Kreu i shtetit në kërkim të identitetit kushtetues

A është momenti për një reformë kushtetuese? Nëse po, cili do të ishte objekti i kësaj reforme?

Moderatorët: Dr. Arta Vorpsi, Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi

Kreu i shtetit në kërkim të identitetit kushtetues

PostimNga Dr. Arta Vorpsi » e Premte Tetor 11, 2013 7:20 pm

Përse ky titull? Gjithnjë e më shpesh, më së rralli një herë në pesë vjet, zhvillohen debate politike dhe juridike në Shqipëri lidhur me rolin e kreut të shtetit dhe mënyrën e zgjedhjes së tij në një shtet demokratik. Disa mendojnë se një President me kompetenca të forta është më i përshtatshëm për zgjidhjen e konflikteve politike kur partitë nuk kanë vullnet për të rënë dakord. Disa të tjerë mendojnë se një President, megjithëse pa shumë kompetenca ekzekutive, është më mirë të zgjidhet direkt nga populli, në mënyrë që sovranit të mos I imponohet një President sipas dëshirës së momentit të partive politike më të forta por sipas vullnetit të drejtpërdrejt të zgjedhësve. Ka edhe nga ata që nuk e gjejnë veten të përfaqësuar tek Presidenti kur ai zgjidhet nga gjiri i një force politike të caktuar. Po kështu, të papërfaqësuar bindshëm ndjehen edhe ata persona që nuk dallojnë asnjë përkatësi ose formim politik të Presidentit.

Kushtetuta e sotme shqiptare ka zgjedhur qartë profilin e preferuar të kryetarit të shtetit: Ai është një organ që nuk bën pjesë në asnjë prej tri pushteteve dhe që nuk ka kompetenca thelbësore qeverisëse por vetëm kontrolluese dhe balancuese. Një nga dispozitat më të qarta ku bazohet ky profil është neni 94 i Kushtetutës, i cili parashikon se Presidenti nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera veç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të. Për këtë arsye, Presidenti nuk mban përgjegjësi (kupto: politike) për aktet e tij. Rolin e tij balancues e shohim te pjesëmarrja e tij në emërimin dhe shkarkimin e një sërë funksionarësht të lartë, tek dekretimi i ligjeve të Kuvendit, tek emërimi i ambasadorëve, tek caktimi i datës së zgjedhjeve dhe shpërndarjes së parlamentit etj.
Pra, kreu i shtetit shqiptar sot ka rolin e një kryetari shteti sipas atij që njihet nga regjimet e republikave parlamentare: pra, të një presidenti jo qeverisës. Për këtë arsye, funksionet e tij duhen parë në drejtim të ruajtjes së sigurisë juridike dhe zbatimit të së drejtës, kontrollit të rregullshmërisë së akteve të organeve më të larta shtetërore kushtetuese (kujto krahasimin e tij si noter shtetëror), përfaqësimi i shtetit dhe popullit si i tërë dhe mishërimi tek ai i unitetit të popullit dhe i garantit të Kushtetutës. Në këtë sens, mendoj se është e vështirë dhe ndoshta jo e dëshirueshme që ai të jetë më aktiv ose dominant në procese vendimmarrëse politike, të cilat ai kurrsesi nuk mund t’i ushtrojë i vetëm (siç mund të jetë emërimi i ministrave, I ambasadorëve ose i gjyqtarëve dhe prokurorëve).

Shpesh, në terrenin disi të ashpër të politikës shqiptare ngrihet pyetja nga politikanë, analistë politikë dhe zgjedhës: A mund/duhet të ketë Presidenti më tepër zë lidhur me çështjet politike? Në situata të tensionuara politike, zgjedhësit janë të paorientuar mirë në debatin politik dhe në të njëjtën kohë ndihen të pafuqishëm për të ndikuar në uljen e këtij tensioni.Për këtë arsye, me të drejtë i kthejnë sytë nga Presidenti i Republikës. Ky është përfaqësuesi i të gjithë zgjedhësve, të majtë, të djathtë apo të qendrës qofshin. Kur ai nuk reagon sipas pritshmërive të zgjedhësve, jo sepse është i dobët apo i intimiduar nga politika, por se në të njëjtën kohë duhet të ruajë dhe paanshmërinë politike dhe të kontribuojë për ekulibrimin e klimës politike dhe sociale në vend, zgjedhësit kërkojnë të kenë një President të fortë duke marrë si shembull Presidentin e SHBA ose dhe atë të Francës. Por lind pyetja: A mundet Presidenti i Republikës, të jetë i paanshëm politikisht, i fortë dhe me pushtet, dhe t’u imponohet forcave politike, të cilat ushtrojnë pushtetin e tyre bazuar në parimet demokratike dhe sovranitetin e deleguar nga populli? Rregullat e demokracive moderne bashkëkohore nuk e pranojnë një rol të tillë, sepse, së paku, kjo do të prishte funksionin e rolin aq të rëndësishëm të Presidentit të Republikës si garant i Kushtetutës dhe përfaqësues i unitetit të popullit. Ajo që duhet të bëjnë shumica dhe pakica parlamentare gjatë veprimtarisë së tyre politike nuk mund të bëhet nga Presidenti,gjithashtu vlen dhe e anasjella.

Në funksion të pasjes së një Presidenti të fortë hidhet si ide zgjedhja e tij direkt nga populli. Kjo do të bënte që Presidenti të shkëputej nga partite kryesore dhe të garonte i vetëm për të fituar besimin e zgjedhësve. Por ç’do të ndodhë më pas? Një President i zgjedhshëm direkt do të thotë që ai del përpara zgjedhësve me një platformë (natyrisht politike), të cilën duhet ta realizojë pas marrjes së mandatit presidencial. Në kushtet kur ai ka po të njëjtat kompetenca që parashikon Kushtetuta në fuqi, si do të ishte e mundur të merrte një rol më aktiv kur përsëri do të ishte i kufizuar për shkak të Kushtetutës? Parë në këtë këndvështrim, mendoj se nuk do të ishte një gjetje me vend zgjedhja e Presidentit direkt nga populli për sa kohë ai do të ketë të njëjtat kompetenca të kufizuara që i dikton sistemi parlamentar i qeverisjes. Natyrisht, modelet e tjera (gjysmëpresidenciale ose presidenciale) mbeten opsione, megjithëse ruaj rezerva sa i takon nevojës që mund të kenë vendet e dala nga regjimet komuniste për të patur një kryetar shteti të fortë.

Siç u shpreha, Kushtetuta e sotme shqiptare ka parashikuar një kryetar shteti jo qeverisës, tipike kjo për një republikë parlamentare. Në një regjim të tillë pozicioni i Presidentit përballë organeve të pushteteve të ndryshme paraqitet jo rrallë problematik. Kjo është arsyeja që Presidenti konsiderohet nga disa i njgashëm me një pushtet te katërt, term i cili më duket I jokorrekt, pasi Kushtetuta nuk njeh një pushtet të katërt. Presidenti nuk qeveris dhe nuk administron, ai qëndron mbi të gjitha pushtetet por nuk bën pjesë në to. Ai konsiderohet si një organ sui generis dhe ushtron funksione që lidhen me gjyqësorin dhe ekzekutivin. Deri në ç’masë shkon ushtrimi i këtyre funksioneve kjo gjen rregullime të ndryshme në vende dhe sisteme të ndryshme duke ia lënë këtë gjë vullnetit të ligjvënësit kushtetues. Por parimisht këto funksione nuk shkojnë në drejtim të ushtrimit të pavarur dhe absolut të Presidentit, por në drejtim të korrigjimit ose pengimit të veprimeve nga ana e tij, kur ekziston mundësia e cënimit të interesave të përgjithshme të shtetit.

Me lejoni te sjell në vëmendje se në fillimet e parlamentarizmit në Europë, kur ende vendet drejtoheshin nga monarkët sistemi i qeverisjes u përkufizua në një fjali: “Mbreti sundon, ministrat drejtojnë dhe gjyqtarët gjykojnë”. Për çdo kryetar shteti, në mënyrë të natyrshme, lindi pyetja: “Si mund të sundoj, nëse nuk kam mundësi të drejtoj?!” E vështirë për të dhënë një përgjigje të saktë, megjithëse Carl Schmitt u përpoq ta zgjidhte duke bërë dallimet midis potestas dhe autoritas. Megjithëse kjo nuk mund të jetë përgjigja në lidhje me pozitën kushtetuese të kreut të shtetit sot, ajo mund të japë një shpjegim të zhvillimeve historike të cilat përfunduan me gjetjen e figurës së Presidentit në sistemin parlamentar, për sa kohë nuk mishëronte monarkun tipik si në Britani ose shefin e ekzekutivit si në SHBA. Ishin zhvillimet revolucionare në Francën e Republikës së Tretë që nxorrën idenë e “monarkut republikan”, me qëllim që midis organit përfaqësues, pra parlamentit, dhe qeverisë të ishte një organ me një pavarësi të konsiderueshme për të balancuar këto dy pushtete. Për këtë qëllim, gjatë periudhës së kalimit të pushtetit nga njëra forcë tek tjetra, gjatë formimit të parlamentit dhe qeverisë së re, nevojitetj ekzistenca e një organi me kompetenca të caktuara që të pasqyronte vazhdimësinë dhe qendrueshmërinë e unitetit shtetëror dhe funksionimin e tij si një i tërë. Për shkak të vazhdimësisë dhe reflektimit të besimit të popullit, kjo figurë do të gëzonte një autoritetit të veçantë. Këto cilësi u panë të realizoheshin më së miri tek figura e kreut të shtetit në një demokraci parlamentare. Është kjo arsyeja që kjo figurë në të gjitha vendet që kanë zgjedhur këtë sistem qeverisjeje, ka fizionomi të ngjashme. Neni 90/1 i Kushtetutës shqiptare ndalon shprehimisht qeverisjen e Presidentit krahas ekzekutivit ose ligjvënësit. Fakti që Presidenti nuk mban përgjegjësi, tregon që Kushtetuta ka dashur të ndalojë mundësinë e bërjes së një politike të pavarur të Presidentit, pasi bërja e politikës pra, qeverisja i është lënë në dorë parlamentit dhe qeverisë. Mospasja e përgjegjësisë politike realizohet duke ia lënë detyrimin për kundërfirmë ministrit kompetent ose kryeministrit. Gjithashtu, Presidenti nuk përgjigjet para parlamentit. Kjo është arsyeja që ndaj Presidentit nuk mund të ndërmerret mocion mosbesimi ose të thirret në interpelancë. E vetmja mundësi është fillimi i një procesi para Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e tij nga detyra, ose përgjegjësia penale për kryerjen e një vepre penale.

Nisur nga këto karakteristika me të cilat është i veshur Presidenti në një republikë parlamentare në përgjithësi dhe ne Shqipëri në veçanti, vlen të theksohet se modeli aktual i kreut të shtetit është tërësisht i pajtueshëm me demokracinë parlamentare. Shtimi i kompetencave ose kufizimi i pjesëmarrjes së tij në disa faza të emërimit apo shkarkimit të funksionarëve të lartë nuk e bëjnë atë detyrimisht më shumë ose më pak funksional.

Ne fund te fundit, Presidenti është aq funksional sa ç’është sistemi politik dhe shoqëror në një shtet. Ai nuk mund të bëjë përjashtim. Demokracia funksionon sipas raporteve të caktuara që janë mjaft të rëndësishme për ruajtjen e ekuilibrave shtetërorë. Prishja e tyre ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e demokracisë. Për këtë arsye, nuk mund të reformohet një institucion pa menduar për efektet që ai sjell në funksionimin e organeve të tjera. Në këtë kontekst, reformimi i institucionit të Presidentit nuk mund të mendohet i shkëputur nga pjesa tjetër e institucioneve kushtetuese. Çdo ndryshim apo reformë duhet konceptuar në funksion të regjimit qeverisës në tërësi të zgjedhur nga sovrani dhe të frymës së Kushtetutës të miratuar prej tij.

Vitin qe shkoi parlamenti zgjodhi Presidentin e ri, proces i cili, si zakonisht, filloi shumë herët të përflitet dhe paragjykohet dhe, për fat të keq, që në krye të herës, u diskutuan situatat më të vështira që mund të ndodhin. Megjithatë, pavarësisht se vëmendja më e madhe u përqendrua te modalitetet teknike të procesit dhe emrat konkretë, mendoj se, në vështrim të rolit të rëndësishëm që luan kreu i shtetit, ajo qe vlen të diskutohet është raporti midis forcave politike e shtetasve dhe Presidentit. Ky i fundit ka një pozitë delikate përballë të dy grupeve: të parëve (forcave politike) u duhet t’u imponohet në interes të të dytëve (qytetarëve). Po ku fillon dhe ku mbaron ky imponim? Sa efikas mund/duhet të jetë? Realiteti i deritanishëm shqiptar ka treguar se nuk është e lehtë të jesh President i këtij vendi. Le të shohim se ç’do të sjellë e ardhmja e afërt, me apo pa reforma.
Imazhi i Përdoruesit
Dr. Arta Vorpsi
 
Postime: 5
U regjistruat në këtë grup: e Mërkurë Korrik 31, 2013 4:44 pm
Emri Mbiemri: Dr. Arta Vorpsi
Titulli: Dr.

Rikthehu tek Reforma Kushtetuese - një domosdoshmëri e kohës?

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 0

cron