Një parlament nuk garanton demokracinë, por nuk mund të ketë demokraci pa parlament

Nga Ylli Bufi, fjala në Konferencën për 25 vjetorin e Kuvendit pluralist demokratik, 18 prill 2016

BufiPas shpalljes së pluralizmit politik (dhjetor 1990) dhe realizimit të zgjedhjeve të lira shumë partiake (mars 1991), krijimi dhe funksionimi i parlamentit të parë pluralist demokratik (15 prill 1991), përbën momentin më madhor të vendosjes së sistemit demokratik në Shqipëri. Parlamenti është institucioni themelor i një shteti demokratik, në mënyrë të veçantë i republikave parlamentare, siç është vendi ynë. Shqipëria ishte një vend me përvojë relativisht të kufizuar të parlamentarizmit. Pas vonesës historike të krijimit të shtetit shqiptar dhe kalimit të një periudhe të gjatë në sistemet politike autoritare (monarkia dhe komunizmi), duhet thënë se parlamentarizmi rilindi në vitin 1991 me vendosjen e sistemit demokratik shumëpartiak.

Nga distanca e 25 viteve, nuk mund të mos kujtojmë me respekt të veçantë punën intensive dhe voluminoze të bërë nga deputetët e Kuvendit të parë pluralist për zëvëndësimin e legjislacionit të vjetër, që do të na ndante njëherë e përgjithmonë nga sistemi i vjetër njëpartiak. Dispozitat Kushtetuese, ligji për de-partizimin dhe de-politizimin e organeve shtetërore, ligji “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”, ligji për pafajsinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish dënuarve dhe përndjekurve politikë, ligji për tokën, për policinë e rendit, dhe një numër i madh ligjesh të tjera, ishin gurët e parë në themelet e shtetit të ri demokratik shqiptar. Pas një periudhe të gjatë izolimi, hapja e Shqipërisë ndaj botës së jashtme u shoqërua me miratimin e ligjeve të anëtarësimit të vendit në një sërë institucionesh ndërkombëtare, si në FMN, BB, BERZH, etj. Debatet parlamentare për miratimin konsensual të këtyre akteve të rëndësishme janë tashmë pjesë e fondit të debateve të mëdha, që bëjnë historinë e vendit tonë.

Unë besoj se të gjithë ne duhet të jemi krenarë që kemi qënë pjesë e këtij fillimi historik, që hapi rrugën për vendosjen e institucioneve të reja të shtetit demokratik në Shqipëri. Në atë kohë ne vinim me një përvojë të mirë profesionale, ndonëse nuk e kishim përvojën e sotme politike. Por besoj se mungesa e profilit politik kompensohej nga përgjegjësia dhe përkushtimi i gjithsecilit. Në atë kohë nuk e mendonim se pas 25 viteve do të ishte kaq e vështirë për të dialoguar dhe për të gjetur kompromiset e nevojshme përmes dialogut parlamentar. Rruga 25 vjeçare e Kuvendit ka patur zikzaket e veta.

Mes institucioneve politike, në të gjitha vëndet parlamentet gjithmonë kanë qënë relativisht më në shënjestër të kritikave dhe të pakënaqësive të opinionit publik. As pushteti ekzekutiv, as pushteti gjyqësor, as administrata publike, nuk kanë qënë objekt i kritikave të ngjashme me ato që u bëhen deputetëve dhe parlamenteve. Natyrisht që duhen kërkuar arësyet përse ndodh kështu. Sipas përvojave parlamentare të vendeve të tjera, por besoj se kjo vlen edhe në rastin e Kuvendit tonë, paqëndrueshmëria apo kriza e parlamenteve, nga njëra anë, lidhet me mënyrën e funksionimit të partive politike dhe nga ana tjetër, nga marrëdhëniet e parlamentit me qeverinë. E di që është e vështirë të vëresh dhe të pranosh një gjë të tillë kur je “brënda politikës”, por, më besoni, se “nga jashtë saj” gjërat duken më thjeshtë dhe qartë.

Kuvendi është institucioni i parë që bëhet objekt i imponimit të modelit “të shtetit partiak”. Këtë presion ai e përcjell në institucionet e tjera të shtetit me pasoja mjaft negative. Kur mazhoranca politike funksionon sipas llogjikës së modelit “partiak”, Kuvendi nuk mund të përmbush përgjegjësitë e tij kushtetuese. Në këtë rast rritet së tepërmi roli i opozitës parlamentare, por vetëm nëse ajo zgjedh rrugën e mbrojtjes së sistemit kushtetues. Kjo nuk ndodh, nëse opozita funksionon me të njëjtën llogjikë: me atë të rotacionit të pushtetit. Kuvendi nuk e kryen rolin e tij kushtetues, kur krizat politike që lindin kryesisht nga partitë parlamentare, nuk zgjidhen në Kuvend, por jashtë tij, nëpërmjet tryezave dhe kompromiseve midis partive, shpesh të nxitura apo mbështetura nga faktorë të jashtëm.

Një parlament nuk garanton demokracinë, por nuk mund të ketë demokraci pa parlament. Parlamenti përfaqëson një spektër të gjërë të mendimit politik dhe si i tillë, përmes debatit parlamentar, ai mundëson ballafaqimin e ideve dhe opinoneve të ndryshme. Ai është forumi kryesor ku zhvillohet debati për çështje me rëndësi kombëtare, ku demonstrohet pluralizmi, toleranca dhe mendimi ndryshe, ku arrihet kompromisi dhe konsensusi. Dialogu parlamentar është një instrument i pazëvëndësueshëm i funksionimit të një sistemi demokratik. Ai moderon tensionet duke ruajtur një ekuilibër midis kërkesave, ideve dhe alternativave të ndryshme për shkak të diversitetit dhe bën të mundur përfaqësimin e këtij diversiteti. Debatet parlamentare degradojnë pikërisht kur mungojnë idetë dhe alternativat konkuruese. Vendin e tyre e zënë sharjet dhe ofendimet personale. Ky është rasti që po ndodh gjithmonë e më shpesh në seancat plenare të Kuvendit të sotëm. Kjo nuk ka ndodhur 25 vjet më parë, madje as 95 vjet më parë. Në këto kushte mazhorancës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të imponohet përmes numrave të saj, ndërsa opozitës të përsërisë refrenin e zgjedhjeve të parakohshme. Kjo është shënjë domethënëse e atrofizimit të parlamentit.

Në Shqipëri është bërë i dukshëm fenomeni që partitë politike sapo vijnë në pushtet imponojnë “modelin” e tyre politik duke zëvëndësuar atë pjesë të sistemit politik, qeverisës dhe administrativ, që mesa duket nuk konsiderohet sa duhet bashkëpunuese me partinë fituese ose përçues të politikave të saj. Mazhorancat qeverisëse shpesh e përdorin mandatin elektoral për të vendosur kontrollin mbi pushtetet e tjera, sidomos mbi pushtetin legjislativ, gjyqësor, administratën dhe median. Imponime të tilla partiake janë konstatuar disa herë në Shqipëri, jo vetëm në rastet e rotacioneve politike midis dy forcave politike kundërshtare, por edhe kur ndodhin ndryshime në drejtimin e së njëjtës parti ose të njëjtit koalicion. Ky fenomen përbën një tipar të demokracive të pakonsoliduara, një tregues i paqëndrueshmërisë dhe mosfunksionimit të shtetit të së drejtës si dhe i mangësive në kulturën politike të mjedisit shoqëror dhe të vetë politikanëve lokalë. Këto premisa jane të mjaftueshme që vendi të rrëshqasë nga një regjim demokratik në një regjim partitokratik, simptoma këto që kanë filluar të jenë prezente në Shqipëri.

Roli i partisë së shumicës në parlament është të shndërrojë në ligj politikat e qeverisë. Kjo varet nga numri i vendeve që ajo ka në parlament, uniteti brënda partisë, opinioni publik dhe forca e opozitës. Roli i partive të opozitës në parlament është të kundërshtojë legjislacionin e paraqitur nga qeveria. Opozita mbron një tërësi përparësish alternative, ose një mënyrë të ndryshme të trajtimit të çështjeve që debatohen. Opozita mund të paraqese amendamente për një projektligj, për ta sjellë atë sa më afër pozicionit të vet, të mobilizojë mbështetjen e publikut për atë çështje dhe të tentojë ta bllokojë ose ta hedh poshtë projektligjin e qeverisë. Por opozita e mirë duhet të përpiqet të jetë konstruktive. Synimi i opozitës nuk duhet të jetë të pengojë qeverisjen e vendit, në të kundërt, ajo duhet të synojë përmirësimin e qeverisjes. Partitë e opozitës janë të suksesshme nëse ato tregojnë aftësinë e tyre për të qeverisur. Në rast se opozita e mobilizon me sukses opinionin publik dhe qeveria nuk arrin t’ia përshtasë pozicionin e vet këtij opinioni, shumica qeverisëse mund të perceptohet si arrogante dhe jo përfaqësuese. Partitë e opozitës mund të bëhen objekt kritikash nëse perceptohen si penguese dhe konfliktuale pa alternativë konstruktive qeverisëse.

Demokracitë e sotme parlamentare karakterizohen nga mënyra se si vendimmarrja politike ndahet midis parlamentit dhe qeverisë. Ndonëse funksionet tradicionale të këtyre dy degëve të qeverisjes janë të strukturuara formalisht në kushtetutën e një vendi, realiteti është më shumë një ndërveprim i zyrtarizuar mes tyre. Kufiri ndarës është mjaft poroz dhe shpesh baraz-pesha relative midis këtyre dy pushteteve është e vështirë të vendoset. Si pasojë, si në një enë komunikuese, kur flitet për “rënie të parlamentit” nënkuptohet “forcim i qeverisë”.

Presioni qeveritar ndaj legjislativit realizohet nëpërmjet ndryshimeve të procedurave parlamentare: shumica qeverisëse nuk e ka të vështirë të ndryshojë rregulloren e parlamentit përmes futjes së rregullave që kufizojnë deputetët dhe rrisin hapësirën e qeverisë; madje, me këtë synim, ajo mundet të shkoje deri në ndryshimin e dispozitave kushtetuese. Efekte të tilla ndodhin edhe kur bëhen ndryshime të sistemit zgjedhor: listat e rregulluara partiake të kandidatëve për deputetë i shërbejnë mjaft mirë funksionimit të disiplinuar të tyre. Janë këto rrethanat kur parlamenti i lëshon terren ekzekutivit. Fenomene të tilla janë prezente sidomos në vendet me demokraci ende të pakonsoliduar, si në rastin tonë.

Demokracia atrofizohet në mënyrë thelbësore kur ekzekutivi mbisundon në mënyrë të tepruar në raport me parlamentin. Në këtë rast duket se parlamenti ekziston vetëm për të “vulosur” vendimet e ekzekutivit. Kontrolli i qeverisë nga Kuvendi, sidomos i efekteve të politikave qeverisëse, nuk mund të thjeshtohet në debatet për çështjet që nuk janë në rendin e ditës. Duhen vlerësuar disa nisma të kohve të fundit për të rritur rolin e komisioneve parlamentare në kontrollin dhe monitorimin e politikave qeverisëse. Për këtë qëllim ato duhet të mbështeten, sidomos për sigurimin e të dhënave dhe statistikave të nevojshme.

Përvojat e parlamenteve në shumë vende të botës dëshmojnë për angazhimin e tyre në një proces të përhershëm reformash. Demokratizimi nuk është një rast, apo një rrethanë e caktuar në kohë, por një proces i vazhduar si në demokracitë e reja, ashtu dhe në demokracitë e quajtura të konsoliduara. Në një botë që ndryshon shpejt, fryma e dialogut në institucionin legjislativ është shumë e rëndësishme: aty duhet të ballafaqohet e kaluara dhe e ardhmja e një shoqërie, të gjënden mënyrat e ndërtimit të së ardhmes, pa prishur të gjitha traditat që formësojnë veçoritë e një vendi. E kaluara duhet të merret si një reference dhe burim i ndryshimit dhe jo si një pengesë e progresit.

Gjatë viteve të tranzicionit ka patur përpjekje për reforma ligjore dhe strukturore, por për shkak të interesave politike afatshkurtra dhe konjukturave politike në vend, ato kanë qënë gjysmake dhe nuk kanë dhënë efektet e duhura. Parlamenti duhet të jetë i hapur ndaj reformimit të vazhdueshëm të procedurave të punës dhe ushtrimin e rolit të gardianit të demokracisë. Kur përcaktohen objektivat e reformave të nevojshme duhet gjithmonë të mendohet e ardhmja. Kjo nënkupton që forcat politike kur vendosin për reformat nuk duhet të mendojnë statusin e tyre të momentit – qofshin në qeveri apo opozitë -, por atë kur të kenë humbur pushtetin, ose të mos jenë më në opozitë.

Besoj se të gjitha këto përbëjnë disa nga sfidat e Kuvendit të sotëm. Janë të ndryshme nga ato të 25 viteve më parë, por sidoqoftë janë vazhdim i asaj rruge të nisur më 15 prill 1991.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi