Kur krimi dikton rregullat në demokraci

Nga Ilir Yzeiri, botuar në Shqip, 24 maj 2016

ilir-yzeiri-foto-640x427Ajo që po ndodh kohëve të fundit në Shqipëri nuk është as e re, as e padëgjuar më parë. Komisioni i Zgjedhjeve zbuloi përmes formularit të vetëdeklarimit se një sërë të zgjedhurish qoftë si kryebashkiakë, qoftë si deputetë, kanë qenë më parë të dënuar, madje të dënuar edhe për krime të rënda si favorizim prostitucioni apo lidhje me organizata kriminale. Edhe kjo nuk është ndonjë befasi e madhe, sepse shqiptarët, pas rënies së diktaturës, për fat të keq, e pranuan që fatin e tyre ta delegojnë jo tek institucionet, por te përfaqësuesit e fiseve, te banditët dhe të fortët. Erdhi një çast pas vitit 1990 që u duk se shpëtimi Shqipërisë së rrëgjuar nga komunistët do t’i vinte nga iniciativa e egër private. Shqiptarët, si në një hamam të madh ku thithet nargjile, mallëngjeheshin nga shpejtësia me të cilën vendi ndryshonte për shkak se më trimat e këtij vendi kishin marrë rrugët e Europës dhe shisnin drogë e ndërtonin vila, pastaj filluan të përdëlleheshin dhe të kalonin në ekstazë kur më të fortët akoma nga raca e shqiponjave filluan të vinin në radhë nëpër gomone vajzat shqiptare dhe i nisnin në Itali e Greqi dhe me paratë e fituara nga prostitucioni ndërtonin biznese e vila në Shqipëri. Ishte një kohë që thuajse të gjithë ishin infektuar nga magjia e pasurimit dhe liria e fituar u shfrytëzua që të bëheshin thuajse të gjithë nga pak kriminelë, por kriminelët e vërtetë nuk i kanë munguar këtij vendi. Tipologjia e shqiptarit të fortë, trim, guximtar që ta numëron në lule të ballit, tani që diktatura nuk ishte më, u bë tipologjia më joshëse dhe administrata e re e post-diktaturës, në emër të lirisë dhe në emër të fitimit të kohës së humbur, krijoi kushtet brilante që jeta në post-diktaturë të kuptohej si një maratonë gazmore drejt pasurimit të shpejtë dhe me çdo çmim. U krijua ideja se gjithçka që të sillte para ishte e ligjshme, madje në ndonjë rast, siç kam pasur rast ta investigoj edhe vetë në dokumentarët që kam realizuar për trafikimin e qenieve njerëzore në vitin e largët 2000, kushëriri shiste kushërirën si prostitutë. Dhe ashtu si Sodoma e Gomora që u ndëshkuan për perversitetin ndjesor, edhe ne, me një dënim më të llahtarshëm, u dogjëm në zjarret dhe në flakët e plumbave të vitit 1997, pikërisht atëherë kur babëzia e fitimit dhe e pasurimit me çdo kusht prodhoi skemat piramidale dhe humbja e shqiptarëve në to, vërtetoi devizën fatale se shqiptarët vriten, të vrasin apo djegin dhe digjen vetëm nga e mira, se të keqen e durojnë si askush në botë.

***

Pas vitit të zi 1997, shqiptarët nuk arritën të vetëdijesohen, por u bënë më naivë. Si asnjë komb tjetër, ata u ngritën përsëri në këmbë dhe është e paimagjinueshme se si një vend i shkrumbuar mund të ringrihet në këmbë ashtu siç bënë shqiptarët pas vitit 1997. Por, në atë vit të mbrapshtë, ata duket se hoqën dorë përfundimisht nga shteti i tyre dhe në vend që të prodhonin politikë, prodhuan emigracion, indiferencë dhe naivitet tragjik. Ndërkaq, klasa politike shqiptare, ajo që e kishte shkaktuar këtë gjëmë, nuk ndjeu asnjë sekondë pendesë, përkundrazi, u bë më e rafinuar dhe Sali Berisha, arkitekti i tragjedisë shqiptare së bashku me Fatos Nanon, frymëzimin e korrupsionit shtetëror me origjinë nga burokracia komuniste, vijuan për shumë kohë që të mbanin peng këtë vend, duke prodhuar secili në krahun e vet kriminelët dhe hajdutët politikë. E majta prodhoi Ilir Metën, e djathta vijoi vetëm me Sali Berishën, i cili u tërhoq në zyrën me qira të PD-së dhe priti tetë vjet që të merrte hak për mënyrën se si e shporrën nga Presidenca. Ndërkaq, e majta kishte shënuar rekorde korrupsioni dhe krimi dhe riardhja e Berishës u kuptua në fillim si një mundësi për të afirmuar nacional-romantizmin e një ish-komunisti që ishte shitur i ndershëm. Në fakt tetë vitet e qeverisjes së Berishës ishin rikthim i tragjedive pak më të zbutura, por me përmasa të njëjta. Vrasjeve politike iu shtua krimi familjar dhe familja Berisha u bë shumë shpejt një amalgamë e përfoljes për pasurim të paligjshëm, krim shtetëror dhe gjithë të zezat e familjeve që qeverisin në Afrikë.

***

Shqiptarët që ishin lodhur me politikën e vjetër dhe me krimin e Berishës, menduan se e gjetën zgjidhjen kur Edi Rama në opozitë po artikulohej si mundësia e fundit e ndryshimit. Në fakt të gjithë i kishin harruar përfoljet për shoqërimin e tij me krimin dhe hajdutëritë në Bashkinë e Tiranës. Sapo fitoi zgjedhjet dhe sapo paraqiti kabinetin e ri, u dukën shenjat e para që qeverisja e krimit dhe e korrupsionit e frymëzuar nga pasioni i fitimit me çdo kusht, do të instalohej ngadalë. Por, tani, pas tre vjetësh, shqiptarët dhe opinioni publik në përgjithësi e kanë humbur besimin se ky vend mund të prodhojë sukses në qeverisje. Mesa duket ne jemi të dënuar të vuajmë maksimën e frikshme që demokracinë shqiptare e projektuan kriminelët dhe po e shijojnë ata. Për sa kohë që ky vend nuk drejtohet nga idetë, nga ligji apo nga institucionet, për sa kohë që ky vend zgjedh pa u menduar gjatë ish të dënuar ordinerë dhe vagabondë, vrasës politikë dhe llumin e atyre që e shohin Shqipërinë si mundësi për ta vjedhur dhe jo për t’i shërbyer, për të gjitha këto e shumë të tjera, unë nuk çuditëm pse KQZ-ja na informoi se shumë nga të zgjedhurit tanë janë me rekorde kriminale. E vetmja çudi e bukur këto ditë ishte optimizmi i atij çiftit nga Proseku i Mirditës që e kanë refuzuar këtë politikë dhe këto institucione dhe kanë shkuar të merren me bagëtitë në Prosek. Ata duhet të jenë vërtet të lumtur se dhitë që ata mbarështojnë dhe jeta e vështirë e plot pasion në atë fshat të largët, i mban larg nga era e keqe e frymës që lëshojnë gurmazet e atyre që ne vazhdojmë t’i zgjedhim duke u bindur se nuk do të qeverisemi kurrë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi