Nga emergjencat te mekanizmat afatgjatë

Nga Selami Xhepa, botuar në Panorama, 16 dhjetor 2020

Që prej fillimit të vitit, diskutimet mbi ndikimet e goditjeve negative që pësoi ekonomia dhe shoqëria, pasojat afatshkurtra dhe afatgjata të tyre në vend, kanë argumentuar qartë se kostot e pritshme do të jenë të forta dhe të shtrira në kohë. Shqipëria kishte të paktën dy tipare të dallueshme krahasuar me ekonomitë e tjera të vendeve përreth nesh: një pozicion fiskal aspak të përshtatshëm, për shkak të nivelit të lartë të borxhit publik edhe përpara tërmetit dhe mbylljes nga pandemia; dhe së dyti, një strukturë ekonomike gjerësisht të dominuar nga mikrobiznese, të cilat nuk kanë mjaftueshëm mbrojtje financiare për të përballuar goditje të kësaj shkalle. Një studim i përgatitur së fundmi nga Fondacioni për Shoqërinë e Hapur në Tiranë që ka investiguar në ndikimet e tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe mbylljes për shkak të pandemisë së COVID-19 mbi një nga segmentet më vulnerabël të biznesit, siç janë mikrobizneset, sjell dëshmi të forta si për shkallën e dëmit të krijuar, ashtu edhe rolin e politikave mbështetëse dhe lehtësuese të ndërmarra nga qeveria.

Disa segmente të popullatës sigurisht që kanë pësuar edhe goditje më të forta. Për shembull, qyteti i Durrësit, që ishte dhe epiqendra e tërmetit të 26 nëntorit, ishte ndër më të dëmtuarit nga pandemia. Çfarë thotë studimi i kryer nga vëzhgimet në terren në këtë qytet? Në një mjedis normal të biznesit, rritja e aktivitetit ekonomik ishte një normalitet në periudhën para goditjes së parë, tërmetit. Duke lexuar rezultatet e marra nga terreni, rritja e firmave duket se ka qenë relativisht e fortë: 1 ndër 4 firma kishin një rritje të xhiros nga 10-20%, ndërsa 1 në 2 firma kishin një rritje vjetore më pak se 10%. Në një skenar sikur gjërat të zhvilloheshin normalisht, kjo popullatë e biznesit sot do të ishte 20-40% më lart në termat e aktivitetit ekonomik, çka do të kishte sjellë dhe në një përmirësim më të fortë të të ardhurave të tyre. Por skenari ndryshoi me mbylljen e ekonomisë: rreth 65% e bizneseve shënuan një rënie të aktivitetit nga 25% – +50%. Fatet u përmbysën për kaq shumë familje. Duke qenë një qytet bregdetar ku një peshë të rëndësishme zënë të ardhurat e krijuara nga turizmi, efektet e kombinuara të të dyja këtyre goditjeve negative kanë rezultuar fatkeqe për segmente të mëdha të biznesit. Nga një vlerësim i përafërt, numri i turistëve gjatë periudhës janar-tetor 2020 ra me më shumë se 3.2 milionë turistë. Sipas një vlerësimi të përafërt, bazuar në netët mesatare të qëndrimit dhe koston e shpenzimeve për një person në ditë, mund të pohojmë se të paktën 500 milionë euro të ardhura i kanë munguar ekonomisë vetëm nga ky sektor.

A ishte ndihma e ofruar nga qeveria efektive për të përballuar këto pasoja? Vëzhgimet nga terreni tregojnë se 1 ndër 3 firma nuk kanë përfituar asnjë ndihmë direkte në kompensimin e të ardhurave. Edhe pse Ministria e Financave raporton se rreth 39 mijë biznese kanë përfituar nga paketat e mbështetjes së të ardhurave, duket se jo e gjithë popullata e kësaj kategorie të bizneseve mund të jenë përfitues. Edhe në këtë rast, pothuajse gjysma e të intervistuarve besojnë se mbështetja nuk ka qenë mjaftueshëm ndihmuese dhe madje edhe pjesa tjetër besojnë se ajo ka qenë vetëm “deri diku” ndihmuese.

Në përgjithësi, bizneset kanë raportuar se është nevoja për mbështetje më të forta, qoftë përmes skemave të ofrimit të likuiditetit, mbështetjet për pagat dhe shtyrje taksash. Rreth gjysma e firmave raportojnë vështirësi serioze në mbulimin e shpenzimeve normale mujore të veprimtarisë, çka e bën serioze nevojën për të rikonsideruar politikat mbështetëse për vitin e ardhshëm dhe në një periudhë afatmesme. Rikuperimi gjithashtu pritet të jetë një proces afatgjatë: vetëm 1 ndër 3 biznese mendojnë se mund të rikuperojnë aktivitetin brenda një viti; rreth 40% mendojnë se do duhen rreth 2 vite dhe gati 20% mund të duhen deri në 3 vite për rikthimin e tyre në periudhë normale të aktivitetit.

Këto dëshmi konfirmojnë dhe rezultatet e studimeve makroekonomike, të cilat kanë nënvizuar rënien e fortë ekonomike të pritshme për këtë vit (nga -7.5% deri në -10%) dhe se do të duhen të paktën dy vite që të rikuperohet kjo rënie. Në këtë kontekst marrin shumë rëndësi masat më afatgjata të politikave publike për të mbështetur rivitalizimin e sipërmarrjes.

Një program komprehensiv mbështetje duhet të bazohet në mekanizma financiare afatgjatë, duke u krijuar sipërmarrjeve një horizont kohor tre-katërvjeçar aksesi në likuiditet me koston minimale, përfshirë potencialisht dhe një skemë grantesh për mbulimin e një pjese të caktuar (për shembull, 20%) të investimeve të reja në teknologji më moderne apo të një programi ripërshtatjeje të fuqisë punëtore me teknologjitë e reja. Fondet e mbështetjes së akorduara nga Komisioni Europian mendoj se duhen alokuar për programe të kësaj natyre. Nga ana tjetër, sistemi bankar duhet të integrohet në këtë skemë si një partner real, duke marrë përgjegjësitë e saj në këtë betejë afatgjatë. Përndryshe, bashkë me rritjen e kredive joperformuese, situata ekonomike dhe financiare do të bëhet edhe më e ndërlikuar për të gjitha segmentet e ekonomisë dhe kostot e zgjidhjes së probleme do të jenë edhe më të larta.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi