Fundi i një Parlamenti të pazakontë

Editorial, JavaNews, 7 korrik 2021

Seanca plenare e 7 korrikut shënoi edhe fundin e një legjislature jo të zakontë. Për herë të parë në historinë e parlamentarizmit shqiptar, dy partitë më të mëdha në opozitë, PD dhe LSI vendosën të digjnin mandatet më 20 shkurt të vitit 2019.

Në 2 vite, Kuvendi ka vijuar punimet jo me 140 deputetë, por me 122. Karriget e deputetëve të larguar u zëvendësuan me kandidatët pasues të listës nga të dyja partitë, por pa plotësuar numrin e plotë të ligjvënësve.

Në këto 4 vite janë miratuar gjithsej 487 ligje, prej të cilave 424 propozime të qeverisë, 59 të deputetëve, 3 propozime të përbashkëta të qeverisë dhe deputetëve dhe 1 propozim i një deputeti dhe 20 mijë zgjedhësve.

Ligjet më të rëndësishme të miratuara janë ato të reformës në drejtësi, me zgjedhjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm. Ndërkohë, 1 vit më parë, në kuadër të reformës zgjedhore, ku Parlament miratoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe ndryshimet kushtetuese.

Një nga veçantitë e kësaj legjislature është edhe kthimi i 62 ligjeve në kuvend nga presidenti Meta. Krahasuar me paraardhësit e tij, Ilir Meta është presidenti që ka kthyer më shumë ligje në parlament, mbi 12% të tyre. Shumica socialiste ndërmori 2 herë nismën për shkarkimin e tij. Herën e parë nuk e shkarkoi, por vetëm e këshilloi, ndërsa herën e dytë më 9 qershor 2021, me 104 vota pro, kuvendi shkarkoi presidentin e republikës. tashmë, vendimin përfundimtar do marrë Gjykata Kushtetuese.

Seanca e 7 korrikut përmbyll edhe jetën parlamentare për mbi 30 politikanë të Partisë Socialiste, të cilët nuk u rizgjodhën apo nuk ishin në listën e kandidatëve në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Në parlamentin e ri nuk do të jetë Pandeli Majko, i cili gjatë këtyre viteve ka mbajtur poste të rëndësishme, duke filluar nga ajo e kryeministrit dhe së fundmi postin e ministrit të Diasporës.

Por Majko nuk do të jetë i vetmi mes politikanëve të vjetër. Një tjetër emër është Mimi Kodheli, e cila ka mbajtur postin e ministres së Mbrojtjes.

Në legjislaturën e ardhshme nuk do të jetë as kryeparlamentari Gramoz Ruçi, i cili edhe pse e fitoi mandatin e deputetit në qarkun e Fierit, vendosi largimin nga politika në 30-vjetorin e kongresit të Partisë Socialiste.

Mes emrave të tjerë që nuk do të jenë në kuvend është edhe Vasilika Hysi, Adnor Shameti, Alket Hyseni, Anastas Angjeli, Ditmir Bushati dhe Ilir Beqaj. Parlamenti i ri nis punimet më 9 shtator dhe pritet të ketë një sërë deputetësh të rinj të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi