Çfarë çalon në ligjin “Për nëpunësin civil”

Nga Niazi Jaho, konstitucionalist, botuar në Dita, 22 shtator 2013

Ky ligj u miratua në 30 maj 2013 dhe hyn në fuqi në 1 tetor 2013. Ligji “Për nëpunësin civil” mendoj se është i një rëndësie të veçantë. Ai mund të renditej mbas Kodit Zgjedhor. Ky ligj synon të krijojë një shërbim civil të qëndrueshëm, profesional, të bazuar në meritë, integritet moral dhe paanësi politike, të rregullojë marrëdhëniet juridike ndërmjet shtetit dhe nëpunësit civil. Në këtë ligj përcaktohen gjithashtu rregullat për administrimin e shërbimit civil.

Para disa ditëve u njoha më këtë ligj. Mu desh ta rilexoja jo njëherë, sepse përmbante gjëra të reja, pjesërisht ët detajuara, por edhe pjesërisht të komplikuara. Kjo mund të jetë përshtypja ime subjektive e kushtëzuar ndoshta nga fakti sepse kur ai ishte në fazën e projektit, diskutimi dhe debati nuk ka qenë gjithëpërfshirës. Është e vërtetë se ai u miratua me konsensus të gjerë, por në rrethana disi emergjente.

Por pavarësisht nga kjo, nuk më lejohet ta paragjykoj, aq më tepër edhe për faktin se në këtë fushë angazhimi dhe përvoja ime ka qenë dhe mbetet relativisht e kufizuar.

Miratimi i këtij ligji shfuqizoi ligjin nr. 8549 datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”. Brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, për afro 30 dispozita, Këshillit të Ministrave do t’i duhet të nxjerrë aktet përkatëse nënligjore.

Qoftë edhe vetëm ky fakt, tregon sa punë të vëmendshme dhe serioze kërkon fillimisht njohja e tij e gjithanshme, konceptimi i drejtë i çdo dispozite, gjë që do të mundësonte zbatimin rigoroz të tij. Në të kundërtën, në këtë apo atë masë, mund të cenoheshin të drejtat e shtetasve, por edhe funksionimi normal i administratës publike.

Paraprakisht, edhe pse ligji ende nuk ka hyrë në fuqi, e pashë të nevojshme të shpreh opinionin tim vetëm për çështjet e mëposhtme:

1) Për nenin 37 që titullohet: “Të drejtat politike”. Në pikën e parë të pjesës së dytë të këtij neni, thuhet: “Nëpunësi civil nuk duhet të shprehë publikisht bindjet apo preferencat e tij politike”. Shprehja “nuk duhet” nënkupton zbatimin e detyrueshëm të kësaj kërkese dhe mundësinë e masave përkatëse disiplinore.

Ligjbërësi pranon dhe sanksionon të drejtën e nëpunësit civil për të marrë pjesë “në veprimtari politike jashtë orarit zyrtar”. Ai lejon dhe sanksionon të drejtën (me përjashtim të nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues) për të qenë “anëtarë të partive politike”. Po të drejtën për të shprehur publikisht bindjet apo preferencat politike (sigurisht brenda institucionit) përse ua ndalon? Ç’masa disiplinore mund të merreshin psh., ndaj nëpunësit civil që në këtë apo atë rast do të shprehej para 3-4 nëpunësve të zyrës së tij se kishte pikëpamje të djathta apo të majta, se ai preferonte këtë apo atë qëndrim të mbajtur nga kjo apo ajo forcë politike?

Kam mendimin se pikëpamjet apo bindjet politike nuk rregullohen dhe nuk imponohen me ligj. Për nëpunësin civil e detyrueshme është të veprojë në përputhje me kushtetutën dhe ligjin, të zbatojë urdhrat e marra nga eprorët, të mbrojë të drejtat dhe liritë e njeriut, t’i shërbejë interesit publik etj.

Do të sugjeroja që kjo pjesë e dispozitës që përmenda më lart mund të rishikohej, sepse në aspektin kushtetues mendoj se është e diskutueshme. Në këtë drejtim, kam parasysh nenet 22, pika 1 dhe neni 18 pika 2 të Kushtetutës sonë si dhe nenet 10 pika 1 dhe 14 të Konventës Europiane të të drejtave të njeriut, ku praktikisht bëhet fjalë për garantimin e lirisë së shprehjes dhe ndalimin e diskriminimit pa dallim bindjesh të opinioneve poltike ose çdo opinioni tjetër.

2) Në pikën 3 të nenit 43 të ligjit të titulluar “Detyrimi i përgjegjshmërisë dhe refuzimit  të urdhrave të paligjshme” thuhet: “Nëse nëpunësi civil ka dyshim për paligjshmërinë e urdhrit të eprorit, ai nuk e zbaton urdhrin dhe kërkon konfirmimin e tij me shkrim”.

Përmbajtja e këtij neni duket se nuk përbën ndonjë shqetësim. E, megjithëkëtë, saktësimi dhe qartësimi i drejtë dhe pa ekuivoke i ligjit mendoj se është i nevojshëm. Vetëm me shprehjen “dyshimi” mund t’i lihet shteg dozave të shumta të subjektivizmit që mund të kushtëzohen nga shumë faktorë. Në këtë vështrim kam mendimin se dyshimi duhet të jetë i bazuar, i motivuar. Nëse kjo nuk kërkohet në këtë apo atë rast, pasojat mund të ishin të dëmshme.

Në pikën 4 të nenit të mësipërm, thuhet: “Nëpunësi civil ka detyrimin të zbatojë urdhrin me shkrim, sipas pikës 3 të këtij neni, me përjashtim të rastit kur zbatimi i tij përbën vepër penale”.

Praktika ka vërtetuar se urdhri me shkrim mund të vlerësohet haptazi i kundërligjshëm dhe të mos përbëjë vepër penale. Prandaj, mendoj se në të dyja rastet urdhri me shkrim nuk duhet të zbatohet. Kuptohet, në të dyja rastet, refuzimi për moszbatimin duhet të motivohet, të arsyetohet.

3) Sipas nenit 12, pika 1 të ligjit, komisionari zgjidhet nga Kuvendi per nje mandat 5-vjeçar me te drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

Duke patur parasysh se ai do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e ligjshmërisë në administrimin e shërbimit civil (Pika 1 e nenit 11) se kompetencat e tij janë të shumta dhe mjaft të rëndësishme  (nenet 14 dhe 15 të ligjit). Zgjedhja e tij nga Kuvendi është plotësisht e drejtë dhe e justifikueshme.

Por zgjedhja e tij, siç është formuluar në ligj, mund të vendoset edhe me votat pro të 36 deputetëve (kemi parasysh nenin 78 të Kushtetutës, ku thuhet: Kuvendi vendos me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar).

Pikërisht, për këtë arsye, mendoj se do të ishte më e drejtë që komisionari të zgjidhej nga shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, siç zgjidhet edhe komisionari për mbrojtjen nga diskriminimi (shih nenin 23, pika 1 të ligjit Nr. 10221, datë 4.02.2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”).

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi