Disa leksione nga politikat për shpëtimin e ekonomisë

Në kuadër të një projekti të mbështetur nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur, po kryhet një vlerësim paraprak mbi efikasitetin e politikave të ndërhyrjeve buxhetore në parandalimin e një rrënimi të thellë ekonomik e social, që mund të shkaktonte mbyllja e aktiviteteve ekonomike si pasojë e COVID-19. Në këtë shkrim po ndajmë me publikun disa nga gjetjet paraprake të analizave që kemi kryer.

Së pari, duhet theksuar se ky episod nuk përbën një krizë ekonomike, por një krizë ekzistenciale të shoqërisë, e cila i shtriu pasojat e saj edhe në ekonomi. Ndikimi i kësaj pandemie është mjaft i fortë, me një efekt të vlerësuar me një rënie me rreth 5% të prodhimit global. Kjo përkthehet në një humbje të prodhimit botëror në rreth 3 miliardë euro, përafërsisht sa GDP e Indisë, ekonomisë së pestë më të madhe të botës. Për më tepër, pasojat do të jenë afatgjata dhe një rikuperim i prodhimit do të kërkojë një periudhë të gjatë, edhe pse norma pozitive të rritjes priten që nga viti ardhshëm.

Përballë një ndikimi kaq të fortë ekonomik, i cili sjell pasoja serioze për tregun e punës dhe indikatorët e tjerë socialë, ndërhyrjet e forta buxhetore ishin një domosdoshmëri absolute. Përndryshe, kostot ekonomike dhe sociale të krizës do të ishin të paimagjinueshme. Kjo shpjegon se përse vendet hoqën dorë nga rregullat e kujdesit fiskal në menaxhimin e financave publike, si dhe deroguan nga kuadri ligjor lidhur me konkurrencën dhe ndihmën shtetërore, prokurimet publike etj. Më shumë se 11 trilionë dollarë u angazhuan në këtë betejë globale, një shifër që shkon në rreth 13% të GDP-së botërore.

Një angazhim kaq masiv i parave të publikut brenda një kohe kaq të shkurtër, ngre disa shqetësime në lidhje me efikasitetin e përdorimit të tyre. Sigurisht që, në mungesë të një ndërhyrjeje publike të tillë, rezultatet do të ishin katastrofike. Por nga ana tjetër, mënyra se si janë strukturuar programet e mbështetjes, kondicionalitetet me të cilat ato janë shoqëruar, kanë pasoja të dukshme në efikasitetin me të cilin janë shpenzuar këto fonde. Shpeshherë, mençuria e politikave përkthehet në “të bësh më shumë me më pak”, pra të arrish rezultate të mira me pak para.

Duke analizuar të dyja paketat e mbështetjes të zbatuara nga qeveria shqiptare dhe duke i vendosur ato brenda një kuadri të konsideratave që rrisin eficiencën, një sistem reference ndërtuar nga një grup ekspertësh të Bankës Botërore, rezultojnë këto gjetje:

1.Totali i mbështetjes financiare me mjetet buxhetore nga qeveria shqiptare për ekonominë deri tani është rreth 390 milionë euro. Me këto të dhëna mund të thuhet se shkalla e ndërhyrjes së qeverisë për mbrojtjen e ekonomisë ka qenë shumë modeste. Për më tepër, rënia ekonomike e Shqipërisë pritet të jetë ndër më të lartat në rajon (pas Malit të Zi), ndërkohë që paketat e ndihmës kanë qenë në nivelet më të ulëta se shumë prej tyre. Nga shuma totale e mbështetjes, më shumë se gjysma (rreth 210 milionë euro) janë fonde të rikthyeshme në buxhet, pasi janë thjesht garanci për kredi dhe ato rikthehen në buxhetin e shtetit brenda periudhës 2-vjeçare, kur subjektet përfituese do të shlyejnë detyrimet kreditore ndaj huadhënësit. Kjo do të thotë se, edhe nëse kjo shumë mund të dyfishohet, ndikimi i saj në borxhin publik – në një periudhë dy-trevjeçare – do të jetë pothuajse zero sepse këto fonde janë të rikthyeshme.

2. Totali i mbështetjes së huaj (mbi 400 milionë euro deri tani) i tejkalon angazhimet dhe fondet e alokuara deri tani për adresimin e emergjencës së pandemisë (në fushën ekonomike dhe sociale, pa përfshirë sektorin shëndetësor). Kjo nënkupton se rritja e huamarrjes/deficitit buxhetor nuk duhet të tejkalojë më shumë se masën e të ardhurave të munguara. Në këto kushte, çdo rritje e huamarrjes mbi një nivel prej 500 milionë eurosh (sa pritet të jenë të ardhurat e munguara në të hyrat publike) është i pajustifikuar dhe kundërproduktiv.

3. Qeveria duhet të bëjë transparente mënyrën e përdorimit të fondeve, që vijnë nga donatorët në mbështetje të rikuperimit të ekonomisë, duke përcaktuar edhe kondicionalitete për përfituesit në funksion të arritjes së disa objektivave të dëshirueshëm publikë.

4. Kuadri normativ mbi mbështetjen në luftën ndaj COVID-19 duhet të parashikojë rikthimin në buxhet të fondeve që do të riarkëtohen nga këto programe, si një garanci për mbajtjen e deficitit nën kontroll. Rikthimi i politikave të shëndetshme mbi financat publike kërkon maturi dhe heqjen dorë nga politikat populiste për qëllime elektorale, në raport me privilegjet fiskale dhe përjashtimet që jepen për sektor apo kategori të caktuar biznesesh. Stabiliteti i financave publike duhet konsideruar si objektivi prioritar numër një i qeverisë për vitet në vijim.

5. Baza rregullatore mbi mënyrën e aksesimit të fondeve ka qenë problematike në aspektin e zbatimit në praktikë dhe nuk është shoqëruar me kondicionalitete për të arritur përmbushjen e objektivave publikë të dëshirueshëm, siç është për shembull, punësimi, shlyerja e detyrimeve kreditore ndaj furnitorëve, veçanërisht kur kreditorë janë SME dhe biznese të vogla. Për shembull, asnjë informacion nuk disponohet nëse punëtorët përfitues vazhdojnë të jenë në marrëdhënie pune pas përfitimit të kësaj ndihme

Nga ana tjetër, problematike ishte klasifikimi i aktiviteteve ekonomike sipas NACE rev 2, duke bërë që regjistrimi i bizneseve të mos i përgjigjej këtij klasifikimi, gjë që përjashtoi shumë biznese nga e drejta e përfitimit nga programet e mbështetjes me fonde publike.

6. Edhe pse Shqipëria vlerësohet si një vend me një shkallë të lartë të informalitetit, veçanërisht në tregun e punës, asnjë përpjekje nuk është bërë për të arritur mbështetjen e kësaj kategorie të gjerë të popullatës. Madje, në mënyrë cinike është përdorur nga autoritetet si një pretekst për të raportuar punëdhënësit, si kusht për përfitim të ndihmës. As nuk është shfrytëzuar ky episod si një mundësi për të dhënë mbështetje financiare për firmat informale, kundrejt formalizimit të tyre, siç janë dhe praktikat më të mira të rekomanduara. Duke ditur se kjo kategori e popullatës është më vulnerabël dhe me risk të lartë të varfërisë, ndjekja e një politike të shmangies së shtrirjes së mbështetjes për ta ka ndikuar në përkeqësimin e treguesve të varfërisë në vend dhe rëndimin e gjendjes ekonomike dhe sociale të popullatës, siç është nënvizuar në disa studime të kryera nga Banka Botërore dhe World Vision.

7. Ndryshimet e bëra nga qeveria lidhur me rregullat e prokurimeve publike nuk favorizuan prodhuesit vendës dhe nuk u përdorën si një instrument aktiv ndihmues për ekonominë lokale. Për shembull, qeveria mund të kishte përdorur blerjet e drejtpërdrejta te fermerët si pjesë të masave për ushqimin e popullsisë dhe shtresave në nevojë, të kishte kryer porosi për materialet sanitare dhe higjienike te prodhuesit vendës etj. Në veçanti, programi i ndihmës ushqimore do të kishte qenë ndihmues për SME dhe njësitë e vogla tregtare nëse përfituesit do të ishin pajisur me tollona ushqimorë, të cilët duhet të shpenzoheshin brenda njësive administrative dhe brenda një kohe të kufizuar (çdo muaj, për shembull).

8. Nuk ka një qasje post-Covid apo një paketë 3, për të cilën pati angazhime të hershme qeveria. Një program i shërimit ekonomik dhe rikthimit në normalitet është shumë i nevojshëm. Objektivat dhe instrumentet e një programi të tillë, midis të tjerash, mund të përfshijnë:

(a) rikthimin e aktivitetit kreditues dhe investimeve, duke zgjatur skemën e garancisë së kredive edhe për një periudhë katërvjeçare (ose dhe pafundësisht). Për më tepër, fondet buxhetore që do të alokohen këtu dhe që janë dhe në kuadër të mbështetjes financiare të BE-së, janë fonde revolving, domethënë, ato kthehen nga përdoruesit dhe mund të përdoren në mënyrë perpetum në sistemin e lehtësimit të kreditimit të biznesit. Banka e Shqipërisë mund të luajë një rol më aktiv në këtë çështje.

(b) prokurimet publike gjatë pesë viteve të ardhshme mund të vazhdojnë të përdorin skema mbështetëse për prodhuesit vendës për të mbështetur sektorin ushqimor (i kushtëzuar që të punojë me lëndë të parë – prodhime bujqësore vendëse), por dhe manifakturën në produktet që janë të kërkuara në kuadër të luftës ndaj pandemisë. Për shembull, qeveria mund të kryejë porosi në prodhime maskash, materiale të ndryshme higjienike etj., për të pajisur zyrat dhe nëpunësit e shtetit (ushtri, polici, arsim etj.) dhe ambientet publike. Prokurimet publike në tërësi duhen ripërshtatur për të stimuluar industrinë vendëse, duke vendosur njëherësh edhe kritere cilësore, në mënyrë që të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së prodhimit vendës.

(c) Incentivat fiskale duhen rishikuar, me objektiv ripërshtatjen e vendeve të punës sipas kërkesave dhe standardeve të reja të higjienës dhe sigurisë në punë. Kushtet e punës dhe puna dinjitoze duhet të jenë objektivat thelbësore të çdo privilegji, që firmat private mund të përfitojnë nga mbështetja e politikave publike. Nga ana tjetër, të gjitha përjashtimet fiskale duhen eliminuar dhe duhet rikthyer sistemi fiskal asnjanës në aspektin sektorial. Në veçanti, përjashtimet nga TVSH-ja duhen eliminuar në mënyrë që të ardhurat e buxhetit të rriten dhe të mundësohet më shumë politikë aktive mbështetëse për ekonominë dhe grupet në nevojë përmes shpenzimeve publike dhe programeve specifike të dedikuara për qëllime specifike.

Në përfundim, aksesimi i fondeve publike duhet kushtëzuar në çdo rast me arritjen e objektivave të dëshirueshme publike. Pra, fjala kyçe në rritjen e efikasitetit të fondeve është – kondicionalitet. Së pari, ruajtja e vendeve të punës duhet të jetë kushti kryesor për përfitimin e mbështetjeve financiare. Së dyti, masat për stimulimin e bizneseve lokale dhe veçanërisht të mikrondërmarrjeve dhe SME-ve, duhet të kenë një fokus të posaçëm. Për shembull, përfitimi i kredive duhet kondicionuar me shlyerjen e detyrimeve ndaj kësaj kategorie të biznesit si prioritet. Së treti, prokurimet publike mund të përdoren si instrument për nxitjen e sipërmarrjeve lokale, shoqëruar dhe me kritere më të larta të cilësisë, në mënyrë që ky instrument të nxisë përmirësimin teknologjik dhe standardet e tregtimit nga firmat vendëse. Së katërti, masat e nxitjeve dhe privilegjeve fiskale që duhen ndërmarrë për në afat të gjatë duhen rishikuar në themel, në mënyrë që të përcaktohen qartë objektivat publike që synohet të arrihen, në funksion të shëndoshjes së sistemit ekonomik e shoqëror dhe që ai të bëhet një sistem i qëndrueshëm në afatin e gjatë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi