Një refleksion mbi rishikimin e Kushtetutës

A është momenti për një reformë kushtetuese? Nëse po, cili do të ishte objekti i kësaj reforme?

Moderatorët: Dr. Arta Vorpsi, Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi

Një refleksion mbi rishikimin e Kushtetutës

PostimNga Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi » e Martë Shtator 24, 2013 2:45 pm

Debati ka qenë përherë i pranishëm ndërmjet konstitucionalistëve, përfaqësuesve të politikës, të medias dhe të shoqërisë civile për nevojën që paraqitet për të rishikuar Kushtetutën. Opinionet janë shumëplanëshe dhe që konvergojnë drejt një rishikimi tërësor të Kushtetutës. Temat më të debatueshme, për të cilat ka dhënë ndikimin e vet edhe faktori politik, janë fokusuar te formula kushtetuese për përzgjedhjen e funksionarëve të lartë të gjyqësorit, por edhe te problematika që paraqet në përgjithësi sistemi i drejtësisë. Janë hedhur ide :
- për të ndryshuar fillimisht procedurën për miratimin e aktit bazë normativ, mbi të cilin funksionon Parlamenti, pra Rregullorja e tij;
- për të ndryshuar quourumin e vendimmarrjes drejt një shumice të cilësuar për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, të Prokurorit të Përgjithshëm dhe të anëtarëve të KLD-së, të zgjedhur nga Kuvendi;
- për të kufizuar në kohë qëndrimin në detyrë të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Gjykatës së Lartë, me mandat të përfunduar;
- për të filluar procedurën për zgjedhjen e gjyqtarëve të lartë e kushtetues, përpara përfundimit të mandatit të tyre;
- për të vendosur një afat të ri kushtetues që detyron Kuvendin të shprehet për dekretet e Presidentit të Republikës për emërimin e gjyqtarëve;
- për të shfuqizuar ripërtëritjen e një të tretës së Gjykatës Kushtetuese një herë në tre vjet;;
- për të shfuqizuar rregullin, sipas të cilit gjyqtari kushtetues zëvendësues merr pjesën e mbetur të mandatit të gjyqtarit të larguar;
- për të kufizuar kompetencën kushtetuese të Gjykatës së Lartë, në drejtim të juridiksionit fillestar vetëm në gjykimin e akuzës ndaj Presidentit të Republikës, etj, etj.
Këto çështje janë bërë edhe objekt i një nisme të marrë nga deputetë të pakicës parlamentare, që për shkak të mosarritjes së konsensusit me mazhorancën politike të legjislaturës që sapo kaloi, u konsideruan të papranueshme.
Mekanizmi që ka pranuar Kushtetuta jonë kushtëzon kryerjen e reformës kushtetuese me domosdoshmërinë e arritjes së një konsensusi ndërmjet subjekteve politike, që janë pjesëmarrëse të procesit kushtetues. Ky konsensus kërkohet t’i paraprijë fillimit të draftimit të tekstit kushtetues. Megjithëse, në këtë drejtim vlen t’i referohemi, për të hapur debatin, shqetësimit që paraqet një ndër hartuesit e Kushtetutës aktuale, Kristaq Traja. Ai pranon, pas 15 vjetësh nga miratimi i Kushtetutës se “mësimi i parë që duhet të nxjerrim nga përvoja, është se një Kushtetutë nuk duhet lënë, me çmim sado të lartë, në dorën e partive.” Kjo është një tezë që i jep një tjetër hapësirë debatit për mënyrën se si dhe kush mund ta rishikojë Kushtetutën. Pa e shmangur këtë tezë interesante të z. Traja, por për t’ia lënë një mundësi vetvetes, por edhe të tjerëve që, në një tjetër ndërhyrje, të pozicionohemi edhe për fuqinë e kushtetutbërësve, do t’i rikthehesha asaj që hartuesit e Kushtetutës kanë pranuar, 15 vite më parë.
Rruga për rishikimin e një kushtetuese duhet të mbetet e hapur në mënyrë të arsyeshme. Me të gjithë problematikën e shfaqur në këto vite të zbatimit të saj, duket se është koha të vlerësojmë në mënyrë racionale nëse Kushtetuta e vitit 1998 duhet rishikuar në të gjithë dimensionin e saj. Përherë është përqëndruar vemendja në cenimin e pavarësisë së institucioneve. Dhe pyetje që shtrohet është se, A e mundëson kjo Kushtetutë me element garantistë kryerjen nga institucionet kushtetuese të misionit të tyre në mënyrë të pavarur ?
Këtë vizion duket se e kishin hartuesit e Kushtetutës, të cilët synuan mosprekjen e saj me procedura të shpejta, por siç duket nuk arritën të vendosin disa instrumente që të pengohej prekja lehtësisht e themeleve të pavarësisë institucionale. Çdo pakicë parlamentare në 15 vjet të zbatimit të Kushtetutës e ka ngritur zërin ndaj rrezikut të mazhoritarizmit që krijohet për shkak të aktit themeltar të shtetit. Kritika janë bërë ndaj zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues dhe gjyqtarëve të lartë sipas vlerësimit të mazhorancës. I njëjti qëndrim kritik mbahet edhe ndaj formulës politike të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, të Prokurorit të Përgjithshëm, e deri te tre anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të zgjedhur nga Kuvendi.
Në fakt, përvoja 15 vjeçare e kësaj Kushtetuese dëshmon për një qasje të natyrës politike që merr dhënia e pëlqimit nga Kuvendi për gjyqtarin e GJK, të GJL dhe për Prokurorin e Përgjithshëm. Një pjesë e politikës, e studjuesve të fushës apo dhe e medias e kanë gjetur defektin e kësaj formule përzgjedhje te:
- roli që luan Presidenti i Republikës për përzgjedhjen e kandidaturave;
- natyra tejet politike që i jepet procedurës së emërimit të gjyqtarëve të lartë në Kuvend,
- quourumi i një shumice të thjeshtë, me të cilën jepet pëlqimi;
- ndryshimet e panevojshme kushtetuese të vitit 2008, që prekën formulën konsensuale të zgjedhjes së Presidentit të Republikës etj.
Natyra politike e emërimit të gjyqtarëve të lartë nuk është një formulë shqiptare. Përgjithësisht është i njohur për shumicën e kushtetutave zgjedhja e gjyqtarëve të lartë nëpërmjet filtrit të politikës. Pavarësisht nga formulat e përdorura, të gjitha janë formula demokratike.
Sistemi aktual kushtetues i zgjedhjes së gjyqtarëve të lartë e kushtetues dhe i Prokurorit të Përgjithshëm, megjithëse bazohet në sistemin e përzier, (President - Kuvend) ku për miratimin e tyre mjafton një minimum prej 36 votash, duket se e përjashton një lloj konsensusi ndërmjet palëve. Nga ana tjetër, ndryshimi i procedurës së zgjedhjes së Presidentit të Republikës nga një formulë konsensuale drejt një emërimi politik, duket se ka sjellë në rend të ditës rishikimin kushtetues për quourumin e domosdoshëm të zgjedhjes së tyre, drejt një shumice të cilësuar ose një mënyrë tjetër të zgjedhjes së kreut të shtetit.
Në të vërtetë formula e zgjedhjes së gjyqtarëve të lartë me një shumicë të cilësuar ka avantazhet dhe disaavantazhet e veta. Një votim me shumicë të cilësuar:
a) pikësëpari, krijon një ekuilibër midis pushtetit të shumicës dhe mbrojtjes së të drejtave të pakicës. Përfshirja e pakicës në procesin e votimit për arritjen e quorumit e balancon pushtetin e shumicës parlamentare;
b) i shërben rritjes së pavarësisë dhe paanshmërisë së Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, që është esenciale për misionin kushtetues që ato kryejnë;
c) i jep kandidaturës së përzgjedhur një konsensus më të gjerë të ligjvënësve dhe jo mbështetjen e ngushtë e të njëanshme të një fraksioni politik;
d) rrit transparencën si dhe forcon besimin e publikut ndaj procesit të votimit, por edhe vet kandidaturës së zgjedhur;
e) krijon premisat për shmangien e një përbërje të politizuar të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm dhe e “çliron” kandidaturën nga presioni i zgjedhësit;
f) premton për zgjedhjen e kandidatëve cilësor e të ekuilibruar, të figurave solide e të spikatura në fushën e të drejtës, me integritet të lartë profesional dhe etiko-moral, që nuk ndikohen nga faktorët politikë.

Por edhe disavantazhet janë të pranishme në këtë formulë. Kështu miratimi me 3/5 :
a) mbart rrezikun e bllokimit nga pakica parlamentare, me synim bërjen e presionit dhe maksimizimin e leverdisë politike në arritjen e konsensusit;
b) forcon në mënyrë disproporcionale pozitat e pakicës parlamentare;
c) mund të bëhet shkak për vonesa në procesin e emërimit dhe plotësimit të vendeve vakant të Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Gjykatës së Lartë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm.
Ndërmjet avantazheve dhe disavantazheve që krijon shumica e cilësuar mbetet një vlerësim i proporcionalitetit dhe që shkakton dëmin më të vogël, si i vetmi mjet zgjidhës për ta kthyer atë në një normë kushtetuese.
Procesi i përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese tashmë nuk rezulton të jetë vetëm shqetësimi ynë. Në kuadrin e 12 prioriteteve që Bashkimi Europian ka përcaktuar për Shqipërinë, është insistuar në planin e veprimit që të analizohen problemet që dalin në lidhje me pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke filluar nga procesi i emërimit të gjyqtarëve, e duke vijuar me parashikimin e procedurës që siguron një proces dëgjimor, si dhe një votim të rregullt e të depolitizuar.
Prandaj një votim me shumicë të cilësuar duket si një mekanizëm kushtetues që garanton më shumë pavarësi për institucionet kushtetuese dhe në veçanti për gjyqësorin, për më tepër kur formula e zgjedhjes së Presidentit të Republikës është thjeshtëzuar. Nga ana tjetër, ky mekanizëm kushtetues që me të drejtë mund të konsiderohet edhe si një lloj pushteti i pakicës parlamentare, përherë do t’i shërbejë të dy kaheve politike, përderisa ndërrimi i vendeve ndërmjet tyre në parlament është një ligjësi e demokracisë.
Imazhi i Përdoruesit
Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi
 
Postime: 8
U regjistruat në këtë grup: e Mërkurë Korrik 31, 2013 2:02 pm
Emri Mbiemri: Sokol Sadushi
Titulli: Prof.Asoc.Dr

Rikthehu tek Reforma Kushtetuese - një domosdoshmëri e kohës?

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 1 vizitorë

cron