Pse duhen arsimuar me ngut politikanët tanë?!

Nga Ben Andoni, botuar në Liberale, 2 mars 2021

Pak vite më parë, gazetari i një emision humoristik u bëri një pyetje disa politikanëve shqiptarë për një personazh të huaj që nuk ekzistonte dhe kinse kishte vlera të jashtëzakonshme. Pyetja-grep e gazetarit i futi në garë deputetët për t’u dukur se e njihnin…dhe madje e kishin takuar!! E asaj kohe, por më e hidhur ishte përgjigja live në TV e njërit nga politikanët që asokohe ishte ministër kulture, premtoi se do të sillte eshtrat e Ismail Qemalit në vend!!! Në fakt, po të qëmtosh më thellë në anale do gjesh nga gafat e thjeshta të politikanëve e deri në mungesë nocionesh bazë. Për të ardhur frikshëm në fjalët e tyre në foltoren e legjislaturës së fundit të parlamentit.

Por a duhet të edukohet kulturalisht publiku të votojë për politikanë të përgatitur apo anasjelltas, politika të edukohet e arsimohet t’i shërbejë publikut? Ka një paradoks të jashtëzakonshëm, nëse një personazh do ketë karrierë deri ta zemë si ministër: ai kalon në disa filtra ku në CV-në e tij do rreshtohet që nga shkollimi dhe deri kontributet. Ata janë njerëzit që drejtojnë dikasteret dhe japin orientime për politikat qeveritare. Po jo rrallë ndodh që drejtuesit e dikastereve pak kanë të bëjnë me atë që drejtojnë. Justifikimi është i zakonshëm: Është thjesht i emëruar nga Partia për politikat e zbatuara. Politika jonë ka shumë shembuj, qoftë nga Socialistët por edhe nga Demokratët të këtij drejtimi. Me pak fjalë, nuk ka rëndësi edukimi dhe arsimimi i tyre, por thjesht një status i veçantë që ata të filtrohen nga partitë, paçka se nuk i përmbushin shumë kushte. Edukimi mund t’i ndihë deri diku për një lloj komunikimi të caktuar por jo t’i përshtaten pozicioneve dhe vetë asaj që përfaqësojnë. Sa më shumë të kuptohet, aq më e vërtetë të duket fjalia e Henry Adams: “Njohja e natyrës njerëzore është fillimi dhe mbarimi i edukimit politik”.

Është e vërtetë se pasja e gradave arsimore mund të jetë një bonus, por një politikan i mirë duhet të jetë më i përkushtuar dhe duhet të dijë të bëjë ndryshimet e duhura, konform edhe arsimimit të tij. Dhe, më shumë akoma, duke qenë një lloj modeli për njerëzit e thjeshtë, duhet të zbatojë arsimimin në mënyrë që t’i motivojë masat e zakonshme. Ndaj edukimi duhet të jetë i vazhdueshëm, pasi cilësia e një mandati qeverisës është e varur edhe me arsimimin. Po pse nuk mbijetojnë të arsimuarit në vendin tonë? Kjo sepse qoftë Berisha dhe deri te Rama i kanë shqetësues mendimet profesioniste për të mos thënë se e qesëndisin formimin. Përballja e Ramës me disa ministra të tillë ka qenë shqetësuese ashtu si e paraardhësit të tij Berisha . Të dy vinë nga formime që nuk përkojnë me arsimimin e nevojshëm për të bërë shtet. Prej kësaj rrjedh se arsimimi minimal politik-bërës është i domosdoshëm për politikanët. Jo më kot, një nga sfidat e politikanëve është diskursi i lodhshëm publik dhe përpjekja për t’u dukur të edukuar.

Veçse duhet të ndajmë konceptin e etikës (sjelljes së duhur), që zakonisht tek ne është ekuivalent me atë të arsimit të duhur për të drejtuar një fushë të caktuar, dikaster apo njësi më të vogla. Po çfarë duhet një arsimim i mangët?! “Arsimi është thjesht një sistem i injorancës së imponuar”, provokon Noam Chomsky tek “Manufacturing Consent: The Political Economy of the Mass Media”.

Në retrospektivë, tranzicioni shqiptar funksionoi në një mjedis krejt anarkik me rregulla tejet të ndryshueshme loje dhe me personazhe që thjesht duke mbaruar shkollën e lartë, e duke përqafuar një parti konvertoheshin sakaq me një status social ndryshe dhe madje të arrinin e të bënin pjesë në atë që thirrej si elitë e vendit. Për fat të keq, koncepti i elitës është shpërdoruar në vendin tonë. Duke filluar që nga Zogu me spastrimet që ai bëri ndaj shumë personaliteteve të shkolluar, flamurin e morën komunistët pas tij me raprezalje të paimagjinueshme ndaj njerëzve të kulturës, shkencës e politikës shqiptare. Të mendosh se shumë nga njerëzit e Komitetit të Shkencave të paraluftës do eliminoheshin, të tjerë pothuaj do fshiheshin nga kujtesa, atëherë i kupton përmasat e kësaj sjellje tek ne. Kuptohet, se në jo pak raste dhe ajo pati problematikat e veta. Shumë nga personalitetet shqiptare të paraluftës do zgjidhnin alternativa që nuk shkonin me vendin dhe luftën e Aleatëve të Mëdhenj. Duke pasur parasysh konvertimin e tyre dhe zgjidhjet që nuk shkuan me konjukturat ndërkombëtare, ata humbën mundësinë të kontribuonin. Dihet se një elitë paraprin me idetë drejt shoqërisë, gjykimet, emancipimin që i shërbejnë kombit. Idetë e një pjesë edhe kur shkonin për vendin u shmangën dhe madje jo pak e pësuan për idetë e tyre. Edhe sot problemet vazhdojnë, pasi idetë e shumë prej asaj të cilës konsiderohet si elitë sot në vend testohen me vlerësimet e SHBA dhe BE. Pra, një ide që nuk shkon me vlerat ose projekte të Perëndimorëve nuk mund të konsiderohet e vlerësueshme.

Po pse bëhen aq qesharakë shpesh politikanët e ditëve tona?! Duhet ti njohësh dhe të kuptosh honet e tyre pa fund. Deputetja që nuk kishte as nocionet më të thjeshta, politikanë të forcave historike të shkuara që nuk e njohin fare historinë ose servilë të dy forcave kryesore gati qesharakë…tashmë nuk bëjnë më përshtypje.

Me pak fjalë, Arsimi jo thjesht është i domosdoshëm për politikanët, por ai duhet të kultivohet në atë masë, që të zbresë në masa sa më të mëdha sepse idetë nuk mund të implementohen nëse nuk kuptohen. Zvogëlimi i peshës së klasës së mesme dhe presioni i jashtëzakonshëm mbi të por mbi të gjitha dobësimi i arsimit dhe pothuaj dështimi i reformës në arsim, shtuar me situatën e pandemisë, e bën edukimin e politikanëve një domosdoshmëri.

Kemi dështuar njëherë sepse edukimi i politikanëve në vitet e paraluftës ishte bërë nga vendet e huaja, kurse në komunizëm ndikoi shumë formimi i tyre në shkollat më të mira të kampit socialist. “Krijimi i elitave dhe i klasës politike është një proces i gjatë, i varur nga një sërë faktorësh, si: sistemi i edukimit, mundësitë e informimit publik, niveli i shkëmbimeve me vendet e tjera dhe mjedisi social e politik”, shprehet politologu Afrim Krasniqi në një studim të tij. Kurse një politolog klasik e thotë ndryshe si koncept. John Rawls mendon se “çdo qytetar duhet të ketë të njëjtën shans për t’u zgjedhur në çdo zyrë – qoftë edhe në atë më të lartën -… Si e ndihmon veten shoqëria moderne (demokratike)? Së pari, përpiqet të sigurojë që – për aq sa është e mundur – të gjithë qytetarët e saj të marrin një nivel të lartë të arsimit të përgjithshëm përmes shkollës. Së dyti, zyrtarët në pozita të larta politike kanë një staf këshilltarësh të cilët duhet të jenë shumë të kualifikuar”. Pra, një politikan i arsimuar dobët shpesh mund t’ia hedhë, nëse do të zgjedhë rreth vetes këshilltarë të mirë. Por në vendin tonë kjo nuk ndodh, kurse jo pak këshilltarë janë me mungesë përvojë skajore, që nuk merren parasysh. Ndaj edukimi i politikanëve është imperativ dhe i nevojshëm, sepse i mëson të respektojnë ligjet dhe t’i japin vlera punës së tyre. Ose si i thanë dikur pak a shumë presidentit Klinton, para një situate të papëlqyeshme: Mos gjej frizerë për thinjat e bukura por këshilltarë me flokë të bardhë (që nënkuptonte të shkolluar mirë). (Homo Albanicus)


Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi