Politika në emër të drejtësisë së munguar

Nga Ervis Iljazaj, botuar ne Mapo, 8 tetor 2018

Nuk ka vend tjetër të dytë si Shqipëria, ku politika zhvillon seanca gjyqësore publike, me verdikte, me pretenca apo vendime të formës të prerë. Kohët e fundit, e gjithë beteja politike midis palëve është zhvilluar pikërisht mbi akuza dhe kundërakuza, apo për çështje që janë tërësisht të drejtësisë, por, që janë kthyer në mënyrë absurde në çështje të politikës.

Politika dhe drejtësia duken si dy rrugë paralele që nuk takohen kurrë, duke na dhënë përshtypjen e një bashkëpunimi, që në shumë raste është më shumë iluzion sesa e vërtetë. Ashtu sikurse drejtësia nuk heziton të vendosë instrumentet e saj në shërbim të politikës, në të njëjtën mënyrë politika, në emër të mbrojtjes së lirisë dhe realizimit të drejtësisë arrin deri në eliminimin e kundërshtarit politik. Dy pushtete të ndryshme, që historikisht janë në përplasje me njëra-tjetrën, por në të njëjtën kohë pashmangshmërisht të lidhura po aq fort.

Mirëpo, realiteti shqiptar i këtyre viteve, është tërësisht në një drejtim. Në drejtim ku, këtë betejë historike midis drejtësisë dhe politikës, kjo e fundit, e ka fituar sa herë që ka patur një përplasje.  Jo vetëm kaq, por, në emër të saj, jep drejtësinë e munguar të tranzicioni shqiptar. Dhe, paradoksi i politikës shqiptare është se, në vend që të japë zgjidhje politike, bën vendime gjyqësore publike. A thua se, ajo që presim prej saj është të na japë drejtësi. Të gjithë e dimë që, “drejtësia” e politikës vetëm në emër të drejtësisë nuk flet.

Në fakt, uzurpimi i politikës nuk është vetëm në pushtetin gjyqësor, por në të gjithë shtetin shqiptar. Kështu që, depolitizimi i shtetit mbetet një nga sfidat më të mëdha të shoqërisë shqiptare.

Përtej partive politike nuk ekziston asgjë. Ato janë kthyer pothuajse në institucione fetare. Nga liderët e tyre presim mrekullitë që s’do të arrijnë kurrë. Vetë ata, kanë marrë rolin e një profeti ku duhet me patjetër të besojmë. Duhet të përqafohet pa kusht dogma e tyre, në të kundërtën je duke kryer një herezi e cila ndëshkohet rëndë.

Ky është regjimi që tashmë kemi vendosur. Një regjim partitokratik ku politika kontrollon gjithçka. Ajo jep drejtësi, nga ajo varet ekonomia, liria, individi e çdo gjë tjetër që ka të bëjë me jetët tona.

Lufta midis partive dhe institucioneve “të pavarura” shpeshherë na serviret si një e mirë që forcon ndarjen e pushteteve. Ky është një keqkuptim i madh që na është krijuar, sepse në të vërtetë ky është një konflikt midis pushteteve për interesa të mirëfilltë politikë dhe jo ndarje pushtetesh që forcon shtetin e së drejtës dhe liritë tona individuale.

Ekziston një moment shumë i rëndësishëm për të kuptuar nëse institucionet janë të pavarura apo jo në një shtet të caktuar, është pikërisht momenti kur politika është në krizë. Krizave politike në vendet me pushtete të ndara u japin zgjidhje organet e pavarura të cilat kanë pikërisht këtë si detyrën kryesore. Nëse partitë politike dhe sistemi politik funksionon në rregull, përtej “luftës” normale të ideve, atëherë institucionet e shtetit kthehen në zyra formale. Nëse jo, atëherë roli i tyre është thelbësor.

Në momentet që politika shqiptare është në krizë, dhe kjo ndodh jo rrallëherë, gjëja e parë që vërehet është sulmi politik që zhvillohet ndaj institucioneve. Presidentë të Republikës të akuzuar si të një pale politike apo të një tjetre, vendime gjyqësore si të njëanshme deri edhe në protesta ndaj tyre, janë bërë tashmë pjesë normale e ligjërimit politik. Kjo është një shenjë e qartë sesa pak besim kemi tek ato për faktin se pjesa më e madhe e tyre është kthyer si organ i një partie të caktuar. Jo vetëm që këto institucione nuk u japin zgjidhje krizave politike, por ato vetë kalojnë në krizë si pasojë e saj.

Në këtë kuptim, nuk ka ndonjë ndryshim të madh midis partisë-shtet në kohën e komunizmit dhe shtetit të partive që kemi krijuar sot.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi