Edhe njëherë dorëzuam sovranitetin te FMN

Nga Gjergj Erebara, botuar në Shqip, 21 dhjetor 2013

“Kjo tregon se ne si shtet dhe si popull nuk jemi ende gati për të qenë të pavarur”, komentoi një ekonomist i Bankës së Shqipërisë pak ditë më parë, ndërsa qeveria shqiptare po shpallte arritjen e marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar për një kredi me terma të buta jashtë tregut në këmbim të disa reformave të rëndësishme, të pashmangshme dhe gjithsesi, të dhimbshme. Paketa e reformave që qeveria shqiptare do të duhet të ndërmarrë në këmbim të kredive të buta të FMN-së dhe Bankës Botërore, nuk është bërë ende e ditur zyrtarisht, por është pothuajse e sigurt se përfshin një rritje të moshës së daljes në pension, plus reforma në tregun e energjisë elektrike, ndoshta rritje të re çmimi.

Ato kredi të buta do të shërbejnë si mekanizmi i imponimit të këtyre reformave, do të jepen me këste dhe këstet do të pezullohen në rast se qeveria shqiptare ndjek rrugën e populizmit dhe nuk u jep shqiptarëve ilaçin e hidhur.

Hera e fundit që FMN-ja kishte një program të tillë real imponues me Shqipërinë ishte viti 2005. Deri në vitin 2008, programi i FMN-së vijoi, por në këtë trevjeçar, qeveria shqiptare nuk kishte më arsye ta dëgjonte FMN-në dhe ndoqi mendjen e vet. Për shkak se Banka Botërore e riklasifikoi Shqipërinë si vend me të ardhura të mesme dhe rrjedhimisht, si vend që nuk merrte dot më kredi zhvillimi, FMN-ja nuk kishte më një mekanizëm presioni. Në tetor 2008, FMN-ja përfundimisht e mbylli programin e mbikëqyrjes me Shqipërinë. Sipas ministrit të Financave në atë kohë, funksioni mbikëqyrës i FMN-së si kontrollues i ekseseve populiste financiare të qeverive, do të zëvendësohej… pak vëmendje ju lutem… nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë. Kuptohet që ky komision, si e gjithë politika shqiptare, nuk ka dy mallra me vlerë tregtare të paçmueshme: besueshmërinë dhe racionalitetin.

Pak para dhe përgjatë të gjithë kohës pas largimit të FMN-së, qeveria shqiptare kaloi nga një populizëm në tjetrin. Rrit paga e pensione pa rritur të ardhurat, kryej investime publike pa kurrfarë racionaliteti ekonomik.

Këta populizma politikë e rrënuan vendin. Populizmi më i madh ishte e ashtuquajtura Rruga e Kombit. Mbi 1 miliard euro të hedhura në erë në emër të nacionalizmit, bashkimit kombëtar e përralla të tjera, të cilat mjaftuan më vete ta falimentonin vendin. Pastaj erdhi rruga Tiranë-Elbasan, që me të drejtë u cilësua nga dikush si një xhevahir që iu var në qafë një varfanjaku që po vdiste urie.

Populizmi i çmendur i politikës shqiptare u zgjatua në Kosovë. Një vend edhe më i varfër e më i vogël se Shqipëria, që vështirë se mund të quhet “vend i pavarur”, investoi 1 miliard euro për një autostradë luksi, ku mund të ecet me 300 kilometra në orë, por ku njerëzit nuk ecin, sepse janë shumë të varfër e nuk kanë makina. Nëse ka ndonjë gjë që mund të quhet “tradhti kombëtare” janë pikërisht këto dy rrugë. Në vitin 2009, për të përballuar çmendurinë financiare të Berishëve, Banka e Shqipërisë e zhvlerësoi lekun me 15 për qind. Në gjuhën teknike ne e quajmë zhvlerësim, d.m.th. prodhim parash, por Milton Friedman do ta quante “taksë”.

Ndërsa Shqipëria njoftonte dhënien e sovranitetit të vet vendimmarrës te FMN-ja, shqiptarët qenë të shqetësuar për një gjë tjetër: refuzimi i kërkesës për të marrë statusin kandidat për anëtar në Bashkimin Europian.

Disa gazetarë ekonomie të pranishëm në konferencën për shtyp të njoftimit të marrëveshjes, bënë shaka duke thënë se nuk duhet të lodhen shumë. Po të hapim arkivat, mund të nxjerrim ndonjë lajm të vitit 2002 ose të vitit 2005. U ndryshojmë emrat e personazheve, por lajmet mbeten në thelb të njëjtat. Shqipëria duhet të mbledhë faturat e dritave, ose në rast të kundërt, të rrisë çmimin. Shqipëria duhet të mbledhë taksat, ose në rast të kundërt, të rrisë moshën e pensionit. Shqipëria nuk mundet të rrisë shpenzimet buxhetore për sa kohë nuk rrit të ardhurat buxhetore. Nuk mundet të ulësh taksat për sa kohë nuk heq dorë nga ndonjë funksion i shtetit, pra të ulësh shpenzimet.

Politiqenërit, nuk duhet t’i gënjejnë njerëzit duke rritur paga apo pensione, për sa kohë nuk rriten të ardhurat. Përndryshe, njerëzve po u jepen para borxh, të cilat do t’i paguajnë pak më vonë bashkë me interesat përkatëse. Mund t’i paguajnë në formën e rritjes së taksave ose në formën e inflacionit. Por është e sigurt se nuk ka asnjë rrugë shpëtimi. E vetmja mënyrë për të mos paguar një borxh është të vdesësh. Popujt nuk vdesin, kështu që në fund paguajnë gjithmonë.

Megjithëse FMN-ja u kthye në Tiranë, situata nuk është akshe-akshe, një faliment klasik, ku FMN-ja blen me interes të ulët borxhin që ia ke një pale të tretë. Dhe mekanizmi i presionit, pra kredia e FMN-së në këmbim të reformave, nuk duket se është shumë funksional. Shqipëria ka mbi 7.5 miliardë euro borxhe dhe FMN-ja po shton edhe 300 milionë për tre vjet. Qeveria nuk ka nevojë të nënshtrohet për 100 milionë euro në vit. Sakaq, një bankier i rëndësishëm në vend tha se qeveria nuk ka nevojë për FMN-në. Bankat shqiptare me paratë e depozituesve mund ta blejnë këtë borxh të tërin me interesa goxha të ulëta.

Dukshëm, qeverisë aktuale i nevojitet FMN-ja thjesht për të justifikuar shkeljet e premtimeve të veta elektorale, premtime që gjithsesi do t’i shkelë, sepse janë shumë absurde dhe fizikisht të parealizueshme.

Dhe për ta dëshmuar këtë, ndërmori një fushatë të gjerë fshehjeje informacioni dhe dezinformimi. Taksa progresive ishte shembulli më i përkryer i kësaj fushate. Edhe heqja e TVSH-së për ilaçet, TVSH-ja që sakaq paguhet në masën 90 për qind nga buxheti i shtetit, mund të shërbejë si një shembull i përkryer për shpjegimin e mashtrimeve politike.

Por sa i përket taksës progresive, duke qenë se populizmi i qeverisë së mëparshme e hoqi tatimin mbi të ardhurat personale për 56 për qind të të gjithë shqiptarëve që marrin pagë, nuk ishte e mundshme që ky tatim të ulej më tej. Në janar 2014, kush merr 300 mijë lekë rrogë, do të marrë sërish 300 mijë lekë. Por duke qenë se qeveria e sotme para zgjedhjeve pati kopjuar një slogan joshës të Obamës, ulje për 95 për qind dhe rritje për 5 për qind, vendosi që ta shkelë këtë premtim absurd të vetin, jo duke u treguar të vërtetën shqiptarëve, por duke i gënjyer e duke i mohuar të drejtën e informimit. Në fund, thanë se ndryshimet në taksimin e pagave, ku përfshihet rritje takse për disa mijëra shqiptarë dhe ulje për disa dhjetëra mijë, do të kenë një efekt neto në buxhet prej 15 milionë dollarësh minus. “Këtë shumë do ta mbulojë buxheti”, tha një ministër. Por pyetja është se këtë buxhetin që do t’u falë taksapaguesve 15 milionë dollarë, kush e paguan? Mos ka ndonjë shkop magjik qeveria për ta mbushur apo e mbushin pikërisht këta taksapagues që përfitokan 15 milionë dollarë?

Tatimi mbi të ardhurat personale (TAP) është një shembull i garës së paepur të populizmit politik drejt zeros. Kështu quhet në ekonomi kur dy tregtarë konkurrojnë njëri-tjetrin me çmim, duke ulur çmimin vazhdimisht deri sa ai bëhet zero dhe normalisht të dy tregtarët falimentojnë.

Deri në prill të këtij viti, Shqipëria kishte TAP me shkallë 1 për qind, 5 për qind dhe 10 për qind. Në maj u bë zero dhe 10 për qind, gjë që solli një borxh të ri me disa dhjetëra milionë euro. Nuk ishte në fakt ulje taksash, sepse kjo ulje u kompensua me borxh dhe ky borxh është në thelb taksë që rëndon mbi taksapaguesit. Qeveria e re e uli edhe më tej TAP. Vetëm se për sa kohë ka ekzistuar shteti, gjithmonë shteti është mbajtur me taksa. Gara populiste po e bën Shqipërinë në thelb, një shtet pa taksa. Pa vullnet për t’u thënë qytetarëve se shteti jeton me taksa. Një shtet pa taksa është një shtet i dështuar.

Tani, në lidhje me dorëzimin e sovranitetit vendimmarrës te FMN-ja, situata është shumë e thjeshtë. Shqipëria e ka ekspertizën e duhur për të ditur se 1 + 1 = 2. Dihet se taksat duhet të mblidhen, se faturat e dritave duhet të mblidhen. Dhe nuk është e vështirë që kjo gjë të bëhet. Ajo që nuk e kemi është vullneti politik për t’i mbledhur taksat. Të tjerat janë thjesht propagandë. Dhe propaganda as nuk hahet, e as nuk vishet.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi