Lazarati nuk është më Republikë turpi, është një fshat si gjithë të tjerët

Operacioni i Policisë në Lazarat,20 qershor 2014

Trupat e Policisë së Shtetit, nga dita e hënë u angazhuan në operacionin më të rëndësishëm, më të rrezikshëm dhe më masiv policor të kryer në tërë këto vite, nga uniformat blu. Ky operacion, që ndan përfundimisht një kapitull të gjatë rrënimi dhe mjerimi të Policisë së Shtetit, nga kapitulli i ri, i rilindjes së Policisë së Shtetit nuk kushtoi as edhe një pikë gjaku.Lazarati nuk është më fshati i paprekshëm dhe rebel që nga pasditja e djeshme. Policia e Shtetit ka arritur në zemër të tij, duke vendosur kontrollin e plotë pas 5 ditëve aksion dhe përplasje me banorët. Nuk ka më ‘betejë’, nuk ka të shtëna me mortaja, mitraloza të rëndë, të lehtë, antitanke dhe snajpera. Lazaratasit lëshuan terren, ata që qëlluan dyshohet se u larguan nga fshati, të tjerët hapën dyert për kontroll dhe pranuan që kishin kultivuar kanabis. Kanabisit që kishin nëpër banesa i vunë flakën, e hodhën ku të mundnin, duke lënë pas tymin e flakën e tij. Kjo është situata në Lazarat në ditën e gjashtë të aksionit.

Strukturat e Policisë së Shtetit gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni në Lazarat kanë mundësuar asgjësimin e një sasie mbi 23 ton e 404.1 kg kanabis sativa, si dhe të rreth 81.300 rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzamimin. Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 4 laboratorë nga të cilët 2 përpunimi të bimëve narkotike dhe 2 për përpunimin e vajit të hashashit , si dhe sasi të konsiderueshme municioni dhe armë, nga të cilat 17 armë të rënda, si dhe 2 armë gjahu. Është ushtruar kontroll në territoret e mbi 130 banesave dhe një numri të konsiderueshëm ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës në territorin ku forcat e polcisë kanë depërtuar në zonë.

Në kuadër të këtij operacioni deri në këto momente janë arrestuar 15 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për kultivimin kanabisi, prodhim e shitje të narkotikëve, kundërshtim të punonjësve të policisë, për shkatërrim prone apo mbajtje pa leje të armëve e municionit luftarakAksioni i policisë tashmë është përqendruar tek kontrolli nëpër banesa dhe asgjësimi i lëndëve narkotike. Policia e Shtetit që prej mëngjesit të sotëm ka rifilluar veprimet në të gjithë Komunën Lazarat për identifikimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike dhe më pas asgjësimin e tyre, gjetjen dhe asgjësimin e sasive të lëndëve narktoike, si dhe gjetjen e sekuestrimin e sendeve të tjera të kundraligjshme. Po ashtu po punohet dhe në drejtim të identifikimit të vendndodhjes, kapjes dhe vënies para përgjegjësisë ligjore të personave që kanë kundërshtuar dhe qëlluar me armë forcat e Policisë së Shtetit.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka mbërritur vetë në Lazaratin e çliruar tashmë nga kriminelët, për të garantuar siguri dhe sundim ligji për banorët. Sipas tij, tashmë Lazarati është një fshat si të gjithë të tjerët në Shqipëri. Duke qenë në një mendje me Drejtorin e Përgjithshëm të policisë Artan Didi, Tahiri u shpreh se Prokuroria i është përgjigjur shumë ngadalë ritmit të policisë.

Burime nga Prokurori e Përgjithshme bënë të ditur se në Gjirokastër, gjatë paradites së të premtes, ka qenë prokurori i gatshëm dhe të gjithë oficerët e Policisë Gjyqësore. Menjeherë pas mbledhjes së përgjithshme të prokurorëve, zhvilluar gjatë paradites së sotme, sipas një axhende të parashikuar më parë, drejt Gjirokastrës janë nisur prokurorë të Krimeve të Rënda, përfshirë Drejtuesin e Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme.

“Policia rilindi, është rikthyer dhe dëshmi është Lazarati, Republika e turpit brenda shtetit që për 20 vjet shtrëngoi për fyti me tym marijuane familje të tëra”. Kështu u shpreh sot Kryeministri Rama në një konferencë për mediat duke vlerësuar lart aksionin 5 ditor të Policisë së Shtetit për të vënë nën kontroll Lazaratin. “Krimi e kishte shpallur Lazaratin Republikë më vete dhe e kishte kthyer në një njollë turpi për policinë e Shqipërisë, pasi kriminelët kishin lidhe me politikën e vjetër. Nuk është më Republikë turpi, është një fshat si gjithë të tjerët. Ajo zonë ishte e pushtuar prej 20 vitesh nga krimi, qytetarët nuk janë më peng i martesës së tejzgjatur të krimit me politikën”, tha Rama

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi