Rritja e përgjegjshmërisë institucionale

Nga Bujar Leskaj, botuar në Panorama Online

Përgjegjshmëria institucionale e qeverisjes është një formë e kontrollit mbi institucionet dhe agjencitë publike, duke bërë që ato të japin llogari për kontabilitetin dhe veprimet e tyre. Si e tillë, ajo përbën një koncept thelbësor në një administratë publike të një vendi demokratik. Sot, kudo në botë, por sidomos në Europë, pas shpërthimit të krizës në eurozonë vërehet një kërkesë e shtuar për përgjegjësi institucionale të qarta në përballimin e krizës. Ka po ashtu një presion të konsiderueshëm mbi Institucionet Supreme të Auditimit (quhen shkurt “SAI”, janë KLSH-të e vendeve të tjera europiane) për të luajtur një rol më aktiv, në përputhje me mandatin e tyre.

Kjo kërkesë lind nga një pritshmëri në rritje ndaj tyre, që vjen nga partnerët e tyre të natyrshëm, si qytetarët, organizatat e shoqërisë civile, investitorët, por edhe qeveritë. Pritet që këto institucione të ndihmojnë konkretisht në daljen nga kriza te vendet që janë të mbërthyera në darën e saj, ose në zbutjen e pasojave të krizës, te vendet që po i përjetojnë këto pasoja. Për shkak të krizës financiare dhe ekonomike në eurozonë dhe të goditjeve të paparashikuara të saj, në të gjitha vendet europiane, por edhe më tej, ndihet një nevojë në rritje për sigurimin e një qeverisjeje të mirë dhe shpenzimin efektiv të parave publike. Institucioni Suprem i Auditimit (SAI), si auditues i jashtëm i pavarur i buxhetit të shtetit, synon të arrijë nivelin e duhur të ndikimit të auditimit. Ky ndikim mund të rezultojë në shpenzime qeveritare më të ulëta, si dhe në menaxhim më efektiv të financave publike.

Ai mund të sjellë rritjen e transparencës, besimit dhe të llogaridhënies. Dimensioni i llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së institucioneve publike është parësor në vende në zhvillim që synojnë hyrjen në grupin e vendeve të zhvilluara, sikurse është vendi ynë, për të siguruar mirëqeverisjen. Prandaj ia vlen ta shikojmë këtë dimension më në detaje. Qeverisja e mirë e forcon aftësinë ekzekutive të qeverisë, e bën këtë të fundit më të përgjegjshme dhe rrit besimin e publikut tek ajo. Në një demokraci, qytetarët ua besojnë administrimin e burimeve publike të vendit përfaqësuesve të zgjedhur të tyre, anëtarëve të Parlamentit. Këta përfaqësues nga ana e tyre ia besojnë funksionin e menaxhimit të burimeve publike krahut ekzekutiv, qeverisë. Çdo vit Parlamenti miraton një buxhet për Ekzekutivin, për administrimin e punëve shtetërore. Në fund të vitit fiskal, qeveria është e detyruar të japë llogari për administrimin e burimeve publike në Parlament.

Ngaqë Kuvendi nuk mund t’i verifikojë vetë llogaritë e paraqitura nga Ekzekutivi, SAI është i mandatuar nga Kushtetuta e vendit për të audituar këto llogari dhe për të raportuar gjetjet e tij në Kuvend. Kuvendi sheh nëse ky raportim është në përputhje me synimet e Parlamentit. Roli e SAI-t për këtë arsye është një element i rëndësishëm për të ndihmuar integritetin dhe përgjegjshmërinë e çdo sistemi të qeverisjes. SAI siguron që Kuvendi ka qasje të plotë në informacionin e pavarur të auditimit për përgjegjshmërinë dhe efikasitetin e menaxhimit të burimeve publike nga Ekzekutivi. Që kjo qasje realisht të jetë sa më e plotë dhe Kuvendi ta marrë të gjithë informacionin që i intereson, për rastin tonë, ndoshta do të ishte me vend që brenda Komisionit të Kuvendit për Ekonominë dhe Financat të funksiononte një nënkomision për Auditimin Suprem të Shtetit, i cili fillimisht mund të mos ketë më shumë se tre apo pesë anëtarë të Kuvendit, por roli i të cilit do të ishte shumë efikas.

Kjo, sepse raporti i SAI-t mbi arsyeshmërinë dhe drejtësinë e llogarive financiare qeveritare i siguron qytetarët që burimet publike të miratuara nga përfaqësuesit e tyre kanë qenë shfrytëzuar për qëllimet e synuara. SAI gjithashtu ndërmerr auditime për të matur vlerën e parave publike të shpenzuara, për të informuar Kuvendin dhe qytetarët në lidhje me ekonomicitetin, eficiencën dhe efektivitetin me të cilat kjo para publike është shpenzuar. Këto auditime i japin qeverisë mundësinë për të përmirësuar performancën e saj. Ndërsa qeveria ushtron fuqinë e menaxhimin e ekonomisë publike dhe shoqërisë në emër të qytetarëve, ajo duhet të respektojë ligjet financiare dhe parimin e funksionimit ligjor të administratës publike. Auditimi suprem si institucion, si një pjesë e rëndësishme e sistemit të mbikëqyrjes publike, luan një rol të rëndësishëm në realizimin e përgjegjshmërisë administrative dhe publike dhe në funksionimin e një qeverie të sunduar nga ligji. Ndërtimi i një qeverie me kosto të ulët dhe efikasitet të lartë është një objektiv i rëndësishëm dhe kërkesë parësore nga publiku sot.

Si përgjigje ndaj kësaj kërkese, ne si KLSH kemi intensifikuar auditimet mbi qeverinë dhe shpenzimet e të ardhurat financiare, duke promovuar, ndërkohë, auditimin e performancës në një mënyrë graduale. Në vitet e fundit, për hir të së vërtetës, duhet pohuar se qeveria ka ndërmarrë një sërë hapash për të reduktuar administratën publike dhe për të përmirësuar efikasitetin e saj. Por, duke iu përgjigjur sfidave të reja, kushteve gjithnjë në ndryshim, ne si KLSH duhet të përdorim dhe aktivizojmë burime jo-konvencionale, të tilla si njohuri dhe kapital shoqëror, për të qenë sa më adaptivë, efektivë dhe për të arritur qëllimin tonë strategjik, që është administrimi sa më i mirë dhe modern i parasë publike. Dua ta shtjelloj më shumë këtë rol të ri, duke sjellë edhe eksperiencën e SAI-ve të vendeve të Bashkimit Europian. SAI-t kanë mandat (shpesh edhe kushtetues, sikurse është rasti i Kontrollit të Lartë të Shtetit) në nivel kombëtar për të kryer auditime të jashtme, që t’iu shërbejnë sa më mirë taksapaguesve dhe qytetarëve për sigurimin e shpenzimit racional, eficient, efektiv dhe ligjor të parasë publike. SAIt, në sajë të pavarësisë, profesionalizmit dhe ndershmërisë së tyre, të sanksionuar në standardet e fushës INTOSAI, kanë sot një pozicion unik për të kthyer besimin në publik ndaj institucioneve buxhetore, të tronditur disi nga pasojat e krizës së përbotshme ekonomike dhe financiare. SAI-t e vendeve të Bashkimit Europian gjatë këtyre viteve të krizës(2009-2013) në Eurozonë, janë treguar shumë aktive për të marrë përsipër përgjegjësi të reja në një ambient ekonomik dhe shoqëror në ndryshim të shpejtë.

Ato kanë ndihmuar me auditimin e sistemit të ri rregullator të ngritur në BE për përballimin e krizës, të përbërë nga Banka Qendrore Europiane, bankat qendrore të vendeve anëtare, institucionet qeveritare dhe institucionet e tjera rregullatore. SAI-t e BE-së dhe Gjykata Europiane e Audituesve kanë përcaktuar qartë pesë faza të reagimit ndaj krizës: fazën përgatitore, përgjigjen e menjëhershme, menaxhimin e krizës (ose pasojave të saj), strategjitë e daljes prej saj dhe sistemin e ri të rregullave. Qasja e auditimit të sistemit financiar rregullator mund të zbatohet edhe te ne, vendet në periferi të krizës së eurozonës, por që kemi ndier dukshëm pasojat e saj, të vërejtura sidomos me ndalimin ose uljen e ndjeshme të rritjes ekonomike, si në Maqedoni, Mal të Zi, Bosnjë- Hercegovinë dhe Shqipëri (në vendin tonë pasojat kanë sjellë uljen e rritjes ekonomike). Në rast se ky sistem financiar rregullator nuk është vendosur, ai duhet të krijohet. Tek ne, edhe pse jo me një emërtim apo formulim të plotë, ai ka funksionuar, me konsultimet e herëpashershme mes Ministrisë së Financës dhe Bankës së Shqipërisë. Por gjykoj se koha ka ardhur që këto konsultime dhe ky bashkëveprim të institucionalizohen më tej, duke përfshirë edhe agjenci të tjera shtetërore, si Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Autoriteti i Konkurrencës, INSTAT, KLSH etj.

Objektivi kryesor i një SAI në përballimin e pasojave të krizës së sotme është që të ketë një funksion të përmirësuar ruajtës (watchdog) mbi shpenzimin publik, duke siguruar aspektet e tij të ligjshmërisë, pajtueshmërisë dhe mirëqeverisjes. Ne si KLSH do të kryejmë auditime dhe japim rekomandime për ekzistencën, veprimin dhe përshtatshmërinë e sistemeve të menaxhimit të riskut dhe të kontrollit. Ne do të kryejmë sidomos auditime performance mbi sistemin financiar rregullator të vendit. Do të bashkëveprojmë me SAI-t e tjera në rajon për marrjen e eksperiencave të dobishme në auditimin e këtij sistemi, duke siguruar cilësinë dhe besueshmërinë e informacionit kryesor financiar. Vetëm kështu mund të garantojmë veprimin e një sistemi financiar rregullator fleksibël dhe efikas. Askush nuk ka kohë të humbasë dhe, edhe pse në teori, fazat e ndërhyrjes dhe përballimit të pasojave të krizës janë të ndara, në praktikë ato ndërthuren me njëra-tjetrën. Mendoj se për ne është koha të angazhohemi në fazën e përgjigjes së menjëhershme. Kjo fazë mbulon politikën monetare të bankës qendrore dhe veprimet financiare dhe fiskale të qeverisë për të kufizuar shtrirjen e pasojave të krizës dhe për të parandaluar rëndim të treguesve në sistemin financiar (si për shembull, në rastin tonë, rritjen e mëtejshme të nivelit të kredive të këqija etj.). Për ndërhyrje efektive është thelbësore kuptimi i gjerë dhe i thellë i situatës së shpalosur, karakteristikat dhe shtrirja e veprimeve përmirësuese që duhen të ndërmerren. Kjo kërkon disponueshmëri të një informacioni të saktë e të besueshëm, role dhe përgjegjësi të qarta të strukturave që ndërhyjnë dhe një koordinim të mirëprojektuar, si dhe mekanizma efektivë raportimi për masat e marra.

Për të kuptuar më mirë funksionimin e përgjigjes së menjëhershme ndaj pasojave të krizës, na shërben tabela e mësipërme. SAI duhet të vlerësojë rreziqet për qytetarët në lidhje me strategjitë e daljes nga kriza apo të zbutjes së pasojave të krizës. Këtë vlerësim po e kryejmë me seriozitet dhe përgjegjësi edhe ne si KLSH. Detyrë e re auditimi është vlerësimi i shitjes së aseteve publike në kohë krize apo kur ekonomia vuan pasojat e krizës. Mekanizmi i auditimit mbi strategjitë e daljes apo zbutjes së pasojave të krizës kërkon raporte shumë cilësore të performancës dhe aftësi të veçanta. SAI duhet të ofrojë përvoja dhe mësime për institucionet publike që auditon, duke theksuar rolin e tij këshillues dhe parandalues, sikurse e kam përmendur në një shkrim të mëparshëm. Ai duhet të përgatitet për sfidat e ardhshme. Dua të siguroj të gjithë qytetarët se KLSH është plotësisht e gatshme ta marrë përsipër këtë rol dhe përgjegjësi të re, për rritjen efektive të përgjegjshmërisë institucionale në Shqipëri.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi