Besnikëria e shteteve anëtare dhe pakënaqësitë e qytetarëve të BE

Nga Roger Scruton, BBC, botuar në Shqip, 23 shtator 2013

Shumë shkrimtarë kanë paralajmëruar rreth tiranisë së shumicës. Mendimi i shumicës mund të jetë i gabuar. Dëshirat e saj mund të jenë jo të mira. Fuqia e shumicës mund të jetë e rrezikshme. Ka diçka akoma më të rëndësishme se turma, që është personi i cili e kundërshton atë. Ne duhet ta mbrojmë atë person, për faktin se është i vetmi që mund të ngrejë pyetje që asnjë në turmë s’do t’i dëgjojë.

Për sa kohë opozita është e mbrojtur, pra, nuk ka asnjë derë prej së cilës arsyeja mund të hyjë në punët e qeverisë. Por si është e mbrojtur opozita? Çfarë e bën të mundur për njerëzit të bien dakord që të kenë mendime të ndryshme?

Në familje, njerëzit shpesh mblidhen për të diskutuar rreth çështjeve që i shqetësojnë. Ata shprehin shumë mendime, që mund të jenë edhe të ndryshme. Por në një familje të lumtur, secili pranon të lidhet pas detyrimit përfundimtar edhe nëse nuk është dakord me të. Kjo sepse anëtarët e familjes ndajnë interesin për të qëndruar bashkë. Diçka është më e rëndësishme për ta sesa mendimi i tyre dhe kjo është familja, mirëqenia dhe e ardhmja e së cilës është arsyeja përse janë mbledhur për të diskutuar. Për ta shprehur më qartë, familja është pjesë e identitetit të tyre. Është gjëja që nuk ndryshon ashtu siç bëjnë mendimet e tyre kur konfliktohen.

Identiteti i përbashkët e mund kundërshtimin. Kjo është ajo që e bën opozitën, së bashku me diskutimin e arsyeshëm, të mundur. Ky është pra, themeli i çdo lloj jete në të cilën kompromisi dhe jo diktatura, është norma. E njëjta gjë ndodh edhe në politikë. Opozita, shprehja e lirë e mospajtimit dhe sundimi i kompromisit, të gjitha presupozojnë një identitet të përbashkët.

Duhet të ekzistojë një vetë e parë shumës, një “ne”, nëse shumë individë vendosin të qëndrojnë së bashku, duke e pranuar mendimin dhe dëshirat e të tjerëve, pavarësisht mosrënies dakord. Feja e ka siguruar një vetë të tillë të parë shumës. Nëse e përcakton veten si të krishterë ose mysliman, kjo mjafton për të të lidhur me pjesën tjetër të njerëzve që kanë të njëjtin besim, edhe nëse keni mendime të ndryshme për çështjet politike të momentit. Por është e vështirë të ndërthurësh këtë lloj vete të parë shumës “ne” me politikat demokratike. Sepse në veçanti ky grup njerëzish të bashkuar nga besimi fetar, nuk e pranon mosmarrëveshjen brenda shtetit, midis atyre që janë dakord me doktrinën qeverisëse dhe mes atyre që e kundërshtojnë atë.

Për më tepër, sistemet moderne të ligjit janë të përcaktuara nga territori dhe jo nga doktrina. Në Egjipt duhet t’i bindesh ligjit të Egjiptit dhe jo të Turqisë ose Greqisë për shembull. Prandaj ka më shumë rëndësi nevoja për një “ne” kombëtare sesa fetare. Një shtet-komb është produkt i fqinjësisë njerëzore, e formuar nga dora e padukshme e marrëveshjeve të pafundme midis njerëzve të cilët flasin të njëjtën gjuhë dhe që jetojnë pranë. Shteti-komb del prej kompromisit të arritur pas shumë konflikteve dhe shpreh marrëveshjen e formuar ngadalë mes fqinjëve që i garantojnë njëri-tjetrit hapësirë dhe që e mbrojnë këtë hapësirë si territor të përbashkët. Kjo varet nga dogmat vendase dhe nga rutina e përbashkët e tolerancës. Ligji është më tepër territorial sesa fetar dhe nuk ngjall asnjë burim më të lartë të autoritetit, sesa aktivitetet jomateriale që njerëzit ndajnë.

Të gjitha këto karakteristika kanë fuqi, pasi ato ushqejnë një formë të përshtatjes së angazhimit parapolitik. Derisa njerëzit ta identifikojnë veten me shtetin, me territorin dhe me trashëgiminë kulturore, në po të njëjtën mënyrë që e identifikojnë veten me familjen, politikat e kompromisit nuk do të shfaqen. Njerëzit duhet t’i marrin fqinjët e tyre seriozisht, si qytetarë me të drejta të përbashkëta për të kërkuar mbrojtje, e cila mund të jetë e nevojshme në momente krize. Ata veprojnë kështu sepse besojnë se i përkasin së bashku një shtëpie të vetme.

Historia e botës është provë e kësaj. Kudo që njerëzit e identifikojnë veten me terma që nuk mendohen njëlloj prej fqinjëve të tyre, atëherë shteti bie që me krizën e parë serioze, ashtu siç ndodhi me ish-Jugosllavinë, në Siri, Liban dhe në Nigerinë e sotme. Në fillim të Luftës së Dytë Botërore, elitat politike në vendet fituese u bënë skeptike në lidhje me shtetet-kombe. Bashkimi Europian u krijua prej besimit se luftërat europiane ishin shkaktuar prej ndjesisë kombëtare. Për këtë arsye, ajo çka duhej të ishte një formë e re transkombëtare e qeverisjes për të bashkuar njerëzit rreth interesave të përbashkëta në bashkëjetesë paqësore, sot quhet BE.

Institucionet europiane nuk janë shprehje politike e atij numri shumës të vetës së parë. Bashkimi është krijuar prej një traktati dhe traktatet e nxjerrin autoritetin e tyre prej enteve që i nënshkruajnë ato. Këto ente janë shtetet-kombe të Europës, prej nga buron besnikëria e njerëzve europianë. Bashkimi, i cili ka vendosur të kapërcejë të tilla besnikëri, vuan nga kriza e vazhdueshme e legjitimitetit.

Ashtu sikurse Vëllazëria Myslimane ka dëshirën ta qeverisë Egjiptin, nëpërmjet ligjit islamik dhe kjo është një shenjë rreziku për shtetin laik.

Një politikë e kompromisit është e mundur vetëm nëse ligji mund të ndryshojë për të reflektuar nevojat e shoqërisë. Dhe ligjet e zbritura nga Zoti kanë karakterin e përjetshëm dhe të pandryshueshëm të autorit të tyre. Por i njëjti defekt gjendet edhe tek ligjet e ardhura prej një traktati. Traktatet janë duar të vdekura të cilat duhet të shtrihen mbi një shtet vetëm për qëllime të veçanta dhe esenciale dhe asnjëherë si mënyrë qeverisjeje.

Ja një shembull për atë që dua të them. Kur Traktati i Romës u nënshkrua në vitin 1957, ai përfshinte një pjesë që lejonte lëvizjen e lirë të kapitalit dhe punës midis atyre që kishin nënshkruar. Në atë kohë të ardhurat dhe mundësitë ishin pothuajse të njëjta midis numrit të vogël të shteteve që firmosën. Tani gjërat janë ndryshe. Bashkimi Europian është zgjeruar, duke përfshirë shumicën e shteteve ish-komuniste të Lindjes së Europës. Qytetarët e këtyre vendeve tani kanë të drejtën të banojnë në Britaninë e Madhe, të konkurrojnë për punë në kohën kur shënohen më shumë se 2 milionë të papunë. Shumë vendas janë të pakënaqur për këtë fakt.

Por, për shkak se ligji e lejon, duke qenë se kështu është përshkruar në traktat dhe sepse traktati merr përparësi mbi ligjin parlamentar, nuk mund të bëhet asgjë mbi këtë. Është njëlloj sikur edhe ne të qeverisemi prej një lloj ligji fetar, në të cilin dëshira e Zotit tingëllon mbi çdo edikt, duke parandaluar edhe ndryshimet më të nevojshme.

Përse eksperimenti i qeverisë federale, i cili na ka drejtuar për nga një perandori e papërgjegjshme europiane, i çoi Shtetet e Bashkuara drejt një demokracie të qëndrueshme? Përgjigjja është e thjeshtë: sepse federalizmi amerikan nuk krijoi një perandori, por një shtet-komb. Kjo ndodhi pavarësisht mosmarrëveshjeve mbi të drejtat e shtetit dhe luftës civile. Kjo ndodhi për shkak se zgjedhja amerikane krijoi një drejtim laik të ligjit, një juridiksion territorial dhe një gjuhë të përbashkët në vendin, që njerëzit thonë se është shtëpia e tyre. Në “traktatin” amerikan, njerëzit duhej ta trajtonin njëri-tjetrin si fqinj, jo si pjesëtarë të një race, një feje apo një klase, por si anëtarë të një zgjedhjeje të përbashkët për tokën që ata ndanin mes tyre. Angazhimet e tyre mbi rregullin politik u rritën për shkak të detyrimeve të fqinjësisë dhe mosmarrëveshjet midis tyre duhej të zgjidheshin prej ligjit të tokës. Ligji operonte brenda kufijve territorialë të përcaktuar nga afërsia midis njerëzve dhe jo të përcaktuar prej burokracisë transkombëtare.

Me pak fjalë, demokracia ka nevojë për kufij dhe kufijtë kanë nevojë për shtete-kombe. Të gjitha mënyrat, sipas të cilave njerëzit e përcaktojnë identitetin e tyre me anë të vendit ku përkasin, luajnë rol në forcimin e ndjenjës së shtetësisë.

Për shembull, ‘common law’ i anglo-saksonëve, sipas së cilës ligjet dalin nga zgjidhja e konflikteve vendase, në vend që të imponohen nga sovrani, ka luajtur rol të madh në nxitjen e mendimit se ligji është pronë e përbashkët e të gjithë atyre që banojnë në një juridiksion, sesa të ishte një krijim i priftërinjve, burokratëve apo mbretit.

Një gjuhë dhe një program i përbashkët kanë një efekt të ngjashëm me familjaritetin, afërsinë dhe ditë pas dite çojnë në burimin e besnikërisë së përbashkët.

Gjëja thelbësore rreth shteteve është se ata rriten nga poshtë, përmes zakoneve të shoqërimit të lirë mes fqinjëve dhe përfundojnë në besnikëri që është më shumë e lidhur me vendin dhe historinë, sesa me fenë, dinastinë apo ashtu si në Europë me vetëpërjetësimin e klasës politike.

Çfarë ka rëndësi për ne në demokracinë tonë është se mendimi i shumicës nuk duhet të mbizotërojë, por që ne duhet të jemi pjesëmarrës të barabartë në procesin politik dhe duhet të mbrohemi njëlloj prej tij.

Në një shtet-komb, ligji është pronë e përbashkët e çdo qytetari. Ai qëndron përmbi çdo person dhe mbi çdo përçarje. Ai mbron sektarët nga ortodoksët, pakicën nga shumica dhe kombin si një i tërë prej atyre që kërkojnë të konfiskojnë asetet e tij.

Ligji e bën këtë duke na sjellë të gjithë së bashku në një vetë të parë shumës. Europa nuk po lëviz drejt demokracisë, por po i largohet asaj, teksa ne humbim të drejtën për ta përcaktuar veten në atë mënyrë. Demokracia merr fund kur ne e gjejmë veten të qeverisur jo prej vetes, por prej tyre.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi