Si ta kuptojmë rendin e sotëm botëror

Nga Fatos Tarifa dhe Ksenofon Krisafi, botuar në Dita, 22 korrik 2020

Redaksia e gazetës Dita ftoi dy prej njohësve më të mirë të marrëdhënieve, të institucioneve e të politikës ndërkombëtare dhe, njëherësh, diplomatë ndër më të njohurit në vendin tonë—Prof. Fatos Tarifa dhe Prof. Ksenofon Krisafi—për të shpjegur për lexuesit e saj, përmes një dialogu akademik e profesional mes tyre, disa prej koncepteve bazë të politikës e të marrëdhënieve ndërkombëtare në kohën tonë. Duke i falenderuar ata për bashkëpunimin me këtë gazetë, e botojmë më poshtë të plotë bashkëbisedimin mes tyre.

Krisafi: I dashur Fatos, mendoj se një bisedë si kjo natyrshëm duhet të nisë me definicionin e një koncepti bazë, ndër më të rëndësishmit në politikën ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet mes shteteve, siç është koncepti “aktor ndërkombëtar”. Ky koncept përdoret sot gjerësisht në fushën e studimit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në diplomaci, si një mënyrë për të evituar kufizimet që përmban termi “shtet”. Një aktor ndërkombëtar, natyrisht, mund të jetë çdo entitet—shtet, organizatë ose institucion ndërkombëtar, korporatë shumëkombëshe, lëvizje çlirimtare, lëvizje sociale, agjenci joqeveritare, ose individ të veshur me një funksion të caktuar—që luan një rol të identifikueshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Tarifa: Jam tërësisht dakord me këtë përcaktim tuajin. Dua të shtoj, megjithatë, se edhe pse koncepti “aktor ndërkombëtar” nuk ka ndonjë përkufizim të saktë, ai është i dobishëm për shkak të gjerësisë së përmbajtjes dhe fleksibilitetit të përdorimit të tij. Me këtë koncept sot nënkuptohen jo vetëm shtetet, por edhe një varg organizatash, institucionesh dhe personalitetesh që luajnë një rol të rëndësishëm në politikën globale dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit të 20-të, sistemi ndërkombëtar nuk është më monopol vetëm i shteteve, për shkak të krijimit të një numri të madh aktorësh joshtetërorë—ndër të cilët ju me të drejtë përmendni korporatat shumëkombëshe, lëvizjet çlirimtare, lëvizjet sociale, ose agjenci të ndryshme joqeveritare—të cilët kanë interesa të pavarura nga ato të shteteve të veçantë dhe veprojnë si aktorë të pavarur, madje edhe kanë fuqi të mjaftueshme për të influencuar dhe për të shkaktuar ndryshime në sistemin ndërkombëtar.

Krisafi: E vërtetë. Disa autorë, madje, argumentojnë se sistemi i sotëm ndërkombëtar i ngjan, në fakt, modelit të një sistemi që përbëhet nga një shumësi aktorësh (mixed actor model), për shkak të reduktimit të rolit të aktorit shtetëror dhe rritjes së rolit të aktorëve joshtetërorë në këtë sistem. Por, vetë sistemi i sotëm i marrëdhënieve ndërkombëtare është më i hapur dhe, duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit të 20-të, një përdorim të gjerë ka gjetur koncepti “aleancë”. Aleancat mes shteteve kanë ekzistuar gjatë shekujve, por sot ato shihen jo vetëm si një grupim shtetesh që kanë interesa dhe objektiva të përbashkëta, ose të ngjashme, por edhe si “aktorë” më vete në arenën ndërkombëtarë. Madje kur marrin formën e një organizate ndërkombëtare dhe kjo ndodh jo rrallë, ato shndërrohen në subjekte të së drejtës ndërkombëtare, me një rol dhe një peshë të rëndësishme në zhvillimet botërore në çdo sferë të veprimtarisë njerëzore.

Tarifa: Kjo, gjithashtu, është e vërtetë. Koncepti “aleancë’ sot nënkupton një marrëveshje politike formale ndërmjet dy ose më shumë shteteve për të bashkëpunuar në lidhje me çëshje të sigurisë së përbashkët. Një bashkëpunim i tillë, nga ana e vet, nënkupton—dhe kushtëzon—të paktën përmbushjen e detyrimeve të përbashkëta nga të gjitha palët në rast shpërthimi të një lufte. Shtetet që vendosin të bëhen pjesë e një aleance i sanksionojnë përgjegjësitë dhe detyrimet e tyre përmes traktatesh, të cilët parashikojnë kushtet në të cilat vendet nënshkruese detyrohen të angazhohen ushtarakisht në mbrojtje të interesave të përbashkëta të vendeve anëtarë të aleancës. Sidoqoftë, siç dëshmon më së miri rasti i misionit të ri të NATO-s, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe shpërbërjes së Traktatit të Varshavës, bashkëpunimi mes vendeve anëtarë të një aleance mund të shtrihet edhe përtej mbrojtjes së sigurisë së territoreve të tyre, për të arritur qëllime të përbashkëta dhe për të mbrojtur vlera dhe interesa të përbashkëta, që shkojnë përtej çështjeve të sigurisë.

Krisafi: Në disa raste, shtetet aleatë mund ta gjykojnë të nevojshme e të dobishme që ta mbështesin diplomatikisht njëri-tjetrin në realizimin e politikave të tyre të jashtme. Dhe, ashtu si në marrëdhëniet diplomatike mes shteteve, aleancat mund të jenë të hapura, ose të fshehta; ato mund të jenë, gjithashtu, dypalëshe (Aleanca Anglo-Portugeze, e krijuar në vitin 1386); trepalëshe (Triple Alliance midis Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Italisë, e formuar në vitin 1882); ose shumëpalëshe (Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior—NATO, e krijuar në vitin 1949, ose Trajtati i Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Ndihmës Reciproke—Traktati i Varshavës, i krijuar në vitin 1955).

Tarifa: Sigurisht. Aleancat kanë qenë një variabël kryesor në sistemin ndërkombëtar që mbëshetej në balancën e fuqisë (balance of power). Shumë studiues mendojnë se një sistem i tillë arriti kulmin e zhvillimit të vet në shekullin e 19-të. Si rregull, shpërndarja afërsisht e barabartë e kapaciteteve midis tri ose më shumë Fuqive të Mëdha në një sistem shumëpolar, siç ishte ai që karakterizoi shekullin e 19-të, kushtëzonte një mënyrë sjelljeje, e cila përcaktohej nga aritmetika e koalicioneve midis vetë Fuqive të Mëdha, ose midis tyre dhe fuqive të mesme ose fuqive të vogla. Balanca e përgjithshme e kapaciteteve dhe e fuqisë së tyre—në mënyrë të veçantë balanca e kapaciteteve ushtarake—kanë ndryshuar në varësi të faktit se cilët shtete janë bashkuar në aleancë me kë. Në një sistem shumëpolar, aleancat mes shteteve kanë ndikuar më shumë—dhe më shpejt—në ruajtjen ose në prishjen e balancës, sesa zhvillimet e brendshme të një vendi, sado i fuqishëm që të jetë ai.

Krisafi: Aleancat ushtarake mes shteteve janë krijuar, përgjithësisht, për qëllime difensive ose ofensive. Aleancat ofensive, siç vë në dukje studjuesi amerikan Stephen Walt, si rregull, kanë qenë dhe janë më të brishta sesa aleancat mbrojtëse. Për shkak të vet natyrës së saj, një aleancë ofensive është problematike, pasi ajo kërkon që vendet anëtarë të saj të jenë të gatshëm të sakrifikojnë jetët e qytetarëve të tyre dhe resurset e tyre për një kauzë, të cilën vetë ata mund të mos e konsiderojnë të rëndësishme për interesat e tyre kombëtare. Gjatë shekullit të 20-të, aleancat zhvilluan katakteristika institucionale shumë më komplekse sesa në të kaluarën. NATO, fjala vjen, është një shembull shumë i mirë në këtë drejtim. Përveç koordinimit të një politike të mbrojtjes kolektive, kjo organizatë është përpjekur dhe përpiqet, gjithashtu, që të koordinojë politikën mbi kontrollin e armëve, si dhe të blerjes së armëve e të teknologjisë ushtarake.

 Tarifa: Në vijim të kësaj që thoni ju—dhe mbështetur në përvojën historike të marrëdhënieve mes shteteve—një koncept shumë i rëndësishëm, që s’mund të lihet jashtë vëmendjes, është ai “anarkisë”. Kuptimi i mirëfilltë i këtij koncepti, siç besoj bini dakord edhe ju, është mungesa e qeverisjes (absence of government), edhe pse, shpesh herë, ky koncept përdoret, në mënyrë të gabuar, si sinonim i mungesës së plotë të rendit, ose si sinonim i konfuzionit dhe i kaosit. Në teoritë tradicionale të marrëdhënieve ndërkombëtare anarkia dhe rendi nuk janë domosdoshmërisht koncepte përjashtues. Siç vënë në dukje dy autorë amerikanë, Graham Evans dhe Jeffrey Newnhan,“m arrëdhëniet ndërkombëtare kërkojnë një lloj të veçantë aktiviteti politik, i cili, në fakt, mundësohet dhe nuk shkatërrohet prej anarkisë”.

Krisafi: Do dëshiroja të shtoja se origjina intelektuale e konceptit “anarki” mund të thuhet se daton me veprën e Thomas Hobbes-it, Leviathan, (sidomos në kapitullin XIII të saj) dhe shtjellohet më tej në veprën e Immanuel Kant-it Paqja e përjetshme. Ky koncept, siç vutë në dukje edhe ju, ka qenë dhe mbetet një koncept gjerësisht i përdorur në mendimin perëndimor mbi marrëdhëniet ndërkombëtare, në atë masë sa, siç vë në dukje Hedley Bull në librin e tij Shoqëria anarkike (The Anarchical Society, 1977), disiplina e marrëdhënieve ndërkombëtare është zhvilluar në lidhje të ngushtë me këtë koncept.

Tarifa: Unë do të shtoja se, në mënyrë specifike, termi “anarki ndërkombëtare” është popullarizuar së pari në vitin 1916, nga G. Lowes Dickinson, në librin e tij Anarkia europiane (The European Anarchy). Ky autor argumenton se anarkia dhe frika që shkakton ajo te shtete të veçantë  ka qënë shkaku i çdo lufte, në përgjithësi dhe, në mënyrë të veçantë, i Luftës së Parë Botërore. Shumica e studiuesve të marrëdhënieve ndërkombëtare në kohën tonë, sidoqoftë, e konsiderojnë debatin mbi anarkinë si një debat semplist e të pafrytshëm dhe priren që t’i konsiderojnë marrëdhëniet ndërkombëtare jo aq si përplasje mes interesave të shteteve të veçantë, sesa si marrëdhënie që përcaktohen e zhvillohen të kushtëzuara nga shkalla e lartë e ndërvarësisë reciproke dhe nga interesat e përbashkëta për të negociuar marrëveshje që kënaqin këto interesa. Sidoqoftë, ka prej tyre që mendojnë se, për shkak të “anomalive” gjeopolitike të krijuara—ose të trashëguara—“anarkia do të jetë, ndoshta, gjendja normale e botës në shekullin 21-të” (David Danelo, Anarchy is the New Normal, 2013).

Krisafi: I lidhur ngushtë me konceptin e “aktor ndërkombëtar”, për të cilin folëm më sipër, është edhe ai i “fuqisë” (power), pavarësisht përkufizimeve të ndryshme që i jepen këtij koncepti. Në fakt, koncepti “fuqi” është një një ndër konceptet më të kontestuar në studimin e politikës botërore e të marrëdhënieve ndërkombëtare. Përdorimi i tij, si në të kaluarën, ashtu dhe sot, ka qenë ambivalent dhe shpeshherë ka krijuar e krijon konfuzion.

Tarifa: Si term, koncepti “fuqi” është i ngjashëm, ose i afërt me terma të tillë, si forcë, detyrim, influencë etj. Ndonjëherë, koncepti “fuqi” është përshkruar si një “portmanto”, në të cilën mund të vendosen një sërë kuptimesh dhe, për këtë arsye, ai konsiderohet—dhe, në fakt është—një koncept i vështirë, në mos edhe i pamundur për t’u përkufizuar saktë. Zakonisht, fuqia kuptohet si diçka që nënkupton një varg mundësish—nga forca dhe detyrimi, tek influenca dhe autoriteti.

Krisafi: Pavarësisht kësaj, si nga këndvështrimi i një “wilsonianizmi realist” të Fukuyama-s, ashtu edhe nga perspektiva e “realizmit demokratik” të Charles Krauthammer-it, ose edhe nga këndvështrimi i “globalistëve demokratë”, në një botë të rrezikshme si kjo e sotmja fuqia vazhdon të jetë “monedha kryesore e marrëdhënieve ndërkombëtare”. Randall Scheller, madje, argumenton se “fuqia është një tipar themelor i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe vetë thelbi i natyrës së marrëdhënieve ndërkombëtare është konfliktual”, çka nënkupton se për zgjidhjen e konflikteve mes shteteve fuqia mbetet një element kryesor.

Tarifa: Në teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, koncepti “fuqi” është përpunuar kryesisht nga shkolla realiste, sidomos në veprën më të njohur të përfaqësuesit më të shquar të saj, Hans Morgenthau, Politika mes shteteve(Politics among Nations: The Stuggle for Power and Peace, 1951). Në këtë vepër dhe, përgjithësisht, në traditën realiste, koncepti i fuqisë përkufizohet në mënyrë shumë të përgjithshme dhe ky kuptim mbetet, si të thuash, de rigueuredhe sot e kësaj dite.

Krisafi: Megjithatë, pikëpamja e Morgenthau-së, është kritikuar dhe sfiduar edhe brenda vetë traditës realiste. Në fakt, një pjesë e mirë e debatit mbi konceptin e fuqisë brenda shkollës raliste është zhvilluar mes përkrahësve të Morgenthau-së dhe kritikëve të tij.

Tarifa: Keni të drejtë. Sidoqoftë, në dekadat e fundit, studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare kanë mundur të qartësojnë e të saktësojnë më mirë përmbajtjen e konceptit “fuqi” duke e parë si atë si një “koncept shkaksor”. Shumica e debateve postrealistë mbi fuqinë nisin duke bërë një dallim të qartë midis këtij koncepti, si një mundësi e supozuar, ose si posedim i saj, nga njëra anë, dhe fuqisë si një marrëdhënie mes dy ose më shumë aktorëve, nga ana tjetër (Robert Dahl, Modern Political Analysis, 1984: 176). Megjithatë, shumica e autorëve mendojnë se, për shkak se një marrëdhënie fuqie (power relationship) nënkupton përdorimin e sanksioneve nga një apo disa aktorë për të thyer rezistencën e një ose të disa aktorëve të tjerë, fuqia nënkupton—dhe shpreh—gjithnjë forcë dhe detyrim.

 Krisafi: Arsyetimet e mësipërm natyrshëm na sjellin në trajtimin e një koncepti tjetër shumë të rëndësishëm, siç është “balanca e fuqisë” (balance of power), apo “ekuilibri mes fuqive”. Edhe pse shumë i përdorur në teorinë e marrëdhënieve e të politikës ndërkombëtare, përmbajtja e këtij koncepti mbetet jo shumë e njohur për publikun e gjerë. Ka autorë që mendojnë se koncepti i “balancës së fuqisë” është, ndoshta, ai koncept që i afrohet më shumë një teorie politike të marrëdhënieve ndërkombëtare sesa çdo koncept tjetër. Sidoqoftë, edhe përmbajtja e këtij koncepti nuk është kurdoherë—dhe për këdo—njëlloj e qartë, ndaj edhe ai është i hapur për interpretime të ndryshme.

Tarifa: Për shkak të mënyrave të ndryshme të të kuptuarit të “balancës së fuqisë”, disa autorë e shohin të dobishme që të bëjnë dallim mes balancës së fuqisë (1) si politikë (si një përpjekje e qëllimshme për të parandaluar dominimin e një fuqie të vetme) dhe (2) si një sistem i politikës ndërkombëtare (në të cilin natyra e marrëdhënieve mes shteteve tenton të kufizojë, ose të kontrollojë përpjekjet për vendosjen e hegjemonisë nga një fuqi e vetme, çka rezulton në një ekulibër të përgjithshëm. Një shembull tipik që e ilustron konceptin e “balancës së fuqisë” si politikë mund të konsiderohej politika e jashtme e Britanisë në marrëdhëniet e saj me Fuqitë e Mëdha europiane nga shekulli i 16-të deri në fillim të shekullit të 20-të, ndërsa një shembull që mund ta ilustronte më së miri konceptin e “balancës së fuqisë” si sistem i politikës ndërkombëtare, do të ishte i ashtuquajturi sistemi shtetëror europian, nga viti 1648 deri më 1789, dhe nga viti 1815 deri më 1914.

Krisafi: Ndarja e kësaj sekuence kronologjike (1789-1815) besoj se përfaqëson periudhën e radikalizmit në Francë dhe refuzimin e saj për të respektuar balancën e fuqisë, apo jo? Në vitin 1815, pas një periudhe të gjatë ekspansioni nën sundimin e Napoleon Bonapartit, Franca u tërhoq në territoret e pushtuara prej saj, duke mundësuar kështu, përmes Kongresit të Vienës, institucionalizimin e balancës së fuqisë në Europë. Vendimet e Kongresit të Vienës, të cilat u morën bashkërisht nga Fuqitë e Mëdha të kohës, synonin zgjidhjen e konflikteve mes tyre, në mënyrë që, në të ardhmen, të mund të evitoheshin luftrat e tmerrshme, si ato të njëzet viteve të fundit. Edhe pse Kongresi i Vienës është kritikuar gjerësisht nga historianë të shekujve të 19-të dhe 20-të për injorimin që u bëri impulseve nacionale e çlirimtare në Europë dhe për reagimin shtypës ndaj tyre, përgjithësisht besohet se, përmes vendosjes së balancës së fuqisë (çka ndryshe njihet edhe si “Koncerti i Fuqive të Mëdha të Europës” ose  “Koncerti Europian”), vendimet e atij kongresi parandaluan shpërthimin e një lufte të re mes Fuqive të Mëdha për afro një shekull (1815-1914) dhe i dhanë mundësi Europës që të përjetonte një periudhë të gjatë paqeje relative.

Tarifa: I këtij mendimi është, ndër të tjerë, edhe Henry Kissinger, i cili, në vitin 1954, i kushtoi kësaj çështjeje studimin për disertacionin e tij doktoral, me titull Një botë e rindërtuar (A World Restored: The Politics of Conservatism in a Revolutionary Era). Më lejoni të shtoj se, “balanca e fuqisë”, e kuptuar qoftë si politikë, qoftë edhe si sistem, ka qënë pjesë e pandarë e historisë diplomatike të botës moderne dhe, ndoshta, edhe vetë vlerësimi i politikës ndërkombëtare, deri në vitin 1914, mund të bëhet duke iu referuar pikërisht këtij koncepti dhe realiteteve që pasqyronte ai. Lidhja e Kombeve, e krijuar pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, përfaqësonte një përpjekje ndërkombëtare për ta zëvendësuar politikën dhe sistemin e “balancës së fuqisë” me parimin e “sigurisë kolektive”, çka mendohej se do e bënte balancën të panevojshme.

Krisafi: Sigurisht, por, shumë analistë të marrëdhënieve ndërkombëtare, që mbështeten në traditën realiste, mendojnë se ishte pikërisht mungesa e “balancës së fuqisë” gjatë periudhës midis dy luftrave botërore ai faktor që çoi në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore. Pas mbarimit të kësaj lufte, sistemi politik ndërkombëtar u riorganizua jo më mbi bazën e balancës tradicionale të fuqisë, por si një sistem dypolar dhe, më vonë, pas përfundimit të Luftës së Ftoftë, si një sistem njëpolar.

Tarifa: Tradicionalisht, paradigma realiste në analizën e marrëdhënieve ndërkombëtare është mbeshtetur në konceptin e “Fuqisë së Madhe”, i cili i referohet një renditjeje hierarkike mes shteteve mbështetur kryesisht mbi bazën e kapaciteve të tyre ushtarake dhe ekonomike. Me fjalë të tjera, struktura hierarkike e sistemit ndërkombëtar është karakterizuar nga ekzistenca e Fuqive të Mëdha (ose edhe e superfuqive), e fuqive të mesme, e fuqive të vogla dhe e mikro-shteteve. Vetë termi “Fuqi e Madhe” e ka origjinën e tij në politikën italiane të shekullit të 15-të, edhe pse ai u adoptua si një koncpet diplomatik ortodoks për të parën herë me nënshkrimin e “Traktatit të Shomontit” (Treaty of Chaumont), në vitin 1814. Si rezultat i Kongresit të Vienës (1815), pesë shtete europiane—Austria, Britania, Franca, Prusia dhe Rusia—formalisht i njohën vetes së tyre statusin e Fuqisë së Madhe. Ideja ishte, siç vë në dukje Jakub Grygiel në librin e tij Fuqitë e Mëdha dhe ndryshimi gjeopolitik (Great Powers and Geopolitical Change, 2006), që këta shtete, duke vepruar në “koncert” me njëri-tjetrin, të merrnin përsipër të menaxhonin në mënyrë pluraliste ruajtjen e rregullit në sistemin europian të shteteve.

Krisafi: Dua të shtoj se, siç e dini edhe ju fort mirë, jashtë Europës, statusin e “Fuqisë së Madhe” e kanë pasur dy shtete të tjerë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas fitores në luftën me Spanjën në vitin 1898, dhe Japonia, pas fitores ndaj Rusisë në vitet 1904-1905.

Tarifa: Saktë. Prirja për t’u njohur statusin e Fuqisë së Madhe në konferenca ndërkombëtare disa vendeve vijoi edhe në shekullin e 20-të, duke u institucionalizuar në Lidhjen e Kombeve. Sidoqoftë, pavarësisht faktit që, duke filluar nga fundi i shekullit 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të, Amerika ishte dhe konsiderohej nga qeveritë e fuqive të tjera të mëdha si një Fuqi e Madhe, ajo vetë, sidomos gjatë periudhës para vitit 1917 dhe midis viteve 1921-1941, nuk manifestoi ndonjë vullnet politik për t’u sjellë në skenën e politikës globale si një fuqi e tillë.

Krisafi: Kjo është e vërtetë. Vetëm me hyrjen e saj në Luftën e Dytë Botërore dhe pas saj, Amerika, në mënyrë të ndërgjegjshme, mori përsipër të luante rolin e një Fuqie të Madhe. Me krijimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, stutusi i Fuqive të Mëdha u rikonfirmua institucionalisht: pesë vende—Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Bashkimi Sovjetik (sot Rusia) dhe Kina (kjo e fundit në vitin 1971, me rivendosjen e të drejtave të ligjshme të Republikës Popullore të Kinsë, shprehje kjo e përdorur edhe në dokumentacionin e OKB të asaj kohe)—morën dhe ruajnë vendin e anëtarit të përhershëm në Këshillin e Sigurimit, duke pasur secili prej tyre të drejtën e vetos.

 Tarifa: Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, termi “Fuqi e Madhe” filloi të zëvendësohej nga një term i ri: “superfuqi”, një term ky i përdorur për herë të parë në vitin 1944 nga William Fox në librin e tij Superfuqitë: Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Bashkimi Sovjetik–Përgjegjësia e tyre për Paqen (The Super-Powers: The United States, Britain and the Soviet Union–Their Responsibility for Peace). Përdorimi i këtij termi shënonte krijimin e një “klase të re” shtetesh, që ishin qartësisht superiore ndaj Fuqive të Mëdha tradicionale europiane. Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, statusin e superfiqisë e ruajtën vetëm dy shtete: Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik.

Krisafi: Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, të cilat më parë kishin gëzuar statusin e një Fuqie të Madhe dhe kishin manifestuar vullnetin e tyre politik për të vepruar si fuqi të tilla, e humbën edhe këtë status. Ato u konsideruan në atë kohë—dhe vazhdojnë të konsiderohen edhe sot—si fuqi të mesme, ose të dorës së dytë, edhe pse vazhdojnë të ruajnë privilegjet e fituara pas Luftës së Dytë Botërore, si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kanë secila një potencial nuklear. Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe dezintegrimin e Traktatit të Varshavës, ngjarje këto që shënuan fundin e Luftës së Ftohtë, i vetmi vend që vazhdon ta ruajë statusin e një superfuqie është Amerika, një pikëpamje kjo që ju e keni shtjelluar me mjaft qartësi në librin tuaj Fati i një shekulli: Hegjemonia amerikane, dilemat e Europës dhe sfidat e Azisë Lindore (2010).

 Tarifa: Ajo që unë kam synuar të bëj në librin Fati i një shekulli është formulimi i konceptit “polaritet”, siç kuptohet dhe aplikohet ai në analizën e sistemeve, në teorinë e marrëdhënieve ndërkombatare dhe në gjeopolitikën e sotme, veçanërsht nga shkolla realiste. Koncepti i “polaritetit” nënkupton se brenda një sistemi të caktuar marrëdhëniesh, një ose disa aktorë janë kaq të rëndësishëm, saqë ata përbëjnë një “pol”, ose “pole”, ndaj të cilit (apo ndaj të cilëve) aktorë të tjerë reagojnë apo kundërveprojnë (a) ose duke u bashkuar në koalicion me ta, (b) ose duke qëndruar më vete, (c) ose duke u bashkuar me njëri-tjetrin për të kundërbalancuar peshën e “aktorit polar”. Aktorët që dominojnë një sistem marrëdhëniesh ndërkombëtare mund të jenë shtete të veçantë, ose një bllok apo koalicion shtetesh. Në një sistem historikisht të përcaktuar marrëdhëniesh ndërkombëtare, “aktor polar” konsiderohet ai shtet, ose ai koalicion shtetesh, i cili është kaq i rëndësishëm në sistemin ndërkombëtar, sa largimi ose hyrja e tij në sistem do ta ndryshonte strukturën arkitekturale të vetë sistemit ndërkombëtar. Në të kaluarën, hyrja ose largimi i shteteve të veçantë me statusin e një fuqie polare në sistemin ndërkombëtar ka ndodhur kryesisht si pasojë e luftrave—luftrat napoleonike, Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore ose Lufta e Ftohtë.

 Krisafi: Statusin e një fuqie polare, ose të çdo vendi të veçantë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare ju e përcaktoni nisur nga katër komponentë esencialë: (1) fuqia politike, (2) fuqia ekonomike, (3) fuqia ushtarake dhe (4) fuqia teknologjike. Nisur nga ky përcaktim, shkolla realiste pranon se struktura e sistemit global të marrëdhënieve ndërkombëtare, në periudha të ndryshme, ka njohur modele të ndryshëm, të cilët kanë pasur pasojat e tyre. Përderisa në një botë anarkike siguria kombëtare e një vendi përbën bazën e politikës së tij të jashtme, atëherë, siç shprehet Barry Posen, nga pozitat e realizmit strukturalist, aftësitë e çdo vendi për të sulmuar dhe për t’u mbrojtur kanë një rëndësi të madhe.

Tarifa: Teoria realiste dallon tri tipe sistemesh të marrëdhënieve ndërkombëtare: sistemin shumëpolar (multipolarity), sistemin dypolar (bipolarity) dhe sistemin njëpolar (unipolarity). Sistemi shumëpolar përfaqëson tipin e një strukture sistemi të marrëdhënieve ndërkombëtare, në të cilin predominojnë të paktën tre “pole”, ose tre “aktorë polarë”. Një sistem ndërkombëtar shumëpolar tipik—dhe i fundit që kemi njohur deri më sot—ka qenë ai që mbizotëroi gjatë shekullit të 19-të dhe në gjysmën e parë të shekullit të 20-të. Një sistem dypolar u krijua, për herë të parë në historinë moderne, gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, kur struktura e sistemit ndërkombëtar u konturua rreth dy “poleve”: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në njërën anë, dhe Bashkimi Sovjetik, në anën tjetër. Ky sistem u strukturua dhe funksiononte si dypolar nga pikëpamja e potencialit ushtarak, nga ajo e tipit të regjimit politik, e formës së sistemit ekonomik dhe e ideologjisë sunduese. Ai identifikohej me dy blloqe të mëdha politiko-ushtarake—NATO dhe Traktati i Varshavës—çdonjëri prej të cilëve dominohej nga interesat, ideologjia dhe perceptimet e secilës superfuqi. Sistemi njëpolar, nga ana e tij, përfaqëson një tip të rrallë në strukturën e marrëdhënieve ndërkombëtare, në të cilin vetëm një “pol”, ose vetëm një “aktor polar” është dhe pranohet si mbizotërues. Ky është sistemi që u krijua pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, kur Bashkimi Sovjetik e humbi përfundimisht statusin e një superfuqie dhe këtë status e ruajti dhe vazhdon ta mbajë vetëm SHBA.

Krisafi: Nga ky këndvështrim, me të cilin unë pajtohem, historikisht, sisteme njëpolarë mund të thuhet se kanë qënë ata sisteme, në të cilët rolin dominues në arkitekturën e marrëdhënieve ndërkombëtare e kanë luajtur perandori të mëdha shumëkombëshe. Sisteme të tillë njëpolarë kanë qenë, për shembull, ata që u krijuan në kohët e sundimit të Perandorisë Egjiptiane (3150-1285 p.e.r. (me disa intervale të shkëputur); gjatë sundimit të Perandorisë Asiriane (675-626 p.e.r); të Perandorisë Persiane (539-449 p.e.r.); të Perandorisë së Aleksandrit të Madh (331-323 p.e.r.); të Perandorisë Romake (188 p.e.r.-224 e.r.) dhe të Perandorisë Britanike (nga mbarimi i luftrave napoleoniane deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore, në vitin 1914.

 Tarifa: Vitet e fundit, Richard Haass ka propozuar idenë se sistemi i sotëm ndërkombëtar është bërë një sistem jopolar, i cili përbëhet nga shumë qendra pushteti (shtete ose aktorë joshtetërorë), por prej të cilave asnjëra nuk dominon mbi të tjerat (“The Age of Nonpolarity: What Will Follow U.S. Dominance”, Foreign Affairs, 2008). Me fjalë të tjera, në një sistem të tillë, pushteti do të ishte në shumë duar dhe në shumë shtete njëherësh.

 Krisafi: Ndonjëherë konceptet “njëpolar”, “dypolar” dhe shumëpolar” barazohen me konceptet “unilateralizëm”, “bilaterizëm,” dhe “multilateralizëm”. Në literaturën akademike, por më shumë në zhargonin politik, shpesh herë flitet për një “multilaterizëm efektiv”, ose për krijimin e një “rendi botëror multipolar, të orientuar nga partneritetet”, apo për “forcimin e strukturave multipolare”, duke i përdorur termat “multipolar” dhe “multilateral” (shumëpolar dhe shumëpalësh) sikur të ishin identikë.

Tarifa: Një përdorim i tillë është, natyrisht, i gabuar, sepse termat “multipolar” dhe “multilateral” shprehin kategori të ndryshme, ashtu sikurse edhe përdorimi i tyre bëhet në nivele të ndryshëm analizash. Polariteti është një koncept i cili përdoret në analiza në nivel sistemi dhe ka të bëjë, siç vumë në dukje më sipër, me shpërndarjen, ose dispersimin e pushtetit apo të fuqisë (siç ekziston dhe perceptohet ajo) në sistemin global të marrëdhënieve ndërkombëtare. Në dallim nga ai, unilaterizmi apo multilaterizmi janë qëndrime që zgjedhin dhe mbajnë shtete të caktuar në politikën e tyre të jashtme, në kuadër të një sistemi të dhënë marrëdhëniesh ndërkombëtare. Në parim, nuk ka asnjë arsye përse superfuqia e vetme (apo aktori i vetëm polar—Shtetet e Bashkuara), në një sistem global njëpolar, ai ky i sotmi, të mos ndjekë një politikë të jashtme multilaterale, ashtu sikurse mund të ndodhë që një Fuqi e Madhe, në një sistem shumëpolar, të ndjekë një politikë të jashtme unilaterale.

Krisafi: Të vësh shenjën e barazimit midis multipolaritetit dhe multilaterizmit(ose midis unipolaritetit dhe unilaterizmit) do të thotë, të injorosh kompleksitetin e debatit mbi politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe të fuqive të tjera të mëdha, duke e reduktuar atë në një konflikt njëdimensional mes unilateralistëve dhe multilateralistëve.

Tarifa: Përderisa polariteti dhe uni/multilaterizmi janë kategori të ndryshme analitike, vizionet mbi politikën e jashtme duhet të analizohen duke marrë në konsideratë, nga njëra anë, perceptimet e ndryshme mbi shpërndarjen e fuqisë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe, nga ana tjetër, preferencat e njërës apo tjetrës fuqi të madhe për politika unilaterale apo multilaterale.

Krisafi: Ne s’kemi folur deri tani për një koncept tjetër shumë të rëndësishëm, siç është ai “sigurisë kolektive”. Ky koncept është, në fakt, një inovacion i politikës botërore të shekullit të 20-të. Ishte Lidhja e Kombeve që e bëri atë parimin bazë të saj. Sipas këtij koncepti, “dilema e sigurisë” së shteteve mund të zgjidhet më së miri jo përmes përpjekjeve të çdo vendi për t’u mbrojtur prej shteteve të tjerë dhe as përmes balancës së fuqisë, por përmes angazhimeve institucionale të përbashkëta, me anë të të cilave, çdo shtet merr përsipër dhe vepron bashkërisht me shtetet e tjerë kundër cilitdo shtet tjetër, ose koalicion shtetesh që përpiqet të cënojë integritetin territorial ose pavarësinë politike të tyre.

Tarifa: Unë jam i mendimit se thelbi i një koncepti të tillë mund të shprehet, siç shkruan Robert Kolb, me moton e musketierëve: “të gjithë për një, një për të gjithë”. Edhe pse ideja e “mbrojtjes së përbashkët”, apo e “sigurisë kolektive” ka qenë një temë e njohur dhe e trajtuar jo rrallë në historinë e marrëdhënieve mes shteteve, qysh nga koha e grekëve të lashtë dhe, më vonë, në veprat e shumë mendimtarëve reformatorë apo radikalë, si Pierre Dubois, Jeremy Bentham apo Immanuel Kant, ajo fitoi momentum pas Luftës së Parë Botërore, kur ideja se anarkia ndërkombëtare mund të tolerohej ishte diskredituar.

Krisafi: Dhe, më në fund, koncepti i “lidershipit global”. Ky koncept ka gjetur dhe vazhdon të ketë një përdorim të gjerë në studimet mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në debatin që zhvillohet sot mbi politikën e jashtme, sidomos në Shtetet e Bashkuara, dhe jo vetëm në periudha fushatash për zgjedhjet presidenciale, duke shërbyer si një parim udhërrëfyes për politikën e jashtme amerikane. Këtë çështje ju e keni trajtuar gjerësisht dhe në thellësi, në punimet tuaja lidershipin e Shteteve të Bashkuara në botën e sotme.

Tarifa: Si një koncept teorik dhe politik, “lidershipi global” është një koncept relativisht i ri; ai ka hyrë në përdorim pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Kjo dëshmohet, ndër të tjera, edhe nga fakti se ky koncept mungon si një zë i veçantë në Fjalorin e politikës botërore (The Dictionary of World Politics: A Reference Guide to Concepts, Ideas and Institutions), i pari fjalor komprehensiv i këtij lloji, botuar në vitin 1990 nga Graham Evans dhe Jeffrey Newhman. I vetmi rast kur termi “lidership” përmendet në këtë botim, është në kontekstin e shpjegimit të konceptit gjeopolitik “hegjemoni”.

Krisafi: Joshua Muravchik, një autor që kam lexuar kohët e fundit, argumenton se baza e lidershipit amerikan është fuqia ushtarake e Shteteve të Bashkuara. Sidoqoftë, i njëjti autor pohon se fuqia ushtarake nuk është as i vetmi komponent i lidershipit dhe as një komponent i mjaftueshëm për këtë rol.

Tarifa: Debati mbi këtë çështje është i gjerë. Një autor tjetër, Nikolas Gvosdev, mendon se, vitet e fundit, koncepti mbi lidershipin global duket se ka humbur disi kuptimin që kishte ky term në vitet 1990 dhe në fillimin e viteve 2000, për shkak të zhvillimeve të reja globale, të cilat kanë bërë të mundur rivlerësimin e rolit që Shtetet e Bashkuara luajnë—ose mund të luajnë—realisht në skenën globale. Sidoqoftë, përballë alternativës së krijimit të një bote më të dhunshme e më kaotike, siç duket se paralajmërojnë zhvillimet e dy dekadave të para të shekullit të 21-të në Lindjen e Mesme, në Afganistan, në Afrikë dhe gjetkë, unë mendoj se lidershipi i Shteteve të Bashkuara mbetet jo vetëm një faktor i rëndësishëm në politikën globale, por edhe një kocept teorik që meriton më shumë vëmendje dhe analiza më të thelluara.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi