Qeverisja dhe politika si ndërvarësi

Libër nga Salih Kelmendi, botim i UET, 11 mars 2021

Pas një eksperience të gjatë në qeverisje, politikë dhe administratë, si dhe pas botimit të dy librave të rëndësishëm, përkatësisht mbi qeverisjen e bashkisë së Tiranës në vitet 1992-1996 si dhe mbi politikat ndërqeverisëse-decentralizuese në ndërtimin e administratës, autori vjen me një libër të ri mbi qeverisjen dhe politikën.

Libri “Qeverisja dhe Politika si Ndërvarësi” është i ndërtuar mbi dy boshte, qeverisjen dhe politikën, të cilat ndërveprojnë në mënyrë të natyrshme duke prodhuar funksionimin e një shteti.

Administrimi i shtetit dhe përshtatja e strukturës së tij nëpërmjet realizmit praktik të një modeli të përshtatshëm ka qenë gjithnjë me rëndësi dhe është objekt i shumë studimeve dhe analizave. Për të pasur një tablo të plotë dhe të qartë, ky studim nis me format më të hershme të qeverisjes së origjinës së shtetit tonë, renditur sipas një kronologjie kohore. Është me rëndësi pasja e një informacioni të detajuar të shumë sistemeve qeverisëse, përbërjeve dhe modeleve të tyre, funksionimit të duhur të një shteti si edhe përcaktimit të strategjisë drejtuese. Studimi tërheq të kaluarën dhe evidenton të tashmen me sytë drejtuar në të ardhmen për Shqipërinë. Mbi shembullin e historisë së botës dhe funksionimit të shteteve perëndimore e demokratike, gjithkush mund të nxjerrë çfarë duhet për të hartuar dhe zbatuar një program dhe strategji për mirëqeverisjen e vendit dhe arritjen e sukseseve në drejtimin e shtetit.

Rruga që çdo njeri ndjek në jetë përcakton vlerat e brendshme dhe të jashtme të tij si dhe kontributin që jep në një shoqëri.  Duke ruajtur idealet e njeriut të mirë dhe dëshirën për t’i shërbyer vendit , qëllimi në vetvete i veprës së një politikani dhe njeriu të shtetit, lidhet gjithnjë me vizonin e së ardhmes, të cilën autori e ka mbartur si pjesë të botës së tij duke e drejtuar atë në hapat e përshkruar gjatë jetës. Edukata qytetare dhe formimi i një personaliteti kompleks dhe njëkohësisht  popullor, karakterizuar nga një energji dhe gjallëri për punën, ka bërë që fokusi i ndjekur nga Kelmendi në administrim,  të jetë i tillë që të përmbajë në thelb reformimin, demokratizimin, konservatorizmin  e nevojshëm, pavarësinë dhe bashkëpunimin e pushteteve dhe forcimin e hallkave të një shteti, për të çuar në një zhvillim të dukshëm dhe ndryshim rrënjësor jo vetëm të qytetit të Tiranës dhe shtetit tonë por dhe përfitimit kombëtar dhe mbarëkombëtar shqiptar.

Duke marrë dhe analizuar të gjithë përbërësit e formimit të një shteti, drejtimit të një vendi dhe parimeve themelore të mirëfunksionimit të një shoqërie, së bashku me idetë, bindjet, eksperiencat, njohuritë, idealet, botëkuptimet, mendimet, vizionet e tija, autori ka për qëllim të sjellë horizontin e shkencës si dhe studimit të ndërtimit të shtetit dhe të drejtimit të tij. Ndjeshmëria dhe bindja për të merituar vlerat si bashkëkombës dhe detyra e një qytetari dhe e një dashamirësi ndaj njerëzve, si dhe ideali i shërbimit ndaj atdheut nëpërmjet punës, përbëjnë boshtin rreth të cilit ndërtohet materiali, si busull për këdo, që skeletin dhe themelet e jetës i ndërton mbi bazën e vlerave dhe humanizmit.

Duke na dhuruar horizontin e dijeve të tij, Kelmendi paraqet një vepër që gjen përdorime të shumta, me fokus në përsosjen e Shqipërisë.  Faqet e këtij libri përmbajnë informacion të gjerë dhe të hollësishëm, duke lidhur të gjithë elementët që i nevojiten një vendi dhe shteti të ecë përpara. Kohët ndryshojnë, sot çdo gjë është dinamike, evoluimet që pëson historia e një vendi dhe e një kombi dhe qeverisjet e tij, lindin nevojën e krijimit të doktrinave filozofiko-politike për rrugën e zhvillimit dhe suksesit. Shqipëria është në rrugën e saj të forcimit të themeleve demokratike, të rritjes së edukimit qytetar, të zhvillimit ekonomik, nën shembullin e SHBA-se dhe Europës, drejt një integrimi të plotë europian dhe arritjes së standardeve të duhura. Libri shihet si një dhuratë dhe një kontribut i çmuar i dijeve dhe njohurive të Kelmendit për vendin e tij si dhe një ndihmë në ndërtimin e një Shqipërie europiane, demokratike, të fortë, me vlera njerëzore dhe me meritat që i takon. Atë çfarë ai ka mësuar dhe ka marrë nga ky vend e paraqet në formë të shkruar për t’i shërbyer kujtdo dhe kudo. Dashurinë e madhe për njerëzit, miqtë, të afërmit, familjen dhe Shqipërinë, e shpreh në fund nëpërmjet këtij studimi, i cili në thelb është puna dhe jeta e tij për vendin dhe kombin. Vizionin dhe rrugën e tij e lë ta ndjekim ne dhe brezat që do të vijnë.

Libri “Qeverisja dhe Politika si Ndërvarësi” është edhe një libër enciklopedik. Çështjet e trajtuara në këtë libër mund të shërbejnë si material studimor për studentë dhe pedagogë të fushës së shkencave politike, shkencave juridike, shkencave historike, shkencave filozofike si dhe shkencave të administrimit. Gjithashtu, ky libër përbën një bazë të rëndësishme teorike dhe praktike për politikanët, qeveritarët, qëndrorë dhe lokalë, si dhe administratorët publikë. Çdo njeri që ka dëshirë dhe pasion për t’u njohur me shtetin, qeverisjen dhe politikën mund të gjejë në faqet e këtij libri një informacion tepër të vyer.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi