Kurajë për ndryshim!

Nga Astrit Beci, botuar në Panorama Online, 6 nentor 2013

Ishte viti 1924 kur mjekët më të mirë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishin mbledhur në konsultë për djalin e Presidentit Calvin Coolidge.
Një fshikëz e vogël në këmbë, e shkaktuar nga këpucët e tenisit të veshura pa çorape, pak ethe, më pas temperaturë dhe rëndim i gjendjes, septicemia. Calvin junior do të vdiste pas pak ditësh, në moshën 16-vjeçare, i shoqëruar nga një tis trishtimi dhe ankthi që prej ditësh kishin mbuluar të gjithë Amerikën dhe nga një depresion i thellë i Presidentit, që do ta shoqëronte deri në fund të jetës. Penicilina dhe antibiotikët e tjerë akoma nuk ishin zbuluar!
Në qershor të ’44-s penicilina jo vetëm që do të mbushte depot e ushtrisë dhe të popullatës, por ajo do të sfidonte rregullat e shkencës mjekësore duke ndryshuar botën me të cilën kishte punuar deri në atë kohë industria. Kurrë më parë profesorët e universitetit dhe kërkuesit shkencorë të industrisë nuk kishin provuar të punonin së bashku. Kishte filluar kështu periudha më pjellore për shkencën e jetës, që ndërmjet viteve ’40 dhe ’80 do të sillte rezultate që deri në atë kohë as që mund të imagjinoheshin. Në këtë periudhë, barnat do të profiloheshin si një “instrument i fuqishëm i shëndetit” dhe dëshira për të zbuluar barna të reja do të arrinte të superonte gjithçka tjetër, deri dhe ato për të cilat njeriu ishte krenuar në shekuj!
Fatkeqësisht, zhvillimi i industrisë farmaceutike, në rrugën e saj galopante, nuk i rezistoi dot “ndotjes” së marketingut të paskrupullt nga ana e të interesuarit për shitjen e barnave, i cili jo rrallë kushtëzoi zhvillimin e barnave të reja në drejtime që nuk përkonin me nevojat reale të shëndetit të popullatës, duke i kthyer ato nga “instrumente të shëndetit” në “të mira të konsumit”.
Pikërisht ky deviacion do të çonte në rritjen në mënyrë të frikshme të konsumit dhe kostos së barnave, duke u kthyer në sfidë jo vetëm për vendet në zhvillim, por edhe për vendet e zhvilluara.
Në kohë krize, diferencat ekonomike të mjekimit nuk janë thërrmija! Pikërisht kjo kosto dhe ky konsum, shoqëruar me acarin e dimrit ekonomik, ka bërë që dhe në vendet e zhvilluara, ekuivalentet e barnave patentë të ftohen në katedër si alternativë e parë e mjekimit. Adoptimi i barnave ekuivalente në vend të atyre origjinare, atëherë kur atyre i ka skaduar mbrojtja e patentës, rezulton një magji ekonomike për Shërbimin Sanitar Nacional Amerikan. Sipas këtij shërbimi, mbi 80% e barnave të përshkruara në SHBA gjatë vitit 2012 ishin ekuivalente dhe vetëm 20% barna patentë/origjinare, nëpërmjet të cilave ekonomia amerikane kurseu 193 miliardë dollarë.
Akoma më imperativ bëhet adaptimi i kësaj strategjie në vendet në zhvillim. Në këto vende, t’u hapësh rrugë barnave gjenerike/ekuivalente, do të thotë jo vetëm të ulësh koston e mjekimit në mënyrë të ndjeshme, por sidomos të kesh mundësi të mjekosh më shumë të sëmurë me të njëjtat cilësi mjekuese.
Konkretisht, për të mjekuar një të sëmurë me leucemi (New England Journal 2013), një muaj mjekim me një bar patente/origjinar kushton rreth 2600 dollarë, përkundër 175 dollarëve që ky bar kushton i prodhuar nga një kompani e fuqishme për barna gjenerike/ekuivalente. Ndërsa për të mjekuar një të sëmurë me SIDA, nga 10 mijë dollarë që kushtonte një vit trajtimi me barna patentë, me futjen e ekuivalenteve të tyre çmimi i mjekimit zbriti në 150 dollarë në vit. Pikërisht në diferencat e mëdha ekonomike të mjekimit me barna ekuivalente nga njëra anë dhe industrisë gjigante të barnave patentë nga ana tjetër, qëndron sfida e politikave të mjekimit jo vetëm në vendet në zhvillim, por edhe në ato të zhvilluara.
Me çfarë çmimi duhet ta blejmë shëndetin? – pyet Daniel Callahan, në librin e tij me të njëjtin titull.
Sa më lirë, do t’i përgjigjeshin amerikanët pa as më të voglën mëdyshje, pasi 80% e barnave që ata përdorin janë gjenerike. Po ashtu Anglia, Gjermania dhe Franca kanë adoptuar në praktikën e përditshme të njëjtin qëndrim ndaj barnave ekuivalente. Sipas Shërbimeve Nacionale të këtyre vendeve, rreth 60–70% e barnave të konsumuara janë ekuivalente. Barnat patentë në këto vende kanë ardhur drejt një rrudhjeje graduale. Italia lëkundet nën presionin e madh të politikbërësve të mjekësisë dhe të shpurës së mjekëve që i shkojnë pas nën logon e cilësisë së barnave gjenerike, të ngushtimit të hapësirave krijuese dhe të demotivimit të industrisë së barnave për të prodhuar barna të reja. Dhe kjo pasi sot në Itali, çdo ditë rreth 30 mijë informatorë farmaceutikë, të cilët vizitojnë mesatarisht nga 8 deri 10 mjekë, emetojnë mesazhe të një kulture në të cilën barnat shihen vetëm si bartës të të mirave dhe aspak si, jo rrallë, gjeneratorë të toksicitetit. Gjithsesi, pak ditë më parë, qendra italiane e studimit dhe analizës së tregut (TEVA), publikoi rezultatet e një studimi mbi perceptimin e italianëve rreth barnave gjenerike/ekuivalente. Rezultatet konfirmuan jo vetëm një dakordësi të shprehur të italianëve ndaj barnave gjenerike, por evidentuan një fakt shumë të rëndësishëm; se vetëm në vitin e kaluar italianët do të kishin kursyer të paktën një miliard euro nëse ata do të përdornin barna ekuivalente në vend të atyre origjinare. Siç duket, kriza ekonomike i ka bërë italianët të reflektojnë!
Sa kushton ndryshimi?
Shumë, sepse preken interesa. Pak kohë më parë, më 20 qershor të vitit 2013, Komisioni Europian dënoi ashpër nëntë firma medikamentesh, përfshirë edhe atë daneze “Lundbeck”, për vonimin e hyrjes në treg të medikamenteve gjenerike, më të lira, të firmave konkurrente, duke nxitur kështu jo vetëm një betejë ligjore, por edhe një betejë qytetarie për barnat gjenerike. “Lundbeck” akuzohet se ka paguar kompanitë e tjera që të vonojnë hedhjen në treg të barit gjenerik Citalopram, i njohur ky në mjekimin e depresionit.
Aspak, sepse përdorimi i këtyre barnave, i shndërruar në realitet në SHBA dhe në shumicën e vendeve europiane, i ka superuar paragjykimet e lidhura me cilësinë e tyre, si dhe ka argumentuar se ato nuk ndikojnë në frenimin e investimeve për barna të reja apo dhe në kërkimin shkencor.
Së pari, shumë nga kompanitë gjenerike tashmë janë blerë nga kompanitë e mëdha multinacionale që prodhojnë barna origjinare, duke konfirmuar faktin se barnat gjenerike i plotësojnë kërkesat e legjislacionit europian, “kualitet, efikasitet dhe siguri”. Ky kombinim përkthehet në cilësi në favor të një çmimi shumë më të ulur. Është kjo arsyeja që këto produkte njihen si ekuivalente të patentuara (branded generics). Në vitin 2012, Atorvastatines, barit të përdorur për të ulur nivelin e kolesterolit, që prej vitesh ka qenë ilaçi më i shitur në botë, i skadoi patenta. Efekti i mjekimit me alternativat ekuivalente është i shkëlqyeshëm, edhe pse çmimi është shumë më i ulur.
Gabimisht, në filozofinë popullore, por edhe e lidhur me interesa, vazhdon të dominojë qëndrimi se çmimi më i ulët do të thotë cilësi më e ulët. Është detyrë e mjekëve t’ua shpjegojnë të sëmurëve. Çmimi i tyre është shumë më i lirë se origjinari jo për cilësinë, por për faktin se ato nuk kanë harxhuar gjë për zhvillimin dhe marketingun e tyre!
Së dyti, sipas kompanive multinacionale që prodhojnë barna origjinare, “të mbrohesh nga patenta është fondamentale për të mundur të vazhdosh të investosh në barna gjithmonë e më të reja”. A është vërtet kështu? Jo tamam. Industria farmaceutike ka dekada që nuk prodhon fare barna të reja. Përse? Pjesërisht pasi gjërat më të lehta për t’u zbuluar janë zbuluar tashmë, dhe pjesërisht pasi edhe ato që kanë dalë në treg si të reja, kanë vetëm modifikime të vogla që nuk përbëjnë një zbulim të vërtetë (thonë specialistë të FDA). Sipas tyre, rrezikon më pak dhe fiton më shumë me modifikime, sesa me barna vërtet të reja. Më thoni një emër antibiotiku të ri këto 30 vitet e fundit?
Së treti, pretendohet se kostoja e barnave origjinare është shumë më e lartë se e barnave ekuivalente, pasi paguhet kërkimi shkencor. Vërtet? “Për kërkimin shkencor industria shpenzon më pak se gjysmën e asaj që ajo shpenzon për promocion. Informatorët promocionalë janë më të shumtë se kërkuesit shkencorë dhe që për më tepër, jo rrallë, informacioni i tyre është i deformuar me qëllimin e vetëm rritjen e tregut”, insiston Marcia Angell, profesore e Harvardit, mbi 25 vjet në revistën “New England Journal of Medicine”, 15 vjet si drejtore e revistës, e klasifikuar nga “Time Magazine” si ndër 25 amerikanët më me influencë. Disa nga editorialet e saj kanë hapur shtigje të reja në shkencë.
A mundemi ne të përqafojmë ndryshimin?
Një ditë pashë një zog me ngjyrë të bukur dhe pyeta një fshatar. Çfarë zogu është ky? Ngriti supet, më pa me habi dhe m’u përgjigj: “Përse të duhet, or mik? Ai nuk hahet”.
Pikërisht sot, në zgrip të ekonomisë, ka ardhur koha e rigjykimit të këtij paradoksi ballkanik, përshkruar kaq bukur nga nobelisti grek Kazanzaqis, pasi konsumi dhe kostoja e barnave ka arritur në qiell, duke u kthyer në sfidë, sidomos në vendin tonë. Jemi të detyruar të rishikojmë shumë nga qëndrimet tona, pasi nuk kemi luksin të bëjmë asgjë nga ato që kemi bërë në të kaluarën.
Realiteti i sotëm, si një erë shiroku që paralajmëron shiun, na shtyn drejt një kulture të re të eficiencës, pjesë e së cilës janë edhe barnat ekuivalente. Gjithsesi, nuk duhet të jetë e lehtë, pasi me gjithë sigurinë, efikasitetin dhe përparësitë ekonomike që barnat ekuivalente ofrojnë, ekziston akoma në vendin tonë një mosbesim ndaj tyre, e ushqyer natyrisht nga ata që iu preket fitimi, në raport me barnat origjinare. Dhe në fakt reagimi është i kuptueshëm, pasi me futjen e tyre si zgjedhje e parë, industritë farmaceutike duhet të pakësojnë çmimet dhe kuotat në merkato, farmacistët fitimet e tyre, ndërsa mjekët bonuset. A mjafton ky cenim interesi për t’u bërë bllok kundër “erës” së barnave ekuivalente?
Natyrisht, liria e barnave ekuivalente është shoqëruar me një kontroll të rreptë për shmangien e abuzimeve. Vetëm dy muaj më parë FDA deklaroi përjashtimin nga tregu të barit ekuivalent të antidepresantit Wellbutrin për abuzime në cilësinë e tij. Por pavarësisht këtij rasti, opinioni i FDA karshi barnave gjenerike mbetet i palëkundur: Gjenerikët janë të sigurt dhe efektivë!
Ndaj, besoj që implementimi i këtyre barnave (gjenerikë), do të bëjë që ne të sigurojmë një numër më të madh përfituesish, duke na krijuar dhe hapësirën e shtimit të paketave të parësorit dhe spitalorit për nozologji të veçanta. Kjo do t’i shërbejë përmirësimit të kujdesit shëndetësor për të gjithë popullatën, si dhe do të përmirësojë dhe ndikojë direkt dhe në furnizimin me barna dhe materiale mjekimi të shërbimeve parësore dhe spitalore. Po kështu, prioritet i yni mbetet edhe sigurimi i fondeve për check-up-e bazike, me qëllim depistimin dhe parandalimin e sëmundjeve në përgjithësi, duke u fokusuar në sëmundje me rrezikshmëri për jetën. Besojmë që me një mirëmenaxhim të fondit, do të bëjmë të mundur që në vitin e parë të qeverisjes rritjen në mbi dyfish të fondit për preparatet citostatike etj., duke kontribuar direkt në rritjen e cilësisë së shërbimit dhe rritjen e numrit të përfituesve.
*Drejtor i Përgjithshëm 
i Institutit të Sigurimeve të 
Kujdesit Shëndetësor (ISKSH)

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi