Shteti që ndërhyn në jetët tona

Nga Michael D. Tanner, Townhall, botuar në Mapo Online, 29 mars 2016

Nga-Michael-D.-TannerNdërhyrjet e shtetit janë përtej çdo lloj imagjinate, duke na kthyer në epokë gati totalitare, shkruan Tanner. Qeveria nuk është më mbrojtëse e njerëzve, por qeverisëse e jetëve të tyre.

Mes shumë çështjesh të rëndësishme me të cilat përballet ky vend, ligjbërësit në rreth 30 shtete iu kthyen muajin e kaluar një çështjeje me rëndësi të madhe kombëtare: Rregullimin e basteve sportive online. Në varësi të shtetit, ligjbërësit kërkojnë ndalimin e transmetimit në kohën e lirë, ta lejojnë atë, ose të vendosin rregulla si kufizimi i moshës, kërkesa për licencim dhe tarifë regjistrimi. Të gjitha këto shtrojnë një pyetje të dukshme: Çfarë pune ka qeveria me këtë gjë?

Një nga ankesat kundër Mbretit George III (i Britanisë), që Etërit Themelues e plotësuan në Deklaratën e Pavarësisë ishte që “Ai ka ngritur një sërë zyrash të reja dhe ka dërguar valë oficerësh për të bezdisur popullin tonë dhe për ta zhveshur nga substanca.” Ky vend u themelua bazuar në idenë që, në rrethanat më të shpeshta, qeveria duhet të mos na bezdisë.

Por sot mjafton të hedhësh një sy rrotull për të kuptuar që qeveria, në çdo nivel – federal, shtetëror, dhe lokal – shfaqet me rregullsi në rritje në çdo aspekt të jetës sonë. S’ka rëndësi përse bëhet fjalë: dhoma jonë e gjumit, kuleta jonë, sirtari i ilaçeve apo frigoriferi, duket se nuk ka asnjë fushë të jetës sonë që ligjbërësit nuk mendojnë që është punë e tyre ta rregullojnë në përputhje me moralin, gjykimin, preferencat, ose vullnetin e tyre. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë të bësh diçka pa marrë një lloj leje nga një autoritet qeveritare apo një tjetër. Sipas Institutit Brookings dhe Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë të presidentit (të SHBA), rreth 30 për qind e fuqisë punëtore është mbuluar nga një lloj forme licencimi, nga luleshitësit te punonjësit e varrimeve, nga krasitësit e pemëve te grimieret.

Të gjithë i dimë historitë e qyteteve që kanë mbyllur pikat ambulante të shitjes së limonadave për fëmijë për shkak të mungesës së lejes së aktivitetit. Por a dini që më shumë se 50 qytete faktikisht ju ndalojnë ju t’u jepni ushqim falas të pastrehëve? Kjo përfshin bastione liberale si Atlanta, Baltimore, Los Anxhelos, Filandelfia dhe Siatëll.

Ne kemi dëgjuar gjithashtu shumë për ish-kryetarin e bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg, që u përpoq të ndalonte ose kufizonte pijet me gaz, kripën dhe dhjamërat. Por Nju Jorku nuk është qyteti i vetëm që na tregon mënyrën si duhet të hamë. San Francisko, për shembull, i ka nxjerrë jashtë ligjit menytë Happy Meals të restoranteve McDonald. Nju Jorku, i cili nuk i pëlqen shumë Happy Meals, po mendon për vendosjen e rregullave standard për dhjamin, natriumin dhe kaloritë, si dhe të kërkojë që menytë Happy Melas të shërbehen shoqëruar me fruta, perime ose drithëra.

Ushqimi duket se është një fiksim i veçantë për ligjbërësit. Ngacmimi i vazhdueshëm i drekave në shkollë ndoshta mund të justifikohet, përderisa shkollat publike janë shtetërore. Por çfarë të themi për faktin që 19 shtete ndalojnë shitjen e qumështit të papërpunuar? Kalifornia përdor një “ekip konfiskimi për ushqimin” për të kontrolluar shtëpitë e qytetarëve që mendohet se kanë blerë qumësht të papërpunuar. Edhe qeveria federale i ka futur hundët këtu, duke e shpallur të paligjshme shitjen e qumështit të papërpunuar ndërmjet shteteve. Doni më? Arkansasi, Virxhinia, Virxhinia Perëndimore dhe Tenesi, i janë bashkuar Berklit në Kaliforni, në vendosjen e taksave të veçanta për pijet me gaz. Karolina e Veriut ndalon shitjen e hamburgerëve al sangue (të pjekur pak).

Cigaret elektronike dhe “tymosja” janë të fundit që kanë tërhequr vëmendjen e ligjbërësve. Nju Meksiko është një nga të fundit që po mendon për kufizimin ose ndalimin e cigareve pa tym. Edhe Kongresi po e mendon. Autoritetet nuk duan që ne të pimë duhan (as cigare pa duhan), ose të pimë alkool gjithashtu. Njëzet e shtatë shtete e kanë ndaluar alkoolin pudër (pudër që i hidhet ujë dhe bëhet alkool), dhe senatori Chuck Schumer i Nju Jorkut prezantoi një ligj vitin e kaluar për ndalimin e alkoolit në nivel federal (fatmirësisht, projektligji nuk çoi gjëkundi). Nxirja artificiale dhe tatuazhet janë “veset” e tjera që kanë tërhequr vëmendjen e qeverisë për hetim dhe rregullim.

Por le të mos mendojmë se është vetëm e majta ajo që kërkon që shteti të ndërhyjë në jetën tonë private. Edhe konservatorët kanë qenë të gatshëm t’i kthejnë në ligj preferencat e tyre morale, sidomos kur bëhet fjalë për sjelljen seksuale. Si mund ta lexoni faktin që Alabama nxori jashtë ligjit lodrat seksuale. Në Miçigan, senati i shtetit sapo ka kaluar një ligj që e konsideron vepër penale seksin oral edhe mes një çifti heteroseksual. Ca ligjbërës në Nju Hampshire po përpiqen të nxjerrin jashtë ligjit banjat e diellit gjysmë lakuriq (topless) në plazhet e atij shteti. Dhe ligjbërësit e Montanas, kohët e fundit konsideruan propozimin për ndalimin e mbathjeve të jogas, në bazë të ligjeve të shtetit për imoralitetin. Një grusht shtetesh ende e ndalojnë shitjen e alkoolit të dielave. Shteti dado nuk i respekton linjat partiake.

Shumë ligjbërës dhe shumë votues e pranojnë fjalën e urtë: “Duhet të ketë një ligj.” Ajo që është e mirë duhet të bëhet e detyrueshme; ajo që është e keqe duhet të ndalohet. Por, siç tha një herë Ronald Reagan, “Qeveria ekziston të na mbrojë nga njëri-tjetri. Qeveria e ka kaluar kufirin duke vendosur të na mbrojë nga vetja jonë.” Kjo duhet mbajtur vath në vesh herën tjetër që ne i japim qeverisë më shumë pushtet të rregullojë jetën tonë. Dhe ia vlen ta mbani vath në vesh kur të dëgjoni në të ardhmen politikanët që premtojnë se ata do të miratojnë një apo disa ligje sepse kjo është për të mirën tonë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi