Civici: PPP dështuan sepse u keqmenaxhuan

Sipas Top Channel, 18 janar 2019

Këtë të hënë, në Komisionin e Ekonomisë pati debate të shumta për disa çështje, mes tyre edhe pr.ligjin që heq mundësinë e “propozimeve të pakërkuara” për koncesione të partneritetit publik-privat. Opozita kërkon që kjo nismë të mos hyjë në fuqi më 1 korrik të këtij viti, por menjëherë. E kërkon madje një analizë transpartente për dëmet që kanë shkaktuar PPP-të, sipas saj, në arkën e financave të shtetit.

Për të folur për këtë çështje, i ftuari i gazetarit Denis Dyrnjaja në “Top Talk”-un e kësaj të hëne ishte eksperti i ekonomisë, Adrian Civici.

I pyetur nëse thjesht nuk funksionoi apo ishte e dëmshme për Shqipërinë skema e PPP-ve, Civici veçoi si problem mënyrën e menaxhimit.

“PPP-të në konceptin e tyre janë një praktikë e njohur ndërkombëtarisht, edhe në vendet e zhvilluara, apo ato në zhvillim, por problem kryesor në Shqipëri ishte ngërçi në funksionimin e saj, për shkak të abuzimeve, keqtrajtimeve, apo një mënyrë menaxhimi që linte shumë për të dëshiruar, sa i përket standardeve të cilësisë së tyre”, tha Adrian Civici.

Mes hapësirave të mundshme të ligjit, apo tendencave për t’i keqpërdorur PPP-të, për nga mënyra sesi u zbatuan në Shqipëri, Civici i cilësoi më shumë si një vullnet të qeverisë për t’i realizuar si PPP, pa i plotësuar me të gjithë arsenalin e domosdoshëm nga ana institucionale dhe funksionimit të tyre.

“Po të shohim dokumentin e Bankës Botërore për PPP-të dhe praktikat më të mira të vendeve që i kanë zhvilluar, çdo investim i kësaj forme përveçse duhet të bëjë pjesë në prioritetet strategjike të një vendi dhe në shërbimet e domosdoshme publike, që nuk i realizon dot nëpërmjet buxhetit apo përmes investimeve të huaja direkte, përtej kësaj ne nuk arritëm të krijonim as bazën e plotë ligjore, as institucionet që do t’i mbikëqyrin, verifikojnë dhe vlerësojnë; as një sërë indikatorësh financiarë dhe transparence për mënyrën e financimit dhe kostot e tyre”, tha Civici.

Civici i quajti ato më shumë si diçka partizane, një lloj vullneti qeveritar për t’i bërë me patjetër këto investime, por që u munguan 3 elementët që i bëjnë PPP-të transparente, të qarta për eficencën e tyre dhe me kosto më të pranueshme.

Eksperti i ekonomisë nënvizoi sërish se ato janë të aplikueshme gjerësisht, që fillimet e tyre i kanë në SHBA-të e viteve ’60-’70, për dy qëllime kryesore: për të rinovuar të gjithë infrastrukturën publike që s’mund të bëhej me fondet federale, e së dyti për të futur në sektorin publik dhe shërbimet publike metodat dhe eficencën e sektorit privat.

“Në formën që ne po i zbatojmë sot, e patën suksesin dhe zgjerimin më të madh në kohën e qeverisë laburiste të Tony Blairit në Britaninë e viteve ’90-2000. Pas këtyre viteve ka pasur një rritje si në vendet e Europës Lindore, ashtu dhe ato të Bashkimit Europian”, tha Civici.

Abuzimi me PPP-të, sipas tij ka pasur polemika politike edhe në vendet e tjera, pasi janë nga projektet më të diskutueshme.

“Ashtu siç vlerësohen për eficencën apo shërbimet që kryen, po ashtu kanë një sërë pikëpyetjesh mbi mënyrën e menaxhimit dhe trajtimit të tyre. Por, sa më pak i zhvilluar të jetë një vend, aq më problematike bëhen PPP-të, mbi të gjitha për kostot. Në shumicën e rasteve ato u shpëtojnë tenderimeve apo garës konkurruese për sa i përket ofertës më të mirë. Pra fillojnë të bëhen pjesë e një klientelizmi qeveritar, në emër të një nevoje që ka zhvillimi i vendit për financimin e diçkaje”, u shpreh Civici.

Por a janë PPP-të një xhep i fshehtë për të rritur borxhin publik?

“Jo vetëm xhep i fshehtë, por edhe i hapur do të thoja, sepse investohen në disa forma. Në rastin kur i tërë investimi merret përsipër nga buxheti i shtetit dhe privati nuk ka asnjë lloj përgjegjësie apo angazhimi financiar, ai është një borxh i drejtpërdrejtë ose i fshehur që do të detyrohet të shlyhet në vitet në vijim. Ka edhe një version tjetër, pak të aplikuar nga ne, që ngjajnë me natyrën e koncesioneve, ku shteti të jep të drejtën për një investim për të ofruar një shërbim të caktuar, në infrastukturë, shëndetësi apo arsim, por të ardhurat do t’i marrësh në funksion të pagesës që do të bëjnë përdoruesit e këtij shërbimi”, tha Civici, me shtetin që sipas tij ofrohet thjesht si plotësues ose garantues për një nivel minimal të ardhurash.

Sipas tij, kjo lloj forme shkon më shumë në favor të xhepave të qytetarëve, ose atyre që përdorin shërbimin me PPP, por lehtëson edhe buxhetin e shtetit.

“Shqetësimi më i madh i FMN-së, BB-së dhe partnerëve tanë ka qenë mosjoshja nga drita verbuese e PPP-ve, pasi në plan të parë duket sikur po shtohen investimet, sepse në fakt, dalëngadalë ato bëhen peshë në borxhin publik”, tha Civici.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi