Përralla e udhëheqësit të domosdoshëm

Nga Blendi Kajsiu, botuar në Panorama, 1 qershor 2021

Në garën për kryetarin e PD-së Basha, edhe mbështetësit e tij po artikulojnë idenë se ai është një lider i domosdoshëm për PD-në, i vetmi që mund ta bashkojë dhe shpëtojë PD-në nga shkatërrimi. Vetë Basha deklaroi se lidershipi i tij ka qenë i sakrificës, çka të bën të besosh se është gati të sakrifikohet përsëri për partinë.

Ideja se lideri është i domosdoshëm për të shpëtuar dhe përbashkuar partinë është një nga elementët themelorë të berishizmit. Në PD këtë rol e ka luajtur dhe vazhdon ta luajë Berisha. Ai është kthyer në një mit që jo vetëm njehsohet tërësisht me partinë, por shpesh artikulohet si më i rëndësishëm se vetë partia.

Kuptohet që kjo ide nuk është e re. Vjen nga Partia Bolshevike e themeluar nga Lenini në fillim të shekullit të kaluar. Është hera e parë në historinë politike kur lideri dhe partia shkrihen në një në fjalët e poetit sovjetik Majakovski: “Kur themi partia nënkuptojmë Lenini dhe kur themi Lenini nënkuptojmë Partia”.

E njëjta logjikë importohet nga Partia Komuniste në Shqipëri, e cila pas Luftës së Dytë Botërore gjithnjë e më tepër njehsohet me Enver Hoxhën, aq sa ekzistenca e Partisë së Punës dukej e pamundur përtej ekzistencës së Enverit.

E megjithatë, kjo ideja e liderit të domosdoshëm është një përrallë me mbret. Historia tregoi se si Partia Bolshevike në Bashkimin Sovietik edhe Partia e Punës në Shqipëri ishin shumë më tepër se liderët e tyre historikë. Në fakt, ishin liderët, që nga Lenini deri tek Enveri, që kishin nevojë për partinë më shumë se anasjelltas.

Partia e Punës u transformua në Partinë Socialiste dhe me megjithë tendencën për ta njehsuar atë me Ramizin pardje, me Nanon dje dhe me Ramën sot, është e qartë se kjo parti është shumë më tepër se lideri i radhës dhe kurrsesi nuk mund të reduktohet tek ai.

Çudia qëndron te fakti se Partia Demokratike, e themeluar si një forcë antikomuniste, vazhdon ta artikulojë dhe besojë këtë përrallë bolshevike. Jo vetëm militantët, por edhe mjaft mbështetës të kësaj partie në media besojnë se PD-ja nuk mund t’i mbijetojë largimit të Berishës apo të emëruarit të tij Basha.

Në këtë mënyrë, ata sot e reduktojnë PD-në te lideri i saj, ashtu sikurse Partia e Punës reduktohej dje tek Enveri apo tek i emëruari tij, Ramiz Alia. E vërteta është se si miti i Enverit, themelues i Partisë Komuniste, ashtu edhe miti i Berishës, themelues i Partisë Demokratike, janë përralla të krijuara nga të dy mbasi morën kontrollin e partive përkatëse dhe eliminuan kundërshtarët.

Berisha nuk ishte as themeluesi unik dhe as më i rëndësishëm i PD-së. Në fakt, ishte PD-ja që e krijoi Berishën dhe jo anasjelltas. Arritja më e madhe e Berishës nuk ishte themelimi i PD-së, por vënia e saj nën kontrollin e tij total për 30 vite rresht.

PD-ja nuk ishte produkt i vullnetit të asnjë individi të caktuar, por i një momenti specifik historik dhe strukturor. Ajo ishte pasojë e krizës së sistemit komunist dhe përfaqëson një fluks social që do institucionalizohej si një forcë politike me apo pa Berishën në krye.

Edhe sot, PD-ja përfaqëson shumë më tepër se vullnetin e një njeriu. Ajo është shtrati ku kanalizohet pothuajse gjithë pakënaqësia me qeverisjen kur PD-ja është në opozitë dhe mbështetja për qeverinë kur është në pushtet. Në këtë aspekt, PD-ja është një markë dhe pasuri publike. Kjo ndodh pjesërisht, sepse në këto 30 vite PD-ja ka zhvilluar një identitet politik të fortë te votuesit dhe ndjekësit e saj. Pjesërisht sepse sistemi ynë është bipolar, që nga institucionet politike dhe Kodi Elektoral deri te hapësira mediatike, çka e bën të vështirë daljen e partive të reja.

Kjo do të thotë se shumë nga ata që e votojnë PD-në, e bëjnë këtë pavarësisht se aty është Berisha apo Basha, të motivuar nga zhgënjimi me qeverisjen aktuale dhe të vetëdijshëm që e vetmja forcë që mund ta rrëzojë atë është PD-ja. Fakti që PD mori mbi 600 mijë vota, pavarësisht gabimeve pa fund të Bashës, aleancës së tij me politikanë dhe forca të diskretitura dhe lojës së pandershme të pushtetit në fushatë, tregon se ajo është një fluks social që ekziston përtej dhe shpesh, pavarësisht liderit të radhës, qoftë ky Basha apo Berisha.

Edhe në vitin 2005, PD-ja erdhi në pushtet, pavarësisht dhe jo prej Berishës. U desh të krijohej KOP dhe të riktheheshin të larguarit për të zbutur dhe sfumuar imazhin e Berishës që shqiptarët ta votonin PD-në si parti e parë me një shumicë mjaft të vogël. Votuesi gri shqiptar tashmë prej vitesh e ka refuzuar si Berishën edhe të emëruarin e tij në PD, Basha.

Është kjo një nga arsyet themelore se pse PD-ja nuk transformohet në parti të parë, pavarësisht zullumeve të pushtetit socialist. Ndaj nuk është PD-ja që ka nevojë për Bashën apo Berishën, por këta të dy për PD-në. E domosdoshme është partia, jo udhëheqësit. Në fakt, këta të fundit e kanë kuptuar me kohë këtë gjë, ndaj e kanë kapur fort dhe nuk e lëshojnë PD-në.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi