Anarkia politike e vitit 2012

A është momenti për një reformë kushtetuese? Nëse po, cili do të ishte objekti i kësaj reforme?

Moderatorët: Dr. Arta Vorpsi, Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi

Anarkia politike e vitit 2012

PostimNga Prof. Dr. Romeo Gurakuqi » e Diel Shtator 29, 2013 10:16 am

shkruar dhe botuar ne dhjetor 2012
Shqipëria është në një situatë të brendshme të paqartë, të shkaktuar nga vijimi i luftës së ftohtë politike. Kjo luftë e brendshme asnjëherë nuk u ndërpre gjatë këtyre 21 viteve, pavarësisht përpjekjeve të Publikut për të nxitur një konsensus nacional, për t’u vetëqeverisur mbi bazën e parimeve të së mirës publike, për të pasur institucione e politika të qëndrueshme, shtylla strategjike orientimi të qarta, të mbështetura të gjitha mbi një përparim ekonomik të spikatshëm dhe mbi gjenerimin e përdorimin racional të rezervave të brendshme të vendit. Mungesa e përparimit demokratik e liberal të Shqipërisë është produkt i vështirësive që gjejnë në shoqërinë tonë post diktatoriale, me një ndërlikim kaq kompleks social, kulturor, pronësor dhe urban, idetë demokratike dhe liberale perëndimore.
Anarkia politike në këtë vend nuk është e re, por sot, kur aktorëve politikë u janë vënë përpara disa objektiva të qarta, të ofruara si paketë e gatshme nga garantët ndërkombëtare, për shndërrimin e vendit në një demokraci të mirëfilltë, ajo është një kosto që rëndon në mënyrë të pajustifikuar dhe rrënimtare mbi të ardhmen e qëndrueshme europiane të vendit.
Në një vend me tre milion banorë dhe lehtësisht të kontrollueshëm nga pikpamja e menaxhimit administrativ të territorit, për çdo demokraci të mirëfilltë, punët, arritjet progresive politike e ekonomike, do kishin qenë krejtësisht të lehta për t’u përftuar, sikur drejtuesit politikë të këtij vendi, në rrjedhën e gjithë historisë moderne, të kishin pasur formime (të ngulitura natyralisht) ideologjike e politike liberale dhe demokratike, të zhveshura tërësisht nga tradita komuniste dhe orientaliste e dyfaqësisë së sjelljes, së mendimit, të veprimit dhe të komunikimit politik. Për fatin e keq, pjesa e emancipuar dhe e qytetarizuar e shoqërisë, me formim të mirëfilltë evropian dhe perëndimor, vazhdon ende të jetë e reduktuar në masë, e paarritur në cilësi, jo mbizotëruese në opinion dhe në vendimarrje, nën peshën e rëndë të mbijetesës sociale dhe familjare, para pushteteve politike që ndërrohen ose ngurtësohen, varësisht ekipeve të militantëve dhe mercenarëve që në këtë vend historikisht janë rekrutuar për të arritur objektiva politike. Për rrjedhojë ky nukël përparimtar, ajo çfarë do të duhej të ishte shoqëria civile e këtij vendi, edhe në vazhdimësi, është pak influente në politikën e ditës, e druajtur në mos e frikësuar. Aktualisht ai nukel gjithnjë e më shumë po tkurret nën peshën e falangave partiake që fshijnë çdo gjë që u del para, për shkak të mbështetjes së jashtëzakonshme që sigurojnë nga turmat e lëvizshme të militantëve që ndërrojnë padronët varësisht interesave materiale të ofruara në tregun e këmbimit elektoral.
Presioni i heshtur mbi shoqërisë civile, pafuqia dhe përkuljet që ajo pëson, po rëndojnë në formimin e komunitetit të gjerë të shqiptarëve bashkëkohorë, të emancipuar nga pikpamja e përgjegjësisë ndaj bashkësisë, qytetarë të përgjegjshëm të Shqipërisë dhe të Evropës. Ndërsa falangat partiake i dallon kokëfortësia, mungesa e bindjes dhe shurdhësia ndaj këshillës së mikut, dyshimi primitiv ndaj dorës së shtrirë sërish të vendeve demokratike dhe nga familja europiane. Komuniteti i gjerë i progresit ende nuk është krijuar në këtë vend, mbasi nuk e ka ende hapësirën e nevojshme të lirisë dhe për shkak të intereferimit të interesave të aktorëve aktuale politikë dhe ekonomikë.
Ngecja e Shqipërisë së sotme në kënetën e vet të patharë post komuniste, pa mundur dot të dalë në detin evropian, është produkt i vizioneve të ndryshme që shoqëria jonë ka për të ardhmen e saj brenda gjirit të vet kaq heterogjen politiko-kulturor e social, produkt i konceptimeve krejt të kundërta mbi vendin real të Shqipërisë, produkt i pasqyrimit të historisë së trazuar nëpër të cilën ajo shoqëri ka kaluar në 100 vjetëshin e fundit, dhe ndërhyrjes dhe rivaliteteve të grupimeve ekonomike me interesa kryesisht materialiste. Ky konvergim faktorësh, dhe sidomos cilësia e dobët e grupimit fillestar liberal dhe demokratik (për shkak të copëtimit që pësoi nga diktatura dhe nga largimet masive në vitet 1990-1997-2002), pamundëson daljen në skenë, me forcën që kërkon koha, të një grupimi të ri të orientuar për kah liria, demokratizimi i vërtetë dhe procesi i sinqertë europianizues dhe perëndimizues. Në qoftë se ky grupim do të ngjizej, atëherë do të mund të shpejtonin plotësimin e rrugës së mbetur në mes, të demokracisë sonë të paarrirë: drejt shtetit ligjor, barazisë së qytetareve para ligjit (të gjithë shkelësit e ligjes njëlloj para drejtësisë), lirisë së shtypit, të mendimit dhe shprehjes, drejt dekomunistizimit, depolitizimit dhe profesionalizimit të strukturave institucionale dhe administrative, drejt pavarësisë së institucioneve, kontrollit demokratik i pushteteve dhe të vendimmarrjes, të përgjegjshmërisë dhe shpjegueshmërisë në qeverisje dhe në opozitë, një shteti model për të gjithë shqiptarët dhe diasporen, indikacione këto që na mbetën në klasë edhe më së fundi në Strasburg.
Dallimi midis palëve në konfliktin aktual politik është më së shumti nga përkatësia nominale partiake, nga grupimi ku bëjnë pjesë, dhe si gjithmonë në një vend të prapambetur që nuk arrin dot të krijojë koalicionet e gjera të interesave politike nacionale, nga prejardhja krahinore, që në Shqipërinë e vogël ngjan të jetë një faktor krejt qesharak, por mjaft veprues. Krejt pak janë dallimet programore politike dhe strategjike të shkruara në letrat respektive politike. Kësisoj ngërçi (stanjacioni dhe kriza) i krijuar nuk është i lidhur me teorinë, pra me orientimin programor politik, por me mënyrën e sjelljes praktike të imponuar nga interesat e ngushta të faktorëve pa përmbajtje patriotike.
Respublica Arbanensis, Shteti Shqiptar, është trashëgim që na kanë lanë të parët, është “pronë” e përbashkët e Qytetarit shqiptar, pronë e Publikut shqiptar, është i të gjithëve. Titullarët e pushteteve dhe aktorët opozitarë të sistemit tonë të qeverisjes, janë vetëm shërbyes në detyrë, të mandatuar, (në pozitë dhe në opozitë) nga një proces i lirë dhe i ndershëm zgjedhor, që operojnë në emër të Shtetit, në përzgjedhjen e tyre politike që ka fituar besimin e shumicës (Shumicës, kuptuar si përzgjedhje elektoratit, por jo për shkak të kompozimit të kombinacioneve politike të përkundërta, të cilave elektorati u ka dhënë përzgjedhje dhe vende të ndryshme në spektrin politik. Kjo e fundit njihet në teori si Transformizëm, ose Dallavere Politike), apo pakicës, për të garantuar vetëm interesin publik dhe në asnjë rast, qoftë edhe më të voglin, asnjë interes privat.
Një frymë të tillë janë përpjekur t’i japin shtetit shqiptar, themeluesit e të tij më 1912, 1914, 1918, 1920 deri më 1924. Pas paqëndrueshmërisë politike, veprimeve kundër lirisë politike dhe krimeve ndaj opozitës në vitet 1924-1928, Shteti shqiptar i viteve 1930’, pavarësisht pozicionit të fuqishëm të Kreut të Shtetit, arriti të ruante një përqindje të rëndësishme të vlerësimit të parametrave matës të institucioneve, duke mbajtur parasysh veprimin e shtetit ligjor, të operojë si garantues të lirive civile, garantues i hierarkisë së vlerave intelektuale e qytetare, mbrojtës i elitave të kristalizueme të shoqërisë dhe jo si përmbysës dhe shkatërrues i qytetarisë dhe i elitave të konfirmuara.
Shteti, në funksionin e tij si një tërësi institucionesh, në shërbim vetëm të së mirës publike, u shkatërrua fillimisht nga pushtimi fashist dhe më pas nga diktatura e vendosur në Shqipëri me 29 nëntor 1944. Pavarësisht përpjekjeve të bëra më 1991 dhe më 1998, gjegjësisht me Kornizën Konstitucionale dhe Kushtetutën më pas, dhe me reformat e njimendta ndërmarra në vitet 2005-2008, ai shtet, ende në praktikën e jetës së përditshme politike, të sjelljes sociale etj., gjendet edhe më tutje në rrugën drejt rikthimit në funksionin e tij modern dhe bashkëkohor, pa kapur dot standardet e çdo vendi tjetër normal të perëndimizuar.
Shqipëria vërtet më 1991 kreu shndërrimin e oligarkizmit autokratik në një demokraci parlamentare, por duke e lënë kornizën konstitucionale, legjislacionin organik dhe atë parësor të paplotësuar në termat e kërkuar për të ushtruar funksionet e mirëfillta balancuese dhe kontrolluese institucionale që kërkohen nga një demokraci e vërtetë parlamentare e liberale, si dhe duke mos respektuar edhe ligjin në tërësi, ka lejuar gradualisht deformime të sjelljeve politike, rrëshqitje të qarta drejt formimit të establishmenteve politike të palëvizshme, drejt krijimit të kastave klienteliste, apo drejt grupimeve politike përfaqësuese të monopoleve te reja shqiptare, që fshihen pas sjelljeve konform konstitucionit, por që nuk mund të fshehin dot ndërlidhjet me personazhet anonime të botës së bizneseve të paqarta. Rruga që ka ndjekur Shqipëria post-diktatoriale, ka çuar drejt krijimit të grupimeve të forcës që presojnë në prapaskenë institucionet e pavarura, përmes metodave tipike të vendeve me pushtete autoritare. Kjo është e lexueshme edhe për qytetarin e heshtur shqiptar, e jo më për specialistët monitorues të vendeve demokratike që kanë përfaqësi në Shqipëri.
Edhe ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 u bënë në kundërshti me frymën e një Kushtetute të Ngurtë dhe me vetë frymën e kushtetutës në përgjithësi. Kjo sepse ato ndryshime e zhveshën rolin e Kreut të Shtetit si simbol i unitetit të popullit dhe minimizuan në një masë të pazakonshme për një vend me sistem qeverisjeje Republikë Parlamentare, funksionet aktive qeverisëse, kontrolluese dhe balancuese presidenciale, të parashikuara nga teoria dhe praktika e një vendi normal parlamentar. Ato ndryshime zhveshën nga rëndësia dhe përgjegjësia, institutin e dorëheqjes së Presidentit. Ato ndryshime, duke mos përcaktuar standardet e përzgjedhës së kandidatëve, thjeshtësuan lehtësisht zgjedhjen dhe emërimet e një numri funksionarësh të Shtetit, që garantojnë veprimin e Shtetit të së Drejtës, garantojnë përgjegjshmëri, shpjegueshmëri dhe transparencë reale, kontrollin dhe balancën institucionale, kontrollin e zbatueshmërisë së legjislacionit në veprimtarinë financiare të institucioneve dhe në sigurinë shtetërore. Kushtetuta shqiptare është Kushtetutë e Ngurtë, e aprovuar me referendum dhe për rrjedhojë ndryshimi i kushtetutës në atë formë në vitin 2008, pa e kënaqur Sovranin, që është titullar i pushteteve, me një Referendum, ishte një veprim në kundërshtim me Frymën e Kushtetutës dhe plotësisht kundër rregullave strikte që ajo mbart të nënkuptuara në vetvete dhe që do të duheshin pasur parasysh.
Kur 22 vite më parë, rinia shqiptare, e drejtuar nga zani i traditës, nga dëshira për me jetue në liri, filloi atë çfarë mund të quhet pa droje, procesi revolucionar - demokratizues i rrëzimit të diktaturës komuniste nga pushteti, as që mund të mendohej se grupimi që ruajti pushtetin për gjatë gjithë periudhës së diktaturës, do të vazhdonte ta mbante atë pushtet në Shqipëri edhe në dy dekadat e ardhshme. Pushteti i djeshëm fillimisht do të dilte në prapaskenë, pastaj do të transformohej, do të ngjyrosej, do të kamuflohej, por esencialisht “kllasa” komuniste, parë në tanësi, si produkt shoqëror i një periudhe 50 -vjeçare, si zotëruese e paketës drejtuese politike të vendit, e paketës kryesore ekonomike dhe e pronësisë së grabitur dhunshëm, do të arrinte të mbante të gjitha ato çfarë pushteti komunist ua kishte dhënë joligjërisht. Jo vetëm kaq, por në vijimësi nuk do të denjohej as të kërkohej falje për krimet e bëra ndaj popullit shqiptar. Pronësisë së grabitur nga pronarët e ligjshëm, dje nën diktaturë, në post-diktaturë iu dha çdo ditë edhe “legjitimitet” i ri; establishmenti politiko-social i prodhuar nga kjo “kllasë” do të promovohej pambarimisht drejt drejtimit të pushtetit dhe organeve të sigurisë publike dhe shtetërore, e gjithë fryma politike dhe sjellja e përditshme politike do të vazhdonte të sillej mbi shkollën intransigjente dhe radikale të ndërtuar nga Hoxhizmi.
Sot, pas 22 vitesh nga demonstrata e parë në Shkodër, nga ku filloi rrëzimi bustit të diktatorit Stalin dhe e adhuruesit të tij, me 14 janar 1990, Shqipëria nuk është njëlloj sikurse vendet e tjera ish - komuniste që arritën ta ndryshojnë njëmendësisht trurin, zemrën, jetën e sjelljen e shtetit dhe të shoqërive të tyre.
Që Shqipëria të mund të kapërcejë këtë impass në të cilin sërish u dënua të mbesë, duhet thjesht e vetëm, t’i jepet fund luftës politike të paprinciptë, e klasa politike të bëhet sa më shpejt dhe me të vërtetë një nxënëse shembullore që implementon pa mëdyshje dhe me një shpejtësi të spikatur, detyrat e lëna për zbatim edhe në konkluzionet e raportit të fundit të PE, i cili duhet lexuar dhe mësuar përmendësh, i plotë dhe jo me pasazhe të shkëputura. Dhe kjo nuk është vetëm detyrë e qeverisë por edhe e opozitës, sepse teorikisht së paku, kushtetuta e republikës sonë parlamentare, e imponon dyanësisht. Bashkërisht faktorët politikë duhet të punojnë për ta kthyer Shtetin Shqiptar në gjykatës i kthjellët dhe të paanshëm, në tutor të rendit juridik, politik dhe social, mbrojtës të barazisë të të gjithë shtetasve para ligjit, mbrojtës të së drejtës së bashkësive kulturore dhe fetare për të qenë të përfaqësuara proporcionalisht në të gjithë piramidën shtetërore e administrative, në vendimmarrjen politike e parlamentare. Bashkërisht, faktorët politikë, me një marrëveshje historike duhet të garantojnë njimendësisht zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ta përputhin sistemin zgjedhor me veçantitë e një shteti unitar me ndërtim kulturor të përcaktuar tashmë, dhe po ashtu të kujdesen me largpamësi në mënyrë strategjike për progresin e vendit në paqe dhe harmoni ndër-komunitare dhe në miqësi me popujt fqinjë.
Në një shtet demokratik, parlamentar dhe konstitucional, Qeveria është vetëm një shërbëtore e mandatuar nga Sovrani, është një përfaqësuese e Shtetit, që garanton funksionimin e përputhshëm të sistemit qeverisës, sistemit politik, përveçse ndërton politikat e përgjithshme të zhvillimit të vendit në afatin e mandatuar nga Sovrani. Për rrjedhojë, Qeveria ka për detyrë konstitucionale, të jetë e përgjegjshme dhe e shpjegueshme para Publikut, të veprojë mbi bazën e mandatit të Sovranit, të bashkëpunojë më Opozitën dhe aktorët e tjerë politikë dhe bashkësitë kulturore dhe qytetare; njëkohësisht, Opozita e ka për detyrë të jetë e përgjegjshme, bashkëpunuese në ndërtim e jo shkatërruese, të veprojë për interes të Publikut dhe jo nga etja e shfrenuar për hakmarrje dhe rimarrje enveriste (e cila tashma do të duhet të jetë përfundimisht e huaj për qasjen e saj politike), të jetë kërkuese, por të mbajë parasysh para interesave partiake të militantëve të errësuar, interesat e Publikut, të bashkëpunojnë me Qeverinë dhe të mos e pengojë atë në çdo sipërmarrje, të kërkuar edhe nga standardet e procesit tonë evropianizues, sepse përndryshe çorodit tërësisht linjën politike zyrtare të Shqipërisë.
Nga ana tjetër, Shqipëria e lënë jashtë Europës është vetëm një mbështetje për forcat antishtet, krimin e organizuar dhe një braktisje për forcat përparimtare dhe për Publikun. Shqipëria duhet të integrohet edhe në mënyrë përjashtimore në Europë, për shkak se ajo e vetme nuk ka forcë te gjenerojë drejtpeshim orientues. Shqipëria duhet kornizuar edhe politikisht në Europë, dhe klasa politike e këtij vendi duhet të shtërngohet gradualisht të orientohet nga e mira publike, duke e ndarë nga bota e bizneseve jolegale, përmes imponimit të ligjit të brendshëm dhe kornizës ligjore europiane. Shqipëria, kështu siç është, ka treguar në vazhdimësi se nuk ka forcë për t’u ndarë nga e keqja e saj, dhe në qoftë se për atë nuk bëhet një përjashtim dhe kornizim strukturor e nuk vendoset nën mbikqyrje strikte, ajo do vazhdojë të mbetet një anije pa direkë, që endet në kenetën e saj tradicionale, pa mundur të dalë dot në detin e hapur të lirisë. Është e qartë se Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për mentorë, por edhe për tutorë që imponojnë garanci zhvillimore të demokracisë. Koha e qytetarit të thjeshtë në Shqipëri është shumë e çmuar e nuk pret më vonesa të pajustifikuara të brendshme, por ajo ka nevojë edhe për ndihmën e vendeve demokratike që do të duhet të caktojnë terapinë më të përshtatshme për rastin e një shteti jo të arrirë dhe me pamjaftueshmëri zhvillimore për të mbijetuar në liri, në ligj dhe në prosperitet të qendrueshëm.

Prof.Dr. Romeo Gurakuqi


Tiranë, Shkodër, dhjetor 2012
Imazhi i Përdoruesit
Prof. Dr. Romeo Gurakuqi
 
Postime: 8
U regjistruat në këtë grup: e Premte Shtator 27, 2013 1:51 pm
Emri Mbiemri: Romeo Gurakuqi
Titulli: Lektor

Rikthehu tek Reforma Kushtetuese - një domosdoshmëri e kohës?

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 1 vizitorë

cron