Shqipëria me zhvillim të paqëndrueshëm

Sipas Monitor, 6 mars 2019

Ashtu si edhe në mbarë botën edhe në Shqipëri për rreth gjysme shekulli konsumi i burimeve natyrore ka qenë në shpërpjesëtim me kapacitetet e natyrës për t`i rigjeneruar ato me shpejtësinë që aktivitetet ekonomike i konsumojnë, analizohet në një studim shkencor të INSTAT në lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Studimi mori në shqyrtim disa metodologji për që vlerësonin burimet natyrore dhe njerëzore të vendit dhe doli me rezultatin se zhvillimi i Shqipërisë është paqëndrueshëm.

Pavarësisht rritjes së vazhdueshme të PBB-së në Shqipëri për periudhën 1997-2016, kjo përbën vetëm një komponent të zhvillimit; atë ekonomik, por jo zhvillimit te qëndrueshëm..

Studimi sugjeron me interes për zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë ngritjen pranë INSTAT të një grupi me përbërje shumë-disiplinorë me kohë të pjesshme për të ndihmuar këtë institucion në përmirësimin e metodikave për grumbullimin e të dhënave statistikore dhe drejtimin e studimeve që do të ndihmojnë hartuesit e politikave ekonomike dhe mjedisore të Shqipërisë të përcaktojnë mbi baza shkencore rrugët më optimale të zhvillimeve të ardhshme të Shqipërisë gjatë shekullit të 21-të.

Megjithëse në të kaluarën ka pasur disa studime dhe zbatime që kanë synuar harmonizimin e zhvillimit ekonomik me ruajtjen e burimeve natyrore, këto përpjekje nuk kanë mundur të adresojnë raporte zhvillimesh afatgjata.

Gjatë periudhës 1997–2016 faktori total i produktivitetit (TFP) ka pasur ulje–ngritje lidhur me përdorimin e lëndëve të para dhe të energjisë gjatë proceseve të prodhimit, si rrjedhojë e përmirësimeve ose përkeqësimeve të proceseve teknologjike të prodhimit dhe të ndryshimeve në politikat ekonomike dhe të institucioneve që merren me këto politika.

Studimi i INSTAT sugjeron se, pjesë integrale e strategjisë së zhvillimit të qëndrueshëm në veçanti duhen konsideruar përdorimi dhe shfrytëzimi i burimeve natyrore në përputhje me shpejtësinë e rigjenerimit të tyre.

Nëse do të supozohej se e gjithë popullsia e Shqipërisë do të ishte vegjetarianë, domethënë do të konsumonte vetëm prodhime bimore, numri maksimal i njerëzve që do të mund të ushqeheshin normalisht gjatë një viti me prodhime të vendit do të ishte mbi 5 milionë.

Nëse popullsia do të përfshinte në dietën e vet ushqimore edhe prodhime shtazore në nivele 5, 10, 15, 20, 25, 30 ose më shumë për qind, numri maksimal i njerëzve që do të mund të ushqeheshin do të pakësohej me shpejtësi sepse burimet natyrore të Shqipërisë nuk do të ishin të mjaftueshme për ta përballuar ndryshimin e dietës ushqimore.

Kur prodhimet bimore konsumohen nga kafshët, rreth 90 % e energjisë bimore konsumohet për të gjithë aktivitetet jetësore të kafshëve dhe rreth 10 % e saj konvertohet në prodhime shtazore: mish, qumësht, vezë, etj .

Kjo shkallë e ulët e konvertimit të energjisë bimore në energji të prodhimeve shtazore është një ligjësi e natyrës dhe është arsyeja kryesore që Shqipëria është importuese e produkteve ushqimore nga vendet e tjera të botës për të plotësuar më mirë nevojat e popullsisë së vendit për ushqim.

Sipërfaqja totale e tokës bujqësore është marrë përafërsisht 600,000 hektarë. Nëse popullsia e një vendi dëshiron të rrisë mirëqenien e vet, ajo është e detyruar të konsumojë më shumë burime natyrore të vendit deri në momentin kur këto burime nuk mjaftojnë. Në këtë rast, ky vend është i detyruar të importojë produkte ushqimore që krijohen nëpërmjet konsumit të burimeve natyrore të vendeve të tjera, të cilat kur shtojnë eksportet e prodhimeve vendase fitojnë më shumë vlera monetare, duke varfëruar në të njëjtën kohë burimet natyrore të vendit për shkak të konsumit të tepruar të tyre.

Si rezultat, të dy grupet e vendeve, eksportuese dhe importuese, krijojnë deficite ekologjike në burimet natyrore dhe zhvillimi i tyre afatgjatë është i paqëndrueshëm.

Studimi përllogariti se në tregtinë ndërkombëtare, për çdo dollar të fituar nga eksportet, Shqipëria humbiste 9.6 herë më shumë burime natyrore, në krahasim me mesataren botërore.

Pra përveç bilancit negativ në vlera monetare, Shqipëria humbiste shumë më tepër burime natyrore, në krahasim me shumë vende të botës.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi