Duke menduar dhe vepruar si europianë të bashkuar

Nga Ditmir Bushati, botuar ne Panorama, 9 maj 2018

Në rutinën e përditshme na ndodh që të harrojmë për arritjet dhe projektet  e përbashkëta. E njëjta gjë duket se ndodh me projektin e Europës së Bashkuar, që lindi nga hiri i Luftës së Dytë Botërore, si zgjidhja e vetme e konflikteve shkatërrimtare të kontinentit tonë. Një projekt që arriti t’i shndërronte armiqtë në fqinjë dhe antagonistët në partnerë.

Sot, ndonëse nën shënjestrën e kritizerëve të paepur, më shumë nga brenda sesa nga jashtë, Bashkimi Europian gjithsesi përbën një arritje të jashtëzakonshme, një formë moderne bashkëpunimi mes shtetesh të kombinuara me delegim autoriteti suprakombëtar. Një hapësirë paqeje, lirie, sigurie dhe mirëqenieje për 508 milionë qytetarë ka zëvendësuar luftën e konfliktin, të cilat konsideroheshin si normë për shekuj me radhë.

Shqipëria e ka konsideruar vetën pjesë të idealit europian. Kjo shihet qartë që prej aleancave të Skënderbeut në shekullin e 15-të në mbrojtje të krishterimit dhe vlerave europiane me fuqitë e kohës si Papati, Venediku, Napoli e Hungaria. E deri te Lëvizja e Studentëve të Dhjetorit të vitit 1990 që përmbysi regjimin komunist, lajtmotivi i së cilës ishte “E duam Shqipërisë si gjithë Europa”. Për ata që ende s’e kuptojnë se pse vijojmë me përpjekjet tona këmbëngulëse për të qenë pjesë e bashkësisë europiane, edhe në kushtet kur besimi te ky projekt duket se është lëkundur nga vetë brenda BE-së, po rendis tri arsye si më poshtë:

Së pari, për ne projekti europian është në thelb një projekt bashkimi brenda vetes. Siç thotë Ismail Kadare “Është hera e parë në historinë e Shqipërisë që, një shekull pas çështjes së pavarësisë, një tjetër synim bashkon si me magji politikën dhe shoqërinë, opinionin publik dhe besimet fetare, elitën dhe njerëzit e thjeshtë”.

Së dyti, projekti europian është projekti, të cilin shumica dërrmuese e shqiptarëve e shohin si projektin e paqes, sigurisë, mirëqenies. E mbi të gjitha e shohin si projektin e një qeverisjeje demokratike për ta. Një projekt që do ta bëjë këtë vend jo vetëm më të sigurt e më të zhvilluar, por dhe më të drejtë.

Së treti, projekti europian përkon jo vetëm me modernizimin dhe transformimin e shoqërisë sonë, por edhe me konsolidimin e identitetit tonë europian si komb. Thënë ndryshe, jo në kuptimin e ngushtë konsumator e të lidhur veç me mrekullitë e tregut, por mbi të gjitha si një projekt i brendësimit të vlerave europiane. Ashtu si James Joyce thoshte dikur se, Irlanda e tij që të bëhej një Irlandë e re duhej së pari të bëhej europiane, edhe rilindja e Shqipërisë kalon përmes europianizimit të saj. Një prej etërve themelues të Europës së sotme, Robert Schumann, shprehej se “Europa nuk mund të bëhet gati menjëherë dhe sipas një plani të vetëm”.

Edhe ne, pavarësisht aspiratës dhe dëshirës së madhe, e dimë se nuk mund të jemi gati menjëherë dhe sipas një plani të vetëm. Pas afro 70 vitesh, një tjetër dinjitar francez, Presidenti Macron, ka shpalosur me guxim pikëpamjet e tij lidhur me thellimin e projektit europian, duke skicuar piketat e Europës së shekullit të 21-të. Është Europa e shekullit të 21-të që na dikton një stad më të lartë të angazhimeve dhe reformave transformuese që po ndërmarrim, për një Shqipëri Europiane të shekullit të 21-të.

Operacioni kirurgjikal në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përpjekjet për të garantuar sundimin e së drejtës në çdo qelizë të jetës, tregojnë qartë trajektoren tonë të pakthyeshme drejt BE-së. Tri javë më parë, përpjekjet e mësipërme u kurorëzuan me rekomandim pa asnjë ekuivok, pa asnjë kushtëzim nga ana e Komisionit Europian, për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Ky rekomandim nuk është një fletë lavdërimi për qeverinë, as thurje lavdesh për një forcë të caktuar politike, por një hap përpara për Shqipërinë dhe shqiptarët.

II

Pas shembjes se regjimit komunist, të gjitha forcat politike shqiptare e kanë dashur Europën si një ide të mirëqenies, sigurisë dhe demokracisë. Por vetëm reformat e viteve të fundit po kristalizojnë një ide më të prekshme dhe më të jetësueshme për konceptin e Europës. Koncept që lidhet para së gjithash me shtet-ndërtimin dhe shtet-konsolidimin. Ky koncept përfshin disa vlera, nëpërmjet të cilave ne e shohim Europën, si: Përgjegjshmëri, gjithëpërfshirje, solidaritet dhe bindja që asgjë e mirë, e qëndrueshme e që ka kuptim nuk vjen shpejt e menjëherë, pa sakrifica e pa dhënë diçka nga vetja, si individë, si organizim politik e shoqëror, si shtet.

Është ky vullnet i demonstruar në përmbushjen e reformave shtet-ndërtuese, që përkthen procesin e integrimit europian në veprim, ëndrrën e integrimit europian në një program pune dhe retorikën e integrimit europian në një platformë gjithëpërfshirëse. Jemi të vetëdijshëm se procesi i anëtarësimit në BE bazohet në merita individuale. Rekomandimi për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE nuk ishte një preferencë e Komisionit Europian dhe as i diktuar nga rrethanat gjeopolitike, por meritë e vendit tonë, e të gjithë atyre që kontribuuan, kush më shumë e kush më pak për këtë arritje historike. Në këtë proces transformimi, fillimi i bisedimeve të anëtarësimit do të shërbejë si katalizator i thellimit të procesit të reformave dhe i mobilizimit të forcave reformuese në vend.

III

Por duhet të jemi të esëllt, për ta thënë këtë, se anëtarësimi në BE nuk është një moment dhe as një datë, por një proces i gjatë, që kërkon mobilizimin e të gjithë shoqërisë krahas institucioneve të shtetit shqiptar.

Po kështu, fillimi i bisedimeve për anëtarësim nuk është momenti i rënies, por i ngritjes së siparit të rikthimit tonë në gjirin e familjes europiane. Procesi i transformimit rrënjësor nuk është i lehtë, por është i mundshëm dhe i domosdoshëm për përmirësimin cilësor të funksionimit të institucioneve; formësimin e një shoqërie që udhëhiqet nga parime e vlera europiane; dhe për garantimin e sundimit të së drejtës në të gjitha fushat e jetës. Projekti europian është një proces bashkues për shoqërinë në tërësinë e saj.

Duke njohur rëndësinë e shoqërisë civile, botës akademike dhe sipërmarrjes në mbështetje të këtij procesi, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme po dialogon dhe bashkëpunon ngushtë me aktorët e mësipërm në mënyrë që të garantohet një proces sa më cilësor i bisedimeve për anëtarësim në BE.

IV

Në këtë kontekst, sot po diskutojmë me përfaqësues të shoqërisë civile një Platformë të Partneritetit për anëtarësimin në BE. Është ky një hap i parë në serinë e aktiviteteve të shumta që do të ndërmarrim për të garantuar pjesëmarrjen e qenë- sishme të të gjithë aktorëve në këtë proces. Platforma mishëron konceptet më të zhvilluara të Bashkimit Europian për informimin dhe komunikimin publik, duke përfshirë të gjithë aktorët e lartpërmendur. Ne dëshirojmë që kjo platformë të garantojë vijimësi, gjithëpërfshirje dhe përgjegjësi përtej binomit qeveri-opozitë.

Me këtë vizion hapjeje dhe gjithëpërfshirjeje në mendje, ekspertiza dhe eksperienca personale e të gjithë atyre që kanë kontribuar në këtë proces është e pazëvendësueshme. Prandaj, përfitoj nga rasti për të falënderuar personalisht secilin prej folësve të paneleve të këtij forumi, duke mos harruar edhe ata që e patën të pamundur të jenë të pranishëm. Jo më pak e rëndësishme është eksperienca që vjen nga rajoni dhe nga vende, të cilat janë ulur në tryezën e bisedimeve para nesh.

Sfidat që Raporti i Komisionit dhe Strategjia e Zgjerimit përvijëzojnë janë sfida, me të cilat hasen të gjithë vendet e rajonit tonë. Prandaj dhe çdo histori suksesi në rrugën e integrimit europian dhe çdo model reformator në njërin vend ka impakt dhe ofron një model për vendet e tjera, duke kontribuar drejtpërdrejt për sigurinë, paqen dhe qeverisjen demokratike në rajonin tonë. Në fund, dëshiroj të them dy fjalë për të rinjtë e këtij vendi. Ata janë oponentët e vërtetë të punës sonë dhe testi final i reformave, arritjeve dhe dështimeve tona.

Ata janë në fakt përfituesit më të mëdhenj të procesit të integrimit europian, por njëkohësisht dhe humbësit më të mëdhenj nga sherrnajat politike të brendshme. Prandaj, përfshirja e tyre në këtë proces duhet të përbëjë boshtin e projektit tonë europian. Të gjithë ne, pavarësisht statusit politik e shoqëror, nuk duhet të krahasojmë më atë çfarë jemi me atë çfarë ishim. Nuk duhet të krahasojmë vitet ‘80 me vitet ‘90 apo vitet 2000 me 2018. Ky moment vendimtar për Shqipërinë na imponon të krahasohemi me brezin e 20-vjeçarëve të sotëm, të cilët ne i kuptojmë ende shumë pak. Ne duhet të krahasojmë atë çfarë kemi arritur, me atë që do të duhet të arrinim.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi