Punësimet politike heqin shpresën për administratë profesionale

Nga Ornela Liperi, botuar në Reporter.al, 5 mars 2016

13736

Rolf Castro-Vasquez, drejtues i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës dhe president i Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA), ka një shpjegim se pse niveli i investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Shqipëri është i pakënaqshëm. Nga eksperienca e tij disavjeçare në Shqipëri, ai vëren se punonjësit e administratës publike në zyrën që duhet të punojë për nxitjen e investimeve të huaja, janë ndërruar shumë herë gjatë kohës që ai ka pasur të bëjë me të.

“Në Shqipëri, burimet njerëzore që merren me çështjet e Investimeve të Huaja Direkte ndryshojnë shpesh. Në Maqedoni, kjo nuk ndodh,” tha ai për BIRN. “Nëse administrata ndryshon, do të duhet ta nisësh çdo gjë nga e para. Duhet të krijoni struktura të përhershme. Dhe kjo histori përsëritet vazhdimisht”, thotë ai.

Maqedonia nuk është shembulli më i mirë për shumë gjëra, por qëndrueshmëria e administratës së zyrës për nxitjen e investimeve të huaja duket se ka dhënë frute pozitive. Prej disa vitesh në Shqipëri po mungojnë hyrjet e sipërmarrjeve të njohura ndërkombëtare. Johnson Control, gjiganti amerikan i prodhimit të pjesëve të automjeteve, Lear Corporation, prodhuesi i sediljeve të makinave e sistemeve elektrike, CapCon, kompania amerikane prodhimit të ‘airbag’ për makinat, të treja kanë tentuar të hynë në Shqipëri, por më pas kanë zgjedhur Maqedoninë. Janë që të gjitha investime shumë të rëndësishme për vendet si ne, pasi këto biznese kërkojnë punëtorë relativisht të kualifikuar dhe ofrojnë paga relativisht të larta. Shqipëria ka një histori të ndryshme. Këtu, investimet e huaja janë përqendruar në pjesën dërrmuese të shfrytëzimin e burimeve natyrore, aktivitete ku kërkesa për kapital është e lartë dhe kërkesa për punëtorë është shumë e ulët.

Ornela-Liperi-128x128Shqipëria ka një agjenci për zhvillimin e investimeve, e cila, përgjatë pak viteve të fundit, ka ndërruar katër drejtorë nën dy qeveri.

Genti Beqiri, drejtori aktual i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) pohon se prej një viti e gjysmë është ndërruar drejtuesi, por stafi tjetër ka qenë i qëndrueshëm, gjykohet në bazë të performancës dhe është pjesë e shërbimit civil. Lëvizjet para disa vitesh ai i argumenton me faktin se ka pasur persona që kanë qenë të angazhuar në politikë dhe ka qenë zgjedhja e tyre që të largohen.

Në Shqipëri, zyrtarisht shërbimi civil i nënshtrohet ligjeve, të cilat, përgjatë 25 viteve të fundit kanë tentuar ta transformojnë administratën publike nga një institucion i lidhur ngushtë me partinë, siç qe në kohën e komunizmit, në një institucion në shërbim të qytetarëve jashtë varësisë politike.

Por praktikisht është një sekret i njohur nga të gjithë se një pjesë thelbësore e administratës publike ndryshohet bashkë me ndryshimin e qeverive.

Ligjet që janë hartuar me synimin e krijimit të një administrate publike jopolitike kanë qenë të shumta dhe manovrat e përdorura nga qeveritë e ndryshme kanë qenë po aq të larmishme.

Përpjekja e parë për krijimin e një sistemi meritokracie në administratën publike u bë me një ligj “Për Shërbimin Civil” vitin 1996. Ligji bënte thirrje për krijimin e një korpusi zyrtarësh të lartë që duhej të merrnin Statusin e Nëpunësit Civil, status që garanton mbrojtje më të lartë nga pushimet nga puna se sa Kodi i Punës. Dy vjet më vonë, një qeveri e re kreu modifikime në këtë ligj për të krijuar më shumë hapësirë për të refuzuar statusin e nëpunësit civil për ata që kishin punuar nga administrata e qeverisë së mëparshme.

Në vitin 1999, një ligj i ri synoi ta forcojë Statusin e Nëpunësit Civil. Parimi i ligjeve të tilla është krijimi i një korpusi nëpunësish civilë, të cilët, pasi kanë bërë karrierë si punonjës të punësuar me kontrata të bazuara te Kodi i Punës, marrin statusin e nëpunësit civil, status që i mbron më shumë se sa mbrojtjet e ofruara nga Kodi i Punës.

Gjithsesi, qeveria pasardhëse, kur mori pushtetin në vitin 2005, arriti ta anashkalojë ligjin, fillimisht me pushime të drejtpërdrejta nga puna, për të cilat, të pushuarit fituan kompensime nëpër gjykata dhe më pas, përmes praktikës së ndryshimit të strukturës administrative të shtetit, nga emrat dhe funksionet e ministrive qendrore deri te emrat dhe funksionet e institucioneve të tjera.

Raporti i Progresit të Bashkimit Europian për Shqipërinë i vitit 2007, ndonëse vërente përmirësime në administratën publike, dallonte gjithashtu se emërimet politike vijonin: “Emërimet politike në pozicionet e larta dhe të mesme vijojnë, shpesh pa vëmendjen e duhur ndaj Ligjir për Shërbimin Civil. Aktet administrative vijojnë të firmosen nga zëvendësues të përkohshëm të cilët nuk janë emëruar zyrtarisht,” thuhet në raport.

Praktika, e cila në vitet që pasuan u kthye në normalitet. Sapo ndryshohet kreu i një institucioni, aq herë ndryshon edhe organika e institucionit, ndryshim që i krijon mundësitë drejtuesit të ri të spastrojë administratën paraardhëse dhe të emërojë një administratë të re.

Teorikisht, kur ndryshohet organika, institucioni ka për detyrë që të alokojë fillimisht punonjësit që sakaq i ka të punësuar në organikën e re. Por praktikisht, vetë ndryshimi i organikës synon pikërisht shkarkimin e punonjësve.

Të dhëna anektodike sugjerojnë se përveç ndryshimit të organikës, qeveritë përdorin edhe mekanizmin e “lëvizjeve paralele” si mënyrë për të mërzitur punonjësit deri sa ata të japin dorëheqjen. Në raste të ndryshme, punonjësit transferohen nga një degë e një institucioni në një degë tjetër, shpesh jashtë qendrës së tyre të banimit, duke e bërë efektivisht të pamundur vijimin e punës në institucion.

Ligje të vështira për t’u zbatuar

Ligji i vitit 1999 Për Statusin e Nëpunësit Civil ndryshoi mbi dhjetë herë me ndërhyrje të ndryshme deri në vitin 2013, kur u miratua një ligj i ri, i cili synonte ta bënte edhe më të vështirë juridikisht shkarkimin dhe emërimin e punonjësve në administratën e lartë publike për arsye politike. (Nr. 152/2013) Ligji i ri u miratua me kompromis mes dy partive të mëdha në maj 2013 dhe me asistencën e Bashkimit Europian. Por menjëherë pas miratimit, një betejë dyvjeçare politike u zhvillua mbi zbatimin e ligjit. Fillimisht, qeveria e re, e cila mori pushtetin në shtator 2013, kërkoi shtyrjen me gjashtë muaj datën e fillimit të zbatimit të ligjit përmes një Akti Normativ. Partia Demokratike, tashmë në opozitë, u ankua se moszbatimi i ligjit po bëhej për të krijuar kushtet për pushime nga puna. Situata u bë kaotike, për shkak se ligji i mëparshëm qe shfuqizuar ndërsa ligji i ri nuk kishte hyrë në fuqi.

Akoma pa u mbushur dy vjet nga hyrja në fuqi, ligji i ri u ndryshua dy herë. Ai hyri në fuqi përfundimisht më 28 shkurt 2014. Por në dhjetor 2014, ligji ndryshoi sërish dhe në këtë ndryshim, qeveria i krijoi kushtet vetes të emëronte punonjës shteti pa konkurs me modelin e “emërimit të përkohshëm, si dhe të kryente “transferime” dy metodat e përdorura historikisht në Shqipëri për shkarkime dhe emërime nga puna për qëllime politike.

Raporti i Progresit të Bashkimit Europian për vitin 2015 vërejti: “Amendimet e ligjit, të miratuara në dhjetor, gjithsesi, hapin mundësinë për rekrutimin e posteve menaxheriale të ulëta dhe të mesme jashtë shërbimit civil, dhe e bëjnë pushimin nga puna më fleksibël”.

Partia Demokratike në opozitë është ankuar gjatë kësaj kohe se nga administrata publike janë shkarkuar pa të drejtë mijëra punonjës.

Gjithsesi, ligji i vitit 2013 synon të garantojë zbatimin përmes krijimit të një komisioneri përgjegjës për mbikëqyrjen e procedurave të punësimeve, transferimeve dhe shkarkimeve, komision që ka për detyrë të raportojë në Kuvendin e Shqipërisë gjetjet e veta një herë në vit. Komisioneri i parë për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Pranvera Strakosha u emërua në tetor 2014.

Në shkurt 2016, ajo dorëzoi raportin e parë vjetor të mbikëqyrjes së kryer. Në raport vërehet se nga verifikimi i rreth 1600 rasteve të punësimit në bazë të ligjit paraardhës, 54 për qind kishin rezultuar të kryera me shkelje ligjore. (kliko këtu për të parë raportin). Komisioneri argumenton gjithashtu se situata është përmirësuar ndjeshëm me ligjin e ri, por ekspertët e komisionit Europian nuk e mendojnë kështu.

Qeveri e re, organigramë e re

Ndryshimet më të rëndësishme në korpusin e funksionarëve publikë, duket se bëhen përmes ndryshimeve në organigramë, të cilat pasojnë ndryshimet në emrat dhe funksionet e ministrive.

Shqipëria nuk ka kritere ligjore për organizimin e përgjithshëm të qeverisjes qendrore dhe qeveritë kanë diskrecion të plotë të ndryshojnë emrat apo funksionet e ministrive sipas dëshirës, ndërsa ministritë pasardhëse apo të reja, kanë gjithashtu diskrecion të plotë për të ndryshuar strukturat e institucioneve të varësisë.

Ndryshimet e organigramave të ministrive kryhen përmes urdhrave të kryeministrit ndërsa ndryshimet e institucioneve të varësisë së ministrive, kryhen përmes urdhrave të ministrave. Kryeministria dhe ministritë nuk japin shpjegime publike për arsyet se pse vendosin të ndryshojnë organigramat e tyre dhe vendimet e ndryshimeve zakonisht nuk publikohen.

Përgjatë dy dekadave të fundit, numri dhe emërtimet e ministrive të qeverisë shqiptare ka ndryshuar në mënyrë radikale, më së shumti për të akomoduar balancat e forcës së grupimeve të ndryshme politike brenda një maxhorance se sa për të akomoduar nevojat e vendit për qeverisje. Në disa raste, ministritë janë krijuar pa funksione reale, pa portofol funksionesh apo vetëm si një zyrë me një ministër. Kulmi u shënua në vitin 2001, kur numri i ministrive u rrit në 22, përfshirë pesë institucione të njohura si Ministra Shteti. Qeveria aktuale ndryshoi emërtimet e shumicës së ministrive si dhe krijoi ministri të reja, kryesisht për të akomoduar një numër aktorësh politikë. Shtimi i numrit të ministrive u shoqërua edhe me riorganizime tërësore të administratës së secilës ministri, riorganizime që nga ana e tyre, u shoqëruan me pushime dhe punësime nga puna. Qeveria aktuale ka 21 anëtarë, nga 16 ministra që kishte qeveria paraardhëse.

Ndryshim strukturash për ndryshim drejtuesish

BIRN i kërkoi Departamentit të Administratës Publike, përmes një Kërkese për të Drejtë Informimi, organigramat e mëparshme dhe organigramat e reja të ministrive kryesore për të mundësuar krahasimin mes tyre. DAP iu përgjigj kërkesës së BIRN duke ofruar një material voluminoz të të gjitha ministrive kryesore.

BIRN analizoi me hollësi disa nga organigramat për të zbuluar se shpesh, departamente të ndryshme janë bashkuar, ndarë apo ndryshuar në emërtim, ndryshime që janë shoqëruar gjithmonë me spastrime.

Ndryshimet më të mëdha në struktura nga qeveria aktuale u kryen me një valë urdhërash të firmosura nga kryeministri në 15 shtator 2014.

Krahasimi i strukturës së pas shtatorit 2014 me atë të mëparshmen zbulon se Në krahasim me organigramën e mëparshme, “Drejtoria e Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme” dhe “Drejtoria e Tregut të Brendshëm”, u bashkuan në një strukturë të vetme të titulluar “Drejtoria për Politikat Sektoriale”.  BIRN mësoi se një prej drejtorëve të drejtorive të shpërbëra u ul në detyrë dhe më pas dha dorëheqjen ndërsa një tjetër, u ul në detyrë. Posti i drejtorit të ri të “Politikave Sektoriale” u plotësua përmes një konkursi, i cili u fitua nga një kandidat pa eksperiencë të mëparshme në administratën publike.

E njëjta gjë ndodhi edhe me Drejtorinë e IPA (programi i koordinimit përtej kufijve), drejtuesi i të cilës dha dorëheqjen, pasi kjo strukturë u përfshi në Drejtorinë e Programimit të Asistencës së BE, ku një person i jashtëm u rekrutua sërish.

Ndërsa nga ana procedurale gjithçka është në rregull, persona me përvojë në negocime për procesin e integrimit në Bashkimin Europian u larguan, duke u zëvendësuar me drejtues, që gjithsesi do t’u duhej një farë kohe të kapnin ritmin, duke krijuar edhe pakënaqësi te negociatorët e Bashkimit Europian.

Në Ministrinë e Mjedisit, Idlir Gunbardhi, inxhinier hidro me përvojë mbi 15 vjeçare dhe drejtor i Ujërave në “Drejtorinë e Përgjithshme të Administrimit të Ujërave”, që e kishte krijuar nga e para këtë sektor, u vu në listë pritjeje në shtator të 2014-n, pasi ndryshimet në organikë e kaluan sektorin e tij në një tjetër drejtori të përgjithshme, me një emër të ndryshuar  “Drejtoria e burimeve ujore”. Gunbardhi tha për BIRN se pas shpalljes së konkursit në vend të tij erdhi një i ri, pa përvojë dhe pa arsimin përkatës. Aktualisht ai ka fituar shkallën e parë të gjyqit dhe është në pritje të zhvillimit të Apelit.

Nertila Qafzezi, Kryetare e “Shoqatës për mbrojtjen e të larguarve nga puna” tha për BIRN se dy vitet e fundit janë rreth 7000 të larguar nga administrata, pikërisht me argumentin e ndryshimit të organikës. Ajo tha se të dhënat janë mbledhur nga Shoqata, duke i verifikuar dhe i regjistruar një nga një. Largimet kulmuan në janar-shkurt 2014. “Ndryshimet e strukturës nuk ishin reale dhe nuk ishin të argumentuara me shkresa. Të gjitha rastet që janë larguar për shkak të ristrukturimit e kanë fituar shkallën e parë të apelit dhe janë në Gjykatën Administrative.”

Qafzezi është vetë një “viktimë” e ndryshimit të organikës, e larguar nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit në janar 2014. Ajo e ka fituar shkallën e parë të gjyqit dhe nga dita në ditë pret vendimin e Apelit. Argumenti me të cilin gjykata pranoi kërkesën e saj ishte “largimi i padrejtë nga puna pasi nuk është shfaqur në organikë”. Ndërsa largimet më të mëdha në administratë u bënë në janar-shkurt (duke shfrytëzuar faktin që ligji i ri për statusin e nëpunësit civil hynte në fuqi në fund të shkurtit) ndryshimet në organikë të ministrive u bënë zyrtarisht në shtator të po atij viti.

Një raport i Avokatit të Popullit thotë se në periudhën shtator 2013 – maj 205, ky institucion ka identifikuar 4,093 raste të pushimeve nga puna, nga të cilët, 1,021 vetë qenë pushuar pavarësisht se gëzonin statusin e nëpunësit civil. Shumica e tyre janë nëpër gjykata duke kërkuar dëmshpërblim monetar ose rikthim në punë.

Transferim pa dëshirë

Transferimi i punonjësve nga një vend në tjetrin rezulton të jetë përdorur shpesh si një mjet për të “detyruar” punonjësit të largohen vetë në institucionet e varësisë.

Skënder Malaj në prill të vitit 2014 u transferua nga spitali i burgut të Fushë Krujës, ku punonte si gardian në Drenovë të Korçës, me motivacionin e forcimit të kontrollit. Për urdhëruesit e transferimit duket se nuk kishte rëndësi fakti që posti i ri i punës gjendej mbi 200 kilometra larg vendit të mëparshëm.

Gjithsesi, për të mos humbur vendin e punës, Malaj pohon për BIRN se e pranoi këtë transferim, duke marrë një shtëpi me qira afër vendit të ri të punës. Në dhjetor 2014, ai pushohet nga puna, me arsyen se figuronte si debitor i energjisë elektrike. Ai nuk u rikthye më në punë edh pse provoi se debitor ishte një tjetër person me të njëjtin emër. Skënderi hodhi drejtorinë e burgjeve në gjyq dhe ka fituar 12 rroga në shkallën e parë dhe aktualisht është në procesin e apelit.

Drejtoria e Burgjeve nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për koment lidhur me transferimet e punonjësve.

Si Miti i Sizifit

Ndryshimet e shpeshta në administratën publike të lidhura me ndryshimet në qeveri, më shumë se sa thjeshtë administratë politike, kanë krijuar problemin e fshirjes së memories institucionale dhe praktikave administrative, duke shkaktuar probleme domethënëse në funksionimin e shtetit si dhe në zhvillimin e mëtejshëm të shërbimeve publike.

Shkarkimet nga puna që shoqërojnë ndryshimin e qeverive raportohet se janë kthyer edhe në makth për institucionet donatore dypalëshe apo ndërkombëtare, të cilat shpenzojnë miliona euro në vit për të trajnuar segmente të ndryshme të administratës publike.

Një ekspert me eksperiencë të gjatë në programet e asistencës për zonën e veriut, i tha BIRN në kushtet e anonimatit për shkak se nuk qe i autorizuar të komentonte publikisht, se puna e tij përgjatë dekadës së fundit i ngjante Mitit të Sizifit.

“Sapo trajnojmë disa punonjës për të kryer çfarëdolloj procedure administrative, ata pushohen nga puna dhe ne na duhet ta nisim nga e para,” tha ai.

“Ndryshimet e shpeshta në administratë reflektojnë pazotësinë e elitës politike për të pasur ide dhe alternativa zhvillimore dhe nxitimin e lobeve të biznesit dhe oligarkisë për të ndikuar jo vetëm në vendimmarrje (të cilën e bëjnë përmes parlamentit) por dhe në administrimin e pasurisë dhe fondeve dhe të drejtave ekskluzive të shtetit. Kjo shpjegon ineficencën jo vetëm të qeverisë dhe institucioneve në varësi të saj por edhe apatinë dhe mosfunksionimin e rregullave të tregut”, tha për BIRN, Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.

Indeksi i eficiencës së qeverisë, një tregues i matur nga Banka Botërore për 209 vende, e vlerëson Shqipërinë negativisht me -0.07 për vitin 2014. {indeksi varion nga -2.5, (I dobët) në 2.5 (I fortë) për performancën e qeverisjes dhe reflekton perceptimin për cilësinë e shërbimeve publike dhe shkallën e pavarësisë së saj nga presionet politike, cilësinë e hartimit dhe zbatimit të politikave dhe besueshmërinë e angazhimit të qeverisë ndaj politikave të tilla dhe hartohet mbi bazën e opinioneve nga sipërmarrje, individë e ekspertë}. Për Maqedoninë, ky tregues është pozitiv, në nivelin e 0.15.

Në rajon, me keq se Shqipëria janë Bosnjë Hercegovina, i cili prej vitesh vuan burokracitë e ndarjes në dy entitete dhe Kosova, një shtet relativisht i ri.

Hileja e datës 25 shkurt

Datat 24-25 shkurt të vitit 2014 kishin një handicap ligjor për faktin se ligji i vjetër i statusit për nëpunësit civil u shfuqizua dhe ligji i ri hynte në fuqi në datë 26. BIRN ka mësuar se këto ditë janë shfrytëzuar për të bërë punësime me bazë të kontratave në administratë. Vetëm në Dogana janë konstatuar nga një kontroll rreth 30 raste të tilla punësimi me kontratë, duke u justifikuar me nevojat urgjente për personel.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Doganave thanë për BIRN se largimet nga puna deri në datën 25 shkurt janë kryer me procedurë disiplinore nga Komiteti Disiplinor në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave të vitit 1999 “Për miratimin e dispozitave zbatuese të Kodit Doganor në Republikën e Shqipërisë”. Doganat nuk iu përgjigjën pyetjes  lidhur me numrin e largimeve dhe punësimeve në datën 25 shkurt, një ditë përpara se të hynte në fuqi ligji i ri për statusin e nëpunësin civil.

Ndërsa burime nga DAP thanë se në zbatim të ligjit nr. 152/2013, në momentin e fillimit të efekteve të këtij legjislacionit, DAP ishte përgjegjës vetëm për deklarimin e statusit të punësimit të nëpunësve që ligji i ri i gjeti në pozicione pune në datën 26 shkurt 2014.

Konkurse false

Edmond Lako, pas pesë vitesh si emigrant në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendosi të kthehej në Shqipëri me gjithë familjen. Me profesion ekonomist, tentoi të konkurronte për punë në Aministratën Publike. E motra e tij, Manjola u përpoq ta ndihmonte, duke ndjekur në faqen e internetit të Departamentit të Administratës Publike (DAP) të gjithë njoftimet për punësim dhe me hartimin e dokumentacionit të caktuar, sipas procedurave të përcaktuara në ligjin për nënpuësin civil. Por, pas një viti përpjekjesh, teksa mori pjesë në shumë konkurse, Edmondi hoqi dorë. Me keqardhje iu desh të pranonte realitetin për të cilin shumëkush e kishte paralajmëruar, se, pavarësisht ndjekjes së procedurave standarde, në dukje transparente, në pjesën më të madhe konkurset ishin të paracaktuara dhe në shtet ishte shumë e vështirë të gjeje një punë, nëse nuk kishe mik.

Edmondi, pasi mori pjesë në disa konkurse,  tregon se kuptoi “mekanizimin” se si funksiononin konkurset në administratë. Edhe pse konkurset ndjekin të gjitha procedurat e parashikuara me ligj (njoftimin për vendin vakant në media dhe faqen e DAP,  organizimi i testimit, verifikimi paraprak i rezultateve të testimit, propozimi i kandidatëve nga DAP në bazë të rezultateve të testimit dhe më pas vendimi përfundimtar i institucionit që kishte shpallur vendin e punës), në shumë raste fituesi ishte i paracaktuar, teksa ishte njoftuar që më parë nga institucioni, apo departamenti përkatës që kishte shpallur vendin bosh dhe ishte informuar paraprakisht për pyetjet, duke dalë mirë në testim.

Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito thotë se një gjë e tillë është absolutisht e pamundur të ndodhë. Testimet e pjesëmarrësve janë të sekretuara, konkurset zhvillohen nën mbikëqyrjen e kamerave dhe procedura është e monitoruar rreptësisht nga Komisioni Europian.

Burime zyrtare nga DAP thanë se korrigjimi i testimeve bëhet në pjesën më të madhe në mënyrë elektronike dhe anonimati i individëve ruhet plotësisht deri në nxjerrjen e rezultatit final. Të gjitha tezat e testimeve me shkrim janë të sekretuara (me barkode elektronike). Automatizimi i aplikacioneve ka përmirësuar ndjeshëm procedurën e konkurrimit.

Sërish rruga drejt krijimit të një administrate të pavarur politikisht dhe të orientuar nga punësimi në bazë merite duket se do të jetë e gjatë, teksa përvoja ndër vite ka treguar se do të përdoren të gjitha hapësirat dhe boshllëqet ligjore për ta anashkaluar atë. Gati një vit pas hyrjes në fuqi të statusit të ri të nënpunësit civil, raport progresi i Bashkimit Europian theksonte se “cilësia e procedurave të rekrutimit duhet të përmirësohet në mënyrë domethënëse, veçanërisht në institucionet e pavarura. Kuadri ligjor përjashton disa institucione dhe pozicione nga ligji i shërbimit civil. Shqipëria duhet të sigurojë një regjim punësimi të njëjtë mes institucioneve të administratës publike”.

Përgjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria është përpjekur të importojë ligje nga vendet e Bashkimit Europian nën sugjerimin se këto ligje do ta përgatisin vendin për një anëtarësim të mundshëm në BE, ndërkohë që eksperienca europiane në ndërtimin e shërbimit civil modern, supozohet se do të ndihmojnë në thithjen e investimeve të huaja dhe në rritjen ekonomike.

Historia e këtyre 20 viteve, sugjeron se partitë politike ia kanë dalë në të gjitha rastet të anashkalojnë zbatimin e ligjeve ose i kanë ndryshuar ato në mënyrë thelbësore me synimin e vetëm të vijimit të punësimeve politike.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi