Nevoja për bashkim të tregut energjetik të Europës Juglindore

Nga Julian Popov, botuar në Mapo Online, 7 nëntor 2014

jpSerbia dhe Shqipëria duhet të luajnë një rol drejtues në mbështetjen e transformimit dhe integrimin e tregut rajonal energjetik në një të vetëm.

Në prag të takimit të parë të shumëpritur të kryeministrave të Shqipërisë dhe Serbisë, shumë vetë kanë filluar të mendojnë rreth hijeve të së kaluarës. Por ndoshta mënyra më e mirë për të përtypur të kaluarën është që të shikojmë drejt së ardhmes. Një mundësi e tillë ofrohet nga integrimi i sistemit energjetik në rajonin e Ballkanit.

Një nga përbërësit kryesorë për ngritjen e një sistemi energjetik të fortë dhe të qëndrueshëm është integrimi i infrastrukturës energjetike rajonale dhe zhvillimi i një tregu energjetik të përbashkët, çka do të çonin në integrimin në tregun energjetik europian dhe rrjetin e shpërndarjes së gazit.

Në Europën Juglindore, procesi i integrimit të infrastrukturës dhe tregut energjetik ka mbetur shumë pas krahasuar me rajone të tjera të Europës. Arsyet për këtë lidhen kryesisht me fragmentarizmin politik mes vendeve të Ballkanit, të cilat nuk lejojnë qeveritë të hartojnë një politikë të përbashkët për energjinë, duke lënë pas barrierat politike drejt një bashkëpunimi dypalësh ose shumëpalësh.

Çfarë roli mund të luajnë Serbia dhe Shqipëria në përmbushjen e këtyre objektivave europianë?

E para, lidhjet ndërkufitare të sistemeve energjetike të vendeve të ish-Jugosllavisë janë sakaq relativisht të zhvilluara. Dhe një linjë e re transmetimi mes Shqipërisë dhe Kosovës, që pritet të vihet në punë në vitin 2016, do të sjellë sistemin energjetik shqiptar më afër me fqinjët e vet dhe do të jetë një hap i rëndësishëm drejt integrimit të infrastrukturës energjetike në Ballkanin Perëndimor.

Së dyti, pothuaj 100 për qind e energjisë elektrike të prodhuar në Shqipëri vjen nga hidrocentralet. Ky vend ka potencial domethënës për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve hidro, përfshirë ndërtimin e magazinave energjetike hidro, si dhe burime të tjera të rinovueshme. Luhatshmëria ditore dhe stinore e gjenerimit të energjisë së rinovueshme balancohet më mirë brenda një rrjeti energjetik që shtrihet në një territor të gjerë dhe që lidh një varietete më të larmishme burimesh gjeneruese dhe magazinuese të energjisë.

E treta, Shqipëria dhe Serbia përbëjnë një korridor të rëndësishëm që lidh Greqinë me vendet e Bashkimit Europian, Kroacinë, Hungarinë dhe Rumaninë. Ky korridor siguron një mundësi për lidhje energjetike nëndetare mes Shqipërisë dhe Italisë, një nga ekonomitë më të mëdha të Bashkimit Europian.

Përtej këtyre përfitimeve të qarta që rrjedhin nga bashkëpunimi më i ngushtë në politikën energjetike, Shqipëria dhe Serbia mund të përshpejtojnë tranzicionin e vendeve të Europës Juglindore nga modeli dominues i tregtisë energjetike dypalëshe në një marrëveshje shumëpalëshe të tregtisë. Kjo është mënyra më e mirë për të (a) balancuar hendeqet rajonale të gjenerimit të energjisë; (b) të rritet qëndrueshmëria e sistemeve energjetike kombëtare (përfshirë edhe përballimin e rrezikut të kolapsit të një burimi gjenerues siç qe rasti i përmbytjes së minierës Kolubara); dhe (c) kontrollin e çmimeve të energjisë elektrike duke i mbajtur ato në nivele optimale dhe ekonomikisht të qëndrueshme.

Do të qe e natyrshme që Shqipëria dhe Serbia të jenë nismëtarë të një bashkëpunimi rajonal shumë më të ngushtë në zhvillimin e infrastrukturës dhe integrimin e tregjeve, gjë që në të ardhmen jo shumë të largët mund të sjellë themelimin e një burse rajonale të energjisë apo në krijimin e një tregu tjetër të hapur.

Ne sakaq mund të shohim hapat e parë në drejtimin e themelimit të Zyrës së Ankandeve të Koordinuara në Europën Juglindore me bazë në Malin e Zi. Një lëvizje e tillë mund të zhvillojë marrëdhëniet rajonale të tregtisë, të fuqizojë sigurinë energjetike të Europës Juglindore dhe stabilitetin e përgjithshëm politik të Ballkanit.

Për më tepër, infrastruktura energjetike dhe tregjet po zhvillohen në mënyrë të pavarur nga kufijtë politikë të Bashkimit Europian. Kjo është arsyeja se pse i ashtuquajturi Bashkim Energjetik, shumë i debatuar aktualisht, duhet të ketë gjeografi të ndryshme nga Bashkimi Europian. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë partnerë aktivë në tregtinë e elektricitetit me BE-në dhe sakaq janë duke zhvilluar infrastrukturën e nevojshme për transmetimet e tregtisë dypalëshe. Kjo është arsyeja kyçe se pse Ballkani Perëndimor meriton të marrë pjesë në krijimin e Bashkimit Energjetik në nivel të barabartë me anëtarët e Bashkimit Europian.

Gjithsesi, vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor do ta gjejnë të vështirë të pranohen si partnerë të barabartë. Ato kanë nevojë për një zë të përbashkët dhe më të fortë. Një iniciativë e nivelit të lartë mes Serbisë dhe Shqipërisë mund të krijojë momentumin për një zë të tillë rajonal shumë më të fuqishëm. Do të jetë më e lehtë për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të bashkohen në bazë të dialogut për integrim energjetik të nisur nga Shqipëria dhe Serbia.

Anëtarët e BE-së në Europën Juglindore duhet të mbështesin një iniciativë energjetike, gjë që mund t’i japë formë një platforme të përbashkët për të gjithë rajonin në zhvillimin e Bashkimit Energjetik dhe në integrimin e mëtejshëm të tregjeve energjetike europiane. Për më tepër, ata po lëvizin në këtë drejtim brenda kuadrit të Grupit Kontinental të Europës Juglindore (ENTSO-E) dhe axhendës së Komunitetit Energjetik.

Marrëdhëniet më të përmirësuara mes Serbisë dhe Shqipërisë mund të fillojnë një kapitull të ri për bisedimet energjetike me Europën, duke përparuar së paku në tri pika të axhendës energjetike rajonale:

Kërkesa që vendet e Ballkanit Perëndimor do të përfshihen plotësisht në bisedimet për Bashkim Energjetik.
Zhvillimi i integrimit infrastrukturor që mund të kapërcejë pikat e ngushta të sistemit energjetik të rajonit.
Përshpejtimin e integrimit të tregut rajonal energjetik.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk janë domosdoshmërisht në vëmendjen e politikanëve të Bashkimit Europian. Gjithsesi, ato mund të ofrojnë një çelës për atë që të gjithë po flasin aktualisht – siguri e përbashkët energjetike europiane.

*Julian Popov është Kryetar i Institutit për Ndërtimin e Performancës; Kërkues në Fondacionin Europian të Klimës.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi