Kuptimi i elitave politike shqiptare, sensi i historisë së Shqipërisë
Dritan Hoti, botuar në Panorama, 25 shtator 2018
Momentet vendimtare të historisë së një kombi nxjerrin në pah rolin e elitave politike përkatëse. Megjithëse rezultati i aktivitetit dhe aksionit të tyre hera-herës nuk është ai i pritshmi, pasi një sërë rrethanash e motivesh që nënkupton madhësinë e pozitën e vendit, momentin historik si dhe konstalacionin ndërkombëtar, prapë se prapë, tërësia e zhvillimeve të një vendi shënjohet thellësisht nga mënyra e të funksionuarit dhe vepruarit të elitave në fjalë. Shqipëria bën pjesë tek ato vende, të cilat kanë njohur një trajektore të njëjtë historike, te të cilat ekzistenca e një shoqërie apo një kombi ishte më e hershme se ajo e një shteti. Ndryshe nga elitat e një serë vendesh europiane, të cilat e projektuan aksionin, veprimtarinë e tyre intelektualo-politike nga përbrenda vendit të tyre duke qenë bashkudhëtare me të, elitat shqiptare, rrjedhojë e motivit historik, e projektuan aktivitetin e tyre nga vende të ndryshme ku ato ishin të shpërndara. Ndryshe nga elitat e vendeve kryesore europiane, në të cilat evoluimi i realizimit të procesit të shtetit-komb modern u përshkrua sipas etapave të duhura dhe i mbështetur mbi një doktrinë të mendimit autentik filozofik, sensi i historisë së Shqipërisë përkthehej në krijimin e shtetit-komb shqiptar. Elita shqiptare u investua katërçipërisht në këtë drejtim, mirëpo përmasat e pranimit te shtetitkomb shqiptar ishin dukshëm jashtë rrezes së dëshirave e planeve të tyre, ishin siç ka ngjarë në të shkuarën, përvijimi i realiteteve shtetformuese në Ballkan, siç mund të ndodhë edhe në të tashmen, në funksion qoftë të ekuilibrave më të gjerë gjeopolitike, qoftë për zhbërjen e këtyre balancave. Forma e organizimit të brendshëm politik në vendet e vogla mban po aq sa vulën a aktivitetit të elitave politike kombëtare, sa edhe influencën e zhvillimeve ndërkombëtare, të cilat në fakt janë pothuajse aq vendimtare dhe për fatin e vendeve të mëdha.
Në periudhën e paskrijimit të shtetit shqiptar, në atë ndërmjet dy luftërave botërore, nuk ekzistonte asnjë fuqi e madhe apo organizim politik mbishtetëror, e cila kërkonte të diktonte zhvillimin e brendshëm të vendeve të tjera, duke u mbështetur mbi vlera e standarde demokratike, të garantuara nga normat juridike. Një praktikë e tillë u inaugurua nga SHBA-ja pas Luftës së II-të Botërore si dhe nga BE-ja, në emër të integrimit në këtë organizëm. Sensi i historisë së Shqipërisë, sakaq përfundimi i Luftës së I-rë Botërore, impononte vazhdimësinë e ekzistencës të një shteti shqiptar. Elitat politike shqiptare sërish u investuan në këtë drejtim. Kompromiset e mëdha kombëtare, të cilat kanë rezultuar kryesisht efikase në momentet kritike të historisë së Shqipërisë. Një i tillë që zgjidhi vazhdimësinë e ekzistencës së Shqipërisë, i hapi mandej rrugën një forme demokratike regjimi për kohën. Asokohe, veçmas nisjes së vrullshme të aktivitetit të grupeve komuniste ndërkombëtare, të frymëzuara ideologjikisht dhe të koordinuara nga Moska me synim transformimin e vendeve të tyre në vende socialiste si dhe përhapjen e “idealit” komunist universalisht, nuk ekzistonin organizata ndërkombëtare apo grupime të fuqishme aleancash politiko-ushtarake, që përpiqeshin të impononin apo promovonin rregulla demokratike në organizmin e brendshëm politik të vendeve të caktuara. Në këtë vazhdë, rivaliteti i brendshëm politik shqiptar u shënjua nga dy grupime tashmë të njohura politike. Triumfi i njërit prej tyre, për arsye komplekse, duke përfshirë në kontekstin e atëhershëm edhe fqinjët me interesa të përhershme sa u përket zhvillimeve të brendshme politike shqiptare, tjetërsoi atë formë ekzistuese demokratike të sistemit politik shqiptar. Ahmet Zogu dhe grupi politik që ai kryesonte, i cili e transformoi republikën në një monarki shqiptare, garantoi vazhdimin e funksionimit me të metat dhe meritat e një shteti shqiptar. I zhveshur nga rregullat e mirëfillta të lojës politike, ai ishte iniciuesi i disa atentateve, nëpërmjet të cilëve u eliminuan fizikisht një pjesë e kundërshtarëve të tij politikë, duke përfshirë edhe personalitete me potencial intelektual si dhe kontribut të spikatur kombëtar, pasi vetë kishte qenë shënjestër e shumë tentativave për ta eliminuar edhe atë fizikisht. Zogu pati një meritë të veçantë, pasi drejtoi nëpërmjet elitave, disa prej tyre ish-kundërshtarë të rreptë politikë, të amnistuar po prej tij. Pushteti si dhe sovraniteti i shtetit shqiptar u fshinë nga një ngjarje e jashtëzakonshme, siç ishte Lufta e II-të Botërore me shpërthimin e së cilës, dinasti, regjime apo sovranitete vendesh të ndryshme pushuan gjithashtu së ekzistuari. Zbardhja e mënyrës së tij të larguarit nga Shqipëria do ta kishte nderuar atë më shumë përballë historisë.
Historia e lëvizjes dhe triumfit të komunizmit shqiptar ishte e ngjashme në kohë si dhe deri diku në tipare me lëvizjet analoge në vende të ndryshme që përparuan dhe dolën fituese ne fund të Luftës së II-të Botërore. Më pak intelektualë në rrafshin ideologjik, qeverisja komuniste shqiptare “rrezatonte” forma të theksuara nepotizmi si dhe hakmarrje primitive socio-politike me burim nga vetë shoqëria, një pjesë të së cilës ajo përfaqësonte, e gjitha kjo e legjitimuar nga detyrimi ideologjik. Një rend socialist mbretëroi për më shume se 40 vite në Shqipëri, ndryshe nga regjimet komuniste analoge, të cilat njohën progresivisht deri në një farë mase liberalizmin, evoluoi në një kah të kundërt. Këtu u promovua një stil më radikal si dhe më absurd i formës socialiste të qeverisjes. Brenda këtyre kontureve buronte edhe funksionimi institucional, raporti hierarkik apo përmbajtja e luftës së klasave si dhe lufta brenda llojit. Ndërkohë që orientimet si dhe shkëputjeve politikës së jashtme shkonin në funksion të shmangies së rreziqeve apo ruajtjes së pushtetit politik të diktatorit shqiptar. Shqipëria socialiste nuk ushtroi ndonjë version nacionalist të marksizmit, por edhe nëse e përfaqësonte këtë, vetë natyra e regjimit si dhe perceptimet e tij gjeopolitike, nuk përbënin ndonjë garanci për një zgjidhje të favorshme të çështjes shqiptare. Diktaturat komuniste ne emër të të “vërtetave” komuniste, nëpërmjet imponimeve të forcës injektuan një sërë standardesh etiko-sociale të njeriut apo shoqërisë që ato sundonin. Agresiviteti i komunizmit shqiptar në “implementimin” e këtyre deviacioneve ishte tejet radikal, kësisoj, gjurmët e pasojat mbi njeriun e shoqërinë shqiptare rezultuan edhe më drastike. Sensi i diktaturës komuniste nuk mund kishte përshtatshmëri me sensin e historisë së Shqipërisë, ndërkohë ajo periudhë ishte një pjesë e historisë së saj.
Bota e re që e ngriti siparin me fundin e Luftës së Ftohtë përkoi me futjen e Shqipërisë në fazën e tranzicionit demokratik. Kurrë më parë nuk kishte ekzistuar një mjedis ndërkombëtar aq favorizues. Zhbllokimi i çështjes shqiptare me ndërtimin e një demokracie normale, thelbi i së cilës ishte ndarja reale e pushteteve dhe funksionimi i duhur i sistemit të drejtësisë. Për vetë përmasën e Shqipërisë dhe hapësirën shqiptare, ky zhbllokim të ishte një zgjidhje ndërkombëtare për një çështje kombëtare. Ndërtimi i një shteti të së drejtës ishte një sipërmarrje e brendshme, në të cilën pjesën kryesore të misionit duhet ta përmbushte elita politike. Ndryshe nga regjimi i Zogut, i cili përafrohet sa i për ket sindromës endemike të korrupsionit shqiptar, gjendjes në të cilën ndodhet Shqipëria aktuale, tok me elitën e tij bashkëqeverisëse, e cila përbëhej nga individë me një shkollim e formim intelektual autentik që tejkalonin dukshëm edhe mbretin shqiptar, nuk la trashëgiminë e ndonjë mendësie të caktuar. Në ndryshim, regjimi komunist i përcolli Shqipërisë një mendësi uniforme e etiketuar tashmë si mentaliteti komunist. Për më tepër, përçuese e kësaj mendësie i binte të ishte elita politike shqiptare, e cila kishte për detyrë të ndërtonte shtetin e së drejtës, pra, demokracinë e re shqiptare.
Sensi i historisë aktuale të Shqipërisë përmban një simetri ndërmjet integrimit dhe aderimit në aleancat e duhura, me funksionalitetin e mekanizmave të shtetit të së drejtës. E para, do t’i garantonte shqiptarëve një lloj proteksioni të munguar ndërkombëtar, si dhe garancinë për evoluimin e duhur, kurse funksionimi i shtetit të së drejtës do të formalizonte energjitë zhvilluese të shoqërisë shqiptare, të frenuara në të shkuarën, duke siguruar një lloj harmonie sociale gjithëpërfshirëse, e cila do të projektonte zhvendosjen e shoqërisë sonë si një korpus i tërë drejt etapave të progresit. Mirëpo, elita politike shqiptare larg të përkufizuarit siç duhet të përmasës së sfidës, me të cilën duhej të merrej, e shënjoi ritmin e zhvillimit politiko-institucional të vendit në një drejtim të devijuar. Kështu që pritshmëria për një demokraci reale u zëvendësua nga një version i një partitokracie shqiptare. Me kalimin e kohës pasurimi anormal i elitës politike ravijëzoi edhe formën e kompromisit ndërmjet saj: Lufta politike ishte dhe është e ashpër, pa përmbajtje ideore, shpeshherë vulgare, pra, larg çdo standardi etik. “Veçantia” e saj qëndronte se ky lloj rivaliteti nuk rrezikonte pozitën e palëve rivale, duke i dhënë tashmë këtij sistemi, trajtën e plutokracisë politike. Shoqëria shqiptare, e cila nuk kishte njohur një gjendje të një demokracie normale, si edhe popujt e tjerë të Ballkanit, nuk kishte qenë asnjëherë e përfshirë nga idetë abstrakte, të cilat sjellin përmbysjet apo transformimet e pritshme politike. Në momentin e një zhgënjimi nga pritja e tejzgjatur, sa i përket pritshmërisë për zhvillimin e saj, shtete si Gjermania, fuqi e interesuar për rajonin, si edhe përçuese e zërit të Bashkimit Europian, apo një superfuqi si rasti i SHBA-ve, për arsye të kombinuara që variojnë nga piketat e interesave vetjake tek orientimet gjeopolitike të popullit shqiptar, tek shtrirja e pesha e hapësirës shqiptare në rajon, apo detyrimet që burojnë nga një aleancë e veçantë, mëshuan fort në imponimin e reformës kushtetuese, me fjalë tjetër, asaj në drejtësi, synimi i së cilës konsiston në injektimin e ligjësive të reja ne organizmin e funksionimin e sistemit të brendshëm politik shqiptar. Për më tepër, pritshmëritë e shoqërisë shqiptare u sinkronizuan me objektivat e aleatëve të fuqishëm ndërkombëtarë, kurse segmente të rëndësishme të elitës politike, duke iu kundërvënë më kot, herë dinakërisht dhe herë në mënyrë jo bindëse, jo vetëm stonuan përpara faktorit ndërkombëtar, por gjithashtu morën trajtën e përpjekjeve antihistorike, kur bëhet fjalë pikërisht për një investim, që i shkon për shtat më së miri sensit të historisë së Shqipërisë. Përkatësia e hapësirës shqiptare në një aleancë ndërkombëtare të caktuar, e tillë ajo aktuale, varet jo vetëm nga orientimet e shqiptarëve kudoqofshin, por edhe nga synimi e interesi për ta mbajtur këtë hapësirë si një pjesë të kësaj aleance, ndërsa organizmi i duhur i brendshëm politik varet jo vetëm nga rezultatet përfundimtare të Reformës në Drejtësi, por edhe sesi shoqëria dhe elita vazhduese do të garantojë ecurinë e zhvillimeve të brendshme që do t’i japin kuptimin e plotë sensit të historisë së Shqipërisë.