Pse nuk është Lëvizja e Dhjetorit

Nga Blendi Kajsiu, botuar në Panorama, 13 dhjetor 2018

E kam fjalën për lëvizjen studentore që po proteston sot në rrugët e Shqipërisë. Shumë e kanë krahasuar me Lëvizjen Studentore të Dhjetorit që “rrëzoi” komunizmin. Ndaj sot mjaft prej tyre janë shpresëplotë që historia do të përsëritet dhe studentët edhe njëherë do ta rrëzojnë sistemin e kalbur politik shqiptar.

Ky krahasim është sa i kuptueshëm aq edhe i gabuar. Është i kuptueshëm sepse në të dyja rastet kemi të bëjmë me lëvizje studentore jashtë kuadrit politik ekzistues, me kërkesa ekonomike që mund të transformohen në politike dhe me një lëvizje që ka mbështetje dhe simpati mbarëshoqërore përballë një klase politike që i është bjerrur legjitimiteti. Së fundi, në të dyja rastet protestat bëhen në dhjetor.

Por përtej këtyre ngjashmërive sipërfaqësore kemi të bëjmë me dy momente krejt të ndryshme në historinë tonë politike, sepse konteksti në të cilin ato zhvillohen është krejt tjetër. Lëvizja e Dhjetorit e vitit 1990 ishte fillimi i tranzicionit, ndërsa lëvizja e studentëve sot shënon fundin e tij. E thënë ndryshe, lëvizja e sotme studentore mbyll atë etapë që filloi lëvizja studentore 28 vite më parë.

Mobilizimi i suksesshëm i studentëve sot shënon krisjen e dy shtyllave bazë të politikës shqiptare në tranzicion: antikomunizmi dhe bipolarizimi PD-PS. Këto dy elemente, bashkë me klientelizmin politik që kanë krijuar, e kanë mbajtur gjallë konfiguracionin politik aktual duke legjitimuar regjimin dhe duke delegjitimuar protestën sociale. Në pesë vitet e fundit po shohim se si këto dy paterica nuk po funksionojnë.

Ligjërimi i fortë antikomunist shërbeu për të justifikuar një rend ekstremisht neoliberal (ose thënë me thjeshtë, një kapitalizëm të egër) bazuar në spekulim dhe jo prodhim, ku janë privatizuar asetet publike, janë grabitur ndërmarrje shtetërore dhe falur troje e terrene kombëtare (mjaft të kujtojmë Shqipëria 1 euro të Berishës apo shembjen e Teatrít Kombëtar në qendër) nën parullën “po ndërtojmë kapitalizmin”. Në këtë mënyrë, çdo gjë publike apo shtetërore u identifikua me korrupsion, paaftësi, parazitizëm, primitivizëm, vjedhje, dembellëk, ineficiencë, u çfinancua dhe për pasojë u degradua. Ndërkohë që çdo aspekt i privates u bë sinonim i efikasitetit, ndershmërisë, modernes, zhvillimit dhe progresit.

Ky kontrast shërbeu për të justifikuar privatizime masive, që vazhdimisht dështonin (kujtoni ARMO-n apo KESH-in) teksa mbushin xhepat e qeveritarëve. I famshmi partneritet publik-privat i Ramës është thjesht vazhdim dhe konsolidim i kësaj logjike që shpesh shërben thjesht për të grabitur publiken. Formulat që shet Rama kanë vite që kanë dështuar edhe në vendet më të zhvilluara, mjafton të shikosh korrupsionin dhe ineficiencën e politikës shëndetësore amerikane (shpesh bazuar në logjikën publik-privat).

Ky model ekonomik bazuar në spekulim dhe jo prodhim që krijoi shumë papunësi, kapje shteti, pabarazi, emigracion dhe pak zhvillim socio-ekonomik nuk mund të kritikohej sepse çdo kundërshtim ndaj tij denoncohej si nostalgji komuniste, marksiste apo socialiste. Të flisje për siguri në punë apo të drejtat e punëtorëve ishte punizëm, të kritikoje privatizimin apo të flisje për politikë industriale dhe jo thjesht tregti të lirë ishte enverizëm dhe çdo kritikë ndaj kapitalizmit të klasifikonte si radikal i prapambetur marksist. Ndaj, askush prej partive nuk kritikonte modelin e zhvillimit, por thjesht karakterin, degjenerimin apo korrupsionin e kundërshtarit politik. Dhe kur vinte në pushtet betononte të njëjtën logjikë qeverisjeje.

Pakënaqësia që prodhonte ky model zhvillimi kanalizohej brenda logjikës bipolare PD-PS, duke u zhbërë si kritikë ndaj modelit zhvillimor. Kështu p.sh., PD denonconte krizën e 1997-ës si produkt i puçit komunist socialist, ndërkohë që socialistët e denonconin si produkt i autoritarizmit të Berishës. Ende sot interpretimi i 1997-ës mbetet brenda kësaj logjike bipolare. Ama, 1997 nuk ishte thjesht dështim i PD-së apo PS-së, por dështim i vetë sistemit kapitalist pa rregulla dhe pa kontroll social që Shqipëria ndërtoi pas rënies së komunizmit. I njëjti kapitalizëm i shfrenuar i tipit kazino, që bazohet te spekulimi financiar dhe jo te prodhimi, krijoi krizën financiare të vitit 2007/’08 në SHBA dhe botë.

E thënë ndryshe, revolta e 1997-ës mund të ishte interpretuar jo thjesht si një shpërthim anti-Berishë, por si një protestë kundër modelit zhvillimor të ndjekur prej tij. Ama, kjo nuk ndodhi sepse protesta, edhe pse me orgjinë sociale, u politizua menjëherë në ullukun PD-PS. Për pasojë, ajo solli në pushtet PS-në që vazhdoi ekzaktësisht të njëjtin model si PD-ja, që më pas e zëvendësoi për të ndjekur të njëjtin avaz që na ka çuar aty ku jemi sot.

Por bipolarizmi PS-PD nuk shërbente vetëm për të delegjitimuar protestën sociale nëpërmjet politizimit të saj, por edhe për të legjitimuar pushtetin edhe opozitën. Deklarata e Fatos Nanos Kryeministër, drejtuar Berishës líder i opozitës në Parlament: “Ti je kapitali im më i madh politik”, ishte një gjysmë e vërtetë e madhe. Them gjysmë e vërtetë sepse edhe Nano ishte kapitali më i madh politik i Berishës.

E njëjta gjë ndodh edhe sot. Vetëm një opozitë e degraduar si ajo e PD-së, me në krye një tullumbace politike si Basha, mund të mbajë në pushtet një qeverisje kaq të korruptuar dhe arrogante si kjo e Ramës. Për të njëjtën arsye, vetëm përballë një qeverisjeje kaq problematike Basha mund të vazhdojë të “bëjë opozitë”. Pra, Basha i duhet Ramës dhe anasjelltas, ashtu si dikur Nano dhe Berisha i duheshin njëri-tjetrit. E thënë shkurt, bipolarizimi PD-PS jo vetëm nuk lejonte daljen e ndonjë alternative të pavarur (ku nuk mund të klasifikohet LSI-ja), por i shërbente legjitimit të politikës në përgjithësi.

Sot asnjëra nga këto dy paterica nuk po funksionon. Analistë dhe politikanë tentuan ta përdornin ligjërimin antikomunist për ta ngjyrosur lëvizjen studentore si marksiste apo komuniste, por nuk ia arritën sepse tashmë në Shqipëri ekziston një brez që është rritur shumë larg traumës sonë komuniste. Ndaj ligjërimi i Ramës nuk ngjit. Si PD-ja ashtu edhe PS-ja u përpoqën ta kanalizojnë dhe instrumentalizojnë protestën në hullinë e bipolarizimit pozitë-opozitë. Por edhe këtu dështuan sepse kësaj loje, pjesërisht për shkak të dobësisë së opozitës, i ka dalë boja. Klientelizmi politik që dikur e mbante gjallë logjikën bipolare tashmë nuk mund të punësojë apo t’u përgjigjet nevojave në rritje të brezit të ri.

Rezultati është një protestë masive që nuk mund të delegjitimohet as nëpërmjet ligjërimit antikomunist dhe as nëpërmjet kanalizimit në hullinë PD-PS. Është hera e dytë që ndodh diçka e tillë, pas protestave qytetare kundër armëve kimike. Shpresa që ka ngjallur protesta studentore buron pikërisht nga fakti që del jashtë konfiguracionit politik aktual. Ndaj shumë analistë, intelektualë dhe politikanë presin shumë prej saj; rrëzimin e sistemit apo të klasës politike, sikurse lëvizja e dhjetorit në vitin 1990.

Ama suksesi i lëvizjes së dhjetorit për të rrëzuar regjimin komunist buronte nga konteksti global, brenda të cilit ajo u zhvillua. Edhe pse në Shqipëri është ngritur prej kohësh miti romantik i lëvizjes së dhjetorit që “rrëzoi” komunizmin, e vërteta është që komizmin shqiptar nuk e rrëzuan thjesht studentët. Natyrisht që protesta e tyre ndihmoi, por komunizmi po binte prej kohësh në mbarë Lindjen, pa folur për krizën e thellë ekonomike ku prej kohësh lëngonte komunizmi ynë. Ndërkohë, ekzistonte një alternativë e qartë dhe e suksesshme për zëvendësimin e ideologjisë komuniste: neoliberalizmi. Lëvizja e dhjetorit e vitit 1990 u ideologjizua shumë shpejt sepse programi neoliberal ish sendërtuar prej dekadash nga Von Mises, Hayek apo Friedman si alternativë jo vetëm ndaj komunizmit, por edhe ndaj socialdemokracisë Keynesiane.

Në ndryshim nga lëvizja e dhjetorit, sot kemi të bëjmë me një krisje dhe jo kolaps të rendit neoliberal. Edhe pse ky rend ka hyrë në një krizë të thellë në nivel global (Donald Trump në SHBA, Brexit në Britani, kriza e BEsë, Viktor Orban në Hungari, Erdogan në Turqi apo Presidenti Bolsonaro në Brazil janë shprehje të kësaj krize) ende nuk ekzistojnë alternativa të qarta. Ndaj sot, ndryshe nga dje, vështirë se mund të flitet për përmbysje apo ndryshim regjimi, edhe pse mund të ketë ndryshime në klasën politike. Protestat studentore masive në Bullgari gjatë viteve 2013- 2014 rrëzuan qeverinë socialiste në pushtet, por nuk e përmbysën regjimin politik. Ende sot bullgarët, ashtu sikurse dhe rumunët, vazhdojnë të protestojnë kundër korrupsionit të klasës së tyre politike.

Kjo nuk do të thotë se lëvizja studentore është e destinuar të dështojë. Përkundrazi, ajo mund të ketë sukses pikërisht aty ku dështoi Lëvizja Studentore e Dhjetorit 1990: shpëtimi i universitetit publik. Dhjetoristët rrëzuan komunizmin dhe u futën në politikë, por harruan universitetin publik që degradoi pa ndalim në 28 vitet e fundit. Le të shpresojmë që studentët sot nuk do bëjnë të njëjtin gabim. Ata mund ta shpëtojnë shoqërinë shqiptare vetëm duke shpëtuar universitetin publik. Sepse ky i fundit mund të jetë jo vetëm burim i zhvillimit intelektual, teknologjik dhe social, por edhe i vetmi rezervuar i ndërgjegjes sociale që do të përballet me, dhe protestojë kundër, padrejtësive që në shoqërinë tonë majisen pa u trajtuar deri sa shpërthejnë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi