Kohezioni social po zbehet. E ardhura bazë e garantuar, si alternativë

Nga Prof. Dr. Arben Malaj, Akademik Kosta Barjaba, botuar në Panorama 16 tetor 2017

Një e ardhur minimale duhet garantuar për të gjithë qytetarët pavarësisht nëse punojnë ose jo”.

Bertrand Russell

Zhvillimet e fundit politike vërtetojnë pasojat negative të gërryerjes së kohezionit social nga rritja e papunësisë, thellimi i pabarazisë dhe dobësimi i mbrojtjes sociale. Tetë miliarderët më të mëdhenj të botës zotërojnë sot pasuri sa e 3.5 miliardë njerëzve në vendet në zhvillim. Zhgënjimet nga rritja e populistëve, euroskeptikëve, radikalëve dhe ekstremistëve në Francë, SHBA dhe Gjermani po rikthejnë vëmendjen ndaj kohezionit social. Studiuesit e politikëbërësit po diskutojnë rreth idesë humaniste, sipas së cilës, çdo individ duhet të disponojë një shumë të caktuar të ardhurash për të përballuar kërkesat jetike bazë. Kjo ide humane shkon si përtej politikave të shtrënguara të djathta, ashtu edhe përtej politikave rishpëndarëse “dorëlëshuara” të majta. Fjala është për garantimin e të Ardhurës Bazë Universale-Universal Basic Income (UBI).

1.PROGRAM I PRANUAR NGA E MAJTA DHE E DJATHTA

Në fakt, UBI ide nuk është një ide e viteve të fundit. Për të kanë folur shumë mendimtarë të shquar midis tyre, nobelisti dhe filozofi i majtë, Bertrand Russell, dhe ekonomisti i djathtë, Hayek. Russell ka theksur se, “Një e ardhur minimale duhet garantuar për të gjithë qytetarët, pavarësisht nëse punojnë ose jo”. Ndërsa Hayek ka nënvizuar se “Vendosja e një dyshemeje të ardhurash të garantuara, poshtë së cilës nuk duhet të bjerë askush, është një mbrojtje legjitime për qytetarët, pa ose me të ardhura të pamjaftueshme”.

kosta barjaba2. Ç’ËSHTË E ARDHURA BAZË UNIVERSALE?

E Ardhura Bazë Universale është garantimi për të gjithë qytetarët i një niveli të mjaftueshëm të ardhurash, në përshtatje me nivelin e jetesës dhe fuqinë blerëse të vendit. Kjo e ardhur ka tri tipare:

(i) Është bazike, pra e mjaftueshme për të garantuar jetesën.

(ii) Është universale, pra që u takon të gjithë qytetarëve.

(iii) Është e pakushtëzuar, pra mund të përfitohet, pavarësisht nivelit të të ardhurave. Programi i shpërndan të ardhurat për çdo individ, jo në bazë familjeje, siç është programi aktual i ndihmës ekonomike. Por UBI nuk është Babbo Natale, nuk është një program që dhuron parà, të cilat mund t’i përfitojë kush mundet. Përkundrazi, është një program tepër racional. Qytetarëve që kanë të ardhura, e ardhura nga UBI u zbritet sipas një koeficienti. Koeficientin e vendos qeveria, në varësi të burimeve financiare dhe nivelit të jetesës.

3. MBËSHTETJE POLITIKE DHE KONSENSUS JOPOLITIK

Për nga mbështetja, UBI është një program i propozuar nga të dy krahët ideologjikë, por që po gjen një konsensus më të gjerë jopolitik apo tej politik. Nga e majta mbështetet me argumentin, se si një program rishpërndarës radikal eliminon varfërinë dhe zbut pabarazinë. Fondi prej nga dalin të ardhurat, krijohet nëpërmjet taksimit progresiv, sipas parimit, “Kush fiton më shumë, paguan më shumë”. Nga e djathta, mbështetet me argumentet:

i) Zvogëlon burokracinë e sistemit të mirëqenies, sipas filozofisë së shtetit të vogël.

(ii) Nxit shpirtin krijues e sipërmarrës. Nga sipërmarrësit privatë, mbështetet me argumentin se teknologjia krijon papunësi për qytetarët, por krijon pasuri të pamatshme për industritë. Një pjesë e kësaj pasurie, mund të rishpërndahet për të varfrit dhe të papunët.

Nga liberistët, mbështetet me argumentin se UBI i bën qytetarët të lirë dhe ata mund ta përdorin këtë të ardhur sipas nevojave të tyre. Nga feministët mbështetet me argumentin se kjo e ardhur kompenson punën e papaguar të grave, që ato harxhojnë për kujdesin familjar, për fëmijët e të moshuarit dhe punët e tjera në familje. Avancimi i shpejtë informatik është i pakthyeshëm, ndërsa zbehja e kohezionit social nga humbja e vendeve të punës, rritjes së papunësisë, rritjes së varfërisë dhe thellimit të pabarazisë, është një sfidë jo vetëm individuale, por edhe shoqërore. Për këtë arsye, UBI është mbështetuur publikisht edhe nga shume miliarderë si Zumberbeg, Musk, Buffet, etj., të cilët premtojnë rritjen e kontributeve të tyre nëpërmjet taksave për të zbutur kostot financiare te UBI.

4. SKEPTICIZMI I NATYRSHËM UBI

nuk ka fituar ende të drejtën e qytetarisë si një program social i zbatuar gjerësisht. Por është një sfidë ndaj braktisjes së mbrojtjes sociale në emër të “dorës së padukshme” dhe ekonomisë neoliberale. E majta ndodhet përballë dilemës: të aplikojmë UBI-n apo të fuqizojmë Flexecurity, një program i zbatuar gjatë dy dekadave të fundit, bazuar në politikat socialdemokrate skandinave?

Dihet qe shteti social autentik është arritur në modelin socialdemokrat të vendeve nordike, të cilat zbatojnë politika taksimi të larta dhe përfitime të larta nga sistemi i mirëqenies. Përkundër tij, po zhvillohet modeli liberist anglosakson, i cili zbaton taksa të ulëta dhe përfitime sociale të ulëta, sipas filozofisë së “individit të vetëbërë”. E djathta ndodhet përballë dilemave:

i) T’i rrisim, siç kërkon UBI, apo t’i ulim shpenzimet e mëdha jokontributive për mirëqenien?

ii) Qytetarët do të nxiten për të punuar më shumë apo dëshira për të punuar do të dekurajohet?

iii) Burimet e financimit të programit mund të jenë të mëdha, deri në të papërballueshme,

5. PËRVOJAT E DERITANISHME

UBI, vërtet është një program në horizont, por nuk mund të konsiderohet një program virtual. Ky program është zbatuar në disa shtete të SHBA dhe Kanadasë në vitet 1960- 1970. Përvoja amerikano-kanadeze tregoi se program funksionoi pa prodhuar efekte negative në demotivimin për të punuar e kërkuar punë. Programi vazhdon të zbatohet në Alaska. Fondi i Përhershëm i Zhvillimit, i krijuar më 1982, grumbullon të ardhurat nga nafta dhe gazi dhe alokton një pjesë të tyre në formën e një Fondi Social për çdo qytetar.

Masa e pagesës ndryshon sipas nevojave e të ardhurave të qytetarëve dhe luhatet nga 300-2000 USD. Në sajë të këtij programi, Alaska është i vetmi shtet në SHBA, ku pas viteve 1990, pabarazia vjen duke u ulur, fuqia blerëse vjen duke u rritur, vendet e reja të punës duke u shtuar. Vetëm 1% e përfituesve pohojnë se punojnë më pak për shkak të këtij përfitimi. UBI është zbatuar në Namibi e Indi, duke aplikuar përfitime të konsiderueshme financiare, në nivelin e mjaftueshëm për të dalë nga varfëria. Ka prodhuar rezultate pozitive të dukshme, nuk është konstatuar shpërdorim i përfitimeve nga burrat për duhan e alkool dhe nuk ka demotivuar përfituesit për të punuar apo kërkuar punë.

Në Namibi, prej vitit 2008, varfëria është ulur nga 86% në 68%, krimet janë pakësuar me 36.5% dhe të ardhurat nga puna janë rritur rreth 30%. UBI vazhdon të zbatohet aktualisht në Brazil dhe Meksikë, në formën e programeve “Bolsa Familia” dhe “Prospera”. Në këto dy vende aplikohen përfitime të pakta në cash, në shkëmbim të plotësimit të kushteve si, vaksinimi i fëmijëve apo shkollimi në nivelet e arsimit të detyruar. Vende të tjera si Finlanda, Holanda, Zvicra, Franca dhe Ontario, janë duke pilotuar këtë program për të zëvendësuar pagesën e papunësisë.

6. MUNDËSIA E PILOTIMIT NË SHQIPËRI

Programi UBI, siç e përmendëm, është ende një program embrional. Por kjo nuk do të thotë se mund të jetë i pazbatueshëm për Shqipërinë. Pensioni social, që u paguhet sot të moshuarve pa të ardhura, është një formë e të ardhurave bazike universale. Me modesti, propozojmë se është koha e duhur për t’u testuar zbatimi i tij, të paktën në një rajon të vendit, me papunësi të lartë dhe burime të pasura natyrore. Kjo masë mund të jetë hapi i parë drejt ndarjes së politikave ekonomike nga ato sociale.

Qeveria kufizon ndikimin mbi tregjet, por ndërkohë përballon detyrimet për mirëqenien bazike të qytetarëve, duke krijuar fondin social. Burimet për fondin mund të jenë kontributive, sipas taksimit progresiv, si edhe ardhura të tjera nga burime të diversifikuara, si shfrytëzimi i burimeve natyrore strategjike, si nafta, mineralet, ujërat për hidrocentralet, marrëveshjet koncesionare dhe të Partneritetit Publik Privat, akcizat e dedikuara për pijet alkoolike dhe duhanin apo burime të tjera. “Të guxojmë për të zbatuar ide të reja”, theksoi Mark Zuckerberg në fjalën e diplomimit të studenteve te Harvardit, ku mbështeti konceptin e të ardhurës bazë universale.

*Rektori i universitetit “Luarasi”

*Anëtar i Akademisë së Shkencave

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi