Reforma në ambiguitet!

Nga Silvi Bakiri, publikuar në Ballkanweb, 20 korrik 2016

fgbv3

Nga diskutimet dhe debatet e zjarrta para dhe pas kamerave gjatë këtyre ditëve, ajo që na bën veçanërisht përshtypje si teleshikues, por edhe si gazetarë, të vëmendshëm ndaj çdo formule finoke të politikës shqiptare për t’i shpëtuar të vërtetës, është përdorimi me kile, pa kursim, i disa fjalëve dhe shprehjeve parazitare që jo vetëm nuk thonë asgjë, por edhe torturojnë metafizikisht, duke ndotur akustikën, si çdo ofendim ndaj zgjuarsisë së njerëzve. Disa prej këtyre fjalëve, togfjalëve apo shprehjeve, janë jo vetëm të kota, por edhe acaruese, tjerrëse, zvarritëse dhe ç’është më e keqja: Me pasoja të rënda! Çdo ditë vonesë kundrejt gjetjes së një zgjidhjeje drejt përmbylljes së reformës më 21 korrik është kosto për jetën e çdo shqiptari, që e do sadopak vendin e vet dhe mirëqenien e brezave më të rinj.
Le ta nisim nga fillimi, të dielën: Një ditë pushimi, ditë në të cilën kryetari i Kuvendit Meta, si rrufe në qiell të hapur paralajmëroi në një konferencë shtypi se kishte një gjasë që, meqë konsensusi mesa duket nuk po arrihet brenda qeverisë dhe ai ishte gjithsesi për një zgjidhje konstruktive, ndoshta ishte më mirë që palët të ulen të pestë dhe të diskutojnë për një zgjidhje e pse jo reforma të miratohej duke u pasuar me shpërndarjen e qeverisë aktuale për t’i lënë vendin një qeverie ekspertësh. Kjo u tha!
Deklarata “bombë” e së dielës mbushi portalet të dielën e të hënën deri në mesditë, me lloj e soj interpretimesh, konkluzionesh, titujsh ‘lamtumire’ e madje edhe hamendësimesh për emra konkretë në ‘qeverinë e ekspertëve’. Madje, ka shumë mundësi, duke pasur parasysh natyrën fluturake të shkruesve a militantëve tanë, që të jenë dërguar edhe mesazhe urimi kundrejt Kryeministrit të Ri, Zëvendësit apo Kryetarit të Ri të Parlamentit. Gjithçka ishte gati. Bye bye Ed Rama! Good morning… Vietnam! Një lëmsh i vërtetë, plot fantazi dhe kalërime kolltukësh e postesh.
Mesdita erdhi, dhe kryeministri (ende në detyrë) doli përpara një grupi të rinjsh, pikërisht, pas takimit në tryezën me dy kokat e tjera të partive kryesore në vend. Z. Rama foli relativisht gjatë për të shpjeguar rëndësinë e padiskutueshme të reformës në drejtësi. Fjalimi i tij, nëse ishe mjaftueshëm i kujdesshëm për të kapur kuptimet nën fjalë, dukej si zhgënjim kundrejt kolegëve në tryezën e takimit. Por, sërish, nuk u tha asgjë konkrete. Publiku iu rikthye jetës po aq kurioz sa ishte përpara konferencës së Ramës. Pyetja është po ajo: Ç’do të bëhet o zotërinj me fatet e këtij vendi? A do të miratohet apo jo kjo reformë?
Në darkë, të gjithë të interesuarit prisnin qëndrimin konkret të Ilir Metës lidhur me atë që u tha të dielën e javës që lamë… por, edhe këtë herë pyetjes se a do të ketë apo jo një ndarje të mundshme të Ramës nga Meta prej gazetarit Blendi Fevziu, Meta iu përgjigj me : Jo! Diku të pasigurtë e diku të prerë por, si përfundim, jo!
Ajo që kuptojmë nga e gjithë zallamahia e dy ditëve me gjithë ‘fshehjet’ e dukjet e kujdesshme të secilit lider, është se nëse Meta do të ishte më i troçtë në shprehjen e mërzisë, frustrimit e madje fyerjes karshi qëndrimit arrogant e përjashtues të Ramës, nëse Rama do të ishte më i qartë në vendosmërinë për të bashkëpunuar me aleatin e tij në qeverisje, duke e përfshirë dhe duke kërkuar pozicionimin e ri së bashku, ndoshta ‘shashka’ e të dielës nuk do të ndodhte. Kuptohet, një shashkë e tillë është qartësisht një krisje: E vogël apo e madhe, këtë do ta shohim…
Qëndrimi i fundit i Metës në konferencën për shtyp duket më bindës dhe i vendosur për të avancuar pozitivisht.
Ndërkohë, Basha po përpiqet të mbajë një qëndrim bindës… por deri tani nuk po bind. Ka kuriozitet për atë që po ndodh nga ‘lagjja’ Blushi dhe Kokëdhima. Por, më kuriozë jemi të dimë nëse shqiptarët do të kenë më në fund kurajën dhe vendosmërinë për ta kërkuar reformën (konsensuale dhe konstruktive), rëndësinë e së cilës po e përmend dhe stërpërmend lagjja pak më e madhe e SHBA dhe BE. Le të kryqëzojmë të gjithë gishtat, por edhe të ngremë zërin, këtë 21 korrik. Mjaft me ambiguitet. Reformohuni!

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi