Auditi i brendshëm dhe inspektimi financiar

Nga Brunilda Zeneli*, botuar në Shqip, 16 qershor 2016

Roli i auditimit të brendshëm në sektorin publik dhe i KLSH-së

downloadNë Strategjinë e Kontrollit ë Lartë të Shtetit (KLSH) është theksuar se, si pjesë e partneritetit me qeverinë, një funksionim i konsoliduar i Auditimit të Brendshëm, lehtëson shumë realizimin e misionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. KLSH bashkëpunon me Auditimin e Brendshëm nëpërmjet këshillimeve të vazhdueshme, shkëmbimit të planeve të punës, zhvillimit të metodologjive, trajnimeve dhe kryerjes së veprimtarive të përbashkëta dhe përdorimin e punës së auditimit të brendshëm, kur ajo cilësohet se është kryer në përputhje me standardet profesionale. Si auditimi i brendshëm ashtu edhe KLSH janë të angazhuar të mbështesin rekomandimet përkatëse të dhëna prej tyre ndaj subjekteve dhe t’i asistojnë ato për zbatimin e tyre. Bashkëpunimi më i mirë operacional mund të çojë në shmangien e mbivendosjes midis KLSH dhe veprimtarisë së auditimit të brendshëm, si dhe monitorimin më të mirë të gjetjeve dhe rekomandimeve të auditimit”.

Motoja “experentia mutua omnibus prodest”, theksuar nga kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, do të vijojë të udhëheqë veprimtaritë trajnuese me institucionet homologe të vendeve të tjera me të cilat KLSH ka marrëveshje bashkëpunimi apo dhe organizma profesionalë që ofrojnë trajnime në fushën e auditimit dhe financave publike.

Këtij qëllimi i ka shërbyer edhe Marrëveshja e bashkëpunimit me Ministrinë e Financave lidhur më datë 08.05.2012, bazuar në legjislacionin në fuqi dhe standardin ISSAI 9150 “Koordinimi dhe Bashkëpunimi mes Institucioneve të Auditimit Suprem dhe Audituesve të Brendshëm në Sektorin Publik”, të INTOSAI-it. Në vazhdimësi të bashkëpunimit (të “ngrirë” në mënyrë të pakuptimtë gjatë periudhës 2014-2015), midis auditimit të jashtëm, përfaqësuar nga KLSH dhe strukturave të auditimit të brendshëm në sektorin publik, midis dy institucioneve (Ministri e Financave dhe KLSH) janë zhvilluar programe trajnimi të përbashkëta, për rritjen e kapaciteteve profesionale në fushën e auditimit. Në frymën e këtij bashkëpunimi ishte edhe trajnimi i organizuar nga Ministria e Financave në kuadër të projektit IPA, me objekt “Implementimi i një sistemi modern të menaxhimit financiar të kontrollit dhe Inspektimit Financiar në Shqipëri”, zhvilluar gjatë muajve shkurt-qershor 2016, bashkëpunim i cili në të ardhmen do të intensifikohet, si rrjedhojë e vizionit të kryetarit të KLSH-së, z. Bujar Leskaj, por edhe ministrit të Financave z. Arben Ahmetaj.

Qëllimi i auditimit të brendshëm, por edhe i strukturave të tjera padyshim është përmirësimi mirëqeverisjes, rritja transparencës dhe mirëmenaxhimit të fondeve publike.

Realizimi i këtyre objektivave kërkon që drejtuesit e institucioneve të rrisin përgjegjësinë menaxheriale, e cila reflektohet në tri shtyllat kryesore të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik (KBFP):

-Sistemet e shëndosha të Menaxhimit Financiar dhe Kontrollit (MFK);

-Një shërbim objektiv dhe funksionalisht i pavarur i auditimit të brendshëm;

-Shërbimet Qendrore në Ministrinë e Financave për zhvillimin dhe zbatimin e një metodologjie të harmonizuar.

Pra, një nga shtyllat, në ndihmë të përmirësimit të mirëmenaxhimit të fondeve publike, nga administrata publike, janë edhe strukturat e auditimit të brendshëm në sektorin publik në nivel qendror dhe atë lokal.

Strukturat e auditit të brendshëm në sektorin publik, siç u evidentua edhe gjatë këtij trajnimi, janë para sfidave për rritjen e rolit të tyre, në ndihmë të menaxhimit të organizatave ku ato veprojnë, realizimit të qëllimit për të cilin janë krijuar këto struktura: “Dhënies së këshillave dhe e garancisë së arsyeshme se sistemet e menaxhimit të riskut, kontrollit dhe të qeverisjes janë krijuar në përputhje me rregullat dhe standardet, si dhe me parimet e një menaxhimi financiar të shëndoshë, me qëllim përmirësimin e arritjes së objektivave”.

Një nga sfidat kryesore të Auditit të Brendshëm, është kuptimi i rolit të tyre nga titullarët e institucioneve. Moskuptimi i rolit të auditit të brendshëm nga titullarët e institucioneve, apo mosdashja për të kuptuar këtë rol, në të shumtën e rasteve dhe kryesisht në strukturat e auditit në nivel lokal, ka çuar në deformim të rolit të tyre. Nga një rol tejet i rëndësishëm që duhet të kenë këto struktura në përmirësim të sistemeve, procedurave më qëllim arritjen e objektivave, janë shndërruar në struktura revizionimi, për të plotësuar kërkesat dhe orekset e titullarëve të institucioneve.

Kjo qasje, ndaj auditit të brendshëm, është më e theksuar te titullarët e njësive të qeverisjes vendore “të zgjedhurit”, të cilët nuk veprojnë në përputhje me kërkesat ligjore, për t’i dhënë auditimit të brendshëm rolin e tij sipas standardeve, por i përdorin për largime nga puna të individëve të caktuar dhe çështje të caktuara, në shërbim të një interesi personal. Të jesh i zgjedhur do të thotë t’ju shërbesh zgjedhësve në përputhje të plotë me ligjet, standardet dhe rregullat e përcaktuara dhe jo të shkelësh ato. Përdorimi i strukturave të auditit të brendshëm jo për qëllimin e përcaktuar në ligj, është shpërdorim i detyrës nga ana e funksionarëve vendorë. Përmirësimi i sistemeve dhe jo ndërrimi i personelit sjell përmirësim të mirëqeverisjes, mirëmenaxhim të fondeve publike. Asnjë individ nuk është imun ndaj korrupsionit, për pasojë këto struktura në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Harmonizimit të Kontrollit të Brendshëm Financiar (DPHKBF) në Ministrinë e Financave, duhet të punojnë për ndërgjegjësimin jo vetëm të audituesve të brendshëm, por edhe të drejtuesve të qeverisjes vendore. DPHKBF, Drejtoria e Harmonizimit të Auditit të Brendshëm, duhet të informojë dhe të bëjë transparente të gjithë rastet e moszbatimit të ligjit nga këta titullarë.

Nga ana tjetër këto struktura, duhet të sigurojnë një nivel të lartë profesional. Gjatë trajnimit mbi këto çështje, disa nga audituesit e strukturave të qeverisjes vendore, nuk ishin të qartë mbi vijën ndarëse të funksioneve të Auditimit të Brendshëm dhe Inspektimit Financiar. Kjo për shkak të emërimit të personave të pakualifikuar dhe joprofesionalë. Mungesa e kompetencës profesionale, i shndërron në vegla të drejtuesve të këtyre njësive, duke devijuar nga roli që kanë.

Në auditimet e kryera, jo vetëm njësitë e qeverisjes vendore, por ka raste edhe struktura auditimi të qeverisjes qendrore, nuk trajtojnë funksionimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm. Nuk vlerësojnë pesë komponentët e kontrollit të brendshëm, si mjedisin e kontrollit, menaxhimin e riskut, aktivitetet e kontrollit, komunikimin dhe monitorimin. Auditimet përqendrohen në dëme ekonomike, persona përgjegjës, duke u futur në terrenin e Inspektimit Financiar.

Një sfidë tjetër, është sigurimi i pavarësisë së këtyre strukturave. Kërkohet gjithmonë një auditim i pavarur, por sa mund të jetë reale pavarësia e auditimit të brendshëm në njësitë e qeverisjes vendore? Aktualisht jo, kjo pavarësi është e cenuar. Audituesit e brendshëm emërohen dhe shkarkohen nga titullarët e këtyre njësive. Në këto kushte, ata i shërbejnë plotësimit të kërkesave të titullarëve, pavarësisht dëshirës së shprehur gjatë trajnimit, për të kryer rolin e tyre siç përcaktohet në ligj dhe standarde. Frika e papunësisë i nënshtron.

Për të realizuar pavarësinë e audituesve, referuar dhe kontekstit shqiptar, Drejtoria e Përgjithshme e Harmonizimit të Kontrollit të Brendshëm Financiar në Ministrinë e Financave (DPHKBF), duhet të gjejë mekanizmat e duhur dhe të kërkojë me ngulm plotësimin e këtij standardi.

DPHKBF, si strukturë monitoruese dhe harmonizuese, duhet të shqyrtojë dhe vlerësojë të gjithë problematikat e ngritura nga strukturat e auditimit në rang vendi, por edhe rezultatet nga auditimit e kryera nga KLSH, në zbatim të nenit 10 të ligjit 154/2014 “Mbi organizimin dhe funksionimin e KLSH-së”, pasi gjetjet kanë rezultuar të shumta.

KLSH i ka dhënë një rëndësi të veçantë auditimit të strukturave të auditimit të brendshëm. Për këtë në të gjitha auditimet e kryera pjesë e programeve të auditimit është edhe auditimi mbi funksionimin e strukturave të auditit të brendshëm, si dhe funksionimi i sistemeve të kontrollit të brendshëm në njësitë e audituara. Në raportet vjetore të KLSH “Mbi zbatimin e buxhetit të Shtetit” një kapitull të veçantë zë auditimi i strukturave të auditimit të brendshëm, si dhe zbatimi i ligjit “Mbi menaxhimin financiar dhe kontrollin e brendshëm”.

Shpesh niveli jo kënaqshëm profesional, në trajtimin që ju bëhet funksionimit të sistemeve të kontrollit të brendshëm nga strukturat e auditimit të brendshëm, por edhe mospërfshirja e vlerësimit të këtyre sistemeve në programet e auditimit, mosvlerësimi i komponentëve të kontrollit të brendshëm, ka sjellë që vlerësimi i funksionimit të sistemeve të kontrollit të brendshëm të auditohet edhe nga KLSH. Nga auditimet e kryera nga KLSH, kuptimi dhe zbatimi i ligjit “Mbi menaxhimin financiar dhe kontrollin” ka rezultuar në nivele të ulëta, funksionimi i DAB dhe i sistemeve të kontrollit të brendshëm, kanë rezultuar me mangësi, çka përbën premisa për mosmenaxhim të mirë të fondeve publike, nivel të ulët të transparencës, përdorim pa efektivitet, ekonomicitet dhe eficencë të tyre.

Rritja e kapaciteteve profesionale, gjë për të cilën ishte organizuar edhe ky trajnim, rritja e pavarësisë së audituesve të brendshëm, ndërgjegjësimi i titullarëve të institucioneve, mbi rolin dhe funksionet e auditit të brendshëm, do të sjellin padyshim një vlerë të shtuar për çdo institucion publik dhe do të lehtësonte realizimin e misionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

* Audituese, Kontrolli i Lartë i Shtetit

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi