Për një Rilindje Evropiane

Mesazh i Presidentit francez Emmanuel Macron, 5 mars 2019

Qytetarë të Evropës,

I lejova vetes t`ju drejtohem drejtpërdrejt jo vetëm në emër të historisë dhe vlerave që na bashkojnë, por edhe pse koha nuk pret. Pas disa javësh, zgjedhjet evropiane do të jenë vendimtare për të ardhmen e kontinentit tonë.

Që nga Lufta e Dytë Botërore, Evropa kurrë nuk ka qenë kaq e nevojshme. E megjithatë, Evropa kurrë nuk ka qenë kaq shumë e rrezikuar.

Brexit-i është simboli i kësaj. Simbol i krizës së Evropës, e cila nuk diti t’u përgjigjej nevojave të popujve për mbrojtje, përballë tronditjeve të forta të kohës sonë. Simbol gjithashtu edhe i kurthit evropian. Kurthi nuk ka të bëjë me përkatësinë në Bashkimin Evropian; por gënjeshtrat dhe papërgjegjshmëria mund ta shkatërrojnë atë. A jua tha ndokush britanikëve të vërtetën për të ardhmen e tyre pas Brexit-it? Kush u ka folur atyre për humbjen e aksesit në tregun evropian? Vallë, u ka folur ndokush atyre për rreziqet e paqes në Irlandë, duke rrezikuar kthimin në kufirin e së kaluarës? Strukja në nacionalizëm nuk ofron asgjë; është thjesht një refuzim pa projekt. Dhe ky kurth është një kërcënim për mbarë Evropën: shfrytëzuesit e mllefit dhe zemërimit, të mbështetur nga informacione të gënjeshtra, premtojnë gjithçka et çdo gjë.

Përballë këtyre manipulimeve ne duhet të qëndrojmë të fortë. Krenarë dhe të kthjellët. Duhet së pari të tregojmë se çfarë është Evropa. Është një sukses historik: pajtimi rreth një projekti të ri paqeje, prosperiteti dhe lirie i një kontinenti të shkatërruar. Të mos e harrojmë kurrë këtë. Dhe ky projekt vazhdon të na mbrojë edhe sot: cili vend mund të veprojë i vetëm kundër strategjive agresive të fuqive të mëdha? Kush mund të pretendojë të jetë sovran, i vetëm, kundër gjigantëve dixhitalë? Si mund t’u bëjmë ballë krizave të kapitalizmit financiar pa euron, e cila është një forcë për tërë Bashkimin? Evropa është gjithashtu edhe ato mijëra projekte të përditshme që kanë ndryshuar faqen e territoreve tona, një shkollë e rikonstruktuar një rrugë e ndërtuar, apo aksesi i shpejtë në internet, që më në fund po realizohet. Kjo betejë është një angazhim i përditshëm, sepse Evropa, sikurse edhe paqja, nuk është një betejë që fitohet përfundimisht. Në emër të Francës, unë e zhvilloj këtë betejë pa pushim që Evropa të ecë përpara dhe që të mbrohet modeli i saj. E kemi treguar me vepra se ajo që ishte dukur e paarritshme, siç ishte krijimi i mbrojtjes evropiane apo mbrojtja e të drejtave sociale, kishte qenë e mundur.

Por, ne duhet të bëjmë më shumë dhe më shpejt. Sepse ekziston edhe një kurth tjetër, ai i statu quo-së dhe i dorëzimit. Të përballur me tronditjet e mëdha në mbarë botën, qytetarët shpesh na thonë: “Ku është Evropa? Çfarë po bën Evropa?” Për ta, ajo është shndërruar në një treg të pashpirt. Por, Evropa nuk është veçse një treg, por ajo është një projekt. Tregu është i dobishëm, por nuk duhet të na bëjë të harrojmë nevojën për kufijtë që na mbrojnë dhe për vlerat që na bashkojnë. Nacionalistët gabohen kur pretendojnë të mbrojnë identitetin tonë duke u tërhequr nga Evropa; sepse është qytetërimi evropian ai që na bashkon, na çliron dhe na mbron. Edhe ata që nuk duan të ndryshojnë asgjë gabohen, sepse mohojnë frikën që ekziston midis kombeve tona, dyshimet që kërcënojnë demokracitë tona. Jemi në një moment vendimtar për kontinentin tonë; në një moment kur, së bashku, duhet të rishpikim në planin politik dhe kulturor, format e qytetërimit tonë në një botë që po ndryshon. Ka ardhur koha për një rilindje evropiane. Gjithashtu, duke i bërë qëndresë ngasjes për mbyllje dhe përçarje, ju propozoj të ndërtojmë së bashku këtë Rilindje rreth tre synimeve ambicioze: liria, mbrojtja dhe përparimi.

Të mbrojmë lirinë tonë

Modeli evropian mbështetet në liritë e njeriut, në larminë e mendimeve, në krijimin. Liria jonë e parë është liria demokratike, ajo e zgjedhjes së udhëheqësve tanë aty ku sa herë që ne votojmë, fuqi të huaja përpiqen të ndikojnë në votat tona. Unë propozoj që të krijohet një Agjenci Evropiane për Mbrojtjen e Demokracisë, e cila do të ofrojë ekspertë evropianë për secilin shtet anëtar për të mbrojtur procesin zgjedhor kundër sulmeve kibernetike dhe manipulimeve. Në këtë frymë pavarësie, ne duhet gjithashtu të ndalojmë financimin e partive politike evropiane nga fuqitë e huaja. Ne duhet të ndalojmë me ligje evropiane çdo gjuhë urrejtjeje dhe dhune në internet, sepse respektimi i individit është themeli i qytetërimit tonë dinjitoz.

Të mbrojmë kontinentin tonë

I bazuar në pajtimin e brendshëm, Bashkimi Evropian ka harruar të shikojë realitetin përreth tij në botë. Asnjë komunitet nuk krijon ndjenjën e përkatësisë, nëse nuk ka kufij që i mbron. Kufiri është liria dhe siguria. Kështu, ne duhet që në zonën Schengen të vendosim gjërat në vendin e tyre: të gjithë ata që dëshirojnë të jenë pjesë e tij, duhet të përmbushin detyrimet e përgjegjësisë (kontrolli i rreptë kufitar) dhe të solidaritetit (politikë azili e njëjtë për të gjithë me rregulla të njëjta të pranimit dhe refuzimit). Një polici të përbashkët kufitare dhe një zyrë evropiane për azil, detyrime për kontroll të rreptë, solidaritet evropian, për të cilin kontribuon çdo vend, nën autoritetin një Këshilli Evropian për Sigurinë e Brendshme: përballë migrimit, unë besoj në një Evropë që mbron si vlerat ashtu dhe kufijtë e saj.

Të njëjtat kërkesa duhet të zbatohen edhe në fushën e mbrojtjes. Është bërë një përparim i rëndësishëm gjatë dy viteve të fundit, por ne duhet të vendosim një pikësynim të qartë: një traktat mbrojtjeje dhe sigurie duhet të përcaktojë detyrimet tona të domosdoshme, në bashkërendim me NATO-n dhe aleatët tanë evropianë: rritje të shpenzimeve ushtarake, zbatim i klauzolës së mbrojtjes të ndërsjellë, një Këshilli Evropian i Sigurisë që përfshin edhe Mbretërinë e Bashkuar, për të përgatitur vendimet tona kolektive.

Kufijtë tanë duhet gjithashtu të sigurojnë konkurrencë të ndershme. Cila fuqi do të pranonte të vazhdonte shkëmbimet me ata që nuk respektojnë asnjë nga rregullat e veta? Nuk mund të pësojmë pa bërë asgjë. Ne duhet të reformojmë politikën tonë të konkurrencës, të rishikojmë politikën tonë tregtare: të sanksionojmë ose të mos i lejojmë në Evropë kompanitë që cenojnë interesat tona strategjike dhe vlerat tona themelore, siç janë standardet mjedisore, mbrojtja e të dhënave dhe shlyerja korrekte e tatimeve; si dhe të vendosim në fushën e industrive tona strategjike dhe të financimeve tona publike, një përparësi evropiane, ashtu siç bëjnë edhe konkurrentët tanë amerikanë apo kinezë.

Të kthejmë frymën e përparimit

Evropa nuk është një fuqi e rangut të dytë. Evropa, në tërësinë e saj, është në pararojë: ajo ka ditur gjithmonë të përcaktojë standardet e progresit. Për këtë arsye, ajo duhet të ofrojë një projekt konvergjence më shumë se konkurrence: Evropa, vendi ku është shpikur sigurimi social, duhet të vendosë për çdo punëtor, nga Lindja në Perëndim, nga Veriu në Jug, një mbrojtje sociale që do t’u sigurojë atyre të njëjtën pagë në të njëjtin vend pune, si dhe një pagë minimale evropiane, e përshtatur për çdo vend dhe që do të diskutohet kolektivisht çdo vit.

Nëse duam të jemi në hap me përparimin, atëherë duhet të marrim rolin udhëheqës në betejën ekologjike. Si do t`i shikojmë fëmijët tanë në sy, nëse nuk e shlyejmë borxhin tonë klimatik? Bashkimi Evropian duhet të përcaktojë pikësynimin ambicioz të tij – 0 karbon në vitin 2050, përgjysmim të pesticideve deri në vitin 2025 – dhe t`ia përshtatë politikat e tij këtij pikësynimi: Banka Evropiane e Klimës për financimin e tranzicionit ekologjik; Forca e kontrollit sanitar evropian për të forcuar kontrollin e produkteve ushqimore; kundër kërcënimit të grupeve me ndikim, realizimi i një vlerësimi të pavarur shkencor të substancave të rrezikshme për mjedisin dhe shëndetin … Ky imperativ duhet të udhëheqë të gjithë punën tonë: nga Banka Qendrore e deri tek Komisioni Evropian, nga buxheti evropian deri tek plani i investimeve për Evropën, të gjitha institucionet tona duhet përfshijnë klimën në mandatin e tyre.

Progresi dhe liria do të thotë të jetojmë me punën që bëjmë: për të krijuar vende pune, Evropa duhet t’u paraprijë gjërave. Për këtë, Evropa duhet jo vetëm që të rregullojë funksionimin e gjigantëve dixhitalë, duke zbatuar mbikëqyrjen evropiane të platformave më të mëdha (sanksione të përshpejtuara ndaj shkeljes së konkurrencës, transparencë të algoritmeve të tyre …), por edhe duke financuar risitë duke i vënë në dispozicion Këshillit të ri Evropian të novacionit një buxhet të krahasueshëm me atë të Shteteve të Bashkuara, në mënyrë që të marrim rolin e udhëheqësit në fushën e avancimeve të reja teknologjike, të tilla si ajo e inteligjencës artificiale.

Një Evropë e hapur ndaj botës do të duhet të kthejë sytë nga Afrika, me të cilën duhet të ndërtojmë një pakt për të ardhmen. Duke përcaktuar një të ardhme të përbashkët, duke mbështetur zhvillimin e saj në një mënyrë ambicioze dhe jo në pozita mbrojtjeje: investime, partneritete universitare, edukim dhe arsimim e vajzave…

Liri, mbrojtje, progres. Mbi këto shtylla ne duhet të ndërtojmë Rilindjen evropiane. Ne nuk mund të lejojmë që nacionalistët, të cilët nuk ofrojnë zgjidhje, të përfitojnë nga zemërimi i popullit. Ne nuk mund të mbyllim sytë para një Evrope të dobësuar. Nuk mund të vazhdojmë në rutinë dhe në vetëkënaqësi. Humanizmi evropian na detyron të veprojmë. Kudo qytetarët kërkojnë të marrin pjesë në ndryshim. Prandaj, deri në fund të vitit, së bashku me përfaqësuesit e institucioneve dhe shteteve evropiane, të organizojmë një Konferencë për Evropën për t`i propozuar të gjitha ndryshimet e nevojshme për projektin tonë politik, pa tabu, madje pa rishikimin të traktateve. Kjo konferencë duhet të përfshijë panelet e qytetarëve, opinionet e akademikëve, partnerët socialë, si dhe përfaqësuesit fetarë dhe shpirtërorë. Ajo do të përcaktojë një udhërrëfyes për Bashkimin Evropian për të konkretizuar në praktikë këto prioritete kryesore. Kuptohet që do të ketë mosmarrëveshje, por a është më mirë një Evropë e ngrirë apo një Evropë që përparon, ndonjëherë edhe në ritme të ndryshme, duke mbetur e hapur për të gjithë?

Në një Evropë të tillë, popujt do të rimarrin realisht kontrollin mbi të ardhmen dhe mbi fatet e tyre; jam i bindur se në një Evropë të tillë, Britania e Madhe me siguri se do ta gjejë vendin e saj.

Qytetarë të Evropës, qorrsokaku i Brexit-it është një mësim për të gjithë ne. Le të dalim nga ky kurth, le t`i japim kuptim zgjedhjeve të ardhshme dhe projektit tonë. Ju takon juve të vendosni nëse Evropa, vlerat e progresit që ajo ngërthen, duhet të jenë diçka më shumë se një parantezë në histori. Kjo është zgjedhja që unë ju propozoj për të vendosur së bashku rrugën e një Rilindjeje evropiane.

Emmanuel Macron

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi