Kushtetuta amerikane: dobësia e një modeli

Nga Sabino Cassese, Corriere della Sera, 6 nëndor 2020

Më 2 prill 1831 një gjykatës njëzetegjashtëvjeçar francez hipte në një anije në Le Havre, së bashku me një shok, në drejtim të New Yorkut, ku arritën mbas tridhjetetetë ditësh lundrimi. Bëhej fjalë për një udhëtim hulumtimi, formalisht mbi sistemin amerikan të vuajtjes së dënimit, në të vërtetë mbi demokracinë e re t’atij Vendi. Nga bisedat e leximet ai i ri fisnik, Alexis de Tocqueville, mbas katër vitesh botoi pjesën e parë të një libri të famshëm, ende sot një klasik, i emërtuar Mbi demokracinë n’Amerikë.

Deri atëherë, kultura evropiane e botërore kishte përlëvduar revolucionin anglez të 1688, si shëmbull demokracie. Tocqueville e ktheu shikimin e botës në drejtim të një tjetër shëmbulli, atij amerikan të viteve 1776 – 1789. Që atëherë bota ka parë me adhurim Kushtetutën amerikane të vitit 1787. Adhurimi është rritur me fuqizimin e zhvillimin e Shteteve të Bashkuara. Në kohën e udhëtimit të fisnikut francez ato kishin 13 milion banorë e dy milion skllevër. Sot ai Vend është 25 herë më i madh në popullsi, me një zhvillim e një fuqi të jashtzakonshme. Nëse ka patur ndonjë meritë presidenca Trump ka qënë ajo e vënies në dukje të dobësive t’atij modeli aq t’adhuruar para gjithë botës.

Kushtetuta amerikane ka 233 vite. Është më jetëgjata në botë. Gjatë gjithë këtyre viteve ka pësuar vetëm 27 ndreqje, edhe se janë propozuar më shumë se dhjetëmijë të tilla. Është edhe njëra ndër më vështirësisht të ndreqëshmet (të dy proçedurat e ndryshimit të parashikuar janë tepër të ndërlikuara dhe të pështjelluara). Kjo ka ushqyer idetë e çuditëshme të “origjinalistëve” (ishte gjykatësi kushtetues Antonin Skalia dhe është pasuesja e tij, gjyqtarja e sapoemëruar Amy Coney Barrett), simbas të cilëve gjyqtarët duhet të respektojnë gjithmonë vullnetin zanafillor t’atyre që shkruajtën një Kushtetutë të herëshme prej gati dy qinvjetorësh e gjysmë. Një model kaq i largët në kohë, me gjithë të tëra insinuatat e mprehta për të shmangur mbizotërimin e “tiranisë së shumicës”, të ndruajtur nga John Adams, James Madison dhe Alexis de Tocqueville, nuk është gjithmonë në gjëndje të mbajë peshën e moshës. Disa Kushtetuta bashkëkohore përmbajnë parime që gjermanët i përcaktojnë si të përjetshëm sepse të pandryshueshëm, por bëhet fjalë për parime të veçanta. Pasoja më e rëndë e pandryshueshmërisë thelbësore kushtetuese amerikane është ajo e çrregullimit të gjithë sistemit duke i dhënë një fuqi të pamasë Gjykatës së Lartë, i vetmi organ i aftë të përshtasë parimet kushtetuese realitetit të sotëm. Kështu Gjykata e Lartë bën ligjin. Nuk shpjegohet ndryshe fakti që edhe vdekja e një gjyqtari të saj merr rëndësinë e vdekjes së një mbreti.

Shënja e dytë e dobësisë së sistemit kushtetues qëndron n’atë që ka lejuar rritjen tej mase të pushtetit të presidentit. N’origjinë presidenti nuk kishte një rol kaq të rëndësishëm: në fillim të shekullit të shkuar, William Howard Taft e la me dëshirë postin për të dhënë mësim e më pas u bë Chief Justice; në fund të jetës së tij deklaroi se as nuk e mbante mënd që kishte qënë president. Presidenti amerikan është Komandant i përgjithshëm i forcave t’armatosura, kryetar i partisë që e ka kandiduar, kryetar i Shtetit dhe i qeverisë, mund t’i verë veton ligjeve, e me miratimin e Senatit emëron të gjithë gjykatësit federalë, përfshirë ata të Gjykatës së Lartë. Pesha e fituar nga Shtetet e Bashkuara në politikën botërore gjatë viteve 1900 ka shtuar edhe  më tepër rolin e pushtetet e presidentit. Historiani Arthur Schlesinger, që qe këshilltar e tre Kennedëve, e quajti “presidencë perandorake”. I ka bërë jehonë Bruce Ackerman (“Gjithë pushtetet e presidentit”, Bolonja, Il mulino, 2012) me një përimtim të këtij përqëndrimi të jashtzakonshëm pushtetesh.

Pika e tretë e dobët: presidenti amerikan flet n’emër të kombit, por nuk është i zgjedhur nga populli. Më tre nëndor zgjidhen zgjedhësit e njërit prej kandidatëve, të cilët,   për t’u zgjedhur duhet të sigurojnë shumicën e Shteteve, jo shumicën e votave popullore (në votimet e 2016 zonja Clinton pati pothuajse tre milionë vota më shumë se Trumpi dhe humbi) Kjo kundërshtueshmëri është shtuar nga shtysa skajore e një presidenti si Trump-i, që ka polarizuar të gjithë politikën e tij dhe ka arritur të kërcënojë se nuk do të njohë përfundimin zgjedhor.

E katërta: kryefjala amerikane është e pluribus unum (nga shumë një). Por nëse Shtetet janë të bashkuara në paktin e përbashkët, nuk është e bashkuar popullsia, po të mbajmë parasysh se 14 % (45 milionë afroamerikanë nuk kanë arritur njohjen e plotë të gjithë të drejtave të tyre. Ka të drejtë juristi i madh Guido Kalabresi kur pohon se Bashkimi Evropian (që për kryefjalë ka zgjedhur më urtësisht in varietate concordia, pra bashkësi në ndryshueshmëri) është më i bashkuar se Shtetet e Bashkuara t’Amerikës, aq herë të marra si shembull të zhvillimeve t’ardhëshme t’Evropës. Ai Vend që lëvdohet se është një melting pot (një poç) ka në brendësi të tij ndryshime që janë më të fuqishme se ato territoriale që kemi ne n’Evropë.

Një tjetër pikë e dobët ka të bëjë me Gjykatën e Lartë (dhe gjykatat e tjera federale) antarët e të cilave janë vënë në të njëjtën sërë të një mbreti apo të Papës, si titullarë të postit përjetë. Kjo nuk është vetëm një e keqe në vetvehte, sepse siguron këmbime shumë të ngadalta, por është burim edhe i një tjetër shtrembërimi sepse i lejon presidentit që rastësisht i takon t’emërojë më shumë se një gjykatës, të lerë gjurmët e politikës së tij shumë më gjatë se sa mandati i tij (i kufizuar në katër vite që mund të përsëriten vetëm një herë).

Si  përfundim, Kushtetuta që ka ravijëzuar një sistem politik të marrë si shembull nga e gjithë bota tregon të gjithë vitet e saj  dhe është pak shëmbullore. Trump-i nuk është një problem vetëm për Vendin e tij, por edhe për demokracinë.

“Corriere della Sera”

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi