Për sa Europë kanë nevojë Europianët?

Nga Joschka Fischer, Projekt Syndicate, reporter.al, 7 nenetor 2016

images

Në fjalimin e tij të fundit para Parlamentit Europian më 1995, François Mitterrand, në atë kohë president i Francës, shëndeti i përkeqësuar i të cilit qe shumë i dukshëm, gjeti fjalë të paçmueshme për të karakterizuar të keqen e madhe të Europës: “Le nationalisme, c’est la guerre!”

joschka-fischer-foto-imagoNacionalizmi dhe lufta qenë eksperiencat përcaktuese të karrierës politike të Mitterrand dhe ai nuk po i referohej vetëm të shkuarës së tmerrshme – gjysmës së parë të shekullit të njëzetë me dy luftërat botërore, diktaturat dhe Holokaustin. Ai e shikonte nacionalizmin si kërcënimi më i madh i të ardhmes për paqen, demokracinë dhe sigurinë në Europë.

Megjithëse lufta nacionaliste po bënte copash Jugosllavinë në atë kohë, shumë pak prej atyre që dëgjuan Mitterrand në Strasburg atë ditë mund ta imagjinonin se, 21 vjet më vonë, nacionalizmi do të përjetonte një rigjallërim mbarëeuropian. Por politikanët nacionalistë, objektivi i deklaruar i të cilëve është shkatërrimi i unitetit të Europës dhe integrimit paqësor që tashmë ka fituar në shumicën e zgjedhjeve demokratike dhe referendumeve.

Vendimi i Mbretësisë së Bashkuar në qershor për të ikur nga Bashkimi Europian shënoi një kulm të përkohshëm për një nacionalizëm të rishfaqur, por ky lloj nacionalizmi mund të shihet duke marshuar në Hungari, Poloni dhe Francë, ku Fronti Nacional i ekstremit të djathtë i Marine le Pen ka qenë duke fituar fuqi në pritje të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Po si shpjegohet që mbërritën më këtë pikë, duke marrë parasysh eksperiencat e drejtpërdrejta të Europës me fuqinë shkatërrimtare të nacionalizmit përgjatë shekullit të njëzet, kur nacionalizmi shkaktoi miliona vdekje dhe shkatërroi një kontinent të tërë?

Sa për fillim, kriza financiare e vitit 2008 dhe recesioni botëror që pasoi shihen gjerësisht dhe në mënyrë të logjikshme si një dështim masiv nga ana e “estabilishmentit.” Ndjenjat anti-elitë vijojnë të gërryejnë solidaritetin ndër-Europian dhe besimin e ndërsjellët dhe BE-ja është zënë në ngërçin e një rritjeje të ngadaltë ekonomike dhe papunësisë së lartë.

Nëpër Perëndim, ndjesia e përgjithshme e rënies ka filluar të dominojë, për shkak të ndryshimeve botërore në pasuri dhe fuqi në drejtim të Azisë. Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga pikëpamja gjeopolitike ndërsa Rusia ka rigjallëruar ambiciet e saj prej fuqie të madhe për të sfiduar hegjemoninë dhe vlerat e Perëndimit. Në të gjithë botën, ka një pakënaqësi në rritje ndaj globalizimit, dixhitalizimit dhe tregtisë së lirë, shoqëruar nga një zhvendosje e ngadaltë drejt proteksionizmit. Europianët, në veçanti, duket se kanë harruar se proteksionizmi dhe nacionalizmi janë të lidhur në mënyrë të pandashme – njëra nuk mund të bëjë pa tjetrën.

Në fund, ka një frikë të përgjithësuar ndaj të panjohurës, për shkak se shumë vende përballen me çështjet e lidhura me flukset hyrëse të të huajve – qofshin refugjatë apo migrantë – dhe ndryshmet e brendshme të shkaktuara nga fuqizimi në rritje ekonomik dhe politik i grave dhe minoriteteve. Këto zhvillime, të cilat kanë përkuar me transformimet më të mëdha në shkallë që ka pësuar Europa që nisi në vitin 1989, kanë shkaktuar frikë arsye për frikë, të cilën partitë e vjetra politike dhe institucionet demokratike kanë dështuar ta trajtojnë.

Si gjithmonë, kur frika është e gjithëpërhapur në Europë, njerëzit kërkojnë shpëtim te nacionalizmi, izolacionizmi, homogjeniteti etnik dhe nostalgjia – “ditët e mira të vjetra,” kur supozohet se gjithçka ecte mirë në botë. Nuk mendohet gjatë për faktin se e shkuara qe kaotike dhe e përgjakshme e aspak perfekte. Udhëheqësit nacionaliztë dhe mbështetësit e tyre tashmë janë duke jetuar në një realitet “post-empirik”, ku e vërteta dhe eksperienca nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.

E gjitha kjo pasqyron ndryshimin e thellë të mënyrës se si Europianët e shohin veten. Pas dy Luftërave Botërore dhe gjatë Luftës së Ftohtë, integrimi Europian qe diçka e vështirë për t’u imagjinuar. Por të kuptuarit e përbashkët se bashkimi jep paqe, mirëqenie dhe demokraci është dobësuar me kalimin e kohës nga krizat e gjata dhe tashmë mund të humbet tërësisht në rast se nuk përforcohet përmes një mesazhi që sheh nga e ardhmja.

Është absurde të mendohet se shtetet kombe historike të Europës janë përgjigje për realitetet e globalizuara politike, ekonomike dhe teknologjike të shekullit të njëzet e një. Nëse Europianët e besojnë këtë, atëherë ata duhet të jenë të gatshëm të paguajnë çmimin për më pak integrim, në formën e varësive të reja. Vendimet më të rëndësishme botërore të këtij shekulli nuk do të merren në Europën demokratike por në mënyrë të njëanëshme në Kinë a gjetkë.

Gjuhët dhe kulturat e Europës kanë një histori të gjatë. Por nuk duhet të harrojmë se shtetet kombe të Europës janë zhvillim më i vonë, veçanërisht ato jashtë Europës Perëndimore. Do të qe një gabim i rëndë të mendosh se ata përfaqësojnë “fundin e historisë” të Europës. Përkundrazi, nëse modeli i shtetit komb fiton mbi integrimin, Europianët do të paguajnë një çmim të lartë në këtë shekull. Se si do të ecin punët për shtetet Europiane në të ardhmen është një çështje që mund të marrë përgjigje vetëm në mënyrë kolektive, jo në bazë të disa interesave kombëtare të përkufizuara individualisht, siç ndodhi në shekullin e nëntëmbëdhjetë.

Për më tepër, me Rusinë, Turqinë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën pranë, Europa jeton në një fqinjësi të vështirë dhe plot sfida. Ajo nuk gëzon luksin amerikan të të pasurit të sigurisë të garantuar nga gjeografia. Përkundrazi, siguria dhe mirëqënia e saj duhet të mbrohet në mënyrë të vazhdueshme përmes politikës, gjë që është domosdoshmërisht një përpjekje e përbashkët.

Pyetja qendrore për Europën e së ardhmes është se sa shumë fuqi BE-ja ka nevojë për të garantuar paqen dhe sigurinë për qytetarët e vet. Kjo, gjithashtu, mund të trajtohet vetëm në mënyrë kolektive. Ajo që është sakaq e qartë është se Europianët to të kenë nevojë jo vetëm për më shumë Europë, por edhe për një Europë më të fuqishme.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi