Për një kulturë të re planifikimi territorial­

Nga Gentian Kaprata, botuar në Mapo Online, 19 mars 2015

gentian-kaprata-150x150Megjithëse mandati i qeverisjes së majtë po i afrohet kërthizës së saj, vështirë të thuhet se problematikat dhe çështjet e zhvillimit urban apo më gjerë të territorit, kanë marrë ndonjë përgjigje. Në fakt, pakkush që i njeh këto çështje kishte besim që do gjenin zgjidhje, apo të paktën do të hynin në rrugëtimin drejt zgjidhjeve në këtë mandat katërvjeçar socialist. Arsyet e këtij mosbesimi të përligjur qëndrojnë, sikurse gjithmonë në qeverisje e administrim, tek eksperiencat e mëparshme dhe premtimet për të ardhmen.

Eksperiencat e mëparshme të kësaj qeverie në çështjet urbane dhe të territorit marrin formë fizike nga mënyra sesi kanë administruar Tiranën urbane për 11 vjet, por edhe shumë qytete të tjera që vazhdojnë t’i administrojnë edhe sot. Cilido që është vlerësimi juaj për qytetet shqiptare, është edhe vlerësimi për eksperiencën e qeverisjes së sotme. Ndërsa për premtimet për të ardhmen ka shumë pak për të thënë. Gjithçka e ka thënë programi qeverisës me 406 fjalë, i miratuar në Kuvendin e Shqipërisë ditën e mandatimit të kësaj qeverisjeje.

Përtej qasjes sonë parashikuese, qeverisja e kishte mundësinë të zhgënjente pritshmëritë tona negative në këta muaj, nëpërmjet aksioneve të shumta që ndërmori. Por nuk arriti dot. Mospranimi i faktit që ka dështuar me sukses të plotë në eksperiencat e mëparshme dhe pamundësia për të ndërtuar një strategji të ndryshme për të ardhmen, nuk e lejuan. Nuk e lejuan atë, dhe nuk do lejojnë askënd që do të synojë qeverisjen kombëtare apo lokale, pa një strategji të qartë sesi do të administrojnë dimensionin territorial të juridiksionit politik.

Të flasësh për të djeshmen, nuk bën asnjë kuptim nëse konkluzionet e nxjerra nuk i përdor për të projektuar një të nesërme ndryshe. Po kështu, opinioni i shprehur në këto rreshta të parë nuk do ndihmonte askënd nëse nuk do të rrezikonim me propozime mbi temën ‘çfarë i nevojitet për së pari Shqipërisë në dimensionin urban dhe territorial të saj’. Në këtë pjesë të mbetur të këtij shkrimi të opinionit, në kufijtë shumë modestë të tij dhe me më pak fjalë se programi qeverisës, do tentojmë të japim një shije alternative.

Neve na duhet një kulturë e re planifikimi territorial. Një kulturë që e sheh këtë aktivitet shoqëror si një instrument kyç për qeverisje të mirë. Mendohuni sa të doni, vështirë të gjeni ndonjë aktivitet qeverisës që nuk ka dimensionin e vet territorial. Ndërkohë, kultura jonë e planifikimit ka ngelur ajo e projektimit urban të viteve ’60 të shekullit të kaluar. Kohë kur Shqipëria socialiste fshiu çdo qasje nga interesi dhe specifika private dhe u mbyll në guaskën e parimit të saj “socialiste nga përmbajtja dhe kombëtare nga forma”.

Me këtë që sapo thashë, nuk jam duke vlerësuar punën e pedagogëve dhe departamenteve të universiteteve shqiptare. Nuk do të guxoja kurrë. Nuk do ia lejoja kurrë vetes një lajthitje të tillë, por edhe se nuk është ky vizioni im. Në kulturën e re që na nevojitet, realitetet urbane nuk formohen nga dija e urbanistëve. Realitetet urbane dhe territoriale janë produkt i ndërveprimit njerëzor në një kontekst kulturor të caktuar. Dhe gjëja e parë që duhet të pranojmë është se planifikimi i zhvillimit duhet të jetë kompromis qytetar interesash.

Detyra e urbanistëve dhe burokratëve nuk është të përcaktojnë si duhet të jetë dimensioni urban dhe territorial i mënyrës sonë të jetesës, por të organizojnë dhe moderojnë diskutime të lira dhe publike. Diskutime që konkludojnë me vendimmarrje të kompromisit të gjerë, implementimin e të cilave vështirë ta devijojë njeri. Nuk do të bënte kuptim, përderisa do të kishin dakordësuar më parë me kompromisin. Roli i ekspertizës profesionale është gjithashtu i nevojshëm, por i kufizuar në informim teknik për debatuesit.

Nëse këtë kulturë do e bënim tonën dhe do e shtrinim nga çështjet e vogla të administrimit të bashkëpronësisë në godinat e banimit deri te çështjet e rëndësisë kombëtare të territorit, shumë ndryshe do i kishte punët Shqipëria territoriale. Ndoshta nuk do t’i gjenim plehrat e komshiut në ashensor. Ndoshta fëmijët tanë do kishin ku të luanin. Ndoshta do trembeshim më shumë nga vdekja sesa nga mungesa e varrezave. Shumë ndoshta, e po kaq pasiguri! Por një gjë është e sigurt, sot nuk do na duhej të prishim ato që sapo kemi ndërtuar.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi