Prokuroria e Posaçme
Prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në emër të shtetit para Gjykatës së Shkallës së Parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe Gjykatës së Lartë, merr masa dhe mbikëqyr ekzekutimin e vendimeve penale, si dhe kryen detyra të tjera të ngarkuara me ligj. Ajo i kryen funksionet e saj në mënyrë të pavarur, nëpërmjet prokurorëve të posaçëm, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në përputhje me këtë ligj.
Prokuroria e Posaçme përbëhet nga të paktën 10 prokurorë, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi. Drejtuesi Prokurorisë së Posaçme është drejtues administrativ i punonjësve të Prokurorisë së Posaçme. Ai nuk i jep udhëzime një prokurori të posaçëm lidhur me thelbin e hetimeve apo çështjes penale të ndjekur prej tij; ai u cakton çështje prokurorëve të posaçëm bazuar në specializimin e tyre dhe koordinon punën e njësive që janë në kompetencë të tij me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, shërbimet e inteligjencës dhe autoritetet e tjera kompetente.
Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme i përfaqësojnë çështjet e tyre në Gjykatën e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në Gjykatën e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhe në Gjykatën e Lartë.