Shpëtimi nga kurthi i COVID-19

Editorial i Monitor, 25 prill 2020

Kur kanë kaluar vetëm pak javë nga kufizimi i aktiviteteve dhe lëvizjeve me synim frenimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, të dhënat e para statistikore po tregojnë se ndikimi në ekonomi do të jetë i fortë.

INSTAT raportoi se eksportet ranë me 36% në muajin mars. Tkurrja më e thellë ishte për sektorin e tekstileve e këpucëve, me 47%, i cili është grupmalli kryesor i eksportuar në vend, me rreth 40% të totalit. Rënia e tij reflektoi përçarjen e aktivitetit ekonomik global dhe sidomos, varësinë e lartë që ne kemi nga një shtet i vetëm, që është fqinji ynë, Italia, më i godituri për momentin.

Të dhënat e para nga institucionet flasin për rreth 55 mijë vende të humbura deri më sot, që përbëjnë rreth 10% të totalit të forcës punëtore në sektorin privat.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në parashikimin për Pasqyrën Ekonomikë Globale, vlerësoi se rënia ekonomike e Shqipërisë do të ishte 5% këtë vit, për t’u rimëkëmbur në 8% vitin e ardhshëm. Ky skenar bazohet në supozimin se kriza do të zgjidhet në gjashtëmujorin e dytë të vitit. Dy janë sektorët që pritet të goditen më shumë, sipas FMN (lexo intervistën në faqet e brendshme), së pari turizmi, që ka një kontribut të rëndësishëm në ekonomi dhe së dyti, eksportet, të cilat janë të varura nga ecuria e Italisë.

Ashtu si në gjithë botën, që pritet të tkurret me 3%, edhe Shqipëria nuk mund të pretendojë t’i shpëtojë kësaj dukurie. Por, të rëndësishme, për të garantuar një rimëkëmbje të shpejtë, do të jenë politikat që do të ndjekë çdo qeveri për të nxitur ekonominë e saj.

E para dhe më emergjentja është lehtësimi i pasojave sociale. Qeveria duhet të sigurojë burime të mjaftueshme për njerëzit e goditur nga kriza. Familjet që humbasin të ardhurat e tyre drejtpërdrejt, ose në mënyrë të tërthortë, për shkak të masave të izolimit, do të kenë nevojë për mbështetje nga qeveria. Paketa e parë e zgjidhi shumë pak dhe vetëm pjesërisht këtë, pasi parashikoi dhënien e pagës minimale vetëm për një të tretën e të punësuarve në biznese të vogla. Paketa e dytë ishte më gjithëpërfshirëse, duke garantuar pagesa për të punësuarit e tjerë të biznesit të vogël e të disa sektorëve kryesorë në punësim, si dhe duke rritur skemën e garancisë për bizneset e mëdha.

Pagesa për punonjësit do të duhet të kryhet në një formë të tillë që të mos krijojë shkëputje mes kompanisë e punonjësit, sepse ky është çelësi i suksesit për rikthimin e shpejtë në aktivitet, në momentin e rigjallërimit të ekonomisë. Ndërprerja e marrëdhënieve do të vështirësonte “ndezjen e motorit”. Teoritë ndërkombëtare rekomandojnë se sa më shumë do të arrijnë të ruhen vendet e punës, aq më e shpejtë do të jetë rimëkëmbja, kur kjo situatë të ketë përfunduar. Ruajtja e vendeve të punës, apo pagesa për ata që e kanë humbur, do të ishte dhe një mënyrë për të nxitur konsumin e brendshëm, që në rastin e Shqipërisë është i rëndësishëm për të mbajtur në jetë mikrondërmarrjet në tregti e shërbime.

Hapi i dytë do të jetë maturia dhe eficienca për të shfrytëzuar rikthimin drejt normalitetit (të ri). “Monitor” ka rekomanduar dhe më herët se shansi i vetëm për të shpëtuar turizmin këtë vit është ai i një hapjeje graduale të koordinuar me Kosovën, duke shfrytëzuar avantazhet konkurruese të njëra-tjetrës (Shqipëria në turizëm dhe të dyja për prodhimet bujqësore). Të gjitha gjasat janë që të mos ketë rifillim të fluturimeve këtë verë, ndaj udhëtimet me makina mund të jenë një zgjidhje për të garantuar që hotelet të mos rrinë të mbyllura këtë sezon.

Së treti, në afatin më të gjatë është koha që të mendohet për atë që po flitet e sugjerohet prej vitesh, por që deri tani nuk ishte menduar seriozisht: kalimi drejt një modeli më konkurrues e të qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare. Kriza nxori në pah dobësitë më të mëdha strukturore, duke filluar nga: pesha e lartë e mikronjësive në shërbime e tregti (16% e subjekteve në vend janë bare e restorante!); mungesa e diversifikimit të eksporteve dhe kostoja e lirë e fuqisë punëtore si avantazh i vetëm konkurrues; pamundësia për të siguruar zinxhirin e bujqësisë, ndonëse kemi peshën më të madhe të tij ndaj PBB-së në Europë, si dhe moszhvillimi i sektorit të teknologjisë së informacionit, që në këto momente do të ishte më i dobishëm se asnjëherë tjetër.

Pas përfundimit të kësaj krize, ekonomia do të rimëkëmbet, për këtë nuk ka asnjë dyshim, por është momenti që të gjithë aktorët të bashkëpunojnë, që kjo ringritje të jetë ashtu siç duhet!

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi