Refleksion mbi librin e Tefik Selenicës “Shqipëria në 1927”

Nga Kristaq Xharo, botuar në Mapo, 7 shtator 2016

pallati-i-mbretit-Ahmet-Zog-ne-Tirane-K.-Marubi-1928

Paaftësia e administratës në shumë vende është tashmë e njohur si pengesa kryesore për zhvillimin, sigurisht shumë më serioze se mungesa e kapitaleve apo ndihmës së jashtme. Vlerësohet se 80 për qind e planeve të zhvillimit në nivel botëror nuk plotësohen për shkak të paaftësisë së administratës.- Herbert Emmerich.

Mbetet i veçantë momenti kur miku dhe kolegu im, profesori i përkushtuar në UET, Eniel Ninka më prezantoi librin “Shqipëria në 1927”. Nuk duhej shumë kohë për të konfirmuar atë çka më kishte treguar për këtë libër. I shoqëruar edhe me një album mjaft interesant, kjo vepër ishte një model me vlera të veçanta për përmbajtjen, stilin, gjuhën, informacionin dhe mesazhet që përcjell. Duke evidentuar faktin se libri u shkrua në vitin e largët 1927, kur autori ishte rreth 40 vjeç, Teki Selenica del në dritë si vijues i epopesë më të ndritur të kombit shqiptar, asaj të Rilindjes dhe të Pavarësisë.

‘Shqipëria në 1927” pason veprën e mëparshme të Selenicës “Shqipëria në 1924”. Të dy librat i referohen periudhës kur shteti shqiptar ndodhej në hapat e parë të ekzistencës së vet, gjë që vlerësohet gjithashtu si një nga fazat më të vështira të historisë sonë. Situata e brendshme dhe e jashtme politike ishte e paqëndrueshme, në një mjedis aspak optimist. Një shtet i pakonsoliduar, me qeveri që i lëshonin vendin njëra-tjetrës. Shqiptarët të ndarë e të përçarë po vinin në dyshim aftësitë e tyre administrative për shtetformim. Ndërhyrjet e fuqive të huaja, e veçanërisht ato të vendeve fqinje, edhe pas Luftës së Parë Botërore, po minonin shtetin e brishtë shqiptar. Në këto kushte, të shkruaje si shtetar e me aq kompetencë profesionale për shtetin shqiptar të asaj periudhe, e veçanërisht për administratën shtetërore, ishte një sfidë dhe guxim i rrallë, që intelektuali i shquar, autori Teki Selenca e realizoi sa intelektualisht aq dhe patriotikisht.

Libri i Selenicës, si asnjë tjetër më parë, paraqet me kompetencë aspekte të ndryshme të jetës së shtetit shqiptar në vitet ’20, një periudhë pak e njohur edhe pse jo e largët në histori. Në këtë libër gjejmë të paraqitura me stil shumë tërheqës çështje historike, sociale, administrative e deri ushtarake për shtetin shqiptar. Libri në formën e një enciklopedie do të afrohej pa mëdyshje si një guidë për çdo të huaj që dëshironte të njihte Shqipërinë dhe për çdo studiues vendas që ta përdorte për referencë në çdo punim studimor.

Autori Selenica, me analizë dhe me guxim, paraqet zhvillimet historike që nga periudha e shtetit shqiptar më 1912. Në mënyrë të kompletuar, lexuesi mund të gjejë si askush tjetër historinë e shtetit deri në vitin 1927, gati 15 vjet nga shpallja e pavarësisë. Mjaft informacion interesant gjejmë në intervalin nga pjesa e parë deri tek pjesa e gjashtë e këtij libri – faqe që u përgjigjen pyetjeve: Nga vijnë shqiptarët? Përse historia e Skënderbeut shkëlqeu me lavdinë e saj? Çfarë ndryshimesh solli Lidhja e Prizrenit? Cili ishte roli i Rilindësve? Ç’pasoja patën Luftërat Ballkanike? Në ç’nivel ishte rreziku i copëtimit? Më pas, vijohet me analiza për Ismail Qemalin dhe Pavarësinë e shtetit shqiptar, princ Vidin, situatën e shqiptarëve gjatë Luftës së Parë Botërore, Kongresin e Lushnjës, pranimin në Lidhjen e Kombeve, ngjarjet e Qershorit, Nolin dhe A. Zogun; të gjitha këto momente vijnë me detaje mjaft interesante, duke shfrytëzuar burime të drejtpërdrejta. Edhe më interesant është fakti që këtë dinamikë ngjarjesh autori e ka përjetuar dhe e paraqet që në vitin 1928.

Libri, i cili mund të konsiderohet me të drejtë si enciklopedia e parë shqiptare, është mjaft i pasur edhe me të dhëna statistikore. Ai afron informacion jo thjesht për ndarjen administrative, që mund të shërbente edhe si material reference me reformën territoriale për të cilën aktualisht pati aq shumë debat, por edhe për strukturën sociale të çdo elementi administrativ. Nga metoda e përdorur, popullsia e Shqipërisë vlerësohej në 814,380 banorë. Është ironik fakti që censusi i famshëm që u propagandua aq i zhurmshëm në 2011, duket amatoresk përpara mënyrës së evidentimit dhe analizës që pasqyron në librin e vet Selenica në vitin 1928. Në një mënyrë mjaft interesante, Selenica shprehet se për realizimin e regjistrimit të popullsisë u desh vetëm një ditë në vitin 1923, duke përdorur metodën dhe eksperiencën e regjistrimit të realizuar më parë, në vitin 1918, nga eksperti austriak i statistikave, Franz Seiner.

Libri “Shqipëria në 1927” përbëhet nga dy volume me gjithsej rreth 800 faqe. Një numër shumë i madh tabelash dhe mbi 500 fotografi, shumica të afruara për herë të parë nga autori, e shoqërojnë këtë libër. Libri shfrytëzoi dukshëm eksperiencën e botimit të parë ‘Shqipëria në 1923’. Për mënyrën e hartimit dhe kompletimit të librit, Selenica përdori literaturën më të përmendur të kohës. Janë mbi 70 libra që janë përdorur për bibliografi (v-vii), me autorët më të njohur të asaj kohe në botë. Për pjesën e përzgjedhjes së modelit, ai u mbështet në “Momento Larouss”, që shfaqet veçanërisht në pjesën historike të këtij punimi. Selenica përdori modelet më të mira perëndimore, edhe për studimin e klasifikimeve administrative. “. . . sa për tekstin e shpirtin e librit. . .” shprehet Selenica, . . . “nuk jam kufizuar vetëm në shkollën kualitative të statistikës e as në ‘Arithmetique politique’, por në përdorimin e një metode të përbashkët dhe të perfeksionuar . . . pra duke mos u mjaftuar vetëm me shifra e me tablo, por duke i shpjeguar, analizuar, krahasuar dhe shfaqur relacionin e çdo përfundimi. . .” (Kap 3).

Është gjithashtu mjaft pikant raporti që vendos autori me librin. “Neve deri më sot, nga këto punime ishim të lirë, nuk ndjenim një nevojë të këtillë, por sot (që jemi shtet) duhet, për ekzistencën kombëtare, në skenën ndërkombëtare të diturisë, të sigurojmë një vend për veten tone . . . Ky vend, kjo pozitë nuk jepet, por merret dhe për ta marrë këtë duhet të punojmë e ta meritojmë. Punimi bëhet me vepra dhe meritimi caktohet mbas veprave . . .” Dhe Tefik Selenica e vendosi “gurin e rëndë” në ngrehinën e shtetit shqiptar, duke u renditur në panteonin e patriotëve me një kontribut të veçantë për kombin e tyre. Siç është e “zakonshme”, vlerësimet do t’i merrte vetëm pasi të kalonte një periudhë kohore prej gati 100 vitesh.

Ajo që e bën librin “Shqipëria në 1927” një libër mjaft tërheqës dhe të dashur në të gjitha kohërat, është stili dhe gjuha e tij. Gjuha jonë ka evoluar jo pak që nga koha që është shkruar ky libër, dhe kushdo që do të lexonte Selenicën, nuk e ka të lehtë për të kuptuar kohën. Pa dyshim, mënyra e shkrimit të tij mund të konsiderohet nga më të pëlqyeshmet edhe në kohën tonë, duke kapërcyer kufijtë kohorë. Libri do të mbetet gjithmonë i rëndësishëm edhe për shkak se lidhet me subjektet që do të jenë gjithmonë një pjesë e natyrshme e tipareve themelore të shtetit, pa marrë parasysh distancën kohore. Dhe njohuritë që vijnë për lexuesin, gjithmonë do të jenë kaq realiste e plot jetë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi