Mandati presidencial duhet të garantojë ekuilibrat politikë dhe institucionalë midis pushteteve

Nga Ervis Iljazaj, botuar në Mapo, 25 korrik 2017

Mandati presidencial i Bujar Nishanit ishte as më shumë dhe as më pak si mandatet e paraardhësve të tij, pa asnjë gjurmë thelbësore në jetën politike dhe institucionale të vendit.

Bujar Nishani do të mbahet mënd si një President më se normal, që nën trysninë e politikës siç ndodh shpesh në Shqipëri, nuk arriti dot të kalojë mbi të dhe të ndërtonte apo të ndikonte në jetën politike.

Një President partiak, që në shumë raste nuk arriti dot të ndërtonte një raport ekuilibrues me mazhorancën dhe opozitën, duke krijuar shpeshherë konflikte me njërën dhe tjetrën palë. Me shumë se sa për qëndrimet e tij politike, Bujar Nishani do të mbahet mend për dekoratat e shumta që ishin veprimtaria e tij e pëlqyer. Një President soft pra, edhe pse situatat politike gjatë mandatit të tij ishin goxha të nxehta dhe zëri i tij prej të parit të Kombit mungoi.

Dhe kjo jo për kompetencat apo rolin e tij brenda rendit kushtetues, pasi ato nuk mungonin nëse vërtet ishte kuraja dhe vullneti për t’i përdorur ato, por për personalitetin dhe peshën e tij politike pak të rëndësishme në politikën shqiptare.

Roli i Presidentit të Republikës brenda rendit politiko-kushtetues, merr formën dhe ndikimin që i jep personi që qëndron në krye të atij institucioni. Në republikat parlamentare, roli i tij është kryesisht një rol që garanton ekuilibrat politikë dhe institucional midis pushteteve të ndryshme. Sa herë që politika ndodhet në krizë, ashtu siç ndodh në shumë raste në Shqipëri, atëherë roli i Presidentit kthehet thelbësor. Nëse politika ndjek rrugën normale të ecurisë së saj, atëherë roli i tij është thjesht ceremonial.

Megjithatë edhe këto rol që ai mban në varësi të situatës politike dhe institucionale, varet nga personaliteti i tij. Tashmë që President do të jetë një personalitet i fortë politik si zoti Meta, me siguri kjo presidencë do të jetë ndryshe nga ato paraardhëset. Pothuajse mbas 20 vitesh, që nga koha kur President i Republikës ishte Sali Berisha, tashmë do të kemi përsëri një President të fortë. Nuk ka rëndësi nëse kompetencat e Presidentit me reformat kushtetuese janë ulur ndjeshëm, pasi personaliteti i Metës dhe ndikimi i tij në jetën politike shqiptare, me siguri do të bëjnë që ai të jetë i rëndësishëm më shumë se sa kompetencat e tij.

E rëndësishme është që këtë eksperiencë dhe ndikim politik, zoti Meta ta kthejë në shërbim të institucionit të ri që do të përfaqësojë, duke i dhënë rolin që i takon brenda rendit kushtetues dhe politik.

Është kurioze për t’u parë se si do të jenë marrëdhëniet e tij nga ky pozicion me rivalin e tij brenda të majtës, Edi Ramën, i cili tashmë zotëron i vetëm mazhorancë parlamentare, si dhe raportin e tij me Lëvizjen Socialiste për Integrim, ku në krye të saj tashmë ndodhet bashkëshortja e tij. Të dyja këto raporte kaq delikate kërkojnë një përgjegjësi dhe ndjeshmëri institucionale të lartë për të kryer detyrën kushtetuese që kërkon roli i Presidentit të Republikës.

Nëse kjo detyrë e re e Metës do ndikohet nga konfliktet e interesit politik, atëherë vendi do të kalojë në një konflikt pushtetesh, që do e çojnë atë në ngërçe institucionale dhe do të paralizojnë jetën politike, duke krijuar precedent të rrezikshëm për funksionimin e demokracisë dhe ndarjes të pushteteve në Shqipëri.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi