Hierarkia e kërcënimeve

Nga Shaban Murati, botuar në Ballkanweb, 2 maj 2016shaban_murati2_3826386001

Situatat e tanishme të acaruara europiane, rajonale dhe ndërkombëtare, sidomos pas agresionit rus në Ukrainë dhe aneksimit të dhunshëm të Krimesë dhe ndërhyrjes ushtarake ruse në luftën civile në Siri kanë krijuar një konfuzion konceptual dhe politik lidhur me natyrën, rëndësinë dhe radhën e kërcënimeve, që përballojnë NATO, BE dhe Perëndimi, por edhe vendet e veçanta anëtare të këtyre organizmave. Akoma më i madh është ky konfuzion në Ballkan, ku koncepti dhe klasifikimi i kërcënimeve është antitetik nga shteti në shtet dhe ku ai, që cilësohet kërcënim strategjik ndaj një shteti, cilësohet si proteksion strategjik në një shteti tjetër të rajonit.
Kërcënimet ndaj një shteti dhe një kombi janë të shumta dhe pikërisht se janë të shumta nuk është kuptuar drejt rëndësia e konceptit strategjik të hierarkisë së kërcënimeve. Qeveritë shqiptare të periudhës postkomuniste nuk kanë qenë gjithmonë në gjendje të profilizojnë qartë dhe saktë këtë hierarki kërcënimesh, të cilat, duke qenë të shumta, nuk mund të jenë të njëllojta. Doktrina e drejtë politike, e sigurisë, diplomatike dhe strategjike, që paraqiti në datën 15 prill ministri i Jashtëm polak, duhet konsideruar si një ndihmesë e madhe edhe për shtetet e tjera anëtare të NATO-s, sidomos për ato që i përkasin asaj që quhet “Europa e re” dhe që përmbledh ish-vendet komuniste, dikur anëtare të Traktatit të Varshavës, të cilat sot janë anëtare të NATO-S. Ministri i Jashtëm polak, Witold Waszczykowski, në një konferencë ndërkombëtare për sigurinë në Bratislavë, parashtroi një skemë të qartë orientuese për klasifikimin dhe përcaktimin e llojit të rreziqeve të sotme në dy kategori, në kërcënime ekzistenciale dhe në kërcënime joekzistenciale: “Kemi kërcënime ekzistenciale dhe kërcënime joekzistenciale. Natyrisht, aktiviteti i Rusisë është i llojit të kërcënimit ekzistencial, sepse ky aktivitet mund të shkatërrojë vendet. Kemi dhe kërcënime joekzistenciale si terroristët dhe grupi i ‘Shtetit Islamik’ është një rrezik mjaft i rëndësishëm, por nuk është një kërcënim ekzistencial për Europën”.
Klasifikimi që bën ministri i Jashtëm i Polonisë, shteti më i rëndësishëm ish-komunist anëtar i NATO-s dhe i BE, merr një rëndësi dhe aktualitet të madh në rrethanat e tanishme europiane, ku një konflikt i armatosur vazhdon prej dy vjetësh në Ukrainë. Por ai merr një rëndësi të veçantë edhe për Shqipërinë dhe Kosovën, ku konfuzioni për radhën dhe hierarkinë e kërcënimeve ndaj dy shteteve shqiptare dhe ndaj kombit shqiptar, është jo vetëm i madh, por edhe i sponsorizuar nga qarqe antishqiptare.
Një nga defektet më të mëdha të politikës shqiptare gjatë 25 viteve të periudhës së tranzicionit postkomunist ka qenë paaftësia për të bërë një përcaktim dhe klasifikim të qartë të kërcënimeve, që i vijnë sovranitetit, integritetit dhe ekzistencës së shtetit dhe të kombit shqiptar. Iluzioni i gabuar se ardhmja e demokracisë në Shqipëri dhe në rajon do të eliminonte automatikisht kërcënimet dhe burimet e kërcënimit kombëtar ka qenë një nga pengesat më të mëdha në qartësimin e një qëndrimi strategjik të saktë. Në kohën e demokracisë rajonale, Kosova pësoi agresionin dhe spastrimin më të madh etnik, që nga pushtimi i saj në 1913 nga Serbia. Iluzioni vazhdoi edhe pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ku në disa qarqe politike në Tiranë u krijua ideja e gabuar se anëtarësimi në NATO automatikisht i fshinte kërcënimet tradicionale ndaj sovranitetit, integritetit dhe ekzistencës së shtetit dhe të kombit shqiptar.
Kuptimi dhe hartimi i një hierarkie kërcënimesh për Shqipërinë dhe Kosovën, për dy shtetet shqiptare dhe për kombin shqiptar, ka një rëndësi jetike. Së pari, duhet pasur në konsideratë se kur flasim për konceptin “siguri kombëtare” në Shqipëri dhe në Kosovë, ai ka një kuptim dhe përmbajtje më të gjerë dhe tjetër nga ajo, që nënkuptojnë doktrinat e sigurisë kombëtare në shtetet e tjera, të cilat nuk e kanë çështjen kombëtare të ndarë në dy shtete subjekte të pavarura të së drejtës ndërkombëtare. Doktrina e sigurisë kombëtare e Shqipërisë dhe doktrina e sigurisë kombëtare e Kosovës nuk mundet kurrsesi ta ngushtojë konceptin vetëm në kufijtë e shtetit përkatës, por domosdoshmërish duhet ta identifikojë me kufijtë e çështjes dhe të interesit të kombit shqiptar. Kjo ndihmon për të përcaktuar më qartë dhe më saktë identikitet e kërcënimeve ndaj sovranitetit, integritetit, lirisë dhe ekzistencës së kombit shqiptar. Shembull pozitiv është ai i Kinës, e cila në përputhje me interesin e saj si komb ka imponuar në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare qëndrimin e një Kine. Kurse shembull negativ mund të merret ai i Shqipërisë, e cila ka nënshkruar Traktate Miqësie dhe Bashkëpunimi me tri shtete, të cilat jo vetëm nuk e njohin Kosovën, por edhe punojnë aktivisht kundër saj.
Së dyti, në konceptimin e hierarkisë së kërcënimeve për dy shtetet shqiptare dhe për kombin shqiptar duhet të merren si faktorë të rëndësishëm gjeografia dhe historia. Kjo do të thotë të vendosësh në plan të parë se cilat burime rreziqesh dhe cilat shtete apo forca apo popuj kanë vënë historikisht në rrezik ekzistencën e popullit shqiptar, duke e rrudhur atë fizikisht, duke i asimiluar pjesë të popullsisë dhe në mënyrë të veçantë, duke i grabitur vazhdimisht territore. Ambiciet e këtyre shteteve apo forcave, apo popujve, të manifestuara gjatë shekujve, janë të gjalla në forma të ndryshme, sidomos kur ato forca, shtete dhe popuj janë fqinj me dy shtetet shqiptare dhe me kombin shqiptar. Sipas mendimit tim, ky është rrethi i parë i kërcënimit ekzistencial të dy shteteve dhe të kombit shqiptar.
Së treti, rrethi i dytë në hierarkinë e kërcënimeve lidhet me shtetet e mëdha dhe me fuqitë e mëdha, që kanë qenë dhe janë mbështetja historike dhe aktuale e forcave dhe shteteve, që kanë rrudhur hapësirat fizike, territoriale dhe etnike të kombit shqiptar, siç është për shembull Rusia.
Së katërti, hierarkia e kërcënimeve për kombin shqiptar nuk është gjithmonë në proporcion të drejtë me hierarkinë e kërcënimeve, që përballin aleancat ushtarake dhe politike, ku Shqipëria bën pjesë dhe as me atë që përballet i gjithë njerëzimi. Sepse nëse armatosja bërthamore e Koresë së Veriut përbën një kërcënim ndërkombëtar, shkalla e këtij kërcënimi nuk është e njëjtë si për Korenë e Jugut dhe Japoninë, ashtu edhe për Shqipërinë. Ky diferencim i nevojshëm nuk pakëson angazhimet dhe detyrimet tona ndërkombëtare, por duhet të mbajë doktrinat tona të sigurisë kombëtare dhe tërë profilaksinë mbrojtëse të çdollojshme në kufijtë e realizmit politik dhe diplomatik. Sepse ka ndodhur disa herë me qeveritë shqiptare, që kanë ngritur stuhira të kota diplomatike kundër Iranit, në një kohë që programi i tij bërthamor, duke u konsideruar një rrezik nga faktori ndërkombëtar, nuk mund të klasifikohej në të njëjtin nivel nga qeveritë shqiptare në planin kombëtar. Ironia ishte se qeveria e Shqipërisë nuk pipëtinte gjysmë fjale për raketat ruse, që planifikoheshin të vendoseshin në Serbi dhe ndërmerrte kryqëzata diplomatike donkishoteske kundër raketave të Iranit dhe të Koresë së Veriut. Duke kritikuar këtë qëndrim disproporcional të qeverisë shqiptare, në një analizë në vitin 2007 për këtë çështje, ku tërhiqja vëmendjen se Shqipëria duhej të shqetësohej për raketat në Serbi dhe jo në Iran në Korenë e Veriut, theksoja se “Shqipërinë nuk do ta sulmojë me raketa as Irani e as Koreja e Veriut”. (Libri “Rusia ballkanike”, Tiranë, 2014, fq. 26).
Sindroma e globalizimit mund të quhet një nga sëmundjet infantile të diplomacisë dhe të politikës shqiptare gjatë gjithë periudhës së tranzicionit postkomunist. Kjo sindromë ka inkurajuar vazhdimisht që të konfondohen rreziqet dhe kërcënimet për Shqipërinë, me kërcënimet që i kanosen sistemit ndërkombëtar të shteteve apo gjithë globit. Kjo sindromë ka qenë, së pari rezultat i paaftësisë së drejtuesve shqiptarë për të kuptuar se çdo subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare, siç ka identitetin e tij, ka edhe kërcënimet e tij specifike dhe ato kërcënime rreshtohen të parat. Së dyti, ka qenë rezultat i ndikimeve të doktrinave lindore, ruse, serbe dhe greke, për të devijuar përcaktimin e qartë të kërcënimeve antishqiptare dhe për t’i shtyrë shqiptarët si shtete dhe si komb të mendojnë globalisht dhe jo shqiptarisht.
Është një sindromë, e cila shfaqet zëshëm në ditët e sotme, në paaftësinë e njohjes së dallimit të madh midis kërcënimit rus për Europën dhe për shtetet anëtare të NATO-s, ku bën pjesë edhe Shqipëria dhe kërcënimit të grupeve terroriste të tipit të “Shtetit Islamik”. Është një mjerim intelektual, akademik dhe shkencor, kur klanet e levantinëve në Tiranë dhe në Prishtinë hiperbolizojnë dhe klasifikojnë si rrezikun numër një për dy shtetet shqiptare dhe për kombin shqiptar të ashtuquajturin “rrezik islamik” apo “terrorizmin islamik” dhe nuk thonë gjysmë fjale për rrezikun rus, i cili kërcënueshëm po rritet çdo ditë nga Suedia, vendet pribaltike e deri në Turqi. Nëse një i huaj do të ndiqte disa media, portale dhe disa workshope të organizatave joqeveritare fitimprurëse në Prishtinë, do të shtronte pyetjen se perse ky klan mediatik, politik dhe i të ashtuquajturës shoqëri civile kosovare nuk flet fare për rrezikun serb dhe për Serbinë, e cila lufton ta kthejë Kosovën nën sundimin e saj dhe e cila praktikisht mban të pushtuar një pjesë të territorit në veri të vendit. Nuk flet fare për rrezikun rus dhe për Rusinë, që ka bllokuar Kosovën ndërkombëtarisht dhe tek e cila janë drejtuar kolektivisht me kërkesë për marrjen e shtetësisë ruse gjithë serbët e Veriut të Kosovës dhe ndërkohë kozmopolitët ruralë mbushin opinionin me broçkullat për prioritetin e rrezikut islamik e neootoman. Lobet ruse dhe serbe në Prishtinë dhe në Tiranë janë aktivizuar së tepërmi kohët e fundit dhe janë përqendruar veçanërisht në objektivin e deformimit të hierarkisë së kërcënimeve reale për shqiptarët.
Në situata të tilla të turbullta të mendimit kombëtar bëhet jashtëzakonisht i vlefshëm koncepti dhe doktrina e shefit të diplomacisë polake për kategorizimin e kërcënimeve, ku ai dallon kërcënimin rus si kërcënim ekzistencial dhe kërcënimin terrorist si kërcënim joekzistencial. Klasifikimi që bën ministri i Jashtëm polak nuk është individual. Ai është koncept dhe doktrinë e formuluar e aleatëve tanë të mëdhenj dhe në radhë të parë e SHBA. Presidenti i SHBA, Barak Obama, në 23 mars përcaktoi qartë se, “Grupe si ISIS nuk janë kërcënim ekzistencial për ne”. Ndërsa komandanti i komandës se trupave amerikane në Europë, gjenerali Filip Breedlove deklaroi në 2 mars se, “Rusia ka zgjedhur të jetë kundërshtar dhe përbën një kërcënim ekzistencial afatgjatë për SHBA dhe për aleatët dhe partnerët tanë europiane”. Natyrisht, ai ka parasysh edhe Shqipërinë aleate.
Nëse aleatët tanë të NATO-s, që nga SHBA e deri te Polonia bëjnë një kategorizim kaq të qartë të hierarkisë së kërcënimeve, në kërcënime ekzistenciale dhe joekzistenciale është një domosdoshmëri kombëtare që në Shqipëri dhe në Kosovë të sanksionohet në plan zyrtar dhe publik një kategorizim i qartë i kërcënimeve ekzistenciale për dy shtetet shqiptare dhe për kombin shqiptar. Interesi mbarëkombëtar nuk mund të pranojë që sirenat proruse dhe proserbe në Tiranë dhe në Prishtinë ta devijojnë syçeltësinë kombëtare në shkretëtirat arabike, në kohën kur dikush tjetër po e kafshon kombin shqiptar në Ballkan.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi