresën Nr. 750, i drejtohej Kryeministrisë: “Kemi nderin me u bamë të njoftun se Këshilli Kombëtar në mbledhjen e sotme n’orën 10 para dreke, këndoj dorëheqjen me Nr. 574/R dhe datë 23/XII/921 të ish-shkëlqesiëvet të tyne antarëvet të Këshillit të Naltë z. Dr. Turtulli dhe Abdi Toptani. Këshilli Kombtar emnoj e dërgoj nji komision me u çfaq dëshirën e ish-Shkëlqesivet të tyne, t’a marrin prapsh dorëheqjen dhe të vazhdojnë në detyrë. Mbi insistimin e këtyne, Këshilli Kombtar ua pranojë dorëheqjen dhe me vota të plota zgjodhi si antar të Këshillit të Naltë Shkelqësiët e tyne z. Refik Topija dhe Sotir Pecin të cilët masi i betojë u dorëzoj dhe vendimin e vet t’eminimit të tyne”.[57]

Pas dështimit të grushtit të shtetit dhe masave që u morën kundër shkaktarëve të tij, opozita filloi të artikulojë gjithnjë e më me forcë kërkesën për thirrjen e Asamblesë Kushtetuese. Këtë pikëpamje, e shprehte edhe Faik Konica, i cili nënvizonte se, ““Kanuni i Themelit” kishte një rëndësi të veçantë, pasi ishte guri mbi të cilin mbështetej tërë trupi politik i një kombi të lirë”. “Po shtete të reja, si Shqipëria s’kanë se ç’bëjnë tjetër veç se të caktojnë një Kanun të Themelit me të shkruar dhe (brand new), anë e mbanë të ri. Ç’do komb që nis një jetë zyrtare dhe hyn në radhë të shteteve, është i shtrënguar t’i bindet asaj nevoje. Ta heqim një herë e mirë nga mendja besimin se “Evropa” e vendosi si shtet Shqipërinë. Jo, Evropa deshi vetëm t’i japë Shqipërisë një rast që të provojë se është e zonja të formojë një shtet”.[58]

Dështimi i grushtit të shtetit, i dhjetorit të vitit 1921, ishte një shans i ri që i jepej mbijetesës së sistemit parlamentar në Shqipëri. Nga ana tjetër, vetë grushti i shtetit dhe shpërndarja para tij me mendjelehtësi e parlamentit, dëshmonte se sa i brishtë ishte ky institucion në Shqipëri dhe se sa të vakëta ishin shanset për forcimin dhe konsolidimin e tij në të ardhmen.

Në fakt, duhet gjykuar me kujdes, situata në të cilën u gjendën institucionet përfaqësuese të vendit, në ato momente. Atyre iu mungonte eksperienca, tradita ligjore dhe kapacitetet institucionale, për ta zgjidhur situatën në një mënyrë që, nga njëra anë të ruhej stabiliteti i vendit dhe në anën tjetër, të merreshin masa të tilla ligjore, të cilat të mos lejonin përsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Por, qëndrimi i butë apo hezitues i tyre kishte edhe arsye objektive. Ndjekja e një politike të vendosur dhe dënimi ligjor i organizatorëve të grushtit të shtetit, ishte shumë i vështirë. Një politikë e tillë, duhej të kalonte përmes një shtegu tepër të ngushtë e të thepisur, ku shumë lehtë mund të rrëshqitej drejt një lufte civile, e cila, do ta hidhte në erë procesin e sendërtimit të institucioneve dhe të shtetit kombëtar dhe ta vinte në një rrezik serioz vetë ekzistencën e këtij shteti, duke pasur parasysh se fqinjët e Shqipërisë, ishin aty të gatshëm në pritje të zhvillimeve të tilla, për të realizuar objektivat e tyre aneksioniste.

Prandaj, qëndrimi i moderuar i institucioneve shtetërore, ndaj komplotistëve, ishte një politikë e urtë, që synonte pajtimin kombëtar me anë të vullnetit të mirë, për ta toleruar opozitën dhe për të pranuar bashkëjetesën me të, duke e shpëtuar kështu, sistemin politik parlamentar dhe duke e lënë të hapur rrugën drejt zhvillimit të institucioneve kombëtare, në mënyrë paqësore, në rrugën drejt demokracisë. Nga ana tjetër, ky qëndrim tolerant dhe jo adekuat, i vlerësuar në këndvështrimin e zbatimit të ligjit, siç do të ishte bërë në çdo vend tjetër, ku funksiononte një shtet pak a shumë ligjor, me institucione relativisht të konsoliduara, linte të hapur gjithashtu rrugën për përsëritjen e grushteve të tjera të shtetit në të ardhmen. Dhe për fatin e keq të Shqipërisë, episode të tilla, të dhimbshme dhe të rrezikshme, nuk do të vononin të vinin.

Duke përfunduar mund të themi se, në Shqipëri, ndonëse, ishte krijuar një parlament me fuqi të gjera legjislative dhe qeverisëse, ai ishte i detyruar të bashkëjetonte me fuqitë personale të individëve të fuqishëm, jashtë strukturave shtetërore. Kjo, ishte një anomali e madhe, jo vetëm për qeverisjen demokratike, por, edhe për procesin e shtet-formimit, e cila u shndërrua në një pengesë kërcënuese për ekzistencën dhe funksionimin e institucioneve kombëtare.

 

[1] Historia e Popullit Shqiptar, v. III, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë: Toena, 2007, f. 178-179; Arben Puto, Shqipëria politike 1912-1939, Tiranë: Toena, 2009, f. 316.

[2] Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri 1897-1942, përgatitur për botim nga Marenglen Verli, Tiranë: Neraida, 2000, f. 246.

[3] Arkivi Qendror Shtetëror i Republikës së Shqipërisë  (më tej: AQSH), Fondi. 152, Viti. 1921, Dos. 25, fl. 2. Telegram i Kryeministrit Z. Iljas Vrioni drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, mbi caktimin e përfaqësuesit të “Vatrës” në Parlamentin Shqiptar.

[4] Po aty, fl. 4. Vendim i Këshillës Ministrore, Nr. 109 me 1/ 2/ 921, për pranimin e Fan Nolit si deputet në Parlamentin shqiptar.

[5] Ligjvënësit shqiptarë, Tiranë: Kuvendi, 2005, f. 7-18.

[6] Luan Omari, Sistemi Parlamentar, Tiranë: Elena Gjika, 2004, f. 169-170.

[7] Robert C. Austin, Shtegu i pashkelur i Fan Nolit, Tiranë: Albin, 2003, f. 54.

[8] Kastriot Dervishi, Historia e shtetit shqiptar 1912-2005, Tiranë: 55, 2006, f. 131-133.

[9] Gramoz Hysi, Organizimi i shtetit shqiptar dhe lufta politike rreth tij në vitet 1920-24, Tiranë: 1988, f. 97-98.

[10] Po aty, f. 99-100.

[11] Po aty, f. 104.

[12] Fjal’ e Lir, Vlorë, nr. 9, dt. 21 prill 1921, “Fillimi i punës”.

[13] Po aty, nr. 10, dt. 30 prill 1921, “Shpirti i Parllamentit”.

[14] Jet’ e Re, Korçë, nr. 7, dt. 5 maj 1921, “Për mi grupin parlementar”.

[15] Beqir Meta, Minoritetet dhe ndërtimi kombëtar në Shqipëri 1912-1924, Tiranë: Kristalina-KH, 2013, f. 326-327.

[16] Bisedimet e Këshillit Kombtar (më tej: BKK), Legjislatura e Parë, Sesioni i VI, Tiranë 1923, Mbledhja e 19-të.

[17] Bisedimet e Kuvendit Kushtetues, Tiranë 1924, Mbledhja 11-të, 14 shkurt 1924, f. 173.

[18] BKK, Mbledhja e 19-të, 23 shtator 1923, f. 1487.

[19] Po aty, f. 1497.

[20] Po aty.

[21] Bernd J. Fischer, Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri, Tiranë: Çabej, 2004, f. 41.

[22] AQSH, F.418, Viti.1921, Dos.3, fl. 1.

[23] Po aty.

[24] Po aty, F.149, Viti 1921, Dos. I-230, fl. 5.

[25] Gazeta Poste e Korcës, Korçë, nr 56, 15 tetor 1921, f. 1.

[26] The British National Archives (TNA), Foreign Office (më tej: FO) 371/7330, f. 581-586, Telegram i Heathcote Smith për Curzon, 18 janar 1922, mbi situatën politike në vend.

[27] Dielli, Boston Mass, nr 2329, 7 janar 1922, f. 2, “ Epidemia e Keqe që ka rënë në Parlament”.

[28] BKK, Mbledhja e 71-të. Më 4 Nantuer 1921, f. 572.

[29] S. Vllamasi, Ballafaqime politike …, f. 258.

[30]BKK, Mbledhja e 71-të, më 4 Nantuer 1921, f. 572-573.

[31]Po aty.

[32] Po aty.

[33] Po aty.

[34] Shqipëri e Re, (organ i shqipëtarëve të Rumanisë), Konstancë, nr. 58, dt. 4 dhjetor 1921, “Mbyllja e Parllamentit Shqiptar. Lufta Sërbo-Shqiptare”.

[35] Po aty.

[36] K. Dervishi, Historia e shtetit shqiptar 1912-2005…., f. 147-148.

[37] S. Vllamasi, Ballafaqime politike …, f. 254.

[38] Po aty, f. 254-255.

[39] FO 371/7330, f. 581-586, Telegram i Heathcote Smith për Curzon, 18 janar 1922, mbi situatën politike në vend.

[40] Po aty.

[41] Teki Selenica, Shqipëria më 1923, Tiranë, 1923, f. 91-92.

[42] AQSH, F. 163, Viti. 1921, Dos. 16, fl.19. Telegrame mbi krizat qeveritare, Presidenti i Dhomës- Eshref Frashëri i dërgon telegram Këshillit të Regjencës, dt. 9 dhjetor 1921, mbi ngjarjet e fundit në vend.

[43] BKK, Mbledhja e 73-të, 22 Dhetuer 1921, f. 610.

[44] Po aty.

[45] Po aty.

[46] Po aty, Mbledhja e 73-të, 22 Dhetuer 1921, f. 616.

[47]Po aty, f. 619-621.

[48] Teki Selenica, Shqipëria më 1927, Shtypshkronja Tirana, 1928, f. 19-24.

[49] Fjal’ e Lir, Vlorë, nr. 34, dt. 27 Vjesht e II, 1921, “Sistemi parllamentar ndër nee dhe mentalitetet e soçmë”.

[50] Drita, Gjirokastër, nr. 52, datë 27 qershor 1921, Ali Këlcyra, “Mi vepërimet e Parlamentit”.

[51] Po aty.

[52] Po aty.

[53] Po aty.

[54] Po aty, nr. 58, datë 7 gusht 1921, “Depytetët dhe populli”.

[55] Dielli, dt. 16.01.1922.

[56] Po aty, dt. 7.10.1922.

[57] AQSH, F. 155, Viti. 1922, Dos. I-62, fl.1. Shkresë e Këshillit Kombëtar dërguar kryeministrisë, mbi dorëheqjen e anëtarëve të Këshillit të Naltë, Eshref Frashëri, dt.24.12.1921.

[58] Dielli, nr. 2521, dt. 7.10.1922, F. Konica, “Jeniçerët dhe kanuni i themelit”.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi