Vendimi i formës së prerë s’është i formës së prerë

Florian Kalaja, botuar nē Panorama, 6 mars 2017

Procesi gjyqësor zhvillohet me qëllimin natyror dhe kushtetues për të zgjidhur përfundimisht mosmarrëveshjet dhe vendosjen para përgjegjësisë së kujtdo subjekti të së drejtës që shkel ligjin. Qëllimi i tyre në çdo rast është, që nëpërmjet një procedure publike, të ndershme dhe ligjore, të konkludojë në të vërtetën ligjore dhe mbi të shqiptohet ligji. I gjithë ky proces si produkt përfundimtar do të ketë vendimin gjyqësor. Ky produkt procesual përfaqëson ligjin në veprim dhe në përditësim. Modeli kushtetues i kompozimit të pushtetit gjyqësor ka konturuar tre nivele të procesit gjyqësor, konkretisht gjykatat e shkallës së parë, gjykatat e apelit dhe Gjykatën e Lartë.

Kjo mënyrë kompozimi ka paragjykuar që në gjenezë se drejtësia e shkallëve fillestare mund të mos mjaftojë për të pasur një vendim gjyqësor të aftë të zgjidhë në mënyrë përfundimtare dhe të përjetshme një konflikt gjyqësor, apo mund të mos mjaftojë për dhënien e një drejtësie kushtetutshmërisht të pranueshme. Kështu, Kushtetuta ka krijuar tre nivele të gjykatave, ku nëpërmjet pakënaqësive të çdo subjekti të gjykuar, të materializuara këto në mjete të ankimi, investohet çdo nivel gjykate më e lartë për të kontrolluar drejtësinë, zbatimin dhe përditësimin e ligjit të realizuar nga gjykatat më të ulëta. Ankimet natyrisht që janë të fundme dhe shterojnë në momentin kur pushteti gjyqësor ezaurohet.

Pikërisht në momentin kur mosmarrëveshja gjyqësore ka ezauruar dhe konsumuar pushtetin gjyqësor, vendimi i gjykatës është përfundimtar dhe i pandryshueshëm. Pikërisht ky vendim i fundëm i pushtetit gjyqësor, drejtësia e të cilit nuk mund të vihet në diskutim nga askush dhe nga asgjë, përbën institutin ligjor të gjësë së gjykuar apo ajo që njihet ndryshe si vendimi gjyqësor i formës së prerë. Vendimi i formës së prerë si koncept përdoret në nenin 30 të Kushtetutës, ku parashikohet se: “Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë”. Afërmendsh kuptohet se Kushtetuta ka përputhur vendimin gjyqësor të formës së prerë me konceptin e vendimit gjyqësor gjë të gjykuar.

Dimensioni kushtetues dhe konventor i vendimit gjyqësor të formës së prerë lidhet drejtpërdrejt me parimin e sigurisë juridike në gëzimin e të drejtave dhe lirive themelore të çdo subjekti të së drejtës, respektimi i të cilit kërkon qëndrueshmërinë e tij dhe pamundësinë e ribërjes përsëri objekt shqyrtimi gjyqësor. Por a e ka përkthyer në ligje legjislatori Shqiptar këtë koncept kushtetues? Fatkeqësisht jo. Për të kuptuar më mirë se si ligji Shqiptar e koncepton vendimin gjyqësor të formës së prerë, do të duhet të sillet në vëmendje tradita dhe historia ligjore e mëparshme.

Kështu si ligji procedural civil dhe penal, para kodeve që janë në fuqi aktualisht, me vendim të formës së prerë identifikonin vendimin e gjykatës së apelit, pasi gjykimi konceptohej dyshkallësh. Gjykata e Lartë aktivizonte juridiksionin rishikues vetëm nëpërmjet mjeteve të jashtëzakonshme të ankimit dhe se mbi vendimin gjyqësor të formës së prerë nuk kishte mjete të zakonshme ankimi. Me hartimin e ligjeve procedurale pas vitit 1990 (d.m.th. Kodi i Procedurës Penale 1995, Kodi i Procedurës Civile 1996 dhe Ligji Nr. 49/2012 për gjykimin administrativ, në vijim KPP, KPC dhe Ligji Nr. 49/2012), legjislatori, nën ndikimin e modelit kasacional Italian të ligjeve procedurale, të cilat shërbyen si modele në hartimin e ligjeve moderne Shqiptare, futi për herë të parë një mjet të zakonshëm ankimi që aktivizonte juridiksionin rishikues të Gjykatës së Lartë (në atë kohë Gjykata e Kasacionit), konkretisht rekursin.

Por zgjidhja nuk qe koherente me mënyrën se si u konceptua formësimi i vendimit gjyqësor të formës së prerë, pasi edhe në KPP, në KPC, në Ligjin Nr. 49.2012, vendimi gjyqësor i formës së prerë u përcaktua se do të jetë ai që do të japë gjykata e apelit, megjithëse ndaj vendimeve gjyqësore të formës së prerë u lejua rekurs në Gjykatën e Lartë. Pra, legjislatori i vitit 1995, 1996 dhe 2012 krijoi një diçka të paparë, një shpikje Shqiptare, një krijesë ligjore unike në Europë, që me pak fjalë nënkupton se vendimi gjyqë- sor i formës së prerë nuk është i formës së prerë. Në të njëjtën kohë ligjet procedurale Shqiptare krijuan një mjet juridik ankimi, sikur është rekursi, që më shumë sesa mjet i zakonshëm është mjet i jashtëzakonshëm ankimi, dhe më shumë sesa rekurs është rekurs në interes të ligjit, pasi godet ekskluzivisht vendime gjyqësore të formës së prerë.

Thënë thjesht kjo do të thotë se, edhe pse ke fituar gjyqin me një vendim gjyqësor të formës së prerë, ligjet procedurale lejojnë gjyqhumbësin ta ankimojë atë në Gjykatën e Lartë dhe kjo e fundit mundet ta prishë vendimin gjyqësor të formës së prerë dhe ta kthejë për rigjykim çështjen në shkallët e mëparshme, ta pushojë çështjen, apo edhe ta ndryshojë vendimin gjyqësor të formës së prerë që s’është i formës së prerë. Në vetvete modeli Shqiptar i formësimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë dhe rekursi mbi të përfaqësojnë një përzierje të dy modeleve ligjore që nuk mundet të bashkekzistojnë dhe që në të njëjtën kohë përjashtojnë njëri-tjetrin, si polet e njëjta magnetike.

Dhe kjo bashkekzistencë e imponuar me kokëfortësinë antikushtetuese të ligjit, ashtu sikurse është realizuar nga ligji, ashtu mund të zhbëhet ekskluzivisht vetëm nga ligji apo nga ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese, si i vetmi autoritet që mund të zhbëjë gjyqësisht ligje të gabuara. Në këtë kuptim vetëm këto do të ishin zgjidhjet kushtetuese eventuale. Njërën mundësi Republika jonë e ka humbur, pasi Gjykata Kushtetuese (në vijim GJK) dështoi dy herë për të zhbërë ligjet në këtë pjesë.

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, njëkohësisht, i kërkuan GJK të shfuqizohen dispozitat respektive në KPP dhe KPC, që shquajnë si vendime të formës së prerë vendimet e gjykatës së apelit, që nuk janë në të vërtetë vendime të formës së prerë. GJK nuk i kaloi për gjykim të dyja kërkesat, duke u shprehur se, mënyra se si ligji u jep formë të prerë vendimeve gjyqësore është vullnet i ligjvënësit dhe se kjo nuk mundet të vlerë- sohet si antikushtetuese. Por në fakt çdo ligj apo çdo dispozitë ligjore është vullnet i ligjvënësit, por kjo nuk mundet të jetë një argument për të imunizuar vullnetin e ligjvënësit nga kontrolli kushtetues. E kur kjo rrugë e zhbërjes së ligjeve antikushtetuese dështoi, e vetmja shpresë për Republikën mbeti Kuvendi. Fataliteti i një shteti të së drejtës është se sa herë GJK nuk bën detyrën duhet që të pritet të ndryshohet ligji.

Në këtë pritje të lodhshme më shumë se 20-vjeçare, zgjidhja u duk që erdhi nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë (në vijim KBGJL). Zgjidhja ishte po aq e papranueshme sa edhe vetë ligjet dhe moszgjidhja e dhënë nga GJK. Me Vendimin Unifikues Penal 2/2014 KBGJL sanksionoi se vendimi gjyqësor i formës së prerë do të thotë vetëm vendim i ekzekutueshëm dhe jo vendim gjë e gjykuar, në mënyrë krejt të pavarur nga sa ka konceptuar Kushtetuta në nenin 30 dhe nga sa pranohet përbotësisht nga doktrina, ligji dhe jurisprudenca në Europë dhe më gjerë. Kjo u arrit nëpërmjet interpretimit që shkëputi formën e prerë, si kuptimin procedural të gjësë së gjykuar, nga vendimi gjyqë- sor i detyrueshëm dhe përfundimtar, që përbën aspektin material të saj. Efektet surprizë të këtij konceptimi Shqiptar nuk do të ndalen vetëm në kufijtë e ligjit procedural penal. Natyrshëm ky vendim unifikues penal do të pasqyrohet me efekt domino edhe në ligjin procedural civil dhe administrativ.

Pas gjithë kësaj amullie të një legjislatori, që gaboi në mënyrë të përsëritur në vitin 1995, 1996 dhe 2012, të GJK, që dy herë radhazi shmanget proceduralisht me argumente të stisura për të mos dhënë zgjidhje, dhe të një Gjykate të Lartë, që merr përsipër të bëjë diçka që s’e bën dot dhe bën diçka që s’do ta bënte dot askush, shpresa për zgjidhje përndizet kur vjen fjala tek era e re e reformës në sistemin e drejtësisë. Tashmë në Kuvend po shqyrtohen propozimet për ndryshime në KPP, KPC dhe ligjin për gjykimin administrativ. Me keqardhje, pas njohjes me këto propozime, konstatoj se sërish vendimi gjyqë- sor i formës së prerë nuk është vendim gjyqë- sor i formës së prerë. Por këto propozime nuk janë votuar akoma dhe se ka ditë dhe ndoshta javë kohë derisa të arrijnë fazën e ngritjes së duarve në seancë plenare.

Për secilin prej deputetëve të Kuvendit dua të sjell në vëmendje se jemi i vetmi shtet në Europë që lejojmë ankim të zakonshëm ndaj një vendimi të formës së prerë, që sipas Kushtetutës dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) duhet të jetë njëkohësisht edhe gjë e gjykuar. Duhet të mbahet parasysh se sinjalin e parë Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut na e dha me çështjen “Rrapo vs. Shqipërisë”, u shpreh se është e papranueshme për KEDNJ, që ndaj vendimit të formës së prerë ligji të lejojë një mjet të zakonshëm ankimi. Sigurisht që shumë shpejt Shqipëria mundet të marrë sanksione financiare që do ta pamundësojnë buxhetin e shtetit dhe penalitete Europiane përballë Këshillit të Europës, si shtet që nuk garanton dot me ligj sigurinë juridike. Jo vetëm kaq, këto pjesë të gabuara të ligjit dhe kjo jurisprudencë e çuditshme Shqiptare, mundet të cenojnë edhe vokacionin mbarëpopullor të anëtarësimit në Bashkimin Europian (në vijim BE).

Kush shtet i BE do të mundet të njohë dhe ekzekutojë vendimet gjyqësore të formës së prerë që nuk janë të formës së prerë? Asnjë! Me keqardhje konstatoj se Shqipëria në këtë drejtim është e vonuar dhe se vonesën e ka shkaktuar mungesa e një “Eurekë” kaq të thjeshtë. Rregullimi ligjor që duhet të bëhet është sanksionimi në KPP, KPC dhe Ligjin Nr. 49/2012 se vendimi gjyqësor merr formë të prerë kur shterojnë mjetet e zakonshme të ankimit. Kështu do t’i jepet fund edhe dyjë- zimit të rekursit. Vlerësoj se është detyrim i legjislatorit të pasqyrojë në ligjet procedurale konceptin e përbotshëm të vendimit gjyqësor të formës së prerë dhe, tej obligimit ndërkombëtar, të plotësojë detyrimin kombëtar, sikur ka parashikuar neni 30 i Kushtetutës. Në këtë pikë të reformës në sistemin e drejtësisë detyra e Kuvendit është që vendimin gjyqësor të formës së prerë ta bëjë të formës së prerë.

 

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi