Reforma administrative territoriale, sa më shpejt, aq më mirë.

Kujtim Morina, botuar në gazetën Shqip të datës 07-09-2011

Nevoja e bërjes sa më shpejt e reformës të rindarjes administrative territoriale po diskutohet gjithnjë e më shumë kohët e fundit dhe shumë përfaqësues të partive politike dhe deputetë janë shprehur në mbështetje të kësaj reforme. Një vullnet i shprehur politik nga të dyja krahët e politikës me siguri do të kishte mbështetjen e opinionit publik për këtë reformë. Në këtë shkrim do të hedhim disa ide në lidhje me rikonfigurimin e njësive të qeverisjes vendore të nivelit bazë, pra të komunave me qëllim bashkimin e komunave të vogla me komuna ose bashki më të mëdha. Motivi kryesor për këtë riorganizim administrativo-territorial është motivi ekonomik, reduktimi i shpenzimeve publike, sidomos në këto vite të rënies ekonomike globale kur të gjitha qeveritë po gjejnë forma për eficensën e shërbimeve publike dhe uljen e shpenzimeve të panevojshme. Gjithashtu mund të shtojmë se këto komuna nuk i sjellin të ardhura shtetit, duke qenë se janë vendosur kryesisht në zona të thella malore, kur dihet që fshatarët nuk paguajnë taksa as për tokën e as për bagëtinë, përveç abuzimeve të mundshme që mund të ndodhin me fondet publike nga administrata e këtyre komunave.

Dëshirojmë të rikujtojmë se që në janar të vitit 2008, me vendim qeverie janë mbyllur 52 zyra të gjendjes civile në komunat me popullsi më të vogël se 3000 banorë dhe i janë bashkëngjitur njësive të qeverisjes vendore më të afërta. Më tej është pritur bashkimi i këtyre komunave me komuna ose bashki të tjera më të mëdha, por kjo nuk ka ndodhur, një arsye mund të jetë klima e trazuar politike vitet e fundit. Sipas një vëzhgimi që kemi bërë për rezultatet e zgjedhjeve lokale të 8 majit, rezulton se në 55 komuna në të gjithë vendin, kryetarët e tyre kanë dalë fitues me më pak se 500 vota, ku ndër rezultatet më drastike për numrin e votave mund të përmendim mandatet e fituara në këto komuna: Frashër (173), Barmash (210), Çlirim (184), Novoselë-Kolonjë (244), Qafë-Leskovik (160), Lekas (226), Kalis (266), Arrën (160), Lopes (203) etj. Ky numër votash është i barabartë me atë të një fshati nënmesatar në Shqipëri e jo më të përfaqësojë një komunë të tërë.

Një pyetje vjen vetvetiu, si do të bëhet kjo reformë kur kryetarët e komunave sapo kanë marrë mandatin? Në të vërtetë, ligji për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore i miratuar në vitin 2000 e parashikon riorganizimin administrativo-territoriale të pushtetit vendor në një kapitull të veçantë. Në këtë ligj sanksionohet se: ndarja administrative-territoriale në fuqi mund të riorganizohet me ose pa ndryshim kufijsh ekzistues të njësive të qeverisjes vendore, në përputhje me interesat ekonomike, sociale, traditën, kulturën për realizimin në një nivel më të lartë të funksioneve në përfitim të bashkësive vendore ose për zbatimin e politikave të zhvillimit vendor, rajonal dhe më gjerë. Propozimi për këtë riorganizim, i cili duhet të bëhet me ligj të veçantë, i paraqitet Kuvendit, duke përfshirë edhe mendimin e popullsisë që banon në këto njësi të qeverisjes vendore përmes grupeve të interesit apo subjekteve të interesuara drejtpërdrejt për këtë riorganizim. Ndarja administrative-territoriale parashikohet edhe në Kushtetutë, në të cilën kërkohet të merret mendimi i popullsisë që banon në këtë territor, por pa i dhënë kësaj të fundit të drejtën e vetos. Gjithashtu ligji për qeverisjen vendore parashikon se në rast riorganizimi të njësive të qeverisjes vendore me ndryshim kufijsh atëherë në këto njësi kryhen zgjedhje të pjesshme.

Mendoj se është imperative bërja e kësaj reforme. Kjo duhet të përfshihet në një paketë të reformave konsensuale me opozitën. Qeveria ndërkohë mund të përgatisë një plan paraprak. Nëse kjo është e mundshme në muajt e ardhshëm, atëherë mund të parashikohen zgjedhjet e pjesshme në njësitë me të cilat do të bashkohen këto komuna brenda dy viteve të ardhshme. Një mendim tjetër është se mund të amendohet edhe ligji për qeverisjen vendore për sa i përket numrit të popullsisë që duhet të përbëjë një komunë, deri tani komuna më e vogël është me popullsi nga 0-5000 banorë, ndërkohë që mendohet të vendoset një kufi minimal i popullsisë, që mund të jetë të paktën 3000 banorë. Parashikohet që në të ardhmen, infrastruktura rrugore nuk do të jetë kaq problem sa deri tani, kështu që do të jetë më i lehtë aksesi i banorëve për në qendrat e komunave.

Si përfundim, do të thosha se në stadin aktual është e domosdoshme një rindarje e re territoriale duke filluar me komunat, pastaj edhe me qarqet, duke përfshirë edhe krijimin e rajoneve në përshtatje me rregullimet administrative të Bashkimit Europian.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi