Rreziku nga reformat shumëngjyrshe

Nga Mero Baze, botuar në Tema, 5 gusht 2015

Qeveria shqiptare në vitin e dytë të saj, ka një tablo të qartë të asaj çfarë kërkon të bëjë, por ka standarde të ndryshme për tipin e reformave që po ndërmerr. Ndër pesë reformat kryesore, ajo e arsimit, e pensioneve, e shëndetësisë, e taksave dhe e drejtësisë, ka së paku dy modele që kundërshtojnë njëra-tjetrën dhe që mund të sjellin dhe bilance të ndryshme.

Për reformën e pensioneve, e cila është dhe më rrënjësorja sa i takon një sistemi që kishte falimentuar, ne jemi përballë një reforme reale tregu, ku çdo shtetas shqiptar është i detyruar të sigurohet dhe vetësigurohet, pasi pensioni i tij tani e tutje do të llogaritet mbi atë çfarë ai paguan dhe jo sipas metodës së vjetër ku merreshin tri vitet e fundit më të larta dhe demotivonte sigurimin shoqëror, si nga punëdhënësi, ashtu edhe nga punëmarrësi. Pra, skema e re është funksionale dhe motivuese kundër punës së zezë, plagës më të madhe që ka pasur sistemi i punësimit në Shqipëri.

Reforma në arsim, për të cilën po ashtu po debatohet, është po ashtu një reformë e pastër tregu, ku shteti vendos një raport financiar me studentin përmes një kontributi që llogaritet çdo vit, bazuar në disa parametra dhe studenti e gëzon këtë kontribut të shtetit në çdo universitet që ai shkon. Sesi do të zbatohet dhe sa do të funksionojë mbetet për t’u parë, por jemi përballë një reforme reale.

Ndryshe nga këto, reforma në shëndetësi është tërësisht e paqartë dhe kontradiktore. Ajo nga një anë synon që shteti të marrë përsipër çdo gjë për qytetarët, nga ana tjetër operon me koncesione duke ua deleguar tregut privat shërbimet, të cilat në të vërtetë rrisin kostot dhe janë jo shumë transparente.

Nëse do ndiqnim logjikën e reformës së pensioneve, apo reformës në arsim, edhe në shëndetësi duhet të kishim të njëjtin parim. Pra shteti, duhet të siguronte një paketë bazë për të mbështetur çdo qytetar për shërbimet bazike përmes një siguracioni falas dhe pastaj përmes siguracioneve të shkallëzuara çdo shtetas mund ta merrte shërbimin në çdo spital. Kjo fut në garë spitalet private dhe ata publik dhe zhduk nevojën që shteti të kthehet në prokurues shërbimesh tek tregu privat, për t’i dalë zot falas një tregu të paqartë, dinamik dhe të rrezikuar nëse nuk trajtohet me rigorizitet.

Një tjetër problem po shihet në reformën fiskale dhe në pafuqinë për të realizuar të ardhurat e pritshme. E vërteta është se paketa e re fiskale pritej që do të trembte formalizimin e ekonomisë dhe do të detyrojë shumë biznese hileqare të dalin nga skema, për shkak të rritjes së menjëhershme të kostove të tyre. Duke qenë një ekonomi në krizë, ekonomia shqiptare ka nevojë të zgjerojë bazën e formalizimit sa më shumë të mundet dhe të çlirojë frikën e investimeve. Të parit që i duhet hequr frika është investitori më i madh i këtij vendi, qeveria shqiptare. Ajo duhet të jetë shumë më agresive në investime, për të gjallëruar biznesin dhe shumë më e qartë në strategjinë e saj sesi duhet të nxisë formalizimin. Dhe këtu ka vend për shumë rezerva. Jo vetëm taksat e larta të paketës fiskale, por dhe nismat e tjera ligjore të qeverisë, sidomos ato që prekin biznese që sjellin të ardhura, janë të orientuara drejt rritjes së tarfiave paraprake. Kjo i detyron shumë biznese sesi t’i shmangen formalizimit, ndërkohë që biznesi i vogël përtej Tiranës është informal dhe i pakontrollueshëm. Situata më dramatike dhe e paprekur nga asnjë reformë është raporti i fshatit me taksat. Fshati shqiptar nuk është ende pjesë e shtetit shqiptar, në kuptimin e një territori që qeveriset nga një buxhet. Fshatarët shqiptarë nuk kanë asnjë raport serioz me taksën e tokës, shitjen e produkteve bujqësore e blegtorale dhe ndihmën nga shteti.

Pra, financat shqiptare janë të rrezikuara si nga territori ku funskionojnë, ashtu dhe nga kapilariteti me të cilën shtrihen në zonat e biznesit. Si e tillë, administrata tatimore është në një presion politik për të mbledhur ç’të mundë nga taksat dhe më shumë tremb sesa nxit biznese që të prodhojnë. Një qasje më e guximshme ndaj paketës fiskale duke e bërë atë të llogaritshme, të parashikueshme dhe të lehtë, do të bënte që të kishim një boom biznesesh të formalizuara dhe një qartësi më të madhe për të investuar. Kështu siç është sot paketa fiskale e një biznesi, ajo është e paparashikueshme, por vetëm e llogaritshme nga administrata tatimore. Si e tillë, ajo tkurr dëshirën për të qenë i formalizuar dhe aq më tepër investitor që mund të llogarisësh kostot. Dhe po ta lësh në këtë gjendje, korrupsioni do mbetet i vetmi mekanizëm lubrifikues mes tatimeve dhe biznesit.

Së fundmi, duhet parë seriozisht dhe qasja e qeverisë shqiptare ndaj dhënies së shërbimeve me koncesion në çdo fushë. Të japësh me koncesion një investim të madh, të papërballueshëm për momentin ka një farë kuptimi edhe pse është keqpërdour thellë nga Berisha, por të kthesh në modë dhënien me koncesion të shërbimeve paralele me agjencitë shtetërore, është tepërim dhe shenjë e qartë e kapjes së shtetit. Disa nga koncesionet më të fëlliqura të Berishës që lidhen me familjarë të tij, janë ato që japin me koncesion shërbime të tilla si kontrolli i cilësisë së naftës, kontrolli i skanerit në dogana, apo pullat fiskale. Duke qenë shërbime, ato mund t’i bëjnë agjencitë e specializuara të shtetit dhe s’ka pse rriten kostot për t’u devijuar disa miliona në xhepat e koncesionarëve. Qeveria e re nga një anë lufton t’i prishë ato koncesione, nga ana tjetër vazhdon, dhe pse jo me ritëm të lartë, të japë me koncesion shërbime si në mjekësi, financa dhe së fundmi dhe në drejtësi. Fjala vjen, pashë në faqen e APP sesi do të jepet me koncesion për 20 vjet mbledhja e gjobës penale vetëm nga një zyrë përmbarimi privat. Absurdi është se tarifat e përmbaruesve privat janë fikse, pasi i cakton shteti dhe oferta bazohet kryesisht tek çmimi. Fiksimi për 20 vjet i tregut për një kompani private, jo vetëm që është shkelje barazie e tregut të përmbaruesve privat, por dhe nxjerrje jashtë loje e përmbarimit shtetëror, i cili paguhet për këtë punë. Për më tepër, qeveria ka nëpër këmbë reformën në drejtësi dhe është pa kuptim, që ende pa mbaruar ajo, disa shërbime të drejtësisë të jepen me koncesione që vijnë era monopol.

Pra, thelbi i qeverisës së Edi Ramës duhet të ketë një model dhe një ngjyrë dhe nuk duhet të imitojë shijet për shumë ngjyra të tij në jetën artistike. Nëse kemi reforma të qarta, që bazohen tek tregu dhe barazia e gjithë aktorëve para kontributit shtetëror, ky parim duhet të ndiqet kudo, si në reformat e mëdha, ashtu dhe në mënyrën sesi qeveria prokuron shërbimet e saj, apo ua shet ato koncesionarëve. Kundërshtitë e opozitës janë njëlloj si idetë e qeverisë. PD-ja si parti e djathtë, duhet të ishte flamurtare e reformave që bazohen tek parime të tilla të barazisë dhe konkurrencës së lirë, por duke u dominuar nga Berisha, PD-ja i shikon reformat si mundësi për t’iu prishur kontratat familjes, apo për t’i prishur bizneset asaj dhe jo si koncepte politike. Tregu i shërbimeve duhet konsideruar i barabartë, edhe pse aty ka dhe aktor shtetëror, dhe privat, dhe publik, dhe shërbimet që burojnë nga parime të tilla janë më të shëndetshme, më realiste dhe më të qëndrueshme se çdo rezultat spekulativ i fituar në rrugë të tjera. Ky vend ka nevojë të jetë i vërtetë dhe në varfërinë e tij, e cila shoqëron shpesh reforma të dhimbshme, por realiste.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi