Mbi modelin e ri te qeverisjes se propozuar nga Kryeministri

A është momenti për një reformë kushtetuese? Nëse po, cili do të ishte objekti i kësaj reforme?

Moderatorët: Dr. Arta Vorpsi, Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi

Mbi modelin e ri te qeverisjes se propozuar nga Kryeministri

PostimNga Prof. Dr. Romeo Gurakuqi » e Premte Shtator 27, 2013 6:30 pm

Fjalimi i Kryeministrit të zgjedhur Edi Rama në parlament, me datën 11 shtator 2013, përbën një ligjerim politik që tregon një angazhim serioz në rrugën e rindërtimit të Shtetit, Ligjit, Rendit dhe europianizimit të njimendtë të Shqipërisë. Është një premtim për qeverisje europianiste, të përgjegjshme dhe të shpjegueshme. Ai fjalim është në vazhden e disa të tillave të spikatura të Kryeministrit të ri, dhe në këtë kontekst mund të them se, në kujtesen time, është fjalimi më i mirë, më i qartë, më i artikuluar, i mbajtur nga një kryeminister shqiptar në një promovim Parlamenti në 22 vite. Është fjalim idealist i një europianisti të bindur, që jep shpresë për të ndërtuar një realitet të ri.
I ndërgjegjshëm për gjendjen e renduar dhe të mjeruar në të cilen gjendet Cilësia e Shtetit, për mjerimin e mijëra shqiptarëve të varfer, për jetët e familjeve shqiptare të rrezikuara nga kriza, krimi dhe korrupsioni, dhe për Cilesinë e Lirisë, ai premtoi një angazhim për rivendosjen e garantimin e lirisë e mbrojtjen e pacenueshmërinë e jetës, barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit, duke filluar nga vetvetja.
Fjalimi është i mbushur mjaftueshem me parimet me pararojë të një qeverisjeje të mirëfilltë demokratike. Vendosja e parimeve të spikatura të demokracisë më të hershme të epokes moderne dhe bashkekohore, asaj britanike, në themel të sjelljes së ardhshme qeveritare, si dhe kopjimi i përshtatshem i disa strukturave funksionale të administrates së ketij shteti të madh, avangard i eficences, është një sinjal shpresëdhënes për shqiptaret, që qeveria e re nuk do të jetë më arkaike, ballkanike dhe me sjellje prej dallkaukësh orientalë e të paqyetëruar, por do të jetë një qeveri bashkëkohore, e denjë për Shqipërinë e neserme; është një sinjal se administrata ardhshme do të jetë e bazuar mbi profesionalizmin e jo militantizmin e në respektimin e ligjit. Por, nga ana tjetër, angazhimi për mos punësim të militantëve në administratë, frenimi i revanshit dhe sidomos distancimi me krimin, mendoj se mund të beheshin më qartë e prerë dhe të artikuluara në program në mënyrë të njësuar në të gjithë segmentët e qeverisjes së neserme.
Prezantimi është një perpjekje ideale për korigjim të çdo gjëje që është bërë e shtrembëruar në raport me praktiken e përparuar, në qeverisjet pararëndëse, por vërejmë me keqardhje që krahas kësaj mungon vëmendja për disa arritje të rendësishme të qeverisjes së djeshme, në aspektin zhvillimor infrastruktural, të progresit material në përgjithësi, të disa reformave të qenësishme në fushën e arsimit dhe në zhvillimin e një legjislacioni modern.
Fjalimit në tërësi i mungon skema dhe idetë e reformës konstitucionale që do të duhet të përbëjnë fillesën e gjithshkaje për një republikë ndryshem, dhe skema e reformave institucionale, administrative dhe e sistemit zgjedhor;
i mungon, angazhimi i qartësuar per një përfshirje të të gjithë segementeve kulturorë të shqiptarëve dhe shtetasve të Republikës në qeverisje; i mungon skema plotësuese e balancimit të administrimit, garantimit të profesionistëve të administrates dhe njerëzve të ndershëm dhe të aftë në punët e Shtetit;
i mungon fjalia e Kërkimit të Faljes për krimet e djeshme të PPSH (pararëndës së PSSH), angazhimi serioz për të persekutuarit politikë dhe nisma për hapjen e dosjeve të diktatures, për mbajtesit e posteve publike dhe administrative dhe njohjen e të vertetave të krimeve te djeshme, si dhe një skemë për dekomunistizimin e Shqipërisë, proces ende i pakryer nga ndërthurja e komunistëve në të gjitha partitë politike shqiptare.
Fjalimi ishte një përpjekje modeste për njohjen e respektimin e rolit të opozitës në standardet moderne, për të njohur zhvillimin e vendit, por edhe për të veshtruar realitetin e hidhur ne te cilin ndodhemi, me cilësinë e lirisë dhe të shtetit të së drejtes, por që nuk u artikula mirë me krahasimet e papershtatshme të 22 marsit 1992 me 23 qershorin 2013.
23 qershori është një ngjarje shumë komplekse, origjina e së ciles, në segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare, ka prejardhje të ndryshme, që varion nga dëshira per më shumë liri, prosperitet dhe ndryshim cilesor në shtetdrejtim, deri tek dhuna, frikesimet e perdorura nga segmente te caktuara te ish opozites (sot pozitë), ndaj njerezve të thjeshtë dhe qytetarit normal, për të realizuar këtë objektiv politik. Une e kuptoj se Kryeministri i ri i Shqiperise e ka të qarte se fitorja e koalicionit të tij në segmente të caktuara të Shqiperisë ka ardhur nga shkaqe të ndryshme dhe jo uniforme, por nuk e kuptoj pse zoti Kryeministër, për hir të parimeve mbi të cilat e ka ndërtuar programin e fjalimin, dhe konceptuar të ardhmen e sistemit që do të krijojë, nuk distancohet dhe nuk angazhohet të distancohet nga ato shfaqje shformuese të demokracisë sonë të brishtë zgjedhore. Më duhet të përsëris se cilesia e rezultatit të 23 qershorit ndryshon nga qendra e Tiranes dhe e qyteteve të tjera të mëdha, në suborget e varfra të Shqipërisë Veriperendimore, dhe disa pikave të Shqipërisë Qendrore, ku u perdor dhuna dhe paraja e paqartë, e derdhur sheshit dhe hapur. Pikërisht mosreagimi ndaj këtij fakti të hidhur që e ka njollosur pastërtinë e procesit zgjedhor shqiptar, e zbeh dhe e kontraston sinceritetin, idealizmin dhe vendosmerinë e Tij, aq të domosdoshëm për një Shqipëri ndryshe: serioze, me liri dhe shtet të stabilizuar dhe me ekonomi të rimëkëmbur nga informalizmi. Qartësisht Kryeministri i ri nuk e permend menyren jo legjitime, që ia ka shkallmuar pastertinë e fitores së koalicionit te tij, në rastin e procesit në Shqipërinë Veriperëndimore. Ai, unë mendoj, se do i duhet ta trajtojë me qetësi, maturi e korigjojë me shpejtesi bazamentin e sjelljes së pushtetit të sotëm (opozitës së djshme) atje, duke rivendosur bashkëpunimin me organet e zgjedhura të opozites (ish pozitës) në atë krahinë (instituti i kundërfirmës së autoriteteve regjionale për emërimet nomenklaturë centrale), me bashkësitë, me forcat intelektuale, duke shtrirë kontrollin e territorit, nepërmjet organeve të Shtetit dhe Ligjit. E gjitha kjo duke mbajtur parasysh kompozimin kulturor e krahinor, të cilin, fatkeqësisht, e ka harruar plotësisht në formimin e qeverisë që ai do të drejtojë neser.
Fjalimi permban mjaftueshem nota pervuejtësie, pergjegjshmerie e thjeshtësie ndaj Publikut, të kujdesit sidomos ndaj opozites dhe mendimit ndryshe. Pra pikerisht ato nota që i kanë munguar politikes shqiptare deri më sot dhe sidomos sjelljeve kryeministrore. Por duke ia permendur thyerjet e renda të sjelljes parlamentare dhe ekzekutive ish pozites së djeshme, kryeministri i ri bëri gabimin e “provokimit” të mendjeve të gatshme për t’u ngacmuar, që prisnin me padurim si dhuratë, pretekstin për bojkot. Mjeshtrit e bojkotit do të duhej ta paralandalonin atë qe ndodhi, mbasi është një fenomen i njohur dhe i përsëritur nga të dyja krahët e politikës shqiptare në historinë e pluralizmit post-komunist të Shqipërisë.
Gjithsesi, në Shqiperinë e vitit 2013, çdo bojkot është i pajustifikuar dhe përseritja e skenave të vjetra, të djeshme dhe të pardjeshme. është tashmë një tragjikomedi e trishtë për t’u duruar edhe më tutje në shoqërinë tonë politike dhe për zemrat e stërmunduara të qytetarëve të thjeshtë shqiptarë. Kjo ripërsëritje është tashmë po aq e panevojshme dhe e dëmshme, sa edhe vendosja në qeverinë e re e disa prej figurave me prejardhje nga ish nomenklatura e KQ të PPSH, ashtu si edhe në krye të institucioneve e disa personazheve të mirënjohura të botës së sforcove politike e fizike dhe e korrupsionit të ministrive më të perfolura të periudhes së shkuar.
Kryeministri i ri mendoj se e ka të qartë se Qeveria e tij do të ndeshet patjetër me vështirësinë e ngjizjes në linjen e së mires publike të segmenteve të ndryshme politike të koalicionit të konsideruar fitues, ose thanun ndryshe, do të përballet njëlloj si më përpara, me atë që në teorinë politike njihet si principal-agency problem i një qeverisjeje. Ky ka qenë historikisht problemi më i rëndë i qeverisjeve në Shqipëri përfshirë edhe atë të fundit, që u fundos nga keqmenaxhimi i këtij problemi brenda koalicionit dhe sidomos kalimi i gjithë kostos nga LSI tek PD-ja në tre muajt e fundit.
Në qoftë se Republika nuk do t’i nënshtrohet një reforme të studiuar konsitucionale dhe institucionale me konsensus të gjërë, Principal agency problem (ngjizja në linjën e së mirës publike të segmenteve të qeverisë) do të jetë një fenomen që do ta shoqërojë edhe qeverisjen e ardhshme, për shkak të ndërhyrjes së interesave familjare brenda partive, interesave të atyre dhjetra biznesmenevë që partitë kandiduan dhe i bënë fitimtare në zgjedhjet e 23 qershorit dhe ndihmëtarëve të tyre të padukshëm të prapaskenës.
Pavarësisht kësaj, Shqiptarët kanë një shans tjetër në histori për të bërë më të mirën që mund të bejnë, si popull europian, në një vend të ndërlikuar, në periferi të kontinentit. Kopja e ofruar si model është më e mira që unë njoh, mbasi është krijuar në veripërëndimin e Europës. Mirëpo gjithmonë midis asaj çfarë është thënë dhe asaj çfarë është bërë, historikisht ka ekzistuar një hendek i pakalueshem. Shpresojmë se këtë radhë shqiptarët do të ndërtojnë një shtet për të gjithë qytetarët, një shtet që nuk përsekuton askënd dhe kujtohet për të gjithë.

Romeo Gurakuqi
Instituti i Historisë Bashkëkohore
Universiteti Europian i Tiranës

Tiranë, me 12. 09.2013
Imazhi i Përdoruesit
Prof. Dr. Romeo Gurakuqi
 
Postime: 8
U regjistruat në këtë grup: e Premte Shtator 27, 2013 1:51 pm
Emri Mbiemri: Romeo Gurakuqi
Titulli: Lektor

Rikthehu tek Reforma Kushtetuese - një domosdoshmëri e kohës?

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 0

cron