Princi i mirë Wied

Nga Gazmend A. Bakiu. botuar në Balkanweb, 10 mars 2014

Më 29 korrik 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër vendosi që Shqipëria të ishte principatë autonome, sovrane dhe e trashë-gueshme. Ajo nuk do të kishte asnjë varësi nga Turqia; do të ishte asnjanëse, nën garancinë dhe kontrollin e Fuqive të Mëdha. Në fronin e principatës së re do të vendosej një Princ, i cili do të caktohej brenda 6 muajsh. Pasi na përcaktuan statusin dhe territorin, Fuqitë e Mëdha iu vunë punës për të na gjetur Princin. Për këtë shqyrtuan disa kandidatura. Me propozimin e Austro-Hungarisë dhe të Italisë u vendos (nëntor 1913) që ai të ishte kapiteni gjerman Wilhelm von Wied, nipi i Mbretëreshës së Rumanisë Elisabet, të njohur me pseudonimin letrar Carmen Silva. Ajo që e bindi përfundimisht Wied-in të pranonte kurorën ishte gruaja e tij ambicioze, Princesha Sofie von Schonburg Valdenburg.
Në përzgjedhjen e Wied-it ndikuan dy faktorë kryesorë: Së pari, ai ishte gjerman dhe Gjermania nuk kishte interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri; së dyti, ai ishte protestant dhe nuk kishte asnjë nga fetë e shqiptarëve. Megjithatë, Princi ishte i krishterë dhe kjo s’ishte avantazh në Shqipërinë e vitit 1914.
Dërgata shqiptare
Ndërkohë, politika shqiptare kishte hyrë në konflikt të thellë, kryesisht prej rivalitetit të ashpër midis Ismail Qemalit dhe Esat Toptanit. Ky i fundit, në shtator 1913 dha dorëheqjen nga qeveria e Vlorës, dhe më 12 tetor 1913 formoi në Durrës Pleqësinë e Shqipërisë së mesme, duke mbledhur rreth vetes personalitete si Faik Konica, Dervish Hima, Mehdi Frashëri etj. Ismail Qemali hyri në bisedime të fshehta me major Beqir Grebenenë, i dërguar nga qeveria turke, e cila kishte qëllim sjelljen e një princi turk në fronin shqiptar. Madje, Ismail beu kishte pranuar në parim Izet pashën, si Princ të Shqipërisë, (Historia e Shqipërisë, Tiranë, 1965, vëll.II, f.407). Zbulimi i bisedimeve të fshehta nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit solli dënimin me vdekje të Beqir Grebenesë, dorë-heqjen e Ismail Qemalit më 22 janar 1914, largimin e tij të detyruar nga Shqipëria. Kështu, Esat Toptani mbeti personaliteti kryesor në vend dhe u vu në krye të dërgatës shqiptare, që do t’i ofronte simbolikisht kurorën Princit Wilhelm.
Përbërja e dërgatës ka qenë kjo: kryetar Esat pashë Toptani; për Durrësin: dom Nikollë Kaçorri, Milto Shallvari; për Vlorën: Xhemil bej Vlora, Spiro G. Koleka, Jusuf Hamzaraj; për Elbasanin: Shefqet bej Vërlaci, Lef Nosi, Ahmet Hastopalli; për Shkodrën: Ndoc Çoba; për Beratin: Sami bej Vrioni, Hysen bej Vrioni, Iljaz bej Vrioni; për Korçën: Adyl Ypi, Mihal Turtulli; për Gjirokastrën: Eqrem bej Libohova; për Tiranën e Shijakun: Eqrem bej Vlora; për krahinat e pushtuara nga sllavët: Hasan bej Prishtina, (E. bej Vlora, Kujtime, Tiranë, 2003, f.361). Ceremonia e ofrimit të kurorës u zhvillua më 21 shkurt 1914 në Neuwied të Gjermanisë, ku Princi Wied priti dërgatën shqiptare në kështjellën e tij.
Ardhja e Princit
100 vjet më parë, më 7 mars 1914, Princi Wied mbërriti në Durrës, i cili ishte zgjedhur paraprakisht kryeqyteti i Shqipërisë. Festimet zgjatën një javë. Ai kishte marrë me vete gruan, Princeshën Sofie, (ata ishin martuar më 30 nëntor 1906), dhe fëmijët, Princeshën Maria Eleonora dhe Princin Karol Viktori.
Dukej se gjithçka do të shkonte mirë për Princin, i cili e njihte shumë pak realitetin shqiptar, fanatizmin e fshatarësisë dhe intrigat e oborrit të sapokrijuar; ndërsa rivaliteti italo-austriak ishte një shpatë tjetër mbi kryet e monarkut. Me rekomandimin e Fuqive të Mëdha, Princi Wied emëroi kryeministër Turhan pashë Përmetin, i cili mbajti edhe portofolin e Punëve të Jashtme, ndërsa Esat pashë Toptani u emërua ministër i Punëve të Brendshme dhe i Luftës. Ministra të tjerë ishin: Hasan Prishtina (i Postë-Telegrafëve); Mihal Turtulli (i Arsimit); Preng Bibë Doda (i Punëve Botore); Gaqo Avramidhi (i Financave); Azis Vrioni (i Bujqësisë); Mufit Libohova (i Drejtësisë).
Pallati i Wied-it
Selia e prefektit (mytesarifit) turk të Durrësit, me rastin e ardhjes së Princit u restaurua dhe mobilua rishtas dhe u bë Pallati i Wied-it. Pallati ishte një ndërtesë guri të ngritur mbi muret rrethuese të kalasë, me një gjatësi ballore rreth 50 metra. Në të tria katet kishte 35 dhoma, të cilat dilnin në korridore të gjera. Kati i parë përmbante dhomat e ndenjes, studion e Princit dhe pranë saj dhomën e sekretarit, e cila ishte dhomë fjetjeje dhe zyrë njëkohësisht. Aty ishte “dhoma e Fronit”, me një ballkon që shihte në kopsht dhe ngjitur me të ishte një dhomë pritjeje, nëpërmjet së cilës mund të shkoje tek salloni i vogël i Princeshës. Më pas vinte dhoma e ngrënies, e madhe dhe e rehatshme. Gjysma tjetër e katit ishte e ndarë nga pjesa tjetër e Pallatit, sepse ishte e zënë nga dhomat e shërbëtorëve. Në katin e dytë ndodhej një sallon i madh, në të cilin Princi priti për orë të tëra, të gjitha dërgatat shqiptare, që i uruan mirëseardhjen më 7 mars 1914. Në pjesën tjetër të katit të dytë dhe në katin e tretë ishin dhomat e privacy-së së Familjes Princërore. Orenditë e Pallatit ishin sjellë të gjitha nga Gjermania; disa prej tyre ishin të vjetra, me vlerë, dhe me zbukurime të mrekullueshme. Përpara Pallatit Princëror ishte një kopsht shumë i bukur, që shtrihej deri në bregdet.
Pallati i Princit u plaçkit pas largimit të Wied-it dhe u shkatërrua përgjatë Luftës I Botërore; më vonë muret e mbetura u rrafshuan dhe vendi që zinte ai, sot është lulishte.
Rebelët
Më 17 maj 1914, plasi kryengritja e armatosur e rebelëve kundër Princit dhe shtetit të saponjohur shqiptar. Emërtimi i tyre ‘rebelë’ ka shprehur thelbin e asaj që përfaqësonin kryengritësit. Nxitja e rebelizmës u bë nga të gjithë ata që ishin kundër pavarësisë së Shqipërisë, së pari nga emisarë turq. Ata shfrytëzuan injorancën dhe fanatizmin e fshatarësisë, kryengritja e së cilës rrezikoi seriozisht zhdukjen e shtetit shqiptar. Ndërkohë, xhandarët holandezë nuk iu bindën një urdhri të ministrit Esat Toptani në maj 1914, dhe ai dha dorëheqjen, që fillimisht nuk u pranua, por pastaj pashain e detyruan të largohej nga Shqipëria. Kështu Wied-i humbi anëtarin më të fuqishëm të kabinetit, që mund t’i bënte ballë kryengritjes së rebelëve. Asnjëherë nuk u provua se Esat Toptani kishte tradhtuar Princin, por ai u hoq si rezultat i intrigave dhe i rivalitetit italo-austriak, meqenëse anonte nga italianët.
Shumë shpejt rebelët pushtuan Shijakun dhe Tiranën, (pastaj qytete të tjera), ku ulën flamurin kombëtar dhe ngritën flamurin osman. Më 3 qershor 1914, rebelët aprovuan programin e tyre. Në program kërkohej largimi i Princit Wied, rikthimi i Shqipërisë nën Turqinë ose sjellja e një princi turk në varësinë e Sulltanit, shpalljen e turqishtes gjuhë zyrtare, ose të paktën shkruajtjen e shqipes me shkronja arabe, heqjen e flamurit tonë kombëtar dhe zëvendësimin e tij me flamurin turk. Parulla më e përdorur nga rebelët ka qenë: “Duam Babën”; “Baba” – nënkuptonte Turqinë.
Pa dyshim që Princi Wied e menaxhoi keq situatën e krijuar. Më 23 maj 1914, rebelët sulmuan Durrësin. I këshilluar keq dhe i trembur, Princi u strehua atë natë, së bashku me familjen, në jahtin italian “Misurata”, gjë kjo që ia uli përtokë reputacionin. Forcat pro tij vetëm sa arritën të mbronin Durrësin, në beteja të përgjakshme. Kryeministri Turhan pashë Përmeti, në ‘tour’-in që ndërmori në Europë, nuk mundi të sigurojë as para dhe as trupa ushtarake nga Fuqitë e Mëdha, që po futeshin në përleshjen e Luftës I Botërore. Më 27 korrik 1914, kryetari i misionit holandez, gjenerali De Weer paraqiti dorëheqjen. Shpresa e fundit për mbijetesën e Wied-it mund të ishte ndihma e Austro-Hungarisë, e cila i kërkoi që ai t’i shpallte luftë Serbisë. Por, Princi nuk pranoi të thyente statusin e neutralitetit të përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve. Nën presionin e rebelëve, i mbetur pa para dhe pa përkrahjen e Fuqive të Mëdha, Princi Wied u largua nga Shqipëria, më 3 shtator 1914, pas 6 muajsh mbretërimi, por nuk abdikoi kurrë. Pjesëmarrja e tij në luftën e madhe në ushtrinë gjermane, bëri që ai të mos kishte asnjë shans për rikthimin në fron, pas mbarimit të luftës.
Vlerësimi për Princin
Kam dëgjuar nga ekspertë të ndryshëm, përsëritjen e fjalëve të Fan Nolit: “Princi mund të kritikohet vetëm se s’bëri dot mrekullira”. Mirëpo, Noli shprehej kështu, sepse s’donte të lëndonte ata që i quante “atdhetarët e padjallëzuar” të Amerikës (që jepnin donacione), të cilët e kishin për zemër Wied-in. Në një letër që ai i shkruante Faik Konicës më 1915, i kërkonte këtij të fundit, që të mos e sulmonte direkt por “tërthori” Wied-in në shtyp, për arsyen që thamë më lart, dhe jo sepse nuk e dinte se sa vlente Princi.
E vërteta është se Princi Wilhelm u tregua i paaftë për të drejtuar vendin, paçka se në thelb ishte një gjerman korrekt. Po ashtu, jashtë kohës dhe realitetit ishte edhe kryeministri i moshuar Turhan pashë Përmeti. Rrethana lehtësuese për dështimin e Princit ka: Edhe ne nuk ishim maturuar ende për vetëqeverisje, dhe nga ana tjetër, klanet dhe intrigat (vendase e të huaja) rreth Princit, bënë të vetën.
Në kujtimet e tij, Perandori i Gjermanisë, Wilhemi IV ka shkruar: “Unë mbeta fare i pakënaqur kur zgjedhja (për fronin shqiptar, shënimi im G.B.) ra mbi Princin Wilhelm von Wied. Unë e konsideroja atë një njeri të dalluar, kalorësiak, plot ndjenja të shkëlqyera, por e vlerësoja të papërshtatshëm për këtë post. Për mua, ka qenë veçanërisht e papëlqyeshme që një princ gjerman të shkonte e të bëhej qesharak atje poshtë…, (Empereur Guillame IV, Memoirs, p.1161).
Portretin më të mirë për Princin Wied na e ka dhënë sekretari i tij irlandez, Heaton Armstrong, në kujtimet e tij. Në përfundim, ai shkruan kështu për Wied-in: “Mbreti ishte njeri tolerant dhe zemërgjerë, por i dobët, dhe nuk mund të vendoste dot kurrë për ndonjë gjë. Njerëzit e dinin këtë dhe nuk e respektonin. Zemër-gjerësinë e tij e merrnin për dobësi, dhe kujdesin për frikë”, (H. Armstrong, Gjashtë muaj mbretëri 1914, Tiranë, 2001, f.194).

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi