Katër fytyrat e Shtetit

Bashkëbisedim i  PIERRE ROSANVALLON[1]

me gazetarin Jean-François Dortier, krijues i Revistës Sciences humains

Botuar sipas librit Le Pouvoir, me autor HOLEINDRE Jean-Vincent,

“Sciences Humaines Éditions”, 2014

 

Fakti i parë masiv i dukshëm kur studjohet historia e Shtetit është zhvillimi i jashtëzakonshëm i ndikimit të tij në shoqëri: Shteti ka shkuar përtej prirjes së tij tradicionale të ruajtjes së rendit (policisë dhe ushtrisë) për të shtrirë veprimin e tij në shkollë, shëndetësi, ekonomi, sociale, etj. Si vlerësohet ky zgjerim gati universal?

Kur analizohet Shteti, problemi është që të kemi kriteret që lejojnë të shpjegohet pse rritja e tij ka qenë kaq e parezistueshme në shoqëritë moderne perëndimore që nga shekulli i 14-të. Nëse kënaqemi të analizojmë shtetin sipas sektorëve: Shteti në ekonomi, arsim, në shoqëri, në higjienë  dhe nëse shtohen fushat e tij të ndërhyrjes, konstatojmë një rritje të konsiderueshme të rolit të tij, por nuk ka absolutisht asnjë kriter që të na lejojë të kuptojmë kompetencën (instancën) e tij. Më duket më produktive të analizohet Shteti duke u nisur nga dinamikat e mëdha, të marrëdhënies midis tij dhe shoqërisë.

Nga pikëpamja më e përgjithshme, Shteti mund të përkufizohet si formësimi i marrëdhënies sociale që bën përputhshmërinë e popullsisë, ligjit dhe territorit. Përputhja e këtyre tre kritereve është një shpikje perëndimore e shekullit të 14-të.

Kjo specifikë është shumë e rëndësishme të kuptohet në mënyrë që të mos asimilohet fenomeni shtetëror me fenomenin e përgjithshëm të autoritetit politik ose të organizimit administrativ. Në çdo shoqëri që ka dalë nga hordhia ose fisi, ekziston organizimi administrativ dhe rregullimi i autoritetit politik. Por Shteti nuk është vetëm forma shquese e autoritetit politik ose organizimit administrativ, ai është një formë e veçantë që ka një histori dhe dallohet nga perandoritë ose qytetet. Nuk ka pasur Shtet tek romakët, grekët ose tek egjiptianët.

Do të thoni që në perandoritë dhe në qytetet, ajo që quhej Shtet ishte thjesht një strukturë politike mbi shoqërinë, por kush e suazon atë në të vërtetë?

Në të vërtetë është një strukturë politike që organizon “dhunë legjitime“, e cila mund të mbledhë taksa, por që, për shembull, nuk është absolutisht organizuese e së drejtës së përgjithshme. Në Perandorinë romake nuk ka pasur të drejtë të përgjithshme: ekzistonte një e drejtë romake në Romë, por që nuk zbatohej për një anëtar të Perandorisë në Gaule. Në një perandori, ka pasur një unitet politik dhe ushtarak të autoritetit, por në të njëjtën kohë një pluralizëm të së drejtës dhe një larmi të konsiderueshme të formave të organizimit praktik të jetës administrative. Historia e Shtetit është struktura në të njëjtën hapësirë ​​dhe për çdo popullsi me të njëjtin legjislacion. Ky përkim midis ligjit, territorit dhe popullsisë do të përcaktonte një lloj forme të re politike, e cila quhet Shteti modern.

Ky Shtet modern shfaqet në tre vende: në Angli, Francë dhe Spanjë, të cilat janë skajet perëndimore të Perandorisë së Shenjtë Romake gjermanike. Në këto tre vende pak nga pak formohet një formë e ndryshme e organizimit, e cila do të lindë Shtetin – komb modern.

Dhe në këtë logjikë të dorës së parë të përkimit të ligjit, territorit dhe popullsisë gjëndet burimi i zhvillimit shtetëror?

Saktësisht. Sepse organizimi i marrëdhënies shoqërore nuk është vetëm dominimi politik i një grupi por edhe ekzistenca afatgjatë e komunitetit si komb. Kjo ide ka munguar plotësisht tek romakët ose tek egjiptianët.

Si do ta arrijë Shteti të realizojë këtë unifikim midis Shtetit dhe Kombit?

Për të kuptuar këtë lëvizje të përgjithshme, duhet të deglobalizohet çështja e Shtetit dhe të mos trajtohet si një koncept i përgjithshëm. Historikisht, lëvizja ka ardhur përmes katër llojeve të funksioneve të shfaqura në kohë të ndryshme: funksioni regalian (sovran), funksioni i realizimit të kohezionit social, Shteti i providencial (i mirëqenies) dhe funksioni i rregullimit të ekonomisë.

Funksioni regalian përcaktohet nga fakti që Shteti është organizatori i dhunës legjitime. Ai e merr fuqinë dhe të drejtën e tij nga fakti që organizon paqen në territor duke vendosur mbrojtjen e jashtme dhe duke parandaluar luftën e brendshme civile. Kjo është arsyeja pse rritja e Shtetit modern në Francë, Angli dhe Spanjë vjen nga luftëra shumë të gjata dhe shumë të vështira dhe konsolidohet në kalvarin e luftrave civile.

Këto funksione të Shtetit regalian filluan të zhvilloheshin nga shekujt XIII dhe XIV dhe tiparet themelore nuk kanë ndryshuar shumë deri më sot. Ajo që ka ndryshuar është teknika në organizimin e këtyre pushteteve. Revolucioni i madh është demokratizimi dhe uniformizimi (standardizimi) i këtij sistemi. Uniformizimi fillon nën monarkinë absolute dhe demokratizimi ndodh me Revolucionin francez. Shteti kontrollohet dhe prodhohet nga shoqëria. Ky është revolucioni i madh në Shtet. Futja e qeverisë përfaqësuese në kuptimin e gjerë të termit ndryshon plotësisht modalitetet. Ajo që bie në sy është se ky Shtet regalian nuk ka ndryshuar në madhësi midis fillimit të shekullit të 19-të dhe sot.

Figura e dytë e madhe e Shtetit është ajo që ju e quani Shtetin “realizues të kohezionit social”. Për se është fjala ?

Ky funksion i dytë është shumë i ndryshëm. Bëhet fjalë për organizimin e Shtetit të kohezionit social: Shteti prodhues i kombit. Ekziston një specifikë franceze. Sipas fjalëve të Marc Bloch, në Francë, Shteti i parapriu shoqërisë. Kështu që Shteti do të jetë i preokupuar që të ekzistojë kombi francez dhe Revolucioni do t’i japë efektet e plotë të kësaj ambicie.

Kjo është një detyrë specifike franceze; në shumë vende të tjera, Shteti shfaqet si pasojë e komunitetit. Gjermania, për shembull, paraqitet së pari si një kulturë sociale dhe një gjuhë. Pas kësaj ajo përpiqet të bëj ekzistencën e një ansambli politik që i përgjigjet këtij realiteti social dhe gjuhësor. Në Francë, në shekullin e 17-të, nuk ka patur një vetëdije të tillë, nuk ka patur një unitet gjuhësor, nuk ka patur një kulturë sociale. Shteti do të prodhonte kombin përmes një sërë procedurash të tilla si shkollimi, bashkimi i peshave dhe masave, integrimi i të çmendurve dhe kriminelëve. Shteti francez do ta përdorë shkollën më shumë se çdo mjet tjetër për të prodhuar kombin. Ishte La Chalotais, prokurori i parlamentit të Bretanjës, një sulmues i madh i Jezuitëve në mesin e shekullit të 18-të, i cili shkroi për herë të parë në 1763 një libër të quajtur Ese e Arsimit Kombëtar. Përdorimi i fjalëve “arsim” dhe “kombëtar” së bashku ishte në atë kohë një revolucion i madh. Revolucioni do t’i jepte mbështetje të plotë kësaj ambicieje. Mirabeau thoshte “për të ngritur sjelljen dhe zakonet tona në lartësinë e institucioneve tona”.

Por misionet e mëdha të dhëna më parë në Shkollat fillore, të tilla si bashkimi gjuhësor, dashuria për atdheun, a nuk i gjejmë ato edhe në vendet fqinje?

Jo në të njëjtën mënyrë, sepse gjuha ishte një e dhënë themelore, nuk ishte një pushtim si në Francë. Vetëm në fillim të shekullit të 16-të, në Francë dhe Ediktin e Villers-Cotterêts gjuha frënge u imponua në akte administrative. Para se të ishte latin apo patois. Kjo është arsyeja pse Revolucioni këmbënguli aq shumë në shkatërrimin e patois. Nëse roli i Abbé Grégoire është shumë i rëndësishëm për historianët, kjo është për shkak se ai është në origjinë të raportit të famshëm mbi mënyrën se si uniformizohet gjuha dhe shkatërrohet patois. Të shkatërrosh patois do të thotë të detyrosh banorët e vendit të flasin të njëjtën gjuhë dhe duke folur të njëjtën gjuhë, të formohet një komunitet.

Shteti ka pasur si detyrë të prodhojë kombin duke prodhuar instrumentë të përgjithshëm të përdorur prej njerëzve. Njëri instrument i rëndësishëm ishte gjuha, instrumentin tjetër e përbëjnë peshat dhe masat; që këtej rrjedh rëndësia shumë e madhe simbolike e reformës metrologjike e kryer nën Revolucion. Ishte Lavoisier ai që mori detyrën duke futur metrin dhe kilogramin. Ekzistonte edhe një motivim ekonomik: të favorizoheshin shkëmbimet. Shumë fletore ankesash e kërkonin atë.

Të prodhosh kombin do të thotë të prodhosh gjithashtu kohezionin social. Kjo luajti një rol të rëndësishëm veçanërisht në shekullin e 19-të dhe u paraqit si mani për të riintegruar në shoqëri ata që ishin simbolet e përjashtimit: kriminelët dhe të çmendurit. Azili dhe burgu përfaqësonin, përsa i përket popullsisë dhe përpjekjeve në fjalë, shumë pak investime në shekullin e 19-të. Por ishtë e habitshme të shikoje që këto popullsi kishin një rëndësi të konsiderueshme simbolike dhe pse të gjitha shoqëritë liberale perëndimore kishin shpenzuar kaq shumë energji, shpikje, kohë në diskutime  për të trajtuar institucionet burgut dhe azilit. Ato u kthyhen në fakt në simbolin e popullsisë që u vendos në qëndër të projektit të rikualifikimit social.

Si lidhet ky funksion i “realizimit të kohezionit social” me atë të Shtetit të mirëqenies?

Funksioni i tretë është me të vërtetë ai i Shtetit të mirëqenies. Por ky nuk është një nivel historik që shtohet mbi nivelin e mëparshëm. Ai është konsubstantial me Shtetin regalian. Hobbes e përkufizonte Shtetin si një “zvogëlues i pasigurisë“. Burrat e Revolucionit francez tashmë dëgjonin që Shteti i së drejtës duhet të jetë një Shtet mbrojtës. Ata kërkonin të zgjeronin të drejtat. Sidoqoftë, do të duhej të pritej deri në mes të shekullit të 20-të, që me zhvillimin e sigurimeve shoqërore, Welfare State, État providence, Shteti i Mirëqenies, të merrte shtrirjen e tij të plotë.

Kjo mund të ndodh vetëm në kohën e rritjes ekonomike?

Në fakt, po, dhe këtu pikërisht hyri funksioni i katërt i Shtetit: ai i rregullimit ekonomik. Ky funksion u zhvillua kryesisht pas Luftës së Dytë Botërore, me politikat keynesiane. Në Francë, 1945 ishte një pikë kthese kur u realizuan shtetëzime të njëpasnjëshme të ndërmarrjeve të mëdha, planifikimi, llogaria kombëtare dhe politika të modernizimit industrial. Edhe nëse nga vitet 1980 politikat keynesiane duket se ishin në rënie, ne vazhdonim të mendonim se mund të vepronim në ekonomi, se ajo është një variabël veprimi që mund të manipulohet. Në këtë kuptim Keynes ishte nismëtar i një revolucioni të vërtetë .

Por ky Shtet me katër fytyra, sot e ka të vështirë të marrë plotësisht të gjitha funksionet e mbrojtjes dhe kohezionit social, për shkak të kufizimeve ekonomike?

Shteti është në krizë, por kjo paraqitet shumë shpesh si një çështje ekonomike, e lidhur me problemet që vijnë nga kontrolli i shpenzimeve shëndetësore, bilanci i skemave të pensioneve, etj. Vështirësia në sytë e mi është kryesisht e një natyre filozofike. Zhvillimi i Shtetit të mirëqenies është i lidhur me një përfaqësim social ku Shteti duhet të ndërhyjë në sferën private (shtëpia, marrëdhëniet seksuale, etj.) Për të siguruar rolin e tyre shëndetësor dhe shoqëror. Ky ishte rasti me revolucionin pasteurian. Ky konceptim është akoma kontributi ynë në mbajtjen e një ndërhyrjeje të fortë. Përballë AIDS-it, për shembull, kërkesa për konsolidimin e Shtetit higjenist është unanime. Është një vektor i fuqishëm për të legjitimuar ndërhyrjen publike.

Por mendimi i solidaritetit duket se ka ngelur. Ne nuk e dimë më se cilat rregulla organizojnë “borxhin social”. Ne duhet të rishikojmë menaxhimin e rreziqeve. Procedurat tradicionale të sigurimeve të artikuluara me politikat e ndihmës nuk janë më të mjaftueshme. Problemi nuk është më vetëm çështje menaxhimi. Shteti i mirëqenies konfondohet gjithnjë e më shumë me Shtetin realizues të kohezionin social. Prodhimi i kohezionit shoqëror, zvogëlimi i përjashtimit, integrimi i individëve në shoqëri (problemi i qytetarisë), këto janë sfidat me të cilat përballemi.

[1] Pierre Rosanvallon, lindur në 1948, është një historian dhe sociolog francez. Punimet e tij të shumta lidhen kryesisht me historinë e demokracisë dhe modelin politik francez, me rolin e Shtetit dhe çështjen e drejtësisë sociale në shoqëritë bashkëkohore. Qysh nga vitit 2001 ai drejton katedrën e historisë moderne dhe bashkëkohore të politikës në Kolegjin e Francës, duke qënë gjithashtu drejtor i studimeve në Shkollën e studimeve të larta në shkencat sociale. Veprat e tij janë të përkthyera në 22 gjuhë dhe në 26 vende të botës.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi