Përse demokracia kërkon ekspertë të besueshëm

Nga Jean Pisani-Ferry, Project Syndicate, 4 gusht 2016

Advice-with-experts

Muajin e kaluar shkrojta një artikull ku ngrija pyetjen përse votuesit në Mbretërinë e Bashkuar mbështetën largimin nga Bashkimi Europian, duke sfiduar kështu peshën dërrmuese të opinionit të ekspertëve mbi paralajmërimin e kostove të larta konomike të Brexit. Vëzhgova se shumë votues në Mbretërinë e bashkuar dhe gjetkë ishin të zemëruar me ekspertët e ekonomisë. Ata thonë se ekspertët dështuan të parashikojnë krizën financiare të 2008, vunë efikasitetin përpara këshillës së tyre politike dhe vlerësuan verbërisht se humbësit për shkak të parashikimeve të tyre politikave mund të kompensoheshin në disa mënyra të paspecifikuara. Argumentova se ekspertët duhet të tregoheshin më shumë modestë dhe më të vëmendshëm ndaj ҫështjeve të shtruara për diskutim.

Artikulli porvokoi më shumë komente nga lexuesit se sesa nga vetë kolegët e mi. Reagimet e tyre konfirmonin kryesisht zemërimin që unë kisha vërejtur. Ata i shohin ekonomistët dhe ekspertët e tjerë si të izoluar dhe indiferentë ndaj shqetësimeve të njerëzve të zakonshëm; ata veprojnë sipas një axhende që nuk përkon me atë të qytetarëve; ata veprojnë sipas një axhende që nuk përkon me atë të qytetarëve; shpeshherë me të vërtetë gabohen dhe si pasojë lënë përshtypjen si të paaftë; favorizojnë kompanitë e mëdha dhe industrinë financiare ose janë në dispozicion të tyre; tregohen naivë pasi nuk janë në gjëndje të kuptojnë se politikanët zgjedhin analizat që iu përshtaten objektivave të tyre, ndërsa pjesën tjetër nuk e marrin në konsideratë. Ekspertët, thonë disa, janë gjithashtu fajtorë për ndarjen e shoqërisë duke segmentuar debatin në një mori diskutimesh minimaliste dhe të kufizuar.

Po ashtu mora komente nga profesionistë në shkencat natyrore që thanë se mosbesimi në rritje i qytetarëve ndaj ekspertëve ishte i pranishëm edhe në disiplinat e tyre gjithashtu. Pikëpamjet shkencore në fusha si energjia, klima, gjenetika dhe mjekësia përballen me refuzim të përhapur popullor. Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, një studim i Pew Research zbuloi se 67 për qind e të rriturve mendojnë se shkencëtarët nuk e kuptojnë qartë se cilat janë pasojat shëndetësore të organizimeve të modifikuara gjenetikisht. Mosbesimi i OMG-ve është më i lartë në Europë. Ndërsa besimi i përgjithshëm në shkencë mbetet i fortë, shumë qytetarë besojnë se është e manipuluar nga interesa të veçantë dhe në disa çështje pikëpamja e zakonshme është e ndryshme nga provat e marra.

Kjo ndarje mes ekspertëve dhe qytetarëve është një ҫështje serioze për t’u shqetësuar. Demokracia përfaqësuese bazohet jo vetëm në votën universale, por gjithashtu edhe mbi arsyen. Në mënyrë ideale, debatet dhe votat ҫojnë në marrjen e vendimeve të arsyeshme që në këtë rast shfrytezojnë nivelin aktual të njohurive, për të parashtruar politika që përmirësojnë mirëqënien e qytetareve. Kjo kërkon një proces ku ekspertët, kompetenca dhe ndershmëria e të cilëve duhet të jetë e besueshme, të informojnë vendim-marrësit mbi variantet e disponueshëm në mënyrë që të kënaqin preferencat e caktuara të votuesve. Nuk ka shumë gjasa që qytetarët të ndihen të kënaqur në qoftë se ata mendojnë se ekspertët vetëm imponojnë axhendën e vetë ose tërhiqen nga interesa të veҫantë. Mosbesimi ndaj ekspertëve ushqen mosbesimin ndaj qeverive të zgjedhura demokratikisht dhe pse jo ndaj vetë demokracisë.

Përse ekziston një ndarje e tillë ndërmjet ekspertëve dhe shoqërisë? Çdo vend ka pasur sagat e veta të skandalave të një profili të lartë të lidhura me shëndetin ose sigurinë publike. Ekspertët janë akuzuar si fajtorë për papërgjegjshmërinë dhe konfliktet e interesit. Reputacionet e fituara me shumë mund, kanë humbur shumë shpejt.

Por kritikët shpesh nuk arrijnë të pranojnë se shkenca përfshin një hulumtim më të gjërë dhe më të rreptë në saktesinë e saj sesa,le të themi, kompanitë ose qeveria. Shkenca , në të vërtetë, është mbartësja e standarteve të praktikave të mira në lidhje me vlefshmërinë e analizave dhe diskutimit të propozimeve politike. Gabimet zakonisht ndodhin në akademi, por këto të fundit korrigjohen aty më shpejtë dhe më sistematikisht sesa në fusha të tjera. Natyra kolektive e vlefshmërisë shkencore ofron gjithashtu garanci kundër kapjes nga interesa të veҫanta.

Problemi, faktikisht, mund të jetë më i thellë sesa ai që sugjerojnë ankesat e zakonshme kundër ekspertëve. Përpara disa dekadash, në përgjithësi, supozohej se progresi i arsimimit masiv gradualisht do të kapërcente hendekun ndërmjet njohurisë shkencore dhe dogmës së popullit, duke i shërbyer kështu një demokracie më të qetë dhe më të arsyeshme.

Është vërtetuar se kjo gjë nuk ndodhi. Siҫ tregoi bindshëm sociologu francez Gerald Bronner, arsimimi as nuk rrit besimin në shkencë, as nuk ul tërheqjen ndaj besimeve dhe teorive që shkencëtarët i konsiderojnë një idiotësi absolute. Përkundrazi, qytetarët më të shkolluar i bezdis fakti që ekspertët thonë se ҫfarë shkenca konsideron si të vërtetë. Duke pasur akses ndaj njohurive, ndihen mjaftueshëm të autorizuar si për të kritikuar ekspertët dhe për të zhvilluar opinionet e veta.

Ndryshimi klimatik, që komuniteti shkencor e konsideron gati unanimisht si rrezikun më të madh, është një shembull i mirë. Sipas një studimi të Pew Research në 2015, tre vendet që shqetësohen më pak për ndryshimin klimatik janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australia dhe Kanadaja, ndërkohë që vendet ku ky shqetësim është më i madh janë Brazili, Peruja dhe Burkina-Faso. Megjithatë mesatarja e viteve të shkollimit është 12.5 vjet për grupin e parë dhe 6 për të dytin. Në mënyrë të dukshme, arsimimi në vetvete nuk është faktor kyҫ në lidhje me perceptimin e këtij ndryshimi.

Në rast se problemi qëndron këtu, atëherë do të jetë më mirë të bëjmë diҫka për ta zgjidhur atë. Së pari, kemi nevojë për më shumë disiplinë nga ana e komunitetit të ekspertëve. Disiplina intelektuale, që karakterizon kërkimin, shpesh mungon në diskutimet politike. Nevojitet modesti, procedura rigoroze, parandalim i konflikteve të interesit, aftësi për të pranuar gabimet dhe, po ashtu, ndëshkimi për sjelljet mashturese në mënyrë që të fitohet besimi tek qytetarët.

Së dyti, është e nevojshme të rishikohen programet e studimit me qëllim që t’i pajisim qytetarët e ardhshëm me mjetet intelektuale që do të saktësojnë dallimin mes realitetit dhe fiksionit. Shoqëria mirëpret gjithҫka për të perfituar nga qëndrimi i qytetarëve, mendësia e të cilëve është më pak dyshuese dhe më shumë kritike.

Së fundmi, kemi nevojë për skenarë më të mirë për dialogun dhe debatin e informuar. Revistat, publikimet e interesit të përgjithshëm dhe gazetat serioze, gjithmonë kanë zënë hapësirën mes publikimeve të rishikuara dhe detit të thellë të mashtrimeve; sidoqoftë, të gjithë luftojnë për t’i mbijetuar revolucionit dixhital. Nevojiten skenarë të tjerë, mbase institucione të reja, që të mbushin këtë hapësirë. Ajo që duket qartë është se demokracia nuk mund të lulëzojë nëse lihet në boshllëk.

15744

Jean Pisani-Ferry është profesor në Hertie School of Governance në Berlin dhe aktualisht shërben si Komisioner i Përgjithshëm për France Stratégie, Instituti për Këshillimin Politik, në Paris.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi