Beteja politike po zhvillohet midis atyre që mbështesin Reformën në Drejtësi dhe atyre që e kundërshtojnë atë

Nga Ervis Iljazaj, botuar ne Mapo, 19 maj 2018

Edhe pse në dukje duket një ashpërsim i gjuhës politike dhe rritjes së konfliktit midis mazhorancës dhe opozitës, në fakt, beteja politike nuk zhvillohet më midis dy palëve, por në një front të ri politik.

Është ai front që Preç Zogaj e quan me të drejtë, dikotomia e re në politikën shqiptare.

Kjo dikotomi nuk sheh si aktorë kryesorë ndarjen tradicionale të politikës shqiptare apo dialektikën normale në një demokraci që sheh një garë midis mazhorancës dhe opozitës, por një ndarje midis aktorëve politikë të çfarëdo krahu që mbështesin Reformën në Drejtësi, dhe ata që e kundërshtojnë atë.

Shqipëria ndodhet në një moment ku, ngjarja kryesore, ndoshta e 27 viteve të tranzicionit, është aprovimi i Reformës në Drejtësi dhe zbatimi i saj. Është një ngjarje e cila ndryshon rrënjësisht marrëdhëniet problematike midis politikës dhe drejtësisë që jemi mësuar deri më tani. Prandaj, zbatimi i saj, ka padyshim një ndikim të madh edhe në politikën shqiptare dhe të gjitha koniunkturat që ka mbartur kjo marrëdhënie.

Për këtë arsye, ka një betejë midis atyre që e mbështetin këtë Reformë dhe atyre që e kundërshtojnë.

Tashmë është e qartë, që politika shqiptare nuk mund të prodhojë më asnjë lajm. Në këtë drejtim duket çdo gjë e bllokuar. E vetmja që mund prodhojë lajme politike është drejtësia.

Kjo për një arsye thelbësore, Reformës në Drejtësi. Një Reformë rreth të cilës, u vërtitën të gjitha strategjitë politike, pasi, padyshim do të ndryshojë të gjithë sistemin juridiko-politik që është instaluar përgjatë gjithë tranzicionit shqiptar.

Me një imponim qartësisht amerikan, Reforma në Drejtësi është gati në fundin e saj, dhe palët politike duket sikur janë në pritje të efekteve që ajo do të japë, që në disa aspekte kanë filluar që tani.

Prandaj, e gjitha dialektika politike është e bllokuar, pa të cilën të gjitha spuntot ekonomike dhe sociale paralizohen dhe mbeten në vend.

Padyshim, të gjitha palët politike për të ruajtur marrëdhëniet me organet gjyqësore, bënë ç’të ishte e mundur për të stopuar një reformë, e cila po merr nga dora e tyre drejtësinë. Tensioni politik që ndihet në ditët e javët e fundit, është pikërisht për këtë arsye, sepse politika shqiptare e ka kuptuar tashmë, që organet e drejtësisë po i rrëshqasin nga duart.

Mirëpo një situatë e tillë, ka bllokuar çdo politikë qeverisëse, çdo iniciativë politike domethënëse, çdo nxitje ekonomike, në pritje se çfarë do të sjellë Reforma në Drejtësi në kampin politik.

Në këtë kuptim, ajo që ka munguar këtë vit është pikërisht dialektika normale politike, pa të cilën një demokraci kthehet në gjendje të ngrirë.

Duket sikur asgjë nuk lëviz në planin e qeverisjes, por edhe në kampin opozitar, përveçse akuzave me dosje penale të ndërsjella.

Në këtë moment që flasim, Prokuroria shqiptare është nën syrin e ciklonit, të opinionit publik, por edhe të ndërkombëtarëve, për shkak të çështjeve shumë të ndjeshme që ka në duart e saj. Duke filluar që nga arrestimi i disa anëtarëve të krimit të organizuar shumë të përfolur, te çështja Tahiri dhe ajo e vëllait të Ministrit të Brendshëm, janë çështje të cilat mund të tronditin politikën shqiptare të të gjitha palëve.

Kështu që, deri sa të vendoset përfundimisht fati i Reformës në Drejtësi, është e kotë të presim lajme nga politika. Sytë e të gjithë aktorëve janë drejtuar nga efektet e saj. Me të gjitha gjasat ky është një proces tashmë i pakthyeshëm. Se cili do të hipë në karrocën e fituesit e cili jo nga aktorët kryesorë politikë mbetet për t’u parë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi