Letër e hapur për krerët e shteteve dhe qeverive anëtare të Bashkimit Evropian

Për Presidentin e Këshillit Evropian, Z. Donald Tusk

Letër e hapur për krerët e shteteve dhe qeverive anëtare të Bashkimit Evropian

I dashur Z. President, Ne, të nënshkruarit anëtarë të Parlamentit Evropian, Raportues dhe Drejtues të Delegacioneve për marrëdhëniet me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, nxisim krerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian të dakortësohen për një hap thelbësor drejt politikës së zgjerimit të BE-së, gjatë takimit të Këshillit Evropian më 28 dhe 29 Qershor. Është koha e duhur për një vendim të qartë që do t’i hapë rrugën vërtetë një integrimi të suksesshëm të të gjashtë shteteve si edhe të 18 milionë qytetarëve që jetojnë në Ballkanin Perëndimor.

E nënshkruar buzë liqenit të Prespës vetëm disa ditë më parë, marrëveshja ndërmjet qeverive të Greqisë dhe Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë për të zgjidhur pozicionet e tyre të ndryshme mbi emrin, përbën një mundësi emocionuese për Evropën: të kontribuojë në zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe të sjellë një shtet tjetër të Ballkanit Perëndimor në gjirin e Unionit. Duke ndjekur këtë rrugë, do të mbillet fara e paqes dhe e prosperitetit në të gjithë Evropën Jug-Lindore.

Kjo zgjedhje për një jetë në paqe dhe prosperitet, e qeverisur nga shteti i së drejtës dhe nga institucione efektive e demokratike, bashkon qytetarët e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor: Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, si edhe Serbisë.

Një brez i ri shqiptarësh, boshnjakësh, kosovarësh, maqedonas të veriut, malazezësh dhe serbësh, është rritur me një imazh të dhimbshëm të konflikteve bilaterale, kujtimeve të hidhura të luftrave në të cilat ata nuk kanë marrë pjesë e që janë përdorur me keqdashje nga versione abuzuese të historisë, e që pafundësisht kanë përkufizuar lidhjen e tyre me fqinjët Evropianë e i kanë parandaluar shtetet e tyre të ndërtojnë shoqëri dhe institucione demokratike. Me dëshirën e mirë, përkushtimin e nevojshëm, si edhe me vizion të qartë politik, kjo pamje e zymtë mund të jetë së shpejti një pamje e së shkuarës.

Për këtë arsye ne u bëjmë thirrje krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian që të përqafojnë këtë mundësi, si një mundësi që vjen një herë në jetë. Qytetarët e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë të shikojnë një sinjal të qartë që Unioni mbështet punën e tyre për të ndërtuar shtete moderne me institucione të forta e të pavarura, me ekonomi të shëndetshme e shoqëri solidare. Disa fuqi rajonale apo globale kanë interesa politike e financiare në frenimin e ambicjeve Evropiane të të gjashtë partnerëve të Ballkanit Perëndimor. Kjo nuk duhet të ndodhë. Forcat e mosmarrëveshjeve nuk duhet të prevalojnë.

Ne i nxisim liderët Evropianë që të tregojnë një përkushtim të qartë në perspektivën Evropiane të të gjithë rajonit, duke rënë dakort në hapjen e negociatave për anëtarësim me Shkupin dhe Tiranën, në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Evropian më 28 dhe 29 Qershor. Liberalizimi i vizave me Kosovën duhet të zbatohet. Puna dhe përpjekja e Bosnie-Hercegovinës për reformat duhet të shpërblehet, në varësi të përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme më 7 tetor. BE duhet të tregojë se është një partner i besueshëm, sepse kushtet për të ecur përpara janë plotësuar, ashtu siç edhe Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë theksuar.

E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, në shtetin e së drejtës, demokracisë liberale, drejtësisë sociale dhe forcës innovative të një shoqërie të hapur. Negociatat e plota dhe ambicioze drejt rrugës së anëtarësimit në BE, ofrojnë garancinë më të fortë se qytetarët e të gjashtë shteteve do t’i përjetojnë këto përfitime në një të ardhme jo të largët. Evropa nuk duhet t’i zhgënjejë ata.

I dashur Z. President, ne do të ishim mirënjohës nëse ju do t’ ia kalonit këtë mesazh të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së. Ne gjithashtu synojmë ta publikojmë këtë letër si një letër të hapur.

Sinqerisht,

Tanja Fajon, Raportuese për liberalizimin e vizave BE-Kosovë (S&D, Slloveni)

Knut Fleckenstein, Raportues për Shqipërinë, S&D Kordinator për Marrëdhëniet me Jashtë (S&D, Gjermani)

Eduard Kukan, Drejtues i delegacionit BE-Serbi, Komiteti Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim(EPP, Sllovaki)

Monica Macovei, Drejtuese e Delegacionit BE-Shqipëri, Komiteti Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim (ECR, Rumani)

David Martin, Drejtues i Delegacionit BE-Mal i Zi, Komiteti Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim (S&D, Mbretëria Bashkuar)

Alojz Pedelle, Drejtues i Delegacionit BE-Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Komiteti Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim (EPP, Slloveni)

Tonino Picula, Drejtuese i Delegacionit BE-Bosnie Hercegovinë dhe Kosovë, Komiteti Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim (S&D, Kroaci)

Cristian Dan Preda, Raportues për Bosnie-Herzegovinën, EPP Kordinator për Marrëdhëniet me Jashtë (EPP, Rumani)

lgor Soltes, Raportues për Kosovën (Greens, Slloveni)

Charles Tannock, Raportues për Malin e Zi (ECR, Mbretëria e Bashkuar)

lvo Vajgl, Raportues për Maqedoninë e Veriut (ALDE, Slloveni)

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi