Reforma e Drejtësisë kërkon Kushtetutën e re

Nga Ben Andoni, botuar në Java, 13 nëntor 2015

ben-andoni“Reformës për drejtësi” i është bërë një shërbim i madh orët e fundit nga prezantim i Raportit të Zgjerimit (2015) për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku Shqipërisë, gati në çdo paragraf i është tërhequr sistematikisht veshi. Dhe, në fund, gishti ka mbetur te Reforma në Drejtësi. Ajo është lokomotiva që mund ta tërheqë këtë tren të vjetër dhe të sfilitur përpara. Por, si ndodh në Shqipëri: Opozita e ka lexuar me patos raportin se ka gjetur dështimet e armiqve politikë, me argumente ndërkombëtare për gjendjen e korrupsionit në vend; kurse Pozita e ka lexuar, duke gjetur pozitivitete të mekura mes rreshtave. Të dyja palët, edhe këtë herë, kanë harruar se mungesa e bashkëpunimit në vend të retorikës, ka sjellë gjëndjen ku gëlon korrupsioni në të gjitha fushat.

Në fakt, ai është ushqyer në vitet e fundit nga mungesa e një drejtësie efikase, por mbi të gjitha mos çuarjen deri në fund të reformës më të rëndësishme të vendit, atë që lidhet me Drejtësinë. Të gjithë aktorët e saj janë përgjegjës për situatën aktuale të Drejtësisë dhe kjo e fundit duket se do të reformohet vetëm kur të gjithë të marrin përgjegjësi për ndryshime pozitive. Anipse, kjo është edhe më e pamundura, në një fazë ku Ministria e Drejtësisë, përplaset ashpër me KLD-në; institucioni i Presidentit me kryeministrin; e kështu me radhë. Kontradiktat kanë treguar se problemi fillestar është te Kushtetuta, tek dokumenti bazë i shtetit, që ne e kemi arnuar pa mbushur ende dhjetë vjet ekzistencë.

Kjo e bën të gjithë reformën shumë pa thelb. Pasi, nëse do duhej të bëhej vërtetë Reformë, pa asnjë mëdyshje, ajo nuk e kërkonte këtë humbje energjie. Ndryshimi i Kushtetutës do bënte të punohej sistematikisht që të përmirësohej puna e KLD-së, zgjedhja e kryeprokurorit dhe performanca e prokurorisë dhe gjyqësorit, apo formulat e Komisionit Zgjedhor. Deri më sot, pjesëtarët kryesore të kësaj reforme janë vetë personazhet që kanë ndihur regresin e tij. Jo më kot, për ta certifikuar të gjithën, duan ta përcjellin reformën në referendum, një akt që bëhet për Kushtetutën dhe jo për ato çështje që vetë kushtetuta i ka të përcaktuara.

Dhe, njëherë tjetër, nëse realisht Shqipëria do mendonte për reformë, ndryshimi duhej të fillonte me një Kushtetutë, që do të përfaqësonte realitetet e reja të vendit. Pa të, çdo reformë në Shqipëri është e dështuar që në themel, sepse i mungon dhe infrastruktura, që vetë rregullohet me ligj kushtetues. Dhe, të gjithë e dimë se ka ardhur koha që Kushtetuta jonë të jetë tërësisht shqiptare dhe jo arrnim copash kushtetutave të vendeve të ndryshme, pasi do sjelli përsëri të njëjtën situatë. Që do të thotë se Shqipëria ndryshimin duhet ta bëjë me Ligjin themeltar.

Ndërsa kakofonia e zërave të ndryshme të sotme, me reformat e Ndarjes Territoriale, Reformën në Arsim, ky për Drejtësinë, Informalitetit, edhe me gjithë emrat e bukur, thjesht e kanë zënë për fyt vendin, që ka nevojë të udhëhiqet nga kanone kushtetute dhe jo nga arrna kushtetute , që sa herë ia kemi futur duart, aq herë kemi sjellë amulli dhe gjendje si kjo e raportit 2015, që na trandi të gjithëve.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi